Fitorja e Trump ka rritur krimet e urrejtjes dhe racizmin

30 Nëntor 2016, 21:41Bota TEMA

Në Amerikën e presidentit të zgjedhur Trump janë shtuar krimet e urrejtjes dhe ndarja e shoqërisë. Një grup me ndikim në të drejtat civile, ka identifikuar më shumë se 900 incidente ngacmimesh, që kanë pasuar fitoren e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale amerikane.

“The Southern Poverty Law Center” apeloi presidentin Trump të “veprojë fuqishëm për të ndaluar kërcënimet”. Gjithashtu, ata kërkojnë që Trump të krijojë qasje ndaj komuniteteve që ai “ka plagosur”. Komentet vijnë ndërsa grupi publikoi dy raporte që shpjegojnë pasojat e fitores së biznesmenit.

Së bashku me përfaqësuesit e sindikatave të mësuesve dhe grupe të tjera të të drejtave civile, SPLC nënvizon sesi, sipas tyre, retorika e veprimet e Trump kanë ndikuar në shoqërinë amerikane.

SPLC ka monitoruar median sociale dhe raportimet e lajmeve si dhe një formë online që e kanë krijuar për amerikanët që dëshirojnë të vetë-raportojnë incidente për shkak të urrejtjes.

“Trump duhet të mbajë përgjegjësi për atë që po ndodh, e të hedhë poshtë me forcë urrejtjen dhe fanatizmin”, thotë organizata. Në raportin e tyre, “Dhjetë ditë më pas”, detajohen me qindra raste të sulmeve kundër minoriteteve – përfshi dhunë dhe kërcënime – disa prej të cilave lidhen drejtpërdrejt me fitoren surprizë të Trump më 8 nëntor.

“Një pjesë e madhe e këtyre krimeve janë të lidhura drejtpërdrejt me fushatën e Trump, pasi duket qartë se grafitet në mure apo fjalët që u janë thënë të kërcënuarve, janë marrë nga retorika e fushatës”, tha një zyrtar i lartë i organizatës.

Raste të shumta kanë të bëjnë me incidente ku personave me ngjyrë u është kërkuar të largohen në fund të autobuzit, një ndarje e vendeve që ekzistonte dikur sipas ligjeve të periudhës së segregacionit të Jim Crow.

Fjalët “vetëm të bardhë” apo “Kombi Trump u vizuatuan mbi një kishë në një lagje me popullsi të madhe emigrantësh ndërsa një homoseksual u sulmua dhunshëm ndërsa agresorët thanë se “presidenti do t’ju vrasë të gjithëve”.

Në raportin e dytë, të titulluar “Pas zgjedhjeve, efekti Trump”, grupet thonë se kanë vëzhguar 10 mijë arsimtarë, të cilët në 90 për qind të rsteve kanë parë ndikimin negativ të klimës në shkollat e tyre në atë që e quajnë “efekti Trump”.

“Eshtë koha për presidentin tonë të zgjedhur të përdorë zërin e tij për të denoncuar efektivisht dhe pa keqkuptime këto veprime të urryeshme që janë bërë në emrin e tij”, tha Randi Weingarten, presidenti i Federatës Amerikane të Mësuesve.

Raporti thotë se më shumë se çereku i mësuesve kanë vënë re incidente fanatizmi dhe ngacmimesh “që mund të lidhen direkt me retorikën elektorale”, përfshirë vizatime të zvastikave, luftime fizike dhe kërcënime për dhunë.

Javën e kaluar, Trump mohoi lidhjen me grupet “alt-right” anëtarët e të cilëve festuan fitoren e tij elektorale me përshëndetje naziste. Në një intervistë me “New York Times” ai u citua të thoshte se: “I dënoj ata, nuk i miratoj”.

SPLC ka qenë shumë kritike me vendimin e Trump për të caktuar shefin ekzekutiv të një mediaje të ekstremit të djathtë në rolin e strategjistit kryesor të Shtëpisë së Bardhë. Grupi e akuzon Stephen Bannon si “nxitësin kryesor pas Breitbart News, që e ka shndërruar rrjetin në një mulli të propagandës së bardhë etno-nacionaliste”./Tesheshi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje