Lista, ja pesha e lartë e kompanive call center në punësimin e shqiptarëve

28 Nëntor 2016, 09:23Sociale TEMA

Tre kompani call center renditen ndër 10 punëdhënësit më të mëdhenj në vend, teksa janë tre sipërmarrjet e para private për sa i përket numrit të personave që kanë punësuar. Struktura aktuale e ekonomisë nuk premton asgjë pozitive nëse humbin 25 mijë vendet e punës, të krijuara vitet e fundit nga call center…

Kompanitë e qendrave telefonike, aktiviteti i të cilave rrezikon të tkurret ndjeshëm nëse Senati italian do miratojë rregullat kufizuese në fillim të dhjetorit, janë kthyer për momentin në burimin më të madh të punësimit në vend, sidomos tek të rinjtë.

Sipas të dhënave nga tatimet, për punëdhënësit më të mëdhenj, janë tre ndërmarrje call center që renditen në mesin e 10 kompanive që kanë më shumë të punësuar. Ato janë Intercom Data Service (IDS), me rreth 3000 të punësuar, Albacall dhe Albania Marketing Service (Teleperformance), me përkatësisht rreth 2100 dhe 1800 të punësuar (shih tabelën në fund), sipas të dhënave nga tatimet, që i referohen vitit 2015.

Aktualisht, kompania me numrin me të madh të të punësuave në vend është Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), me pronësi shtetërore, me mbi 6 mijë të punësuar. Punëdhënës të mëdhenj janë dhe ndërmarrje të tjera shtetërore si Posta Shqiptare dhe Albpetrol.

Por, nëse i referohemi vetëm sektorit privat, tre kompanitë e sipërpërmendura call center janë ato që në vite janë bërë burimi kyesor i punësimit në sektorin privat, duke pasur numrin më të madh të të punësuave nga ndërmarrjet jo me pronësi shtetërore.

Në total, sipas tatimeve, janë rreth 25 mijë të punësuar në call center, duke e bërë atë sektorin e katërt më të madh në vend, pas tregtisë-shërbimeve, ndërtimit  dhe industrisë që punon me material porositësi (fason), sipas të dhënave nga tatimet dhe Anketa Strukturore e Ndërmarrjeve e INSTAT. Ky sektor ka sot rreth 7% të të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor, sipas të dhënave nga tatimet e INSTAT.

Tregi Marketing Group, Fiber, Professional Marketing Albania, Infocall, Fastcall renditen gjithashtu në listën e 100 punëdhënësve më të mëdhenj në vend, me nga 500-800 punonjës secila.

Por fati i këtyre punëdhënësve mbetet tashmë i paqartë. Më 6 dhjetor pritet që Senati italian të miratojë një ligj, që shtrëngon kushtet për zhvendosjen e kompanive call center në një territor jo të Bashkimit Europian, i cili rrezikon të mbyllë të gjithë kompanitë call center në Shqipëri. Këto amendime u miratuan më 24 nëntor në mbrëmje në Dhomën e Deputetëve dhe nëse kalohen nga Senati marrin formën përfundimtare.

Cilët janë punëdhënësit më të mëdhenj në ekonomi

Të dhënat e 100 punëdhënësve më të mëdhenj tregojnë se dy sektorët kryesorë që po gjenerojnë vende pune vitet e fundit janë fasoni dhe call center, të dy që kanë si avantazh shfrytëzimin e kostos së lirë të fuqisë punëtore, në raport me vendet e zhvilluara.

Kompani të tjera të mëdha private punësues të mëdhenj, të fokusuara në industrinë e rëndë, si Albpetrol, Bankers Petroleum, Simmons Edeco Limited, nuk kanë qenë agresivë vitet e fundit, për shkak të koniunkturës së pafavorshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Sipërmarrje të tjera të industrisë së rëndë kanë falimentuar tashmë, si p.sh. Kurum, që kishte në 2014-n rreth 700 punonjës, apo ARMO, që ndonëse ka filluar punë, mbetet një kompani problematike.

Bankat, që mbeten vendi më interesat dhe i lakmuar i punës, për këdo që ka mbaruar arsim të lartë, sidomos ekonomik, prej vitesh nuk po tregohen agresive në zgjerimin e aktivitetit e si rrjedhojë kanë një rritje minimale të numrit të të punësuarve, duke arritur në rreth 6900 në fund të vitit 2015.

Sipërmarrjet e telekomunikacionit janë gjithashtu në fazë stanjacioni, teksa rritja e të ardhurave është ngadalësuar ndjeshëm dhe në total kanë pak më shumë se 2000 punonjës.

Sot, ndërmarrjet më të mëdha për sa u përket të punësuarve janë ato shtetërore, si OSHEE, KESH, apo drejtoritë arsimore.

Rrethi vicioz i punësimit – Nga do të vijë rritja dhe zëvendësimi i mundshëm i call center

Struktura aktuale e ekonomisë nuk premton asgjë pozitive nëse humbin 25 mijë vendet e punës e krijuara vitet e fundit nga call center për shumë arsye:

-Industria nxjerrëse është në vështirësi për shkak të rënies së çmimeve në tregjet ndërkombëtare

-Tregtia me pakicë, që ka numrin më të madh të të (vetë)punësuarve në vend, po vuan konkurrencën nga qendrat tregtare, rënien e konsumit dhe presionin e formalizimit, duke bërë që shumë dyqane në shkojnë drejt mbylljes

-Bankat janë në stanjacion prej vitesh

-Sektori i telekomunikacioneve po e optimizon numrin e punonjësve

-Investimet e huaja, që do të sillnin kapital të freskët dhe vende të reja pune nuk po duken, teksa klima në vend, sipas deklaratave të tyre, mbetet e rënduar, duke bërë që investitorët të zgjedhin rajonin, kryesisht Maqedoninë dhe Serbinë. Këto dy shtete po tërheqin investime në industrinë mbështetëse të makinave, që kanë vlerë të shtuar dhe janë të vështira për tu zhvendosur, ndryshe nga call center që nuk kërkon investime të mëdha fillestare dhe është lehtësisht i transferueshëm.

-Biznesi nuk po shfrytëzon kapacitetet ekzistuese, jo më të investojë për t’i zgjeruar ato çka do të mundësonte hapjen e vendeve të reja të punës

– Mungon vizioni i qeverisë për të orientuar arsimin drejt sektorëve me potencial për të tërhequr investimeve dhe për të rritur vlerën e shtuar

-Shpresa mbetet te mbijetesa e fasonit, zgjerimi i shërbimeve dhe investimet e fundit në gazsjellësin TAP dhe hidrocentralin e Devollit.

-Shqipërisë i mungojnë punëdhënësit e mëdhenj privatë. Vetëm 50 sipërmarrje kanë më shumë se 300 punonjës.

Monitor

1 komente në “Lista, ja pesha e lartë e kompanive call center në punësimin e shqiptarëve”

  1. megi says:

    lajm vertet i keq per ata qe jane te punesuar ne call cente lajme si keto te majn ne ankth duke e ditur se ska akoma nje vendim fiks nga ana tjeter ka nje diskriminim te madh ne pagese, shfrytezim total

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje