“Sinqeriteti” i një gjyqtari dhe reforma e bllokuar

22 Nëntor 2016, 18:08Politika TEMA

Nga Skënder Minxhozi

Është dashur vetëm një frazë e dalë nga goja e njërit prej gjyqtarëve që po mbajnë të bllokuar ligjin themelor të Vetingut, për të kuptuar se ku qëndron në fakt konflikti që po mban peng të gjithë reformën në drejtësi. Anëtari i vjetër i Kushtetueses, dikur zv.ministër drejtësie Vladimir Kristo, është shprehur në seancën e të martës, se vetingu do të ndodhë dhe që është mirë të ndodhë. Por më tej ai ka hedhur ashtu si shkarazi, një vërejtje që qëndron de facto në themel të dilemës së madhe që ka shoqëruar reformën në drejtësi dhe që ka acaruar heshturazi të gjithë sistemin aktual të drejtësisë shqiptare. Kristo ka hedhur një pyetje retorike, nëse ishte mirë që bashkë me sistemin e drejtësisë, të reformohej nga themeli edhe sistemi politik, të cilin ai e ka etiketuar si të “deformuar”.

Opinioni i një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese, teksa e mban gishtin mbi butonin që do të çlirojë ose jo paketën më të rëndësishme reformuese të 25 vjetëve të fundit, ka natyrshëm peshë dhe rol të rëndësishëm. Aq më tepër, kur ky opinion përkon me dhjetra ide dhe komente që janë hedhur muajt e fundit, kryesisht nga qarqe pranë sistemit të drejtësisë, në lidhje me përsenë e një reforme që në pamje të parë kursen klasën politike, duke goditur me grusht të hekurt gjyqësorin dhe prokurorinë. Me fjalë të tjera, sa kuptim ka që të hetosh familjarisht dhe në thellësi jetën e një gjyqtari, të bashkëshortes së tij, fëmijëve, të afërmve, kartat e kreditit të tyre, pronat, pasurinë dhe komunikimet telefonike ose elektronike, por të mos prekësh një deputet, një ministër apo një ish-zyrtar të lartë?!

E gjitha kjo duket se e ka një shpjegim. Dhe shpjegimi gjendet në precedentin që perëndimorët vendosën në vendet e tjera jo larg nesh, ku një reformë në drejtësi si kjo e jona ka nisur të zbatohet kohë më parë. Ndoshta jo kaq e thellë dhe jo kaq drastike sa vetingu “shqiptar”, por gjithsesi e ngjashme në skemën dhe parimet madhore.

Ka pasur dy rrugë për t’i nxjerrë vendet e Ballkanit nga qerthulli 20 e ca vjeçar i tranzicionit, i cili prodhoi demokraci të dobëta dhe thëllësisht të korruptuara. Shtete ku praktika demokratike dhe fuqia e institucioneve mbeti më shumë një formalitet, sesa një realitet i prekshëm. Rruga e parë ishte ajo e ndryshimit të elitave politike, duke nxjerrë mënjanë të korruptuarit dhe abuzuesit me pushtetin. Dhe rruga e dytë, ajo e ndërtimit të një sistemi drejtësie, i cili do të ishte korrektuesi i gjithë pjesës tjetër të shtetit dhe shoqërisë. Thënë ndryshe, ose të vriteshin minjtë, ose të mësoheshin macet sesi t’i gjuanin minjtë.

Duket se rruga e dytë është përzgjedhur si më afatgjata dhe më e qëndrueshmja. Dhe arsyeja është e thjeshtë: një politikan i korruptuar, i larguar me dhunën e një “fuqie të huaj”, do të zëvendësohej menjëherë nga një tjetër politikan i ngjashëm me të. Pa një sistem të besueshëm dënimi dhe ndëshkimi të shkeljeve dhe abuzimeve ligjore, situata do të ishte e njëjtë. Këneta nuk pastrohet duke hequr ujin, por duke mbyllur të gjitha rrëketë që e krijojnë atë. Largimet ndëshkimore të shtetarëve “të këqinj” në vendet e vogla si ky i yni, pas një telefonate të ambasadorit amerikan, janë rëndom të mira për skenare filmash, por vështirë se i gjen në jetën reale. Të paktën ne s’i kemi parë këtu në Shqipëri, megjithëse na kanë qeverisur plot burra jo të mirë në dy dekadat e fundit.

Dilema e gjyqtarit Kristo ka pra në bazë një shqetësim që nuk prek thelbin e problemit, por vetëm shfaqjen e tij. Dhjetra e qindra politikanë e zyrtarë që kanë abuzuar me pushtetin në këto 25 vjet, nuk do t’i kishin bërë paudhësitë e tyre, nëse nuk do të “pastroheshin” në kohë reale nga një korporatë gjyqtarësh e prokurorësh të gatshëm për t’u shërbyer në çdo kohë e rrethanë. Duke pastruar me dhunën e ligjit sistemin e drejtësisë nga kjo lidhje e shkurtër që ka marrë në qafë këtë vend për një çerek shekulli, do të ndërpritet (të paktën shpresohet), edhe simbioza kriminale e politikës me drejtësinë. E cila ka mbajtur në këmbë ndër të tjera edhe atë që Vladimir Kristo e quan me të drejtë si “sistemi i deformuar politik”.

Është e gjitha  një paradigmë e ngjashme me dilemën e vezës dhe pulës. Veçse këtu nuk bëhet fjalë për një vezë dhe një pulë, por për një përmbysje epokale. E cila duhet të presë derisa gjyqtarë si zoti Kristo të vendosin të ngrenë lart gishtin e madh të dorës. (Javanews.al)

6 komente në ““Sinqeriteti” i një gjyqtari dhe reforma e bllokuar”

  1. Zeqo says:

    Kriston e kap te parin Vetingu. Ka qene prokuror komunist ne Shkoder, burre e grua. E pastaj edhe ne Tirane, prokuror bashke me te shoqen. Duhet te ike nga syte kembet.

  2. Jevi says:

    Nje sistem drejtesie i paster e ben politiken te kercej ne favor te ligjit.

  3. © KENDVESHTRIM TJETER © says:

    Kur te gjithe prisnin mbrekullit e sistemit demokratik,i “paudhi” organizoi dhe nxorri gjyqtaret e plepave,ketu e ka zanafillen sistemi i “deformuar” Berishjan !
    Zoti Kristo !
    Ka erdhur rasti per te treguar se I sherben shqiptarve dhe jo familjes Berisha !
    “Deformimi” ekziston,por nuk eshte ne kopetencat tuaja !
    Kryeni detyren me ndershmeri,kete rradhe pa rryshfet !

  4. Fshatari says:

    Jepini ndonje lek gjyqtarit Kristo se nuk i ngrihet gishti pa i ngrohur xhepin

  5. ylli says:

    faleminderit Bala
    Krasta,
    te presim

    ylli

  6. jani says:

    Ky Kristo eshte pinjoll i diktatoreve dhe servil i pucisteve, meqenese duhet ta kishte mbyllur me kohe dhe pse jo, dhe ne vendin e duhur,po le amanetet e fundit. Do doja qe vetingu te mare perpara te gjithe keta plera qe e katandisen kete popull tek kanuni.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje