Shpëtim Idrizi: Tek unë takohet miti i Gegut dhe i Toskut

20 Nëntor 2016, 23:08Politika TEMA

Nënkryetari i Kuvendit, njëherësh kreu i PDIU Shpëtim Idrizi ka mbajtur një fjalë të shkurtër në galanë përmbyllëse të Samitit të Diasporës.

Ai ka shpallur një program mirëfilli politik për Diasporën, në të cilin kërkon garantimin e vendeve të sigurta në Kuvendin e Shqipërisë për Diasporën, pjesëmarrjen e saj në proceset zgjedhore të Shqipërisë. Idrizi kështu ka ngulmuar në ngritjen e Ministrisë së Diasporës dhe financimit të shkollave shqipe, atje ku ndodhen komunitetet e mërgimtarëve shqiptarë.

Fjala e plotë e Idrizit:

Kur shoh këtu Diasporën e Shqipërisë, them që mali me mal nuk puqet, por njeriu me njeriun më në fund puqet.

Unë mendoj megjithëse mund t’ju duket pak e çuditshme në fillim që:

Nuk ka asnjë arsye përse t’ju urojmë mirëseardhjen në këtë Samit dhe aq më shumë në Shqipëri.

Sepse, këto dy koncepte në fakt janë një.

Diaspora  është Shqipëria dhe Shqipëria është Diaspora.

Nëse kthejmë sytë nga e kaluara, do të gjejmë shumë pak rilindas që nuk i takonin Diasporës;

Shumë pak shqiptarë që nuk i përkisnin mërgatës së shpërndarë gjithandej, ishin në krye të lëvizjes kombëtare.

Ndaj, pa frikë mund të themi se Diaspora bëri Shqipërinë, ngriti Shqipërinë dhe mbajti Shqipërinë.

Pa drojë duhet thënë se: ky vend është falë jush, dhe ju jeni bijtë më të shtrenjtë të këtij vendi.

Dhe nuk ka se si të jetë ndryshe!

Sepse, kur ikën nga atdheu për mundësi më shumë, asnjë gjë nuk të detyron të kthesh sytë  pas.

Ne, që jetojmë çdo ditë këtu, atdhedashuria na ndërthurret me mbijetesën, mbarëvajtja e vendit lidhet me mirëqënien e gjithësecilit; zhvillimi i Shqipërisë është edhe zhvillim i yni.

Ndërsa për Diasporën, sytë nga Shqipëria nënkuptojnë vetëm diçka: dashuri të dlirë dhe të pastër për vatanin.

Asgjë më shumë e asgjë më pak.

Nëse i kthejmë sytë pas, do ta kuptojmë se sa i rëndësishëm është ky çast.

Sot, nuk është Samiti i parë i Diasporës, por është Samiti i dytë.

Herën e parë që Diaspora u mblodh anembanë botës prodhoi Shqipërinë; na dha pavarësinë.

Kuvendi i Vlorës, me delegatë nga Preveza në Mollë të Kuqe, kishte më shumë shqiptarë që kishin kaluar shumicën e jetës jashtë atdheut, sesa shqiptarë që kishin jetuar vetëm në Shqipëri.

Prandaj, kjo ditë është e veçantë; kuptimplotë;

Është ribashkimi i parë pas krijimit të shtetit Shqiptar; dhe sot është rikthimi për të plotësuar idealin e asaj dite të shenjtë.

Ky tubim i Diasporës Shqiptare është një ngjarje e gëzuar për mua si politikan, por veçanërisht për mua si qytetar.

Ashtu si shumë prej jush, unë jam nga ai lloj shqiptarësh që nuk kërkoj vendlindjen, por vendprehjen para Ditës së Gjykimit.

Unë Jam lindur në Tiranë, rrjedh prej nënës nga një prej fiseve te njohur  të Tiranës, Zhegëve, pra jam tironc megjithë kuptimin e fjalës.

Jam nga zemra e gegnisë së shqiptarëve.

Por,unë  kokën e kam në Margëlliç, sepse baba e Gjyshi im u lind atje dhe prej andej i kam rrënjët.

Pra, jam çam nga zemra e toskërisë së shqiptarëve.

Tek unë takohen ata të dy, mitet e shqiptarisë, Gegu dhe Tosku.

Janë brenda një njeriu të vetëm, brenda një historie të vetme.

Sepse, të dashur vëllezër, gjithsecili nga ne është një histori më vete.

Gjithkush që është sot këtu, në këtë sallë ka sjellë me vete dramën e tij, por në të njëjtën kohë edhe gëzimin e bashkimit.

Shihni sa bukur është këtu që jemi mbledhur të gjithë tok, zonja dhe zotërinj, motra e vëllezër të një trungu që kanë dashur të na e zvogëlojnë, të na e presin, por që ka mbijetuar nga Molla e Kuqe deri në Prevezë.

******

Sa herë përmendim këto sinore, dikush atje jashtë na akuzon për nacionalizëm, për Shqipërinë e Madhe, për irredentizëm.

Nuk është e vërtetë, është një gënjeshtër e madhe e ndërtuar nga shkulmet e padrejtësisë .

I vetmi komb në Europë që nuk e ka sulmuar kurrë një komb tjetër në historinë e vjetër dhe të re të Europës janë shqiptarët.

Përkundrazi, ndaj tyre janë kryer tmerre, masakra nga serbët, grekët, bullgarët, malazezët, turqit.

Dhe kanë patur veç një qëllim shbërjen e këtij Kombi të lashtë sa toka, shpërnguljen e tyre, ashtu si bënë me njerëzit e babait tim në Çamëri apo me njerëzit tuaj dhe ju vetë, në Malësi e kudo që keni patur kulmin.

Unë tërheq me vete një histori vrasjesh, genocidi, të cilën jo të gjithë e njohin aq sa duhet.

Për fat të keq, ne shqiptarët e Çamërisë, jo vetëm jemi dëshmitarë të një eksodi biblik, vrasjeve të grave, fëmijëve, pleqve, por duhet edhe të durojmë padrejtësinë e sotme që na ngrihet mbi krye si mallkim.

A e dini çfarë duhet të durojë një çam sot?

Atij i duhet Jo vetëm të zotërojë urrejtjen që i shkakton rrëfimi i të motçmëve si i shkulën nga trojet e tyre, por edhe të dëgjojë brenda e jashtë Shqipërisë, njerëz që i thonë që Çështja Çame nuk ekziston.

Si nuk ekziston?

Janë të paqena historitë e pleqve tanë, dëshmitë e tyre?

Ata mijëra njerëz që u vranë e u therrën nga bandat e Napoleon Zervës?

Varret masive nuk ekzistojnë?

Një gjë nuk ekziston në historinë e një kombi dhe këtu biem dakord edhe me grekët;

Gënjeshtra nuk ekziston për një kohë të gjatë, kurse e vërteta, dita dhe drita janë të përhershme.

Historia e një kombi nuk mund të lartohet mbi një gjë të rrejshme

Ndaj është rrena më e madhe të thuash sot se Çështja Çame nuk ekziston.

Atje është dhe atje do të jetë sa kohë ka Filat, Gumenicë, Margëllic apo Paramithi, sa kohë ka suliotë dhe rrjedh lumi Kalama.

Atje është dhe Çështja Çame.

Por, pavarësisht kësaj historie tragjike, megjithëse i njohim mirë kufinjtë tanë, ne nuk kërkojmë ndryshime të kufinjve politikë, por dëshirojmë, ëndërrojmë dhe do ta bëjmë fillimisht bashkimin kombëtar.

Kufinjtë janë e fundit çështje e le ti kthejm ato në kufi imagjinarë.

Ne në radhë të parë na duhet të pranojmë e njohim sho-shoqin, gegun, toskun, kosovarin, çamin, ulqinakun, tetovarin.

Duhet të shohim njëri-tjetrin në sy dhe pa pathos, folklorizëm, madje pa zë të lartë të pranojmë:

“O sa mirë me qenë shqiptar!”.

Kaq, po bëmë këtë, kemi bërë gjysmën e udhës.

Të nderuar bashkombasit e mi shqiptarë,

Sot, ne përkujtojmë me respekt të gjithë ata që kanë themeluar këtë vend.

Këtu ka përfaqësues nga çdo kontinent e çdo shtet, mbi të gjitha nga çdo trevë e Shqipërisë.

Ajo që na bashkon është të qenit shqiptarë.

Si shqiptar i Çamërisë me dhimbje më duhet të them se e vetmja trevë që nuk ka më shqiptarë që jetojnë, me të drejta të plota, është Çamëria martire.

Sepse Çamëria e Diasporës është këtu.

Por, Çamëria e banorëve të saj, është prerë në mënyrë gjakatare 70 e kusur vite më parë.

Unë si Shqiptar I Çamërisë, kam një thirrje për Ju :

Ta bëjmë tonën të të gjithëve bashkë ,Çamërinë e Pirros së Epirit ,Dora Distrias e Marko Boçarit, Abedin Bej Dinos,  Xhavellës e Bubullinës, Hasan Tahsinit  ,Mitrush Kutelit, Kol Idromenos e Bilal Xhaferrit ,si dhe 4 firmëtarëve të Pavarësisë .

Unë jam i bindur që Çamëria është juaja po aq sa e imja,

E ju ftoj miqtë e mi të bëhemi bashkë:

Qoft dhe me një fjalë, një status në rrjetet sociale  apo një bisedë a lobim në 40 shtetet ku jetoni ,për të plotësuar hartën identitare të Kombit Shqiptar dhe me Çamërinë.  

Kjo vlen shumë nuk e imagjinoni se sa shumë.

Ndaj, më duhet të shpreh ndjenjën time, si një shqiptar i mërguar nga një trevë shqiptare, por që gjithsesi brenda trungut kombëtar; se sot, beteja e shqiptarisë është një:

rikthimi i dinjitetit kombëtar në çdo trevë, ku ka shqiptarë e përsëpari aty ku janë dëbuar me dhunë: në Çamëri.

Diaspora ka bërë shumë për kombin Shqiptar, Diaspora e vjetër në Amerikë bëri gjithshka kur Shqipëria rezikonte të zhdukej nga Harta e Europës e që Fan Noli e perifrazonte me nje fjali:

“Shqipëri mos ki frikë se ke djemt në Amerikë”

Po kështu të gjithëve na dridhej zemra kur qindra mijëra Shqiptarë niseshin nga Europa, Amerika, Kanadaja e Australia për t’ju bashkuar UCK-së ,për të luftuar me kasapin e ballkanit Milloshevic, e falë tyre dhe Zotit sot kemi Kosovën e pavarur.

Nder dhe lavdi atyre djemve dhe vajzave.

**********

Si përfaqësues të Samitit të dytë të Diasporaës, jemi këtu për të çuar përpara amanetin e Samitit të parë, të Kuvendit të Vlorës, për ta bërë Shqipërinë, një dhe të begatë, për të mundësuar shqiptarët të jenë të lirë dhe me të drejta, kudo ku i ka vendosur Zoti.

Sot, ne duhet të krijojmë kushtet që Diaspora dhe Shqipëria, të veprojnë në një zë; sepse siç e thashë, ato janë e njëjta gjë.

Shteti shqiptar, shumë herë më i konsoliduar sesa më parë; sot ka detyrim që këtë Samit ta përkthejë në vepra konkrete e të mos e lërë të jetë thjesht një eveniment, që sado i rëndësishëm, nuk mund të prodhojë produkte vetë.

Kjo nuk mund të nisë pa kujtuar të kaluarën.

Ndaj, është çasti të nxjerrim nga sirtarët e pluhurosur propozimin për ndërtimin e një Panteoni të Shqiptarëve në mes të Tiranës, ku do të prehen eshtrat e të gjithë Rilindasve dhe Heronjve të Kombit.

Ne sot e kemi Skënderbeun në Lezhe, Ismail Qemalin në Vlorë, vëllezrit Frashëri tek kodrat e liqenit, Fan Nolin në Amerikë e shumë të tjerë të shpërndarë kudo.

Ato duhet të jenë në qendër të Tiranës si një shenjë respekti për paraardhësit tanë që dhanë gjithçka për Atdheun dhe një frymëzim për çdo bashkombas, që do ta shohë Shqipërinë, të begatë, siç e meriton.

Këtu në Tiranë ka qenë shpirti i Nolit, Konicës, Ismail Qemalit, Frashërllinjve, Veqilharxhit, Fishtës e çdo shqiptari tjetër që punoi për Atdheun.

Sot ka ardhur koha madje jemi të vonuar në krijimin e një ministrie vetëm për Diasporën.

Unë besoj se Ministria e Diasporës është një domosdoshmëri. Diaspora e vjetër dhe e re, nga arbëreshët e arvanitasit te emigrantët ekonomikë të sotëm, duhet të kenë një pikë referimi dhe një hartues politikash.

Unë besoj, se i takon shtetit shqiptar të kujdeset për mos humbjen e gjuhës, kulturës e identitetit Shqiptar.

Të nderuar miq!

Unë besoj se çdo shqiptar duhet të ketë të drejta mbi këtë vend.

Prandaj, unë shoh të domosdoshëm ndryshimin e ligjit për shtetësinë, duke mundësuar që Diaspora e vjetër, kryesisht qytetarët me origjinë shqiptare në Itali (arbëreshët), Greqi (arvanitasit), Turqi, Ukrainë, Kroaci, SHBA, e gjetkë, të kenë të drejtë të marrin shtetësinë shqiptare, pa kushte të tjera.

Gjithashtu Unë besoj, se çdo shqiptar duhet të përfaqësohet në Kuvendin e Shqiptarëve.

Prandaj, duhet të garantohet e drejta e votës së emigrantëve në shtetet ku banojnë, duke e trajtuar emigracionin si  njësi të veçanta elektorale; si edhe rezervimi I disa mandateve në Kuvendin e Shqipërisë për shqiptarët e Amerikës,dhe të Europës  duke iu kthyer traditës të viteve 1920, kur një deputet zgjidhej nga Federata Vatra, si edhe një deputet  zgjidhej nga arbëreshët e Italisë.

Unë besoj se fuqizimi i diplomacisë ekonomike dhe tregtare, nuk mund të bëhet pa Diasporën.

Prandaj, është e nevojshme ta kthejmë Diasporën në një hapësirë ekonomike të lirë; me trajtim preferencial, me ulje taksash dhe detyrimesh për këdo shqiptar që jeton jashtë dhe dëshiron të investojë në Atdhe.

Pra Diaspora të shpallet: Zonë e lirë ekonomike!

Diaspora dhe bashkimi kombëtar është një detyrim i patjetërsueshëm, i cili për ne shqiptarët rrjedh që nga Preambula e Kushtetutës.

Para Zotit, para shqiptarëve ne kemi këtë detyrim që shkruhet qysh në krye të dokumentit tonë themelor:

“Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmen, me besim te Zoti, me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, si dhe për prosperitetin e të gjithë kombit, për paqen, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror, me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar, me bindjen e thellë se drejtësia, paqja, harmonia dhe bashkëpunimi ndërmjet kombeve janë ndër vlerat më të larta të njerëzimit.”

Le të jetë sot, rinisja e betejës sonë, për identitet dhe unifikim kombëtar, për të shpënë në vend amanetin e themeluesve të këtij shteti; Juve, neve, Diasporës që është Shqipëri e Shqipërisë që është Diasporë.

Rroftë çdo vend ku frymon shqiptari, nga Preveza e Molla e Kuqe, në Kalabri e Atikë, në Karakurt e Zadar, në Mandricë, Boston, Sidnei, Berlin, Gjenevë, Buenos Aires, Stamboll, Tel Aviv, Misir e kudo!

Begati për kombin tonë e veç bashkim!

Faleminderit Kryeminister për këtë organizim se

Na paska marrë malli!

Për të kuptuar sa shumë që jemi e sa të fuqishëm jemi bashkë!

Rroftë Shqipëria aty ku e ka vënë Zoti!

15 komente në “Shpëtim Idrizi: Tek unë takohet miti i Gegut dhe i Toskut”

  1. Star says:

    Ke harruar te thuash qe tek une bashkohet dhe miti i hajdutit dhe te pabesit.

  2. ATA votuan mosndeshikimin e tyne says:

    ku ku, perfaqusesi i Cameve flet ne emer te gjithe shqiptareve sidomos ata te “DIAPORES”.Ndoshta e ka fjalen per ata te Greqise qe kane 20 vjet ne skllaveri dhe Idrizi i Cameve u kujtua sot pasi u ba miliarder…..

    si shpjeohet te tre edvini,meta dhe ky i Cameve sot u kujtuan per “dosaporen”….sic duket jane te gjithe ne facebook dhe ..po mesojne te verteten e tyre.

  3. Vlonjati says:

    Mire ke folurt por nje gje duhet te beni te pastroni veten nga muslumanizmi si shkaktari qe u shperngulet.

  4. Spathiati says:

    Tek Shpetim Idrizi, takohet mbetja osmane me islamistin e Erdoganit qe qellim kane ta bejne Shqiperine pjese te kalifatit islamik (punenne kane filluar, mijra xhami jane mbjellur dhe po mbjellin si thika, ne cdo pellemb toke te Shqiperise).

  5. kleptofagos says:

    U mbars mali (i Idrizit) dhe polli nje mi…
    Ky banditi i pushtetit, po na krahason diasporen e pavaresise, qe me perpjekjet titanike dhe shpenzimet e rilindasve krijuan shtetin shqiptar ne 1912, me pseudo festen e sotme te diaspores qe duke shpenzuar parate e shtetit, bejne propaganden e tyre elektorale per te siguruar pushtetin e vjedhjes dhe te mashtrimit te popullit shqiptar, si brenda dhe jashte vendit.

  6. Teatro says:

    Pse nuk dini njiehere qe te mos shani o njerez ne komentet e TemA ! Te gjithe Kush i thote vetes Kosovar, Cam, Lab, Myzeqar, Dibran jane te gjithe Shqiptar. Kushdo qe mundohet qe ti dalloj e ka te kote. Vetem me ofendime dhe te shara nuk tregoni dot gje, vecse gjendjes tuaj shpirterore…………shume keq……….me vjen keq edhe per ju.

  7. Gramozi says:

    Po mire si duhet te ndjehen Camet, pervece te qenet Shqiptar , meqe paska qene Muslimanizmi shkaku i shpernguljes_ APO genocidit NDAJ tyre ?
    :::::::::::::::
    Cifut ?
    Ortodoks ?
    Te Pafe ?
    Agnostik ?
    Protestant ?
    Gylenist (mysliman i moderruar)?
    Budist ?

  8. Arberi says:

    o Shpetim diaspora shqiptare ka mbi 100 vjet dhe u krijua pikerisht per te luftuar me pushke dhe me pene per te zhdukur nga keto troje turqit qe e lane kete vend ne prapambetje dhe skamje dhe ti sot paguhesh prej tyre pikerisht per te rikthyer dhe nje here fantazmen e perandorise osmane ne keto troje,, ti je tamam si kal troje aty po do te dali surrati dhe ty nje dite

  9. ALBAN DEGA says:

    N JE MESIM I SHKELQYER PER ARGATET E BEOGRADIT DHE ATHINES NE TIRANE E NE PRISHTINE, NE SHKUP E PODGORICE, NE ATDHE E NE DIASPORE….

    Ka nje komb shqiptar, ka nje popull shqiptar…
    Na bashkon gjaku, gjuha, trolli, kultura, historia, qyteterimi i njejte.
    Na bashkon lindja dhe vdekja shqip… nina- nana e vajtimi shqip!
    Mallkuar qofte kush ndjell ngaterrime
    Tek keta vllazen shoq me shoq….!
    Na bashkon gjithcka e nuk na ndaj asgje!
    Ne lüften midis vellezerve Jane te humbur te gjithe, kushtron filizofi yne i madh I shqiptarizmi, Rexhep Qosja i madh.

    1. Albani says:

      ALBAN
      Dhe une ndaj te njetin mendim mirepo i kuptoj dhe reagimet negative te shume lexuesve,ndaj dua dhe une te rreshtohem ne te njeten linje me ata sepse;
      Pavaresisht se drejtesia eshte ne anen e Idrizit persa i perket ceshtjes ne fjale,eshte pikerisht Idrizi qe nuk eshte ne anen e drejtesise persa i perket shume ceshtjeve te tjera.
      Keto fjale kur i degjon nga Idrizi pushojne su quajturi fjale,sepse sapo dalin nga goja e Idrizit ato cilesohen ”pallavra”.
      Une,ti dhe shumica e komentuesve e dime mire se kush eshte Idrizi,por dhe Meta,Berisha dhe e gjitha kasta sunduese ne Shqiperi.
      Ata bejne njekohesisht,patriotin,atdhetarin.vrasesin,hajdutin,perdoruesin dhe tregetuesin e droges.
      Dhe sikur dikush te thote qe jane te paster,vetem pjesemarrja si deputet ne parlament e tregetuesve te droges dhe mishit te bardhe e ndot automatikisht te tere parlamentin dhe shtetin,kjo eshte njera ane.
      Ana tjeter qe dua te cilesoj eshte qe nacionalizmin dhe politiken e bejne dhe gatuajne bark-ngopurit,dhe duhet te dime qe shumica e jone qe komentojme jemi bark-thare.
      Pra;atij fshatarit qe pret ti pjelle lopa dhe te shese vicin qe te shlyeje ushqimet,atij pensionistit qe mezi pret diten e pensionit qe te bleje ilace dhe te paguaje faturat,atyre te vobekteve qe ushqehen pe pensione invaliditeti te tyre apo femijeve,po,po,ka femije te shkrete te semure qe marrin kemp me te cilin ushqehet e tere pjesa tjeter e shendoshe e familjes.
      Kesaj kategorie qe fatkeqesisht eshte gjysma e popullit,nuk i rruhet as per Cameri dhe as per Idriz dhe une i justifikoj.
      Keta nuk i justifikojne bark ngopurit te cilet nuk e dine se cdo te thote te te kerkoje femija nje amita dhe te mos ja blesh,nje cokollate dhe te mos ja blesh,nje pale atlete dhe te mos ja blesh,nje cante shkolle dhe te mos ja blesh,nje liber dhe ti thuash qe cfare e do librin nga qe nuk ke,nuk po them per telefon dhe kompjuter se pastaj do te me thuash qe shume kerkoj,mirepo femija eshte femije dhe i kerkon dhe ato.
      Pra a kam une bark-thari te drejte te them ne djall vafte Cameria dhe Idrizi,te pakten per veten time?
      Une e klikova lajmin me deshiren qe te gjithe ata do te krijonin ndonje fond per ne shtresat e varfera (une personalisht nuk jam aq dobet,por kam shume te aferm varfanjake dhe mund te isha ne ate gjendje)),ku 600 pjesemarres do te jepnin nga 500 mije euro dhe do te hidhnin ne treg ne forme ndihmash 300 milione euro,a e kupton qe do te gjallerohej Shqiperia nga kjo shume,dhe pastaj te flisnim per “”vatanin””(turqisht,shqip-atdhe) e Idrizit.
      Mos me thuaj qe jane shume 500 mije euro per Idrizin dhe Meten,nga nje kile kokaine e kane,perqindjen e marrin ata,ti e di se si luhet,lere pastaj te tjerat.
      Idrizi kerkon qe te behet minister ne ministrine e diaspores,ate kerkon sepse me ate do te pasurohet me dhjetera milione euro akoma.
      ne djall vafte Idrizi dhe ministria e tij derisa populli nuk ka te haje dhe nuk po gjen rruge qe te ike.

  10. Bani says:

    Turqit kane gati 100 vjet qe thyen qafen. Po keto 100 cfare beme ne Shqiptaret, ose me mire udheheqisja ?

  11. Albani says:

    ………………..

  12. naploni says:

    ky Timi, kujton se do luftojme per te fituar Timi dhe qamet e tjere toka, dhe ne te vritemi per ta ,po kur fut edhe ndonje bej qam ,perkrah emrave te shquar shqiptar ,vari qillon pune qamesh gjelle qenesh.

  13. capi dhia says:

    PDIU eshte parti politike e ideuar dhe mbrujtur nga Greqia, me qellim per te mbajtur te hapur nje ceshtje madhore, nje konflikt, nje sebep per cdo

    rast, ngaqe ceshtja Came, apo pasurite e cameve, eshte nje ceshtje objektivisht e pazgjidheshme. Sepse te njohesh pasurite e palujtshme – pr,
    pra, te kthesh pronesine mbi token shqiptareve te camerise do te thote te njohesh identitetnin shqiptar te atyre trojeve. Do te thote te biere teza e Vorio Epirit etj. Me mire te bjere tere Greqia sesa teza e Vorio Epirit – thote kisha Greke. Atehere cfare duhet bere? Ceshtja came duhet mbajtur gjithome e hapur, e pazgjidhur, dhe per kete duhet nje Parti politike ne Shqiperi qe ta mbaje te hapur, ngritur, ngrehur, gjalle, etj., etj. Te gjitha lojrat luhen midis dy kundershtareve, ne disa raste edhe midis shume garisteve, konkuruesve, etj. Qeveria e vjeter dhe ajo aktuale ishin / jane te interesuara ta mbyllin ceshtjen sepse kjo eshte detyra e tyre. PDIU ka detyre ta mbaje hapur. Po ashtu eshe OMONIA, po kjo e fundit eshte e pabesueshme ne misionin e saj nga publiku i gjere sepse: greket per Greqine do te punojne. Boll se iu cava koken. Pse nuk ka parti te Leberve, te Bregdetasve, te Kosovareve, te Verioreve, te Myzeqareve etj.,?! PDIU – mungon germa C ose Cameri. Atehere pse PDIU eshte partia e Cameve?! ETj., etj., etj……………………….. . Kush e gjen pergjigjen adekuate. As Ngjela qe i di te gjitha, nuk e gjen dot. Jo se nuk do.

  14. vaso says:

    Shqiperia eshte ashtu sic eshte fale jush,dhe jo fale nesh.Te siguroj qe nuk kemi gisht ne.
    Zoti na ruajte.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje