ANALIZA: Çfarë ndodhi me Trump dhe Clinton

26 Nëntor 2016, 09:32Politika TEMA

The Economist

Rruga e Donald Trump drejt Shtëpisë së Bardhë, e cila përfundoi me një fitore të papritur ndaj Hillary Clinton më 8 nëntor, filloi në një ashensor të Kullës Trump 17 muaj më parë. Duke zbritur me madhështi në holl, ku e prisnin gazetarët, ylli i televizionit kishte pamjen e një profeti të rremë, shkruan The Economist. Çfarë do të vinte më pas ishte dhe më shumë qesharake. “Vendi ynë ka probleme serioze”,- tha ai. Kur ishte hera e fundit që kemi triumfuar mbi diçka, le të themi, Kinën në një marrëveshje tregtare? Ata na kanë mundur. Unë përballem me Kinën gjatë gjithë kohës.

Dukej si një shaka e hidhur. Trump-i është një miliarder në pasuritë e paluajtshme, i cili i mbijeton botës nga kati i 26-të i qiellgërvishtëses së ndërtuar prej tij në Manhatan: Pra, Amerika nuk i ka bërë shumë keq. Për më tepër, pikëpamja zero mbi diplomacinë dhe proteksionizmin ishin çështje aspak të rëndësishme në partinë ku ai kërkonte që të nominohej. Shumë do të nënvizonin se Trump, një zekth politik i cili aktualisht është në partinë e tij të tretë, ka shfaqur pikëpamje të ndryshme, përfshirë dhe për çështjen e emigracionit që ishte guri i themelit për fushatën e tij.
Pas humbjes së zgjedhjeve presidenciale nga Mitt Romney në vitin 2012, Trump ishte kritik ndaj republikanëve, të cilët ende sot i quan kolegë, pasi dështuan në mbështetjen e reformës së emigracionit. Por, atje në Kullën Trump ai u hakërrye ndaj emigrantëve meksikanë, të cilët i quajti “përdhunues”. Është e vështirë të sjellësh ndër mend një tjetër president që ka bërë deklarata të tilla që nga epoka e të drejtave civile. Shumë analistë shtangën nga këto deklarata, si dhe hodhën poshtë çdo shans të tij për t’u zgjedhur.

Por, atë çfarë pjesa më e madhe e analistëve e kritikuan, përbuzja e tij ndaj ortodoksisë konservatore, përqasjen e tij për vend të degraduar, fanatizmin, anti-intelektualizmin dhe egoizmin e tepruar, tani po u duket si një fushatë e mirëmenduar dhe e suksesshme. Trump hodhi më pak para se Clinton, ndërtoi një infrastrukturë zgjedhore më të vogël, kishte më pak politika të mirëmenduara dhe nuk u mbështet nga pothuajse asnjë media dhe asnjë prej kandidaturave të mëparshme republikane, përveç Bob Dole. Dhe në vend që të përmbahej, ashtu siç shpesh e këshillonin këshilltarët e tij, ai vazhdimisht shpërthente.

Sukses i pakualifikuar

Ai mbështeti torturat, ndalimin në kufi të myslimanëve, vrasjen e familjeve të terroristëve të dyshuar dhe përdorimin e armatimit bërthamor si armë taktike. Ai fyeu gratë, myslimanët dhe njerëzit me ngjyrë, përqeshi një gazetar me aftësi të kufizuara, nxiti turmën për të rrahur protestuesit, si dhe u dëgjua në një regjistrim zanor ku ai mburrej se i kapte gratë në vendet intime.
Ka një diskutim interesant në lidhje me rolin e medias, të uritur ndaj konflikteve që Trump shkaktonte, të cilët kanë luajtur rol në rritjen e votave pro tij. Amerikanët i kanë dëgjuar të gjitha këto gjëra të pafiltruara, ku shumë prej mbështetësve të tij ishin kundër. Sondazhet tregonin se 61% e votuesve e konsideronin Trump të papërshtatshëm për të qenë president dhe vetëm 34% e tyre mendonin se ai kishte personalitetin dhe temperamentin e duhur. Megjithatë, përafërsisht 60 mln amerikanë, përfshirë dhe shumë prej këtyre të sondazhit, e votuan për ta bërë president. Si ndodhi kjo?

Shansi dhe vetëkënaqësia e të tjerëve luajti një rol. Në zgjedhjet paraprake të Partisë Republikane, Trump përfitoi nga një fushë e mbipopulluar. Ndërkohë që 17 kundërshtarët e tij, përfshirë konservatorët si guvernatori John Kasich dhe senatori Marco Rubio, copëtuan votën, ai ndërtoi një udhëheqje të qëndrueshme tek votuesit e qëndrueshëm, veçanërisht tek punonjësit me “kollare blu” (punonjës të shtresës së mesme, përgjithësisht pa arsim të lartë) të cilët ndanin të njëjtin pesimizëm ndaj emigrantëve, si dhe tregtisë së lirë. Kur ai rrëmbeu dhe vendin e 36-të, Nju Jorkun, në të cilin ai fitoi pjesën dërrmuese, udhëheqja e tmerruar republikane u përpoq që ta ndalonte. Megjithatë ai siguroi nominimin. Pas tetë viteve të vështira të një qeverie demokrate, që u karakterizua nga një rritje e ulët në paga dhe bllokimi të vazhdueshëm politik të imponuar nga Kongresi Republikan, votuesit kërkonin ndryshim. Vetëm 31% e tyre pranonin se Amerika ishte në rrugën e duhur. Popullariteti i Barack Obama-s, ku norma e vlerësimit 52% e bën edhe më popullor se Roland Regan në fund të mandatit të tij të dytë, duket se ka e zbutur disi goditjen ndaj qeverisë. E megjithatë Hillary Clinton, pavarësisht mbështetjes së Obamës dhe bashkëshortes së tij edhe më popullore, Michelle, nuk mundi të përfitonte asgjë.

Kandidatura e Hillary, që përfaqësonte një figurë të qeverisë në një kohë zemërimi ndaj saj, ishte një tjetër dhuratë ndaj zotit Trump. Fuqitë e saj përfshijnë një njohje të thellë të sistemit politik, e fituar gjatë tri dekadave ose shumë pranë pushtetit, dhe një dhunti për politikën, por që shumica e votuesve e konsideronin sistemin të korruptuar dhe vizionin e saj për progres të papërshtatshëm. Ajo u “gjymtua” prej dobësive të saj, ku përfshihej paaftësia për të entuziazmuar dhe reputacioni si mashtruese, e përforcuar kohët e fundit prej çështjeve të email-eve si Sekretare e Shtetit. Në Filadelfia, ku ajo mbajti mitingun e fundit të zgjedhjeve më 7 nëntor, ku bashkëshorti i saj Bill, zoti dhe zonja Obama dhe Bruce Springsteen patën fjalën e tyre, ajo fitoi 28 mijë vota më pak se sa Obama në 2012-n. Ishte shumë afër me rezultatin e humbjes në Pensilvani, një vend që ajo i ka udhëhequr sondazhet, si dhe hera e fundit ku vendi votoi për republikanët ishte viti 1988.

Mallkimi i Clinton

Në pothuajse të gjitha zonat, zonja Clinton pati rezultat më të dobët se paraardhësi. Ajo fitoi votat e jo të bardhëve dhe të rinjve me rezultat 74 dhe 55 pikë përqindje, rreth 10 pikë më pak se Obama. Dy grupet shpëtimtare të saj dukej se do të ishin hispanikët dhe gratë, të cilët kundërshtari i saj politik i kishte fyer gjatë fushatës. Megjithatë ajo fitoi në këto grupe 65 dhe 54 për qind, 6 dhe 1 pikë më pak se sa Obama. Gratë me arsim të lartë, të cilat e mbështetën në sondazhe në raportin 2 me 1, përfunduan duke e favorizuar me vetëm 6 pikë përqindje më shumë se rivali i saj.

Një demokrat më tërheqës pa dyshim që do ta kishte mundur Trump-in. Por nuk është e qartë se kush do të kishte qenë ai: Bernie Sanders apo Joe Biden, zëvendëspresidentët, të cilët nuk janë aq fenomenalë sa i imagjinojnë sot demokratët e mposhtur. Pas tetë vitesh në pushtet, partia e tyre duket e zhveshur nga talentet e nivelit të lartë. Kjo u bë e dukshme veçanërisht gjatë garës së Senatit, ku u rikthyen shumë figura të cilat kanë kandiduar më parë, si guvernatori Ted Strickland në Ohajo dhe guvernatori Evan Bayh në Indiana, si dhe Katie McGinty, të cilët kanë humbur të gjithë më parë.

Propozimi i republikanëve vazhdimisht ka kaluar në sondazhe Trump-in, por që me siguri e ka ndihmuar shumë, veçanërisht në Wisconsin, ku nuk kishin fituar republikanët që në vitin 1984, duke i dhuruar senatorit Ron Johnson një fitore surprizë. Pavarësisht se kanë mbi 24 senatorë të rizgjedhur, republikanët kanë humbur vetëm dy mandate, duke pasur një shumicë më të vogël. Ata gjithashtu mbajtën shumicën e cilësuar në Dhomën e Përfaqësuesve. Nën udhëheqjen e Trump-it, i cili ka premtuar se do të emërojë një republikan në Gjykatën e Lartë dhe do të shpërbëjë trashëgiminë e Obama-s, Amerika do të ketë për herë të parë që pas mandatit të parë të Obama-s, një pushtet unison.

Vërejtjet e mëparshme pragmatike të zotit Trump mbi emigracionin tregojnë se ai është familjar me mendimin mbizotërues se për të fituar pushtetin në një shoqëri gjithnjë e më të larmishme, partia e tij ka nevojë që ta zgjerojë bazën e mbështetësve përtej të bardhëve. Megjithatë shovinizmi i tij si dhe negativiteti i theksuar, që prej fillimit, del në përfundim të kundërt: se duke nxitur ndjenjat raciste të të bardhëve, të shkaktuara nga pakënaqësitë ekonomike dhe kulturore, ai mundi të shndërrohej nga një koalicion humbës në fitues.

Me shumë gjasa, kjo ishte prej intuitës, cilësi që Trump vlerëson në vendimmarrjen e tij. Megjithëse ka lindur i pasur, dukej se përshtatej shumë mirë me këto shqetësime. I pyetur nga The Economist gjatë zgjedhjeve fillestare, se si ishte mundur kjo përshtatshmëri, ai u përgjigj se kishte krijuar lidhje të ngushtë me njerëzit e shtresës së mesme që nga koha kur punonte në firmën e ndërtimit të babait të tij në Brooklyn dhe Queens.

Ai po tregohej shumë modest. Trump fitoi më së shumti tek të bardhët pa arsim të lartë. Ata përbëjnë një të tretën e elektoratit, si dhe e mbështetën atë me 39% më shumë se sa Clinton-in. Por, gjatë mitingjeve të ngarkuara me urrejtje, në të cilët mbështetësit ulërisnin “digjeni në furrë atë” për zonjën Clinton dhe “vrisnin Obamën”, punëtorët me të ardhura të mesme ishin të lehtë që të evidentoheshin, 49% e të bardhëve me arsim të lartë votuan për të, pak më pak se mbështetësit e Mitt Romney-it.

Megjithëse disa vota janë ende për t’u numëruar, në total Trump ka marrë 1 mln vota më pak se Romney, dhe mundi zonjën Clinton, e cila në anën e saj fitoi 6 mln vota më pak se Obama, në votimin popullor. Ai e mundi me 279 vota nga 228 në Kolegjin Zgjedhor, për shkak të fuqisë së tij me të bardhët, votuesit e klasës punëtore ishin të mjaftueshëm për të marrë Miçiganin, Pensilvaninë dhe Wisconsin, vende në të cilat Clinton pritej se do të fitonte lehtësisht. Ajo ishte shumë pranë fitores, me një avantazh të kombinuar për të tre vendet prej 100 mijë votash. Por Clinton vuajti dëmin që i shkaktoi drejtori i FBI-së, James Comey, kur vetëm 11 ditë para zgjedhjeve ai ngriti dyshime të reja për çështjen e email-eve të saj. Më vonë do të tërhiqej, por dëmi ishte i pakthyeshëm.

Fitorja e zotit Trump ka lënë pas një vend të tronditur dhe të rrënuar nga përçarja, sidomos mes racave të ndryshme. Kjo shkon përtej linjave partiake. Gjysma e Amerikës e ka shumë të vështirë që të besojë se gjysma tjetër ka zgjedhur Donald Trump. Gjatë festimeve të tij në Nju Jork, ai bëri thirrje: Është koha për Amerikën që të mjekojë plagët e përçarjes. Në sfond njëri prej mbështetësve të tij thërriti “të vrasim Obamën”. Presidenca e tij do të përcaktohet nga mënyra se si ai do të pajtojë këto instinkte.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje