Nga Kamza me dashuri për Uashingtonin

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

humor 4Nga Lorenc Vangjeli

Eshtë thjesht e pamundur të besohet. Eshtë thjesht e pamundur të gjenden fjalët për t’u shpjeguar seriozisht. Eshtë thjesht e pamundur të besohet që një individ i tillë përfaqëson një nga pesë – gjashtë qytetet më të mëdha shqiptare.  Eshtë një tip që nuk ka të bëjë me Nastradinin, siç e konsiderojnë “armiqtë” e tij cinikë, por krijon kurdoherë gallatë.

Eshtë tërësisht i veçantë, por përgjithëson gjithë çfarë është votuar në Shqipëri. Eshtë ndeshur me drejtësinë dhe ka dhënë një shembull tjetër ulëritës të verbërisë së perëndisë së ekuilibrit. Nuk ka lidhje me vitrinat, por vishet si manekin modern i një vitrine ekstravagande. Jeton në Kamëz, por ishte shumë aktiv në humbjen spektakolare të PD-së në Dibër.

Këto dy ditë ka bërë gjithë dynjanë të gajaset sepse e qara është luks në këto kohë në Tiranë, rrethina e më gjerë. Emër e mbiemër bashkë ngjajnë si emër mbiemër personazhi negativ në letërsinë skematike të realizmit socialist. Në fakt, është fiks si produkt skeme. Si i prodhuar në seri. Si kostum teritali pavarësisht xhakaventove bojëqielli të firmuara, kravatave të firmuara në të njëjtën ngjyrë, vështrimit prej aktori, kolltukut të bardhë të zyrës, muret e të cilës janë të mbushura me lloj-lloj çertifikatash dhe gishtave përpjetë prej demoktari të gdhendur në sprovat e mëdha për pushtet në Tiranë dhe pavarësi e decentralizim të pushtetit lokal. Eshtë burrë edhe pse ndonjë grua ka ikur nga sytë këmbët prej mesazheve të tij telefonikë. Shqipja e atyre mesazheve, si të rinjtë e sotëm të internetit, ky burrë i pjekur si hide vendalie në Tiranë, e shkruan në mënyrën që bën këmbët t’i bien supeve. Natyrisht jo kokës sepse deri aty nuk arrijnë. Sepse koka, si e qara në këtë kohë qesharake, është gjithashtu luks në Tiranë, në rrethina, por edhe më gjerë rreth e rrotull nëpër Shqipëri.

Me gjithë këto koordinata është e pamundur që të ngatërrohet ai që shënoi përsëri në sfidën për të marrë vëmendjen e publikut. Nuk ka rëndësi si. Rëndësi ka që…!

Për Xhelalin nuk mund të qahet. Për Mziun as nuk mund të qeshet. Eshtë në vendin e tij. Në të drejtën e tij. Të huaj janë ata që nuk janë si ai dhe habiten me të. Edhe Xhelali, edhe Mziu janë edhe e sotmja, edhe e ardhmja. Janë normaliteti në një kthim kokëpërmbys të normalitetit në atdhe.

Në SHBA, por dhe në gjithë botën kanë nisur të shqetësohen nga heshtja e burrit të zhurmshëm, me model të veçantë flokësh, që mundi në mënyrë ekstravagante favoriten kryesore për presidencën e SHBA-së. Që nga e marta e javës së dytë të muajit të parafundit të vitit që vjen një herë në katër vjet, ai burri ka marrë titullin president i zgjedhur. Ca pak ditë tranzicion dhe ai merr zyrtarisht detyrën më të vështirë, por dhe më me ndikim në të gjithë globin. Por në mënyrë të papritur, për të ka dalë dhe një detyrë tjetër e pashënjuar as nga kushtetuta e vendit të tij dhe as nga vullneti i zgjedhësve të tij amerikanë. Ajo është një detyrë tjetër, shumë e veçantë dhe e pamenduar më parë. Kush mund ta ketë mundësinë t’i shpjegojë atij në anën tjetër të globit se në një qytet – goxha relativ si relativiteti ky emër plot shkëlqim – emri i tij është shënuar jo vetëm si qytetar, por edhe si nder i tij. Kush mund t’i tregojë se dikush e ka zgjedhur atë si model frymëzimi dhe është gati t’i shënojë edhe gjeneralitetet në listat e votuesve. Kush mund t’i shpjegojë se çfarë do të thotë personazh negativ i letërsisë skematike të realizmit socialist, në një vend që ndodhet në Ballkan, i cili ndodhet në Evropën Lindore, e cila ka qenë gjithmonë pjesë historike dhe gjeografike e Evropës Perëndimore. I letërsisë së keqe, të shkruar nga shkrimtarë të dobët që vlenin vetëm si leva të partisë.

Kush mund t’i tregojë për titullin që i niset në Uashington nga Kamza me shumë dashuri.

Pastaj ka dhe shumë detaje të tjera që i duhen bërë të ditura. Për shembull, detyrimin që i bën deri në SHBA proverbi gjithëevropian: armiku i armikut është detyrimisht mik. Pra, Xhelali që është armik me Edin, i cili është armik me Donaldin, është me detyrim miku i Trumpit.

Kur doli lajmi dje, shumëkush e morri me të qeshur dhe tha: Joooooo! Eshtë e pamundur! Por kjo është mrekullia e demokracisë. Që bën të mundur të pamundurën. Që e bën të prekshme, të përditshme, të përsheshme politikën dhe pushtetin. Ky është aferim për shenjtërinë e votës. Ja vlen shpallja qytetar nderi i Kamzës së Presidentit të Zgjedhur Trump, sa kohë që qytetar nderi i kryeqytetit është edhe Pitkini, aktori i harruar britanik i humorit. Ky është humori i ri, bashkëkohor semaforik Portokalli, 2XL, Al Pazar apo Parlamentar. Që tregon se dashuria e kultivuar nga pushteti i zgjedhur kësaj here me votë lokale, është e pafundme. Si budallallëku.

P.S. Me të gjitha gjasat, Doktor Berisha, nje njeri jashtëzakonisht serioz kur i lipset, ka qeshur me shpirt kur ka parë lajmin. Sepse në fakt, ai akt i dedikohej atij. (Javanews.al)

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

7 komente në “Nga Kamza me dashuri për Uashingtonin”

  1. aqif tahipi says:

    Gjelali osht pishtar i demokracis dhe trampi osht republikani mo i modh qi ka qon noiher .Dhe te mendosh qe ne kemi 25 vite qe shkaterrojme krejt shtetin tone per keto karlliqe ,medemek te demokracise.

    1. Trampi.. says:

      Xhelali asht burr i mir,kur flen gjum…. Hajde komedi ketu ne Shqiperi.

    2. Trampi.. says:

      Xhelali asht burr i mir,kur flen gjum…. Hajde komedi ketu ne Shqiperi.

  2. Ben Dibrani says:

    Lum ti qe e ke mbyllur aq “bukur” … doktor Vdekja do te kete qeshur, pffff

    1. Dima says:

      I plasi k… Trapit per trapin shqiptar

    2. Dima says:

      I plasi k… Trapit per trapin shqiptar

    3. Dima says:

      I plasi k… Trapit per trapin shqiptar

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *