Xhafaj: Kërkesa e Bashës për rinegocim të Vettingut, absurde! Pazaret më të rëndësishme, sa të zhbëhet Kushtetuesja?!

30 Nëntor 2016, 11:11Politika TEMA

Kryetari i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj e ka cilësuar absurde kërkesën e kreut të PD, Lulzim Basha për rinegocim të ligjit të Vettingut, që ndodhet në Gjykatën Kushtetuese.

Kërkesa e Bashës për Vettingun është gjëja më absurde në jetën parlamentare.

Partitë paskan mundësi të zhbëjnë Gjykatën Kushtetuese, kanë me të rëndësishme pazaret se Kushtetutën, nuk e kuptoj PD dhe Bashën që bojkotuan Vettingun.

PD ë bëri kauzë Gjykatën Kushtetuese me të vetmin qëllim për të shtyrë procesin. Asnjë forcë politike serioze nuk mund ta kërkojë këtë tani, që Kushtetuesja të ndërpresë shqyrtimin se do të mblidhen partitë politike.

Duhet të presim vendimin e Komisionit të Venecias për opinionin për Vettingun” tha Xhafaj.

Kreu i PD, kërkoi dje nga Rama që të rikthejë Vettingun në Kuvend për ta miratuar me konsensus për të zhbllokuar ligjin.

Reagimi i Bashës erdhi pas deklaratës së Ramës se PD duhet të tërhiqet nga Vettingu për ta zhbllokuar dhe për t’i hapur rrugë negociatave për integrimin në dhjetor.

Gjithashtu Xhafaj deklaroi sot se në muajin dhjetor komisioni do të fokusohet te ligjet e tjera të Reformës në Drejtësi.

“Në dhjetor më shumë vëmendje ligjeve, por jo atyre që janë miratuar, por ligjeve të tjera të Reformës në Drejtësi.

Pjesën më të madhe të dhjetorit do të diskutojmë për Reformën në Drejtësi. Këto ditë do të nisim 20 ligje të reja për Reformën në Drejtësi. Nuk e di nëse do të jetë opozita e pranishme, janë të paparashikueshëm.

Këto janë ligje që do e bëjnë sistemin funksional, do të bëjmë konsultime edhe me gjyqtarë dhe prokurorë” deklaroi ai në Komisionin e Ligjeve.

Prononcimi i Xhafajt për mediat:

Z. Xhafaj, a është e gatshme mazhoranca që t’i përgjigjet ftesës së kreut të opozitës për të rishikuar edhe një herë ligjin e vettingut?

Kjo ishte gjëja më absurde që kisha dëgjuar ndonjëherë në jetën time parlamentare që kjo mazhoranca dhe kjo opozitë, pra partitë politike paskan fuqi ta zhbëjnë Gjykatën Kushtetuese. Partitë politike konsiderojnë më të rëndësishme një marrëveshje, apo një pazar ndërmjet tyre, se kështu duhet konsideruar kjo gjë, se sa rëndësinë e veprimit kushtetues. Nuk arrij dot ta kuptoj fare as kryetarin e PD, as vetë PD, e cila nuk mori pjesë në debatin për projektligjin për Vetting-un, nuk u angazhua fort për ato gjëra që ajo mendonte sipas pikëpamjes ose të parashtronte sipas pikëpamjes së saj.

  Përfundimisht e bëri një kazus në Gjykatën Kushtetuese, me të vetmin qëllim për të vonuar procesin, për ta penguar procesin, për ta shtyrë procesin në kohë, sepse procesi nuk mund të ndalet, dhe sot kërkon atë që nuk mund të kërkojë një forcë politike serioze. Kërkon që të mblidhen dy partitë politike dhe t’i thonë Gjykatës Kushtetuese, ndërprite ti se ne vendosim kur ne biem dakord.

 Çështja është në Gjykatën Kushtetuese, pavarësisht se unë kam qenë dhe mbetem jo fort i bindur, për të mos thënë aspak i bindur me vendimin që mori Gjykata Kushtetuese për ta pezulluar vazhdimin e procesit të ligjit të Vetting-ut. Gjithsesi, respektoj institucionet kushtetuese në këtë vend dhe ndërkohë presim me qetësi atë që është konsideruar çelësi i zgjidhjes, ose i qëndrimit që do të duhet të mbajë Gjykata Kushtetuese, opinionin e Komisionit të Venecias, i cili javën e ardhshme do të jetë publik dhe shpresoj që Gjykata Kushtetuese të ketë qenë serioze në pyetjet që i ka drejtuar Komisionit të Venecias duke u treguar po aq serioze në respektimin e përgjigjeve që do të marrin nga Komisioni i Venecias.

 Për ne, siç ka qenë dhe mbetet qëndrimi, opinioni i Komisionit të Venecias, bazamenti, guri i themelit, mbi të cilin është ndërtuar ky proces, mbi të cilin janë ndërtuar dhe janë miratuar këto amendamente kushtetuese, i gjithë ky kuadër ligjor, për të qenë ato në standardet më të mira ndërkombëtare.

Dhe natyrisht kjo do të jetë edhe prova e fortë e gjykatës Kushtetuese për të respektuar atë opinion të këtij institucioni prestigjioz siç është Komisioni i Venecias. Përsa na përket ne, pavarësisht se e kuptojmë shumë mirë qëllimet e disave brenda pushtetit gjyqësor, edhe të kundërshtarëve politik, kemi respektuar me qetësi dhe do të vazhdojmë të respektojmë me qetësi vendimmarrjen kushtetuese.

Z. Xhafaj kur do të filloni me paketën tjetër, pjesën e tretë të reformës në drejtësi dhe a do të keni opozitën në komision?

Duhet të pyesësh ata. Ata janë gjithmonë të paparashikueshëm. Besoj se këto janë ditët e fundit që mbi 20 projektligje nga të cilat gjysma janë shumë të rëndësishëm për procesin të mëtejshëm, të administrohen, të depozitohen, për t’iu nënshtruar procesit normal në komisionin e posaçëm parlamentare apo në Komisionin e Ligjeve, kjo ka pak rëndësi. Por është shumë e rëndësishme për t’i hapur rrugën procesit parlamentar në komision dhe më pas seancës plenare për t’i miratuar. Është një paketë projektligjesh shumë e rëndësishme. 7 ligjet kishin të bënin me ngritjen e institucioneve, me organizimin e sistemit, këto janë ligje që e bëjnë sistemin eficent, e bëjnë funksional dhe që e vënë të gjithë reformën në shtratin e normalitetit të saj, dhe natyrisht u japin, në vlerësimin tim, dhe jo vetëm në vlerësimin tim por edhe të kolegëve të mi që kanë marrë pjesë në këtë proces, por të gjithë atyre që e kanë këtë pritshmëri, u japin qytetarëve instrumente shumë të fortë për ta ndjerë drejtësinë si të tyre.

Keni bërë një kalendar se kur mund të mbarojë miratimi i kësaj pakete?

Jo nuk kemi bërë një kalendar, për shkak se jemi duke parë se sa ato kanë qenë të konsultuara në procesin e hartimit të tyre. Ndoshta prej disa prej tyre për shkak të ndjeshmërisë që kanë do të duhet të bëjmë një proces konsultimi me profesionist të fushës, edhe me gjyqtarë dhe me prokurorë. Sepse ne kemi gjyqtar dhe prokuror të ndershëm në këtë vend, të aftë dhe të zotë, të cilët kanë qenë pjesë e këtij procesi, por do të duhet të vazhdojnë të jenë pjesë e procesit në vazhdim. Natyrisht nuk shpresoj që t’i përfshijmë ata që janë të paaftë dhe të pazot që besoj se do të largohen nga sistemi.

1 komente në “Xhafaj: Kërkesa e Bashës për rinegocim të Vettingut, absurde! Pazaret më të rëndësishme, sa të zhbëhet Kushtetuesja?!”

  1. Ata votuan mosndeshkimin e tyne says:

    shi shih si bon njoni sikur sdo me ndryshu pak at marrveshje vetingu ku keta votojne mosndeshkimin e tyne…..


    xhafa xhafer, ku ku je ti me bo demokraci e reforme drejtesie, ae ke fut ne burg vllane njiheri?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje