Dëshmia e Karajt, Berisha në Prokurorinë Speciale për CEZ. Gati dosja

25 Nëntor 2016, 08:53Politika TEMA

Ish-­kryeministri Sali Berisha, disa ish-­ministra dhe drejtorë të tij, pritet të jenë subjektet e parë të verimit të institucioneve të reja anti­korrupsion në Shqipëri, konkretisht i Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë së Hetimit.

Dëshmia e ish­juristit të OSHEE, Romeo Karaj, i cili implikoi drejtpërdrejt ish-­kryeministrin, Sali Berisha, së bashku me disa ish­ministra dhe ish­drejtorë të tij, në historinë e abuzimit dhe favorizimit të CEZ në Shqipëri, i ka dhënë një tjetër rrjedhë dhe rëndësi veprimtarisë së komisionit hetimor për çështjen e CEZ, duke i diktuar edhe ndryshimin e axhendës.

Përfaqësuesit e mazhorancës në komisionin hetimor mendojnë se, dëshmia Karajt, e shoqëruar me fakte dhe prova konkrete, vesh me përgjegjësi penale ish­-kryeministrin Sali Berisha, si protagonist kryesor i privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), privatizim i cili i ka shkaktuar një dëm ekonomik prej 57 miliardë lekë.

Shqiptarja.com ka mësuar se, pas administrimit të dëshmisë, e­maileve dhe çdo dokumenti tjetër të paraqitur nga dëshmitari, komisioni do ta referojë dosjen në organin e akuzës, duke kallëzuar në të njëjtën kohë penalisht ish­kryeministrin Sali Berisha dhe krerët e institucioneve përgjegjëse, të cilat kanë favorizuar CEZ në dëm të shtetit si dhe nuk kanë marrë masa për zbatimin e detyrimeve të marra përsipër në marrëveshjen e shitjes së aksioneve të OSSH, miratuar me ligjin 10116, datë 23.04.2009.

Po ashtu, referuar mbi 50 dokumenteve të Ministrisë e Energjisë, Ministrisë së Ekonomisë dhe Enti Rregullator i Energjisë, komisioni ka dalë në konkluzionin se kryeministri i asaj kohe Sali Berisha, këshilltarë të tij, ministra dhe drejtorë, kanë ushtruar ndikim të paligjshëm për një vendimmarrje që nuk i takonte institucionit të tyre, por EREs, duke favorizuar CEZ. Bazuar në këto dokumente, komisioni ka bërë një bilanc, duke llogaritur një dëm prej 57 miliardë lekësh shkaktuar shtetit shqiptar.

Sipas burimeve, dosja që po përgatitet, do të referohet në institucionet e reja antikorrupsion dhe jo në organin aktual të akuzës, për shkak të mungesës së thellë të besimit tek ky institucion. Megjithatë, pavarësisht mosbesimit, komisioni nuk pengon kryeprokurorin Llalla për të nisur hetimet pas dëshmisë së Romeo Karajt, gjithnjë nëse kryeprokurori ka këllqe për të marrë nën hetim ish­kryeministrin.

“Unë jam në atë komision dhe aty u thanë fakte që komprometojnë pozitën e Berishës dhe vartësve të tij në atë aferë.

Nëse prokuroria nuk ka këllqe të nisë hetim apo të thërrasë juristin për dëshmi, atëherë me reformën në drejtësi do jenë ato institucione antikorrupsion që duhet e zgjidhin këto çështje. Pikërisht nga kjo ka frikë Berisha”, ka deklaruar anëtari i komisionit hetimor, Pjerin Ndreu.

Dëshmitarët e tjerë 

Një nga pikat më të rëndësishme të planit hetimor për komisionit është thirrja e dëshmitarëve. Përpos ish­juristit të OSHEE dhe Viktor Gumit, në komision do të paraqitet sërish për të dëshmuar, me vullnet të lirë apo me polici ish­kryeministri Sali Berisha.

Në cilësinë ë dëshmitarëve do të thirrjen për të dëshmuar të gjithë ministrat dhe zëvendësministrat e të gjitha ministrive të përfshira në procesin e privatizimit të OSSH. Po ashtu do të dëshmojnë këshilltarët e kryeministrit të asaj kohe Sali Berisha, të përfshirë në procesin e negocimit dhe më pas, në procesin e privatizimit, si dhe personat e tjerë që kanë dijeni lidhur me procesin e negocimit dhe më pas, me tërësinë e procesit të privatizimit.

Do të thirren si dëshmitar të anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për privatizimin e OSSH­së, anëtarët e komisionit të konsulencës dhe të transparencës pranë METE­s, anëtarët e komisionit të negocimit, si dhe çdo pjesëmarrësi në procesin e negocimit apo çdo personi që ka dijeni, lidhur me objektin e punës së këtij komisioni.

Dëshmia që fundos Berishën

Eksperti ligjor i OSHEE, Romeo Karaj, është kthyer në dëshmitarin kyç të çështjet CEZ. Gjatë dëshmisë së tij në komisionin hetimor për privatizimin e CEZ, Romeo Karaj ka pohuar se zotëron dokumente dhe mijëra e­maile, që dëshmojnë se procesi i privatizimit të CEZ ka nisur që në vitin 2005­2006 dhe jo në 2008 kur u hap zyrtarisht tenderi.

Sipas tij, sekseri mes çekëve të CEZ dhe qeverisë shqiptare ka qenë Nuel Kala, një person me lidhje të forta me qeverinë shqiptare. Kala, për këtë marrëveshje, sipas tij, ka përfituar 3.6 milionë euro. Për lidhjet mes Nuel Kala dhe ish­kryeministrit Berisha dhe ministrit Genc Ruli, dëshmitari ka foto dhe dokumente. Vetëm në një muaj, mes Nuel Kala dhe ish­kryeministrit Berisha ka pasur mbi 100 telefonata, këto për të mundësuar privatizimin nga çekët të OSHEE-­së.

Dëshmitari ka pohuar se Kala ka pasur lidhje edhe me Shkëlzen Berishën, por për këtë nuk ka dokumente. Por, Nuel Kala, sipas dëshmitarit nuk ka qenë sekseri i vetëm. Përpara tij, ka pasur tentativa nga një tjetër shtetas. Hamza Merxhani, një shtetas kosovar kishte bërë negociata mes CEZ dhe Berishës.

Viktor Gumi dëshmon për privatizimin

Dëshmitari i dytë i thirrur në këtë komision ishte z. Viktor Gumi, emri i të cilit figuron në disa komisione apo autoritete të përfshira në procesin e përgatitjes së privatizimit të OSSH­së drejt kompanisë CEZ. Z.

Gumi tha para anëtarëve të komisionit se gjatë periudhës së privatizimit të OSSH­së ai ka qenë për një vizitë afatgjatë jashtë vendit dhe për këtë kishte dokumentacionin përkatës. “Unë gjykoj që nëse do ta shikojmë në këndvështrimin e ditëve të sotme ne duhet të kishim bërë disa gjëra më ndryshe në atë aspekt por besoj se sikundër në çdo ligj tjetër është një proces në zhvillim.

Legjislacioni gjithmonë duhet të jetë në zhvillim e sipër. Dhe në cilësinë time si ekspert i së drejtës, patjetër që dozën më të madhe të vlerësimit këtu e ka ministria përgjegjëse, që merret çdo ditë me atë pjesë të projektit.

Ata që merren me menaxhimin, ata që shikojnë vlerën e aseteve, ata që shikojnë nëse hapi i duhur është privatizimi ose jo, patjetër që gjykoj ka qenë hap i mirë, por e parë në këndvështrimin e ditës së sotme, mbase mund të kishte disa drejtime që mund të përmirësoheshin dhe të bëheshin më ndryshe”, ka pohuar z. Viktor Gumi. (Shqiptarja.com)

4 komente në “Dëshmia e Karajt, Berisha në Prokurorinë Speciale për CEZ. Gati dosja”

  1. Timi says:

    Krimineli sali berisha kete punen a CEZ-it e ka krimin me te kehte qe ka bere…ai ka bere mega vjedhje te tjera, ka kryer vrasje, ka shjaterruar tere urbanistiken e Shqiperise, ka bere baterdi me pronat. Ky duhet varur

  2. kozmo says:

    QEVERIA E KAP LEPRIN ME QERRE !!!

  3. vaso says:

    More TIMI.100 000 legalizimet e para,prona te Sales jane?

  4. Mihali says:

    Asgje nuk duhet te ngelet pa u hetuar dhe pa u gjykuar dhe pa u ndeshkuar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje