Si po shuhet Shqipëria: A do ta dëgjojë njeri të qarën alarmuese?!

19 Nëntor 2016, 09:30Sociale TEMA

Në gjashtëmujorin e parë, lindshmëria pësoi rënien më të madhe që nga viti 1990. Ulja me 29% e lindshmërisë së bebeve në raport me fundin e vitit të kaluar, është një episod i frikshëm për zhvillimet demografike në vend. Bashkë me emigracionin e lartë, rënia e lindshmërisë në nivelet më të larta historike është tregues i qartë se shoqëria po përjeton një fazë depresioni. Demografët shpjegojnë arsyet që kanë çuar në këtë situatë, duke sugjeruar disa “receta”. Bizneset e arsimit parashkollor shumë shpejt do të vihen në vështirësi dhe tregu do të përballet me humbjen e forcës së aftë të punës

Blerina Hoxha

Artani dhe Majlinda janë një nga çiftet e martuara në dhjetë vitet e fundit që nuk ndihen të sigurt të kenë një fëmijë të dytë. Pas pesë vitesh martese kanë vendosur të lindin fëmijën e parë dhe nuk kanë plane për një tjetër. Arsyet për të mos shtuar familjen e re me shumë fëmijë lidhen tërësisht me ekonominë. Artani prej vitesh ka humbur punën për shkak të falimentit të kompanisë, ndërsa po has në vështirësi për t’u integruar sërish. “Punët e tjera që kam gjetur më pas nuk qenë stabile. Nuk kanë qenë korrektë me pagat ose kanë kërkuar angazhim të përkohshëm”,- shprehet ai. Majlinda është vetëpunësuar në një rrobaqepësi. Përveç shpenzimeve për fëmijën tashmë 5 vjeç kanë për të paguar edhe dy qira mujore, atë të dyqanit dhe të shtëpisë. Pjesa që mbetet mezi sa mbulon shpenzimet jetike të muajit bashkë me faturat e dritave dhe ujit. Puna e Majlindës deri para një viti po ecte mirë ndërsa tatimorët nisën ta vizitonin ditë për ditë. Ka edhe disa gjoba për të paguar. Ajo thotë se kërkesa për shërbime rrobaqepësie ka rënë, teksa thotë se është duke menduar që të largohet me gjithë familjen jashtë vendit, edhe pse tashmë është vonë. “Shpresoj të më dalë Lotaria Amerikane. E kam plotësuar qysh ditën e parë.” Ajo thotë se të njëjtën histori ka edhe motra e saj, teksa pohon se një nga vëllezërit me gjithë familjen ka kërkuar azil në Francë dhe tashmë është sistemuar atje. “Nuk bëhet fjalë për një fëmijë të dytë. Nuk kam siguri dhe as mundësi të përballoj shpenzimet”, thotë ajo.

Historia e Artanit dhe Majlindës është e shumë çifteve të reja në Tiranë. Shërbimet mbështetëse për nënat dhe familjet e reja mungojnë totalisht. Politikat për strehim nuk ekzistojnë dhe, nga ana tjetër, Kodi i Punës për nënat e reja nuk respektohet në një pjesë të madhe të sektorit privat….

….Përtej debateve publike për hashashin, vetting-un dhe lugës bosh që politika u jep përditë qytetarëve, shoqëria shqiptare duket se është futur në depresion. Shenjat e para i dha emigracioni masiv i vitit të kaluar, por duket se situata është rënduar më tej këtë vit, pasi numri i lindjeve ka rënë në mënyrë drastike.

Në gjysmën e parë të vitit, INSTAT konfirmoi se lindjet kishin pësuar rënie vjetore me 27%. Kjo ishte rënia më e madhe e lindshmërisë, të paktën që nga viti 1990. Fenomeni i ka trembur demografët dhe sociologët, të cilët pohojnë se, ky reagim i shoqërisë shqiptare, është një tregues i qartë i pesimizmit që po kalon ajo.

Demografja Majlindja Nesturi thotë se rënia e lindjeve është ndikuar nga niveli i lartë i emigracionit dhe situata ekonomike që po kalojnë çiftet e reja. Mosangazhimi në tregun e punës i të rinjve është pengesa kryesore për fekondimin. Papunësia në Shqipëri aktualisht luhatet në nivelin 16%, por ndër të rinjtë, deri në 30 vjeç, është më shumë se 30%.

Por, mbi të gjitha, psikologët pohojnë se shqiptarët kanë humbur shpresën dhe ndihen të pasigurt për të krijuar familje dhe për ta shtuar atë.

Profesor Edmond Dragoti e lidh rënien e lindshmërisë me ndryshimin e mënyrës së të menduarit të shoqërisë shqiptare, ku tashmë po kalohet gradualisht nga kultura patriarkale, autoritare, kolektive, në kulturën individualiste. Kjo do të thotë se individi i sotëm është më pak i varur, kujdeset dhe përgjigjet gjithnjë e më pak për të tjerët e familjes apo fisit dhe mendon gjithnjë e më shumë vetëm për zhvillimin e vetes. Ky nuk është vetëm një fenomen shqiptar, por mbarëbotëror. Kështu ngjau edhe në kohën e Revolucionit Industrial në Angli, kur kalimi në ideologjinë individualiste u shoqërua me rënien e shpejtë të lindjeve, thotë Dragoti.

Ai vë në dukje se edhe dukuria e migrimit të brendshëm dhe të jashtëm, që paraqet një lëvizje masive të popullsisë, ndikon në uljen e ritmit dhe numrit të lindjeve. Ndërkohë edhe pasoja të tilla të zhvillimit të pakontrolluar të vendit tonë si papunësia e lartë, varfëria, ulja e cilësisë së jetës, pasiguria sociale dhe ekonomike, shpërbërja e familjes si dhe padrejtësia shoqërore kthehen dhe shërbejnë si faktor i rëndësishëm, – pohon profesori i Shkencave Sociale.
Kjo dukuri do të ketë ndikime të shpejta në bizneset që lidhen me çerdhet dhe arsimin parashkollor. Në vitet e mëvonshme, tregu i punës do të vuajë nga prurjet e reja dhe skemat e mbrojtjes sociale dhe qeveritë do të përballen me kosto të larta të pleqërimit të vendit. Astrit Hado, drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, bën thirrje për hartimin e politikave stimuluese për rritjen e lindshmërisë. Rënia e kapitalit njerëzor prej lindjeve të reja është më e rrezikshme se emigracioni, thotë Hado, pasi sipas tij, fenomeni i emigracionit ka shpresa rikuperimi.

Rënia e frikshme

Në vitin 1990, kur ekonomia shqiptare preku ekonominë e tregut pas 45 vitesh izolim, numri i lindjeve ishte mbi 82 mijë bebe në një vit. Por pas 25 vitesh me ngjarje eksodi masiv të shqiptarëve jashtë vendit, lindjet pësuan rënie drastike me 60% më 2015.

Duke parë trendin historik të lindjeve që nga vitet 1991 shihet një lidhje e qartë me emigracionin. Lindshmëria ra sistematikisht në vitet 1992, 1993 dhe 1994 të ndikuara nga vala e parë e emigracionit. Deri në vitin 1996, ishin larguar nga vendi mbi 600 mijë shqiptarë.

Viti i mbrapshtë 1997 shënoi eksodin e dytë më të madh të shqiptarëve me mbi 100 mijë të larguar nga vendi në një vit, hemorragji që do të vijonte edhe në vitet e mëvonshme, duke ndikuar negativisht te lindshmëria deri në vitet 2009. Më pas thuajse për pesë vite rresht pati një stabilizim të emigracionit dhe gjithashtu lindjet ndaluan rënien dhe nisën të rriten deri në vitin 2015. Por fenomeni i lindshmërisë së ulët është rikthyer frikshëm në dy vitet e fundit, sidomos në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, duke shënuar rënie me 22%, në raport me 6 mujorin e parë 2015, më e larta në të gjitha vitet e tranzicionit. Edhe në raport me 6 mujorin e dytë 2016 rënia ka qenë me ritme katastrofike, prej 28.9%. Nëse vazhdohet me këto ritme rënie, shifrat do të rezultojnë katastrofike.

Që nga viti 1960 indeksi sintetik i fekondimit (numri i lindjeve për një grua) ka pësuar rënie të vazhdueshme. Ky indeks, në vitin 1960, ishte mjaft i lartë, më shumë se 5 fëmijë për një grua të grup-moshës riprodhuese, ndërkohë që në vitin 2014 ky indeks është ulur në 1.78 fëmijë për një grua dhe së fundmi është 1.6. Instituti i Statistikave referon se ky tregues është mjaft domethënës, pasi ka të bëjë me riprodhimin e popullsisë. Sipas Projeksioneve të Popullsisë bazuar në Censusin e Popullsisë dhe Banesave të vitit 2011, indeksi i fekondimit do të vazhdojë të bjerë, gjë e cila tregon vazhdimin e procesit të plakjes së popullsisë. Mosha mesatare e popullsisë banuese është rritur nga 30,6 vjeç në 2001 në 36.6 vjeç në vitin 2015.

Arsyet

Demografja Majlinda Nesturi thotë se arsyet e rënies së lindshmërisë janë të shumta, por tri prej tyre janë kryesore. E para është emigracioni i lartë i popullsisë në moshë fertile; e dyta rritja e moshës mesatare të martesës si te femrat ashtu dhe te meshkujt dhe arsyeja e tretë, përdorimi i metodave të planifikimit familjar.

Por ajo shton se ka disa arsye që lidhen edhe me dinamikën e zhvillimit të familjeve që janë baza e lindshmërisë, si martesa e vonë dhe divorcet ose refuzimi për të shkuar në martesë.

Nesturi thotë se, pas vitit 2001 vihet re një trend në rënie i numrit të martesave deri në 2009. Zhvendosja drejt moshës më të vjetër për martesë konfirmohet edhe nga llogaritjet e mesatares së moshës për martesë. Nesturi thotë se mosha mesatare në martesë tregon rritje të lehtë nga 27,7 në vitin 2007 në 29,5 vjeç në vitin 2014 për meshkujt dhe nga 22,4 në 24 vjeç për femrat. Kjo rritje është më e dukshme për meshkujt sesa për femrat.
Gjithashtu numri i divorceve është rritur. Numri absolut i divorceve në Shqipëri ka shënuar një rritje nga 2.5 mijë në 2001 në 4.2 mijë në 2014.

Nesturi shpjegon se kjo shtyrje e martesës ndoshta është e lidhur me rëndësinë e karrierave paralele, si vazhdimësia e arsimit, zhvillimet në gjetjen e një pune të përshtatshme në tregun e punës dhe ndikimi i përvojave të migracionit gjatë fazës së jetës të të rinjve të rritur. Gjithashtu ka mundësi që forma të tjera të jetesës, ndryshe nga martesa, të bëhen më të zakonshme. Një mundësi është që bashkëjetesa pa martesë të fitojë terren, siç tregohet për shembull, nga Anketa Demografike dhe e Shëndetit 2008-‘09.

Në BE, në vitin 2006, pothuajse 30% e grave të moshës 15-29 vjeç dhe 18% e meshkujve të kësaj grup-moshe kanë jetuar në bashkëjetesa konsensuale jashtë martese. Shtyrja e martesës dhe përqindjet më të larta të atyre që mbeten beqarë përtej moshës 40-vjeçare tregon gjithashtu që parimi i martesës universale do të braktiset dhe që një përqindje në rritje e personave mund të zgjedhin vullnetarisht që të jenë të pamartuar.

Në këtë drejtim, shoqëria shqiptare mund të ndjekë vende të tjera europiane në trajektoren e Tranzicionit të Dytë Demografik dhe ndoshta do të shohë një variacion më të madh të formave të jetesës, ku të rinjtë do të jenë pararendësit. Edhe në modele të tjera martese, Shqipëria përballet me ndryshime sociale. Të rinjtë e martuar janë të ekspozuar ndaj rrezikut të divorcit vetëm për një kohë të shkurtër, por përqindja e të rriturve të rinj që janë të ndarë ose të divorcuar është rritur ndjeshëm në terma relativë. Mes 25-29-vjeçarëve, kjo përqindje është dyfishuar në 1.4% në intervalin e fundit ndërmjet Censuseve dhe ka mundësi të bëhet edhe më e dukshme në të ardhmen e afërt.

Gjirokastra dhe Vlora, më të goditurat

Lindshmëria ka pësuar rënie drastike në të gjitha qarqet e vendit në gjashtëmujorin e parë, por më drastik fenomeni ka qenë në qarqet e Gjirokastrës dhe të Vlorës. Nga të dhënat e INSTAT rezulton se numri i lindjeve në qytetin jugor të Gjirokastrës ra me 43.2%, ndjekur nga Vlora me 33.5%, dhe Fieri me 31%. Numri i lindjeve pësoi rënie dyshifrore në të 12 qarqet e vendit, me një mesatare 27%. Ekspertët e Institutit të Statistikave, në projeksionet e tyre për popullsinë deri në vitin 2031, kanë parashikuar pesë lloje të ndryshme të ecurisë demografike në 12 qarqet e vendit. Në Tiranë, Vlorë dhe Durrës, stabilizimi ose rritja e popullsisë pritet të nxitet nga migrimi i brendshëm, si dhe nga emigrantët e kthyer në rastin e Vlorës. Grupi i dytë përbëhet nga Kukësi dhe Dibra, që pavarësisht nga një tejkalim në diferencën e lindjeve kundrejt vdekjeve, do të provojnë rënie të fortë të popullsisë për shkak të balancës shumë negative të migrimit të brendshëm që përfaqëson të paktën trefishin e emigrimit jashtë. Berati dhe Fieri formojnë grupin e tretë. Pavarësisht një niveli negativ të rritjes natyrore, zvogëlimi i popullsisë në këto qarqe do të vijë kryesisht nga migrimet e brendshme dhe ato ndërkombëtare. Grupi i katërt përfshin Korçën dhe Gjirokastrën, të cilat janë të prekura njësoj nga rënia natyrore në nivele negative, për shkak të migrimeve ndërkombëtare dhe të brendshme. Lezha, Elbasani dhe Shkodra formojnë grupin e fundit të karakterizuar nga një tendencë drejt një numri të balancuar të lindjeve dhe vdekjeve. Rënia demografike deri në vitin 2031 nxitet kryesisht nga migrimi ndërkombëtar.

Kushtet ekonomike nuk favorizojnë

Përgjithësisht, kushtet materiale të jetesës së të rinjve shqiptarë janë përmirësuar gjatë dekadave të fundit, edhe pse sipas standardeve europiane, kushtet janë të këqija. Sipas të dhënave të Anketës për Matjen e Nivelit të Jetesës 2012, nga INSTAT, rreth 15% e të rinjve të moshës 15 deri në 29 vjeç jetojnë në kushte që janë të pamjaftueshme për të prodhuar nivelin minimal të mirëqenies materiale. Edhe pse nuk ka në dispozicion statistika të krahasueshme me të shkuarën, ka mundësi që përqindja e të varfërve të ketë rënë krahasuar me dekadat e mëparshme.

Për shumë të rinj, emigracioni shërben si një valvul sigurie për presionin e papunësisë në nivele të larta në Shqipëri. Rinia shënon një fazë në jetë ku ndodh tranzicioni nga arsimi në punësim. Kjo tashmë paraqet sfidë në kushtet e favorshme të tregut të punës, por edhe më shumë në tregun e punës të Shqipërisë në vitet 1990 dhe më tej. Gjithashtu, punësimi edhe në Shqipëri, edhe jashtë vendit, është ndikuar negativisht nga kriza ekonomike që në 2008, e cila goditi fort punësimin e të rinjve. Të papunët deri në 30 vjeç janë mbi 31%.

Përveç papunësisë, një shtesë prej 14% e forcës së punës së të rinjve është e nënpunësuar, punon në punë që nuk janë mjaft produktive dhe shpërblyese. Së bashku me të papunët, kjo rezulton në 36% të forcës së punës së të rinjve ose 142 mijë persona, të cilët nuk janë në punësim fitimprurës. Gjithashtu, analiza e tranzicionit të tregut të punës tregon që në vitin 2011, 58% e të gjithë të rinjve ka përjetuar tranzicionin nga inaktiviteti në tregun e punës, por vetëm 9% kanë bërë edhe tranzicionin për në punë të denjë.

INSTAT konfirmon se një përqindje e madhe (63%) e të rinjve është e papunë prej një kohe të gjatë, kjo shifër është më e lartë se në çdo vend të BE-së dhe kërkon vëmendje të veçantë nga politikëbërësit. Kërkime empirike tregojnë që kohëzgjatja e papunësisë ndikon negativisht në mundësinë e gjetjes së një pune (të re), sepse nënkupton humbjen e aftësive të fituara dhe personi bëhet më pak tërheqës për punëdhënësit e mundshëm. Veçanërisht e rëndësishme për të rinjtë e papunë është fakti që papunësia e zgjatur në fillim të karrierës së dikujt mund të reduktojë përgjithmonë fitimet e ardhshme, të ulë mundësitë për punë dhe të vonojë fitimin e aftësive të çmuara në punë. Marrëdhënia ndërmjet aftësisë për punë dhe nivelit të arritur arsimor është mjaft komplekse. Arsimi ka pasur pak ndikim te papunësia për të rinjtë meshkuj, por arsimi i lartë duket se ka ndikim negativ për femrat e reja. Një studim i INSTAT për gjendjen ekonomike të të rinjve thotë se, arsimi i avancuar nuk është garanci për të gjetur punë, ose për të rritur pritshmëritë e punësimit përtej niveleve realiste. Kjo ngre pyetjen se deri në çfarë mase arsimi i lartë orientohet në mënyrë të efektshme drejt nevojave të tregut të punës. Kjo çështje theksohet më tej nga niveli i lartë i mospërputhjes së aftësive, që ndodh kur një person ka kualifikime arsimore më të larta ose më të ulëta sesa niveli që i caktohet punës së personit. Norma e mospërputhjes për punëtorët e rinj të arsimit të lartë ka rezultuar tepër e lartë në 34% në vitin 2011, sipas INSTAT. Meqë ky është grupi me arsimin më të lartë, mospërputhja nënkupton që personat janë të mbikualifikuar për punën e tyre. Këto norma të larta mospërputhjeje janë tregues ose i tregjeve të punës me papunësi të lartë ose përputhje e keqe ndërmjet atyre që dalin nga sistemi arsimor dhe kërkesës së tregut të punës ose kombinim i të dyjave, sugjeron studimi i ekspertëve demografëve të INSTAT.

Emigracioni masiv i të rinjve

Rënia në pikiatë e fekondimit është rrjedhojë edhe emigracionit të lartë të vitit të kaluar. Demografja Majlinda Nesturi thotë se një ndër faktorët kryesorë të rënies së lindjeve këtë vit lidhet me emigrimin.

Një valë emigracioni prej më shumë se 100 mijë personash përfshiu vendin vitin e kaluar, nga të cilët 67 mijë persona azilkërkues në BE, 80% e të cilëve ishin nga 0-35 vjeç, grup-moshë që sjell mbi 90% të bebeve në jetë. Qendra kërkimore “Pew Research”, që ka përpunuar të dhënat e Eurostat për emigracionin në vendet e BE në vitin 2015, tregoi se 80% e azilkërkuesve shqiptarë ishin nën 35 vjeç.

Sipas të dhënave, 31% e azilkërkuesve shqiptarë në vitin 2015 ishin femra të moshës 0-34 vjeç, ndërsa 49% ishim meshkuj të kësaj grup-moshe. Shifrat tregojnë për një emigracion në masë të familjeve të reja. Shqipëria e ka shumë të lartë dhe përqindjen e fëmijëve që ikin me prindërit e tyre, teksa grup-mosha 0-17 vjeç zinte 34% të totalit të azilkërkuesve. Në vlerë absolute, rezulton se rreth 23 mijë fëmijë e adoleshentë (nga zero deri në 17 vjeç) kanë kërkuar azil në Europë gjatë vitit të kaluar.

Studimi tregon se nga vendet aziatike emigrojnë kryesisht meshkujt vetëm, ndërsa nga vendet në zhvillim të Europës, ku përfshihet edhe Shqipëria, emigrojnë përgjithësisht familjet.

Të dhënat tregojnë se azilkërkuesit nga vende si Rusia, Serbia, Ukraina dhe Shqipëria kanë tendencë për t’u zhvendosur si familje.

Në projeksionet afatgjata të popullsisë shqiptare, INSTAT parashikonte sipas të gjithë skenarëve që emigracioni të ishte 100-300 mijë persona deri më 2030. Mirëpo ky fenomen u përkeqësua në vitin e fundit, duke kaluar edhe parashikimet më pesimiste.

Sipas të dhënave të Eurostat, numri i azilkërkuesve nga Shqipëria është rritur me 439%, duke arritur në rreth 67 mijë në vitin 2015, nga 12.2 mijë që ishin një vit më parë. (Raporti: Shqipëria dhe Kosova kryesojnë azilkërkuesit nga Europa).

Këtu janë të përfshirë vetëm individët e regjistruar si azilkërkues në vendet e BE-së, ndërsa numri total i të larguarve (jo vetëm në BE, por dhe në SHBA) është vështirë të matet, por gjithsesi ai është më i lartë se 67 mijë.
Rritja e numrit të të ikurve në vitin 2015 pritet të japë ndikim të ndjeshëm në ekonomi, duke u bërë jo vetëm një element për uljen e potencialit të rritjes ekonomike të vendit dhe konsumit, por dhe një mungesë direkte në ofertën e krahut të punës në Shqipëri.

Ashtu si për lindshmërinë, të rinjtë janë nxitësit kryesorë të migracionit, të brendshëm dhe ndërkombëtar. Heqja e barrierave ndaj emigracionit, trazirat sociale në vitet 1990, papunësia e lartë dhe mundësi më të mira për punë dhe studime jashtë vendit gjenerojnë një fluks të vazhdueshëm emigracioni më së shumti drejt Greqisë dhe Italisë. Censusi i vitit 2011 tregoi që emigracioni ka qenë faktori më i rëndësishëm për humbjen neto të popullsisë me 269 mijë persona, ndërmjet vitit 2001 dhe 2011, të shprehur në përqindje si 8.8% e popullsisë në vitin 2001. Gjatë kësaj periudhe vlerësohet që 482 mijë shqiptarë kanë ikur nga vendi. Ashtu siç ndodh zakonisht në migracion, grup-mosha që u përfshi më shumë në përvojën e migracionit është ajo e të rinjve të rritur. Numri total i të rinjve që kanë emigruar në periudhën ndërmjet censuseve 2001-2011 vlerësohet 225 mijë persona dhe grup-mosha 20-24 vjeç dhe 25-29 vjeç ka më shumë emigrantë sesa çdo grup-moshë tjetër. Por fenomeni i është kthyer furishëm dy vitet fundit. Megjithatë, arsyet ekonomike për emigracionin mbizotërojnë ende mes grave dhe burrave. Në Censusin e vitit 2011, këto janë përcaktuar si arsyet kryesore për 74% të të rinjve që kanë ikur nga shtëpia për të shkuar jashtë shtetit.

20% e grave nuk e zëvendësojnë vetveten

Demografët e INSTAT në matjet e fundit për zhvillimet demografike në vend kanë gjetur se 20% e grave të sotme nuk e zëvendësojnë vetveten me këto ritme lindshmërie.

Niveli i lindshmërisë në Shqipëri është dukshëm më i ulët se niveli i zëvendësimit, d.m.th numri mesatar i fëmijëve që një gruaje do t’i duhet të lindë për të zëvendësuar veten duke lindur një vajzë e cila duhet të jetojë moshën e saj të riprodhimit.

Aktualisht, në një indeks mesatar një grua lind 0,80 vajza. Kjo do të thotë se aktualisht, gratë nuk arrijnë “të zëvendësojnë vetveten” me 20%.

Mosha mesatare e lindshmërisë është aktualisht 27,4 vjeç. Në vitin 2001, mosha mesatare në lindje ishte 27,1 vjeç, me një nivel lindje 2,3 fëmijë për një grua. Në dy vitet pasuese, mosha mesatare shkoi në 28 vjeç dhe që atëherë është luhatur rreth atij niveli. Fakti që lindshmëria zbriti nga niveli 2,3 në nivelin 1,67, pa ndonjë ndryshim të moshës mesatare në lindje, tregon se rënia e lindshmërisë ndodhi në mënyrë të barabartë në të gjitha grup-moshat, arsyeton INSTAT.


Fertiliteti, Shqipëria në zonën e rrezikut

Shkalla e përgjithshme e fertilitetit ka rënë në shumë vende të rajonit, sidomos në Shqipëri. Ndërsa koha, intensiteti i rënies së fertilitetit ndryshojnë, pasi në shumë vende rënia ka qenë dramatike dhe ka ndodhur shpejt. Për shembull, kalimi nga një normë mesatare e fertilitetit prej më shumë se pesë fëmijë për grua i mori dy shekuj Francës, por vetëm 34 vjet vendit tonë. Vendi ynë renditet i pari në Europë me rënie kaq të theksuar, ndjekur më pas nga Armenia dhe Maqedonia, sipas një studimi të Bankës Botërore në lidhje me zhvillimet demografike të botës në vitin 2015.

Në të gjithë botën, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri në Indi, shkalla e fertilitetit është ulur teksa pabarazia dhe kosto e arritjes së një statusi social është rritur.

Një studim i fundit i Kombeve të Bashkuara në 5 vitet e fundit (2010-2015), sugjeron se Shqipëria është në zonën blu të shkallës më të ulët të fertilitetit (norma e lindjeve 0-2.1) në një kohë që mesatarja botërore është 2.51 fëmijë për grua. Të gjithë fqinjët ballkanas kanë të njëjtin nivel si shqiptarët, ashtu sikurse trendi orienton për të njëjtën panoramë edhe në të gjithë Europën Perëndimore.

Për shkak të fertilitetit të ulët dhe emigracionit të lartë numri i të moshuarve mbi 80 vjeç është rritur në Shqipëri me ritme më të larta se në Bashkimin Europian gjatë dekadës së fundit.

Sipas një publikimi të posaçëm të Eurostat, numri i të moshuarve mbi të 80-at është rritur me 58% në Shqipëri nga viti 2004 deri më 2015, ndërsa në Europë, numri i kësaj grup-moshe është rritur me 38%.

Eurostat thotë se, popullsia mbi 80 vjeç arriti në 27 milionë banorë në fillim të 2015-s nga 19.7 milionë që ishin më 2004. Ndërsa në Shqipëri, popullsia mbi 80 vjeç arriti në mbi 64 mijë persona në 2015, nga rreth 40 mijë që ishin në vitin 2014. Gjithsesi, në totalin e krejt popullsisë në Shqipëri, 80-vjeçarët kanë një peshë më të ulët. Në BE, kjo grup-moshë zuri në vitin 2014, 9.5% të totalit të popullsisë, ndërsa në Shqipëri, kjo grup-moshë përbënte 2.3% të totalit të popullsisë.

Tranzicioni i lindshmërisë

Shqipëria është një prej pak vendeve europiane ku tranzicioni i lindshmërisë filloi në një fazë shumë të vonë. Një studim i INSTAT për dinamikat e lindshmërisë thotë se, në fund të viteve 1940, kur shumë vende në Europë prej kohësh kishin hyrë në tranzicionin e tyre të lindshmërisë, Indeksi Sintetik i Fekondimit (ISF) – lindshmëria për një grua – në vend ishte rreth 6.5, më i larti ndër vendet europiane. Gjatë viteve ‘50, kur shumica e Europës pësoi rënie të mëtejshme në nivelet e lindshmërisë, Shqipëria shënoi rritje në numrin mesatar të fëmijëve për grua. Nga vitet 1960, ISF-ja arriti një maksimum prej pothuaj 7 fëmijësh për grua. Ndërmjet viteve 1960 dhe 1965, ndodhi rënia e parë e lindshmërisë, me një rënie të ISF-së nga 6,9 në 5,6. Pas viteve 1970, ISF-ja përsëri ra me shpejtësi. Megjithëse ISF-ja ishte 5,2 në vitin 1970, ai ra në 3,6 në vitin 1980 dhe në rreth 3 deri në vitin 1990.

Lindshmëria pësoi rënie të qëndrueshme në periudhën 1960-1990, gjatë gjithë periudhës ai mbeti më i lartë sesa niveli i çdo vendi tjetër europian.

Pjesa më e madhe e tranzicionit të lindshmërisë ndodhi gjatë periudhës 1960-1990, kur vendi ishte ende nën një sistem tjetër. E krahasuar me vendet e tjera të Europës Lindore dhe Juglindore, qeveria shqiptare ishte shumë e rreptë në qasjen e saj ndaj politikave ekonomike, sociale dhe ato të popullsisë.

Problemi i popullsisë konsiderohej një çështje tërësisht e palidhur me shoqërinë. Gjatë gjithë asaj periudhe, qeveria synoi përdorimin e të gjitha burimeve të saj dhe promovoi rritjen e vazhdueshme të popullsisë. U ndërmorën një grup i madh masash praktike për nxitjen e krijimit të familjeve të mëdha (me shumë fëmijë). Për shembull, leja e lindjes u zgjat nga gjashtë javë në gjashtë muaj, ofrohej kujdes shëndetësor tërësor për nënën dhe fëmijën, veshjet e fëmijëve jepeshin falas etj.

Pavarësisht kësaj politike qeveritare për lindshmërinë dhe pavarësisht shkallës së lartë të kontrollit mbi jetën e njerëzve, është interesante të thuhet se lindshmëria u zvogëlua me më shumë se 50% gjatë periudhës 1960-1990.
Për më tepër, rënia e lindshmërisë ndodhi në mungesë të plotë të ndonjë planifikimi familjar.

Metodat moderne të kontracepsionit ishin të padisponueshme dhe aborti lejohej vetëm për arsye rreptësisht mjekësore. Për shkak të mungesës së kontraceptivëve modernë, tranzicioni i lindshmërisë ishte pasojë e përdorimit të metodave tradicionale të kontracepsionit, si tërheqja dhe maturia.

Megjithëse qeveria ndoqi një politikë pronataliste, ajo padashur mbështeti tranzicionin e lindshmërisë si një efekt anësor i disa politikave të tjera të saj. Emancipimi i grave, i nxitur nga qeveria, çoi në një edukim pothuaj të njëjtë të vajzave dhe një rritje të pjesëmarrjes së grave në prodhimin industrial dhe bujqësor. Të dy faktorët janë të lidhur ngushtë me reduktimin e lindshmërisë.

Që nga vitet 1990, lindshmëria është reduktuar edhe më shumë. Në vitin 2001, ISF-ja ishte 2,3 lindje për grua dhe në vitin 2008, Studimi Shëndetësor dhe Demografik (ADHS) tregoi se lindshmëria kishte pësuar rënie nën nivelin e zëvendësimit. Aktualisht lindshmëria për një grua është 1,67 fëmijë.

Rinia, faktor kyç në ndryshimin demografik

Panorama e popullsisë shqiptare ka ndryshuar në mënyrë drastike në dy ose tre dekadat e fundit. Lëvizja e lirë e popullsisë, hapja e ekonomisë, rënia e lindshmërisë nën nivelin e zëvendësimit, plakja e popullsisë dhe emigracioni masiv dhe flukset vijuese të migracionit të kthimit ndryshojnë në mënyrë rrënjësore strukturën e popullsisë dhe shoqërisë në përgjithësi.

Në këtë transformim dhe popullsi në rënie në përgjithësi, popullsia e të rinjve të moshës 15 deri në 29 vjeç ka mbetur e qëndrueshme me një rënie modeste nga 750 mijë personash në vitin 1979 (29% e gjithë popullsisë) në 704 mijë në vitin 2011 (25%).

Sipas INSTAT, në këtë kuptim numerik, të rinjtë zënë një pozicion të rëndësishëm nisur nga zhvendosja e madhe në këtë periudhë nga popullsia e më të rinjve tek ajo e më të vjetërve.

Në vitin 1979, në Shqipëri, jetonin 958 mijë fëmijë nën moshën 15 vjeç dhe në vitin 2011 jetojnë vetëm 579 mijë fëmijë (21%). Nga ana tjetër, numri i të moshuarve 65 vjeç e lart është më shumë se dyfishuar në të njëjtën periudhë, nga 136 mijë (vetëm 5%) në 64 mijë më 2016. Sa u përket mundësive në të ardhmen, tendenca aktuale e plakjes do të vazhdojë.

Deri në vitin 2030, raporti i të moshuarve do të jetë dyfishuar përsëri (në 21%) dhe ai i fëmijëve nën 15 vjeç do të jetë vetëm 16%. Në atë kohë, numri i të moshuarve (581 mijë) do të ketë tejkaluar numrin e fëmijëve (446 mijë). Ky ndryshim i popullsisë ka ndikime kryesore në nivelin individual dhe të njësive ekonomike familjare, si dhe në nivelin shoqëror. Ndërsa në vitin 1979, ka pasur 73 persona në moshë më pak produktive të të rinjve dhe të të moshuarve në 100 banorë në moshë më shumë produktive; në vitin 2011 kjo shifër ka qenë vetëm 47. Me këtë raport të ulët varësie me 47%, Shqipëria ndodhet në mes të dritares së mundësisë ekonomike. Nëse vendi përfiton apo jo nga ky episod i “dividentit demografik”, me një popullsi të madhe që mund të jetë në moshë produktive relative me numrin e vogël të të rinjve dhe të të moshuarve, por kjo, sipas INSTAT, varet nga masa e zbatimit të politikave të efektshme për të përgatitur si duhet forcën e punës për tregun e punës dhe nëse politika të duhura sociale dhe ekonomike zbatohen për t’ju ofruar njerëzve punë produktive.

Kjo vlen veçanërisht për të rinjtë që kanë nevojë për arsim dhe përvojë dhe vende pune të përshtatshme kur hyjnë në tregun e punës. Të rinjtë luajnë rol kyç në proceset në themel të ndryshimit të popullsisë. Dukshëm, ata përfitojnë nga përmirësimi i kushteve të jetesës dhe shërbimet shëndetësore, siç pasqyrohet në rritjen e jetëgjatësisë.

Grup-mosha 15-29 vjeç e më të rinjve mund të pritet që të jetojë mesatarisht 61.3 vjet të tjera në vitin 2005. Në vitin 2014, kjo është rritur në 64.2 vjet, duke shtuar 2.9 vjet në jetëgjatësinë e tyre. Pothuajse 74% e të gjitha lindjeve ndodhin te gratë e grup-moshës 15-29 vjeç. Për femrat e grup-moshës 20-29 vjeç, numri mesatar i fëmijëve të lindur prej tyre është vetëm 0.6 herë numri i fëmijëve të lindur nga femra të së njëjtës moshë në vitin 1989, që është faktori kryesor i rënies së Indeksit Sintetik të Fekondimit në 1.7 fëmijë për femër në 2011, shumë më pak se niveli i zëvendësimit. Njëkohësisht, të dhënat e lindjeve tregojnë rritje të vazhdueshme në lindshmërinë e të rinjve. Lindshmëria në moshë specifike nën 20 vjeç është rritur nga 0.016 në vitin 1989 në 0.018 në vitin 2001 dhe 0.020 në vitin 2011.

Ulet numri i të rinjve

Profili demografik i të rinjve, sipas Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2011, regjistron 705 mijë persona të moshës 15 dhe 29, të cilët përbëjnë 25% të të gjithë popullsisë shqiptare. Në terma absolutë, popullsia e të rinjve është rritur ndërmjet Censusit të vitit 1979 dhe 1989 dhe ka arritur shifrën më të lartë në 921 mijë. Pas Censusit të vitit 1989, numri absolut i të rinjve ka rënë si pasojë e proceseve të kombinuara të zëvendësimit nga grupe më të vogla të lindjeve dhe emigracionit në masë.

Sipas skenarit të mesëm të projeksioneve më të fundit të popullsisë (2011-2031), numri i të rinjve (15-29 vjeç) ka mundësi që të jetë 479 mijë në vitin 2031, pra 260 mijë më pak sesa në vitin 2011.

Grup-mosha më e re 15-29 vjeç vazhdon të ulet, pas rënies së lindshmërisë në dekadat e fundit.

Shifrat e projektuara të të rinjve që në Censusin e vitit 2011 përfaqësojnë ndryshime të konsiderueshme në periudhë kohore relativisht të shkurtër. Kjo do të ketë ndikim të ndjeshëm në furnizimin me studentë në nivelet e larta arsimore dhe furnizimin me fuqi punëtore në vitet e ardhshme, thuhet në studimin e demografëve të INSTAT. Kështu, ndërsa rreth 483 mijë persona janë në moshë pune 20-29 vjeç në vitin 2015, kjo shifër do të jetë vetëm 324 mijë – 33% më pak- në vitin 2031. Rrjedhimisht do të nevojitet përshtatshmëri nga sistemi arsimor dhe tregu i punës dhe paraprirje nga politikëbërësit. Qarku i Tiranës ka përqindjen më të madhe të të rinjve: 29% në terma absolutë më shumë sesa 202 mijë të rinj. Nisur nga epërsia e popullsisë së përgjithshme të Tiranës krahasuar me të gjitha qarqet (27%), kjo nuk është e papritur. Meqë mundësitë e arsimit dhe punësimit përqendrohen, ka përputhje me pritshmëritë që një numër relativisht i madh i të rinjve të qëndrojë në Qarkun e Tiranës. Kjo është 27% kundrejt mesatares kombëtare prej 25%.

Është disi e papritur që edhe qarqet më të largëta dhe më pak të zhvilluara të Dibrës dhe Kukësit kanë përqindje relativisht të madhe të popullsisë së të rinjve. Kjo sipas INSTAT lidhet me rënien më të ngadaltë të shkallës së lindshmërisë. Gjirokastra dhe Berati kanë përqindje mjaft më të vogël të të rinjve në popullsinë e tyre. Këtu, struktura e moshës së popullsisë është trazuar për shkak të migracionit dalës dhe emigracionit të të rinjve. Përbërja gjinore e popullsisë së të rinjve tregon një mbipërfaqësim të meshkujve, përveçse për Censusin e vitit 2001. Ky përjashtim është pasojë e emigracionit në masë të meshkujve gjatë periudhës 1990-2001. Që atëherë emigracioni është bërë më i ekuilibruar në lidhje me gjininë, ndërsa migracioni i kthimit ka përfshirë më shumë meshkuj.

Monitor

11 komente në “Si po shuhet Shqipëria: A do ta dëgjojë njeri të qarën alarmuese?!”

  1. AGIM ANASTASI says:

    AUTORI MOS ALARMOHET, SE NE SHQIPERI KY PROCES SA PO KA FILLUAR . JO SHQIPERIA ,PO I GJITHE PLANETI PO SHKON DREJT SHUARJES. AQ ME SHUME ME ARDHJEN E NJE BISESMENI NE KRYE TE SHBA. DIHET QE EGOISTET QE DUAN AQ SHUME PARANE, NUK PYESIN PER TE ARDHMEN E JETES NE PLANET. NESE NJE BISESMEN SHQIPTARE PRISHE SHTRATIN E LUMIT ,TE TJERET PO PRODHOJNE USHQIME SINTETIKE DUKE ÇUAR SHOQERINE PER “LESH”- PO TE NA ROJ “DEMOKRACIA KAPITALISTE ” E TA LEME PAS PER TE MIRAT QE NA BERI, KU 70% FLASIN ME VETE,10% FLASIN VETEM PER PARA, E20% PO LEKUNDEN NGA NORMALITETI ,SE KU DO SHKOJNE ,TE TE PARET APO TE TE DYTET, TE SHOHIM. NJE KOMSHIA IME ,GJERMANE E VJETER, TEK ARITA TA PYES NJEHERE SE PSE NUK KISHTE BERE NJE FEMIJE,ME HABITI ME PERGJIGJEN QE ME DHA. ANASTASI FEMIJA KOSTET LEK. KJO THENIE ESHTE E GJTHE FILOZOFIA E SISTEMIT “DEMOKRATIK” KU JETOJME DHE JETA SHOQERORE MUND NATYREN. SIÇ SHIHET E DREJTA PER TU SHTUAR NUK ESHTE ME NJE E DREJTE DEMOKRATIKE,POR NJE MALL QE KERKON PARA. OSE ME QARTE DEMOKRACIA NE SISTEMIN E KEMBIMIT ESHTE MALL, KUSH KA PARA E KONSUMON E KUSH NUK KA I” MPIHEN” DHEMBET.

    1. ''....askush nuk urrehet me shume,se ai qe thote perhere te verteten[Plato]. says:

      BEQIRAAAAAAAAAAA ,shkuat per lesh……………..ca nuk lindin,te tjere i bien sumes,te tjere ne burgje,te tjere mbushin varrezat,te tjere fanaret e EVROPES si poutana,te tjere bourdhelove…………ki eshte fundi juaj Zike pederi,allah uakbar!
      Zgjidhja: MUJAHEDINAT,sa me shume MUJAHEDINA!

  2. lek dukagjini e ka fajin says:

    PO te Marresh kuturen e Perendimit duke u martuar 40 vjec mbas 20 vjetesh do jemi Populli me i Plakur.

  3. Noli says:

    Shkurtoni artikullin se se lexon njeri dhe jepni mesazhet kryesore. Do zhdukemi si popull nese vazhdpjme keshtu.

  4. Petro says:

    Dhe te koka e madhe qe patem shprese, Ilir floriri, cdo dite qe kalon zoti po ia zvogelon koken.Kemi mallkimin e Zotit se kemi kryer vellavrasjen.

  5. Albani says:

    Moj Blerina
    Shpresoj qe ta lexoje Ilir Meta,sepse vetem ate e han meraku
    Po mire moj Blerina kur thua qe 705 mije te rinj te moshes 15-29 vjec perbejne 25 per qind te popullsise sone,mos e ke shkruajtur gje ne vitin 1988 kete artikull ti,sepse atehere u beme tre milione,apo mos mban gje shenime se sa kane hyre dhe sa kane dale nga Shqiperia.
    Une moj qafleshke e di qe ne zgjedhjet e fundit popullsia totale ishte 4.6 milione banore nder te cilet 3.22milione me te drejte vote,nga te cilet votuan 45 per qind,afersisht 1.4 milione vota.
    Pra moj qafleshke 705 mije jane vetem 15.1 per qind e popullsise,pra afersisht nje te shtaten,sepse dhe ky grup moshe afersisht nje te shtates e moshes mesatare i pergjigjet.
    Sa analfabete kemi per fat te keq.

  6. MIRA says:

    Bravo keti brazhdari! si gjithmone shrkim i sinqerte e i goditur!
    Bravo Keti!

  7. MIRA says:

    Bravo keti brazhdari! si gjithmone shrkim i sinqerte e i goditur!
    Bravo Keti!!

  8. corape kuqi says:

    Pune ka po ska specialist.
    I plasi bytha ram koncesionit se po ikin njerezit. Olsi dhe zaho e kane siguruar jeten.
    Sa te jete fmn, bb dhe sorrosi aty keto gjera do ndodhin.
    I mbarove kullat o edo? Ate shiko ti papa se i duhen zahos kur te rritet.
    Idiot

  9. alban says:

    Tmerr! Beni femije o njerez! Jane vetem pasuri, asnje gje me shume! Beni femije se jeta eshte e shkurter, dhe leku e karriera vetem ikin e vijne, nderkohe fara dhe femija ngel! Beni femije o shqiptar, se po zhdukemi si popull.

  10. Tire me lesh dhie says:

    Kot se ben novele kjo kte. Edhe nja 2-3 faqe i duhen. Tja japi merua borxh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje