De Biasit i ofrojnë punë Serie A, ja përgjigja e trajnerit

27 Nëntor 2016, 21:00Sport TEMA

Presidenti i Palermos, Maurizio Zamparini, është shumë pranë shkarkimit të trajnerit të skuadrës së tij Roberto De Zerbi për shkak të rezultateve të dobta. Humbja e sotme në Serinë A në shtëpi ndaj Lacios duket se e ka sosur durimin e numrit 1 të klubit, që është i njohur për ndryshimet e shpeshta të trajnerëve.

Sipas raportimit të mediave italiane, pas ndeshjes ai ka telefonuar disa trajnerë të mundshëm për t’i besuar drejtimin e Palermos. Mes kandidatëve ishte edhe trajneri i kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, i cili e ka refuzuar ofertën duke preferuar të vazhdojë në drejtimin e kuqezinjve.

Gjatë gjithë verës trajneri italian tregoi gatishmërinë e tij për të marrë drejtimin e çdo klubi apo kombëtareje me emër që ishte në kërkim të një trajneri, megjithatë askush nuk e telefonoi për t’i ofruar mundësinë e punësimit.

Ndërkohë tashmë që dikush u kujtua për të, është De Biazi që refuzon, dhe diçka e tillë është mëse normale, pasi me një Palermo në gjendje të rëndë krize dhe që ka marrë rrugën për të rënë në Serinë B, do duhej vetëm një mrekulli për të ndryshuar situatën, raporton Opinion. Aq më tepër e vështirë puna bëhet kur mendon se Zamparini është një president që nuk njihet për durim në pritjen e rezultateve pozitive nga trajnerët.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje