Tirana e Erion Veliajt dhe Shqipëria e brezit tjetër

1 Dhjetor 2016, 09:29Blog TEMA

Nga Lorenc Vangjeli

Fidel Kastro ishte i fundmi i një brezi komunistësh që u shua javën e shkuar. Ai dhe të ngjashmit e tij dominuan me grusht të hekurt vendet e tyre, por dhe historinë e re moderne të botës. Brezi i Fidelit apo Marenglenëve (një kompozim i emrit Marks-Engels-Lenin) që erdhën edhe si emra në Tiranën e kastruar internacionaliste, tashmë ka hyrë në të shkuar. Bashkë me këto emra kanë humbur edhe emra të tjerë të frymëzuar nga letërsia e dikurshme ruse, më pas nga letërsia romantike franceze dhe nga “kultura” e diktuar komuniste. Për shembull, dikur kanë qenë të zakontë emra si ai i Doktorit që vinin nga tradita e një religjioni të caktuar në Shqipëri apo emra me frymëzim komunist si ai i zotit Nano. Qoftë njëri emër, qoftë tjetri, sot pothuaj kanë dalë plotësisht nga moda. Pakkush do ta quante sot një fëmijë me emrin Sali apo Fatos, pavarësisht shkëlqimit të fortë dhe kontravers të të parit apo fatit të madh ogurbardhë që ka ndjekur të dytin.

Duke nisur nga fundvitet 60-të e fillimvitet 70-të, nisën të mbizotërojnë emra ngushtësisht të lidhur me historinë shqiptare apo pothuaj autoktonë si të tillë: Erion, Saimir, Edi, Ilir, Luli, Blendi, Genc, Astrit, Majlinda, Shpëtim, Linda, Albana, Koli, Ylli e të tjerë. Me statistikë, ata janë emra nga më të përhapurit në vend. Qoftë dhe për “probabilitet”, mbartësit e këtyre  emrave mbizotërojnë sot në jetën politike, ekonomike dhe kulturore të vendit. Studimi i tendencës së emrave që mbizotërojnë në këtë brez tek të 40-tat, mund të japë përfundime befasuese për të nesërmen e historisë së vendit. Duke nisur me Tiranën, ato janë dëshmia se nga do të vejë nesër kryeqyteti, por edhe gjithë Shqipëria.

Shembulli i parë vjen nga Tirana me një kryetar bashkie që quhet Erion. Duke nisur nga fundi dhe nga detaji më i parëndësishëm, ka një dëshmi që u këshillon cinikëve të të gjitha ngjyrave aksiomën e thjeshtë: Eshtë më mirë të dish sesa të kesh!

Dhe duke patur pak, por duke ditur mirë, ka pak javë që në Tiranë ka nisur të ndodhë një gjë jashtëzakonisht e rëndësishme. Me objekte autoktonë nga më të shëmtuarit e mundshëm. Ato i gjen pothuaj në çdo cep të Tiranës. Janë me ngjyrë miu dhe kur lagen nga shiu, grija e tyre duket edhe shumë më keq.

Deri dje janë përdorur në formë si vende afishimi gjithfarë lajmërimesh, në përmbajtje, si nyje kontrolli për një ish-kompani shtetërore telefonie dhe për shkak të pozicionit të favorshëm, shumë shpesh janë shndërruar edhe në tualete natyrale burrash për të mbaruar punë shpejt e në këmbë. Një pamje unikale që për t’i gjetur të dytën, duhet të fluturohet shumë orë nga Rinasi dhe jo në kontinentin evropian.

Prej ditësh nuk është më kështu. Prej ditësh kjo trashëgimi gri, e lagur, aromërëndë po i thotë lamtumirë Tiranës, fillimisht nga qendra e jetës së saj evropiane, në ish-bllok, e pak nga pak duke u larguar në drejtim të periferisë. Bashkia e Tiranës, me një ide të mençur e fare të thjeshtë, me shpenzime fare-fare minimale po krijon një rezultat të dukshëm dhe të prekshëm jo vetëm vizual për kryeqytetin. Punonjës të dekorit, të ndarë në skuadra me nga dy vetë, ju janë vërvitur “arkivolëve” të rrugës me bojë vaji. Në fillim i pastrojnë nga pisllëku tradicional që deri dje nuk i vriste sytë askujt, dhe më pas i kthejnë në telajo natyrale. Diku një portret, diku një karikaturë, diku batuta në gjuhë të huaj e diku gjetkë Don Kishoti mbi kalë dhe Shvejku që “mbështetet” në llullën e tij; këto dy personazhe tragjikë që kanë bërë të qeshë dynjanë kur nuk qante dot, kanë ardhur në Tiranë në formën e personazheve serioze që afrojnë qoftë dhe një çast të vetëm meditimi. Për gjthë çfarë mund të bëhet me pak para dhe duke vrarë shumë mendjen.

Shqiptarëve me emra të dikurshëm, qoftë Sali, qoftë Fatos, për shembull, ato lamarina gri do t’u dukeshin normale. Sytë në ballë, njëlloj si nuhatja në hundë, mësohen shpejt me të ligën. Dhe qoftë anarkia pamore, qoftë aromat e këqia, nuk bëjnë përshtypje gjatë.

Ka një vit e gjysëm që ka një fragment të ri historie në Tiranë, në Tiranën tjetër të Erionit, “studentit” politik të Edi Ramës.

Ajo është e ngjashme me historinë e pritshme të së nesërmes së të gjithë vendit.

Eshtë pak, por tani është e dukshme për gjithkënd që sheh se Shqipëria e nesërme do të drejtohet me probabilitet të plotë nga Edi, Iliri, Saimiri, Luli, Blendi, Genci, Astriti, Majlinda, Linda, Shpëtimi, Albana, Koli, Ylli e të tjerë. Eshtë çështje brezi që ka këtë lloj emri. Kjo nuk është politikë. Nuk është as çështje zgjedhjeje. Janë thjesht emrat me të cilët do të thirret politika e nesërme në vend. Politika e brezit tjetër të pluralizmit shqiptar. (Javanews.al)

9 komente në “Tirana e Erion Veliajt dhe Shqipëria e brezit tjetër”

  1. cun Tirone says:

    Nje hartim qe nuk eshte i denje as per shkolle 8 vjecare

    1. bimbashi says:

      Eshte hartim per universitet, ndaj nuk e kap dot ti….Ti flet per aq klase sa ke, s’ka problem.

    2. Petnika Gjergo says:

      O Lorenco te befsha gjeneraten, me gjithe Erjon Veline, por kam frike se nuk ma leshon ky Ed Rama ta coj ne Kavaje ti pastrojne vijaskat.

  2. artan says:

    OK, pervec Lulit.

  3. Albani says:

    Pls ma hiq Lulin nga lista e emrave te brezit te ri, se ja heq thelbin artikullit po qe dhe ai aty

  4. mira says:

    Qenke fare injorat o Lorenc ! . Emeri Fatos nuk ka te bej fare me komunizmin. Cfleto ” Lahuten e Malcise” te Gjergj Fishtes dhe aty do ta gjesh.

  5. Moni says:

    Po Luli ishte dhe i beri shurren. E degjove si tha Erjon Veliaj?
    -Koridori i bashkise ishte i mbushur me shkrime me laps e stilolaps si WC e dikurshme ne komunizem.- Filanka eshte derr gopi- Filani e ka q.. filanken. Ku je o bjondja e bashkise! Po te vura poshte oj M…. do ti thyej takat e kepuceve, etj etj.
    Kryetar Luli, kalonte ne ate korridor dhe nuk i benin pershtypje keto pislliqe.

  6. Gregor Lato says:

    Ke bere nje paralelizem te panevojshem midis emrit te ri dhe njeriut te ri, pra punen e bejne mire njerzit e rinj, thua zoterote.
    Po edhe emri Lulezim i perket brezit te emrave te rinj, (te cilet sic dihet i ka rekomanduar xhaxhi Enver-pra emrat autoktone shqiptare dhe jo emrat e huazuar nga ndikimet e pushtimeve t e ndryshme), jo vetem qe nuk beri gje per Tiranen, por e shkaterroi ate, mbikalimin aq te domosdoshem tek zogu i zi, sheshin Skenderbej e ku di une sa ka per te numuruar te tjera bema negative.
    Pra i nderuar Vangjel (emer autokton shqiptar), nuk eshte se ata qe gezojne emra te rinj bejne domosdoshmerisht pune te mira, por jane idete dhe kembengulja, perkushtimi dhe vendosmeria per te bere me te miren per Tiranen e Shqiperine. E pra te tille jane Edi dhe Erjoni, jane njerez me vizion e patriote te ndershem, qe nuk dijne kur u fillon dhe kur u mbaron dita e punes. Per fat te mire, tonin, jane te majte dhe te majtet gjithmone kane bere me te miren e mundeshme per popullin dhe Shqiperine.

    1. majtas djathtas says:

      Me cfare? Me ideologji? Se metodat qe ka perdorur Erioni per te realizuar keto qe po realizon jane te djathta, vetem retoriken ka te majte. Te ishin vertete te majte keta do ishim akoma me tollona. Ne vend qe te shikosh se cfare realizohet, do ishte mire te shikoje se si abuzohet ne sfond me ato fonde. Duhet te ishte realizuar 5 fishi i asaj qe eshte bere, madje edhe 5 here me shpejt!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje