Për Linditën, Ilirin, por edhe Saimirin e Edi Ramës

21 Nëntor 2016, 21:37Politika TEMA

Nga Lorenc Vangjeli

Këtu e dy vjet e kusur më parë, kryeministri Rama paratregoi në stilin e tij të zakonshëm se cilët do të ishin tre cepat e “dekoratës” së ardhshme që ai vetë do t’i jepte qeverisjes së tij: arsimi, shëndetësia dhe rendi. Në një mbledhje të diele vere socialistësh, Rama tha se ministrat e tij më të suksesshëm të kabinetit të majtë ishin Lindita Nikolla, Ilir Beqja dhe Saimir Tahiri. Që atëherë nuk ka pasur pothuaj asnjë deklarim të tillë shënjues dhe ndarës, motivues dhe kontrastues nga vetë kryeministri, por është fakt se të tre këta ministra janë gjendur përgjatë gjithë mandatit në syrin e ciklonit. Atij të krijuar nga opozita, por dhe nga qëndrimi kontravers i publikut, që në një kohë sipërfaqësore kur akuzohet, por nuk provohet, e ka shumë më të lehtë ta besojë sesa ta dyshojë çdo mëkat. Edhe pse si rregull, mëkatarët janë pushteti dhe engjëjt prodhohen, provohen dhe virgjërohen në opozitë.

Kaq i madh dhe i përqendruar ka qenë sulmi ndaj këtyre tre ministrave, sa ngjan se në ministritë e tjera ose nuk ka jetë, ose gjithçka shkon mbarë dhe nuk meriton vëmendjen, qortimet dhe kontestimet e opozitës dhe publikut. Nuk është e re dhe as e panjohur se edhe brenda për brenda maxhorancës, të tre këta ministra konsiderohen si rrufepritëset e stuhisë mediatike duke shpëtuar kështu nga vëmendja gjithë të tjerët. Dhe këta të tjerët, nuk është gjithashtu sekret, janë të lumtur me një status të tillë cinik. Një status që provon se edhe nëse Gjermeni do të argëtohej duke hedhur bomba dore në oborrin e ndonjë gjimnazi, Luçiano do të thotë se ishte Lindita që e bëri, nëse Felaj do të çonte në shtëpinë e saj Kullën e Sahatit, Vokshi do të thoshte e vodhi Iliri, nëse Kumbaro do të mbillte hashash bio në ballkonin e zyrës së saj, Doktori, Flamuri, Paloka e të tjerë e të tjerë, do të thoshin se në Itali kokainën e çon me avion piloti Tahiri.

Përtej gallatës që është e pashmangshme sa herë që flitet për politikën në Tiranë, ka megjithatë një arsye se pse ndodh kështu. Edhe Lindita, edhe Iliri, edhe Saimiri kanë prekur sistemin në pika jashtëzakonisht shumë delikate. Atij të trashëguar nga dje dhe atij që me shumë defekte, paqartësi dhe dilema është tentuar të ngrihet në këto më shumë se tre vjet qeverisje të majtë. E përbashkëta e të treve, natyrisht me kryeministrin ngjitur, është se kanë prekur shumë interesa të djeshme, qoftë dhe në emër të interesave të nesërm. E para, Lindita & Edi, mbyllën një seri universitetesh. Secili nga ta shumë më shumë tragjik se komik; njëlloj si komunizmi dje që prodhonte “të gjithë popullin ushtar”, ato ishin slogani “modern” i demokracisë, “të gjithë të rinjtë studentë e intelektualë”. Një pjesë e universiteteve private ishin gjithashtu mënyra e përkryer për të transferuar në vite bombën sociale të punësimit të të rinjve, por dhe një rishpërndarje parash që i bënte të gjithë të lumtur: Prindërit se bënin kalamajtë me shkollë, kalamajtë se shtynin edhe nja katër vjet më shumë “La bella vita”, “pedagogë” që merrnin nga disa rroga, qeveri që rrezëllitej nën dafina dhe nuk i çante njeri mandatin duke i kërkuar punë. Krijimi i një brezi dembelësh të paaftë për gjë, të çertifikuar edhe me diplomë, është një nga krimet më të rënda që kanë ndodhur në sytë e të gjithëve. Siç ndodh shpesh me tragjedi të tilla të tërëcepshme e të shtyra në shumë kohë, askush nuk flet, por gjithkush mësohet me të njëlloj si me të ligën dhe marrëzia ngjan si normalitet. Mirë apo keq, Lindita & Edi kërkuan të ndërhyjnë në këtë suderi tipike topitjeje, ku ligësia dhe injoranca, korrupsioni dhe otomanët e zyrave kishin gjetur parajsën e budallenjve. Raporti mes çfarë prishën me atë që po kërkon të ndërtohet është çfarë duhet shpjeguar, matur e peshuar sepse ka ende shumë paqartësi dhe shumë të panjohura. Ndaj studentja që derdhi salcë në kokën e Nikollës dhe dje vezë në kurrizin e Ramës është vetëm dora. Dhe për dorën në të tilla raste thuhet gjithmonë për një mijë e një arsye, “të lumtë”! Mendja që komandon dorën pastaj, është krejt tjetër gjë, por në Shqipëri mungon një Kod Penal Morali që ta ndëshkojë.

I dyti, Iliri & Edi hynë që në krye të herës me këmbë të gabuar në sistemin e shëndetësisë. Hynë pa llogaritur se në fund të fundit, herët a vonë, betejën e fundit me shëndetin, vdekja e fiton gjithmonë. E po kështu, duke vazhduar me mosmarrjen parasysh të traditës, sipas të cilës, për Zotin dhe Doktorin shqiptari kujtohet vetëm në minutën e fundit dhe pa mbaruar me faktin se steka e premtimit për shëndetësinë falas është shumë e lartë edhe për vende si ato të veriut të Evrpës dhe jo më për skaje si Shqipëria, që në koordinata mentaliteti, gjendet diku edhe në jug, edhe në lindje të Evropës.

Iliri & Edi hynë në betejë me atë që Doktor Berisha e ka quajtur më se njëherë mafia e ilaçeve. Një rrjet shumë i komplikuar që niste me prodhuesit e importit, me përfaqësitë e tyre në Shqipëri, me rrjetin e shpërndarjes dhe mjekët që lëshonin receta dhe që përfundonte tek pacienti, shumëfishonte vlerët e medikamenteve dhe krijonte shtratin e përkryer të maksimalizimit të fitimit. Ka një provë lebetitëse që e vërteton një gjë të tillë: sot është fakt se mesatarisht çmimet e ilaçeve janë 30 për qind më të ulët. Dhe që është rritur numri i medikamenteve patentë. Kjo është prova që dëshmon se të paktën një lek në tre, shqiptarët e djeshëm e paguanin për gjithë hallkat e këtij rrjeti që i rripte në këmbim të premtimit për shëndet të përmirësuar. Iliri & Edi e kursyen këtë taksë. Dhe në këmbim, ata kanë përballë të zotët e gjithë atyre xhepave që sot kanë minimalisht 30 për qind më pak para në krahasim me dje.

Por dhe kaq nuk mjafton sepse mbi faktin duhet shpjeguar opinioni mbi raportin çmim e cilësi të medikamenteve dhe duhet shpjeguar shumë më shumë, ecuria e disa koncesioneve. Informimi publik nga ministria e shëndetësisë është bërë për t’u shtruar vetë në spital, ku gjithashtu në krahasim me dje, ka më shumë ilaçe dhe aparatura sesa qofte, shapka plastike, lule artificiale, ndërresa, rroba gjumi, farmaci dhe lëngje frutash në kuti kartoni.

I treti, Saimiri & Edi është një binom shumë më i komplikuar edhe pse rendi është një ekuacion me shumë më tepër të panjohura. Siguria publike është më shumë një ekuilibër psikologjik sesa një betejë cinike shifrash krahasuese të tipit “sa u vranë dje dhe sa u vranë sot apo sa mbollët ju dhe sa korrëm ne”. Policia sot është shumë më e pranishme në komunitet, shumë më e dukshme në krahasim me dje (ky është tmerr gjetkë, por meritë në Shqipëri) dhe padyshim, shumë më e vlerësuar nga publiku. Një bionde simpatike me syze, e sertë dhe pa fjalë që kërcet pa mëshirë kokrrën e gjobës në Bulevard, megjithatë është shumë më e pranueshme sot se tipi i djeshëm që bënte të njëjtën punë, por lahej vetëm të shtunave pa shi.

Saimiri & Edi kanë veç të tjerash fatin e madh të sulmeve të disproporcionuara të opozitës dhe shpesh pavarësinë e tyre totale edhe nga e vërteta më elementare. Të thuhet me gojën plot se Rama është kryebaroni i drogës në Evropë apo se “Qafiri”, Tahiri i rendit, merr 30 për qind të gjithë sasisë së hashashit të mbjellë, do të thotë që nuk merret seriozisht edhe logjika foshnjërore. Ky zhvleftësim i akuzave nëpërmjet inflacionit të tyre, do të thotë se edhe nëse nesër Doktori e sheh vetë Ramën duke thithur kokainë në tualetin e parlamentit apo Tahirin duke dredhur një cigare me bar në barin e parlamentit, nuk do ta besojë askush përveç tre deri në katër, por jo më shumë nga deputetët e tij.

Të tre këta ministra, Lindita & Edi, Iliri & Edi, Saimiri & Edi kanë të përbashkëtat e tyre. Dy të parët që u goditën edhe fizikisht kanë dështuar në mënyrë spektakolare në marrëdhënie me publikun. Ata nuk kanë ditur në asnjë rast të shpjegojnë mjaftueshëm politikat e institucioneve të tyre. Nuk kanë ditur të ndërtojnë vitrina për sukseset e mundshme, por kanë rënë dora dorës në kurthin e shpjegimit të mëkateve të supozuara. Çdo njeri do ta kishte të vështirë të jepte prova se nuk është ari, por nëse një ari do të arrinte në numëronte deri në tre, atëherë kjo do të ishte një mrekulli e natyrës.

Ministri i tretë, Saimiri & Edi fiks në këtë pikë, në marrëdhëniet me publikun, ka bërë ndryshimin, por duke pësuar të njëjtin dëm me dy kolegët e tij. Sidomos në vitin e parë të qeverisjes, ai i ka mëshuar shumë më shumë propagandës dhe e ka përdorur trupën policore,  për shkak të bashkëministrit Rama, edhe si trupën e një teatri politik. Me qëllimin e vetëm  që të dëshmonte diferencën, kontrastin dhe progresin në krahasim me të shkuarën.

Tani që koha po rrokulliset drejt kutive të hapura votimit, të tre këta ministra, Edi i arsimit, Rama i shëndetësisë dhe Edi Rama i ministrisë së brendshme, do të duhet të mbyllin fort shishet e molotovëve që janë përgatitur për ta. Nesër, përkundër meritës vetjake dhe çfarë meritojnë realisht politikisht, do të bëhet edhe më keq për ta! (Javanews.al)

4 komente në “Për Linditën, Ilirin, por edhe Saimirin e Edi Ramës”

  1. Devolliu says:

    Ka nje deklarate te ambasadorit amerikan i cili tha qe disa ministra te qeverise Rama meritojne noten zero.
    Rama, si i pabese qe eshte edhe me te tijte, po u ben varrin ministrave Nikolla, Beqaj keshtu me stil me stilin hedh gurin dhe fsheh doren.
    Duke i vene ne presion edhe te opinionin e ka me te lehte qe mos i perfshije ne planet e te ardhmes disa prej tyre.
    Loja e salces dhe e vezeve qe ka fillu do vazhdoje, nderkohe qe ai ben parada mode me Linden e Samitit te Dhiaspordhes.
    Shikojini me kete sy levizjet e Rames, delirmadhit qe tregon historine taksixhiut me master ne juridik duke denigruar me dashje te gjithe te shkolluarit ne kete dege .

  2. s.h. says:

    Bukur , sakte ….dhe me finese politike …!

  3. muza says:

    Mire do te ishte qe analiza te tilla sofiste te behehin me sy kritik, sepse shpesh mediat vegjetojene ne servizlizmin e tyre te paargumentuar, Ministria Nikolla ka pergjegjeisi ligjore dhe morale, bashke me km per coroditjen ne sistemin arsmior, si mundet ti zoteri te ndryshosh rregullat e lojes ne minutat e fundit te ndeshjes. Sa per shendetesin falas, min Beqaj qe ne qeverin e dr.Mortjes e ka shqafur hapur paaftesine e tij, mjekesia falas te ne eshte utpoi, a keni qene ndonjehere ne spital, qe dhe medikamentet duhet t’i marresh me vete. Keshtu qe km mos te bertisje mjekesi falas, ne fushate, por te ishte realiste per sherbimet qe merr do paguash, por jo te japesh rryshfet, e te blesh dhe shiringen jashte… Mos te flasim per rendin pastaj, aksidente te tmerrshme, hashashi qe lulezon sikur te ishte nje bime ne kopeshtin para shtepise. Dhe gjithe rinia ajo e paafta, dembleja qe ju ironizoni, pa analizuar pak me thelle ,se pse eshte ne kete gjendje dhe pse sistemi kontribuon ne nje rini te tille, e rreshtuar ne nje per te punuar ne fushaten e korrje-shirjeve te hashashit, per te sigurar nje pune, meqe ka pune por s’ka profesionista… ja keto analizoni, e mos i beni fresk per se largu qeverise e ministrave, e te na servirni teori konspiracioni ndaj atyre qe “punojne” per kete vend. Po zbrisni me kembe ne toke, behuni me realist… se e ardhmja e Shqiperise nuk eshte politika por rinia, ajo qe duhet perkrahur e duhet edukuar dhe arsimuar ne menyre qe te jete sa me e denje per te ndertuar kete vend, e jo te jete zar ne duart e politikes, por te kete nje mendim te sajin te qarte te pavarur dhe idealist per jeten dhe vendin.

  4. Shqiptari nga Kosova says:

    Mbani mend.., kur Sali Pederi dhe PD-istet (pederistet) tjere sulmojne ndonje minister, dijeni se ata jane qe kane arritur suksesin(edhe pse ka plot per te bere e shume per te bere)..!
    Sali&kompani i tmerron suksesi. Ata duan nje Shqiperi kaotike, pa rend e rregull..!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje