Andrean të sëmurë nuk e takova asnjëherë

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Mustafa-NanoNga Mustafa Nano

Që Andrea ishte sëmurë rëndë, këtë e kisha marrë vesh prej muajsh. Fillimisht ma kish thënë Ilir Yzeiri, që ka qenë, në dijeninë time, më i afërti mik i Andreas në këto vitet e fundit. Më pas, ma tha vetë Andrea në një bisedë telefonike që patëm. Ne i kishim të rralla bisedat telefonike. Takimet, gjithashtu. Nuk frekuentoheshim, siç thuhet në raste të tilla. Por kur takoheshim rastësisht, rrinim gjatë e flisnim për shqetësimet tona publike. Gjithnjë për ato. Edhe ajo bisedë telefonike e fundit rreth shqetësimeve të tilla u vërtit. Më mori, ngaqë kish lexuar një intervistë timen, në të cilën kritikoja mazhorancën, sidomos kryeministrin. “Jam dakord, këta e kanë hak t’u biesh, por ….”, më tha, dhe me “por”-in kishte parasysh gjëra që gjithkush që e ka ndjekur Andrean mund t’i marrë me mend. Ai mund t’u jetë dukur shumë vetëve irracional e emocional në qëndrimet që ka mbajtur, por thellë-thellë ka qenë më racional se të gjithë këta njerëz, që edhe e kritikonin. Ja, më thoni, ka gjë më racionale se sa të besosh se e keqja më e vogël është by default e mira më e madhe? Këtë gjë e mendoj edhe unë gjithë kohën, s’ka gjë se më ndodh tek-tuk të lodhem nga, e të veselitem me, betejat e përjetshme me të njëjtët armiq. Andrea nuk lodhej, e dukej sikur i pëlqente një si lojë nervash e garë energjish me ata që kish përballë. Dhe unë e kisha zili. Kam menduar gjithë kohën se shoqëria kish dobi më shumë prej tij se sa prej meje. Edhe nevojë, gjithashtu.

Përveç kësaj, Andrea më pëlqente ngaqë, në ndryshim nga shumë kolegë tanët, nuk kish kompleksin e të paanshmit. Nuk e keni vënë re që një pjesë gazetarësh ndihen gati të përndjekur nga ky kompleks? Duan t’u thonë të gjithëve se “unë nuk jam i blerë”, dhe në një shoqëri si kjo shqiptarja, ku pas çdo opinioni a gjesti publik, njerëzit shohin një hesap a interes a poshtërsi, kjo është një kartë që funksionon, s’ka gjë se jo edhe aq, ngaqë në fund të fundit edhe për “të paanshmit” (edhe unë e kam këtë kompleks herë pas here) njerëzit e kanë gati hakmarrjen. “Duan të na hedhin hi syve; duan të duken si të ndershëm”, thonë. E shpesh nuk e kanë gabim. Ndërsa Andrea nuk e kishte këtë kompleks. Ose le të themi që e kish më pak se të tjerët. Ai llogaritë parapëlqente t’i bënte me bindjet e veta, më saktë me bindjen e vet, që fare mirë mund të përmblidhej ashtu si e thashë më sipër: e keqja më e vogël është rëndom e mira më e madhe. Të jepte përshtypjen se ishte i kënaqur që rrethanat ende e lejonin të zgjidhte të keqen më të vogël. Në ndonjë kohë tjetër, në të cilën do t’i duhej të zgjidhte mes dy të mirave, do të ishte më pak i kënaqur. Dhe me të drejtë, apo jo? Edhe kjo është një gjë logjike.

Por po kthehem te biseda e fundit që patëm, në fund të së cilës e pyeta për shëndetin. Duhet të ketë qenë ndonjë moment, në të cilin ai ka pasur iluzionin se po e mundte sëmundjen. Ose ndoshta kjo ishte mënyra që ai kish zgjedhur për t’u përballur me sëmundjen. Nuk donte ta pranonte që ishte sëmurë. Këtë e thosh edhe Moikom Zeqo në një shkrim të tijin, teksa kujtonte një takim rastësor të tijin me Andrean që kish ca kohë që bënte kimioterapi. Dhe duhet besuar kjo situatë. Edhe në ditët e veta më të rënda, ai nuk hoqi dorë së shkruari artikuj, dhe demonstronte të njëjtin pasion luftarak e të njëjtin zell për t’u përballur (një nga polemikat e fundit e ka bërë me mua, pas asaj telefonate, për të cilën ju fola në krye). “Pasioni për të vijuar me betejat e veta e mban gjallë”, më tha dikush, e unë nuk mora vesh nëse këtë gjë e kish nga koka e vet, apo ia kish thënë Andrea vetë. Kjo është forcë karakteri. Do ishin të shumtë ata që do bënim një pauzë, një tërheqje, një paqe me shpirtin e tyre të trazuar, një paqe edhe me botën, në rast se do ishin mbërthyer nga një sëmundje e rëndë. Ndërsa Andrea nuk i vari armët në mur për asnjë çast.

Dhe të mendosh se nuk janë të paktë ata që nuk ia pëlqenin qëndrimet, apo mënyrën se si këto qëndrime i shprehte e i mbronte. Për ta ulur në peshë, këto qëndrime ia merrnin thjesht si qëndrime “kundër Berishës”. Këtë gjë kishin bërë edhe dje nja dy syresh. Edhe Berisha vetë që kurrë nuk mësoi qyqari të heshtë atëherë kur duhet të heshtë.

Por nuk është vetëm Andrea viktimë e këtij lloj leximi. Jemi, kush më shumë e kush më pak, të gjithë. Lexohemi si pro apo kundër dikujt me pushtet. Ky është leximi më i përciptë e më përtac që mund t’i bëhet dikujt që shkruan. Alibinë e kanë të gatshme: të gjithë ne jemi, me dashje apo pa dashje, pro a kundër dikujt me pushtet. Por kjo në shumë raste është e vetmja mënyrë ose le të themi mënyra më e mirë, për të shprehur shqetësimet tona publike, në mos për t’ju bërë me dije të tjerëve vizionin tonë për botën. Të refuzosh dikë është mënyra më e mirë për të pohuar një gjë. Dhe prandaj, nuk është refuzimi i dikujt që duhet të shohim. Por pohimi i diçkaje.

Post Scriptum: Po ju tregoj një ngjarje që ka lidhje po me Andrean. Dhe me paaftësinë time për të ngushëlluar dikë që duket se është duke jetuar ditët e fundit. Isha në spitalin “Nënë Tereza”. Isha tok me nënën time që kish një problem me tensionin. Ndërsa një nga mjekët po i bënte një kontroll, unë dola në holl. Kokulur, po merresha me celularin, kur ndiej që m’u afruan dy vetë. “Andrea Stefani është sëmurë?”, më pyeti njëri prej tyre. “Nga e di që është sëmurë?” “Sapo hyri. Ishte i prishur në fytyrë. Dukej që s’ishte mirë”, vijuan ata. Bëra andej nga më thanë se kishin çuar Andrean, dhe te dera pashë se e kishin vënë në një dhomë ngjitur me time ‘më, e cila nuk e kish vënë re. Ndryshe do ish e para gjë që do më kish thënë, siç bën gjithnjë kur i qëllon të shohë njerëz publikë. Të gjithë njerëzit publikë i duken si miq të mi. Andreas, nga pragu i derës ku isha unë, i dukeshin këmbët. I njoha këpucët, të cilat edhe po t’i kish një mijë palë të ndryshme, i ngjanin njësoj. Kjo është pjesë e stilit të njeriut. Në këtë rast, e stilit të Andreas.

Por unë mbeta te dera. Nuk më bënë këmbët të shkoja më tutje. Mund ta kisha parë për herë të fundit, por nuk e pashë. Më ka mbetur në mendje fakti që s’munda të çapitesha deri te Andrea. Dhe nuk di pse mendoj se më vjen mirë që nuk pata fuqi t’i bëja ato pesë hapa.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

11 komente në “Andrean të sëmurë nuk e takova asnjëherë”

  1. Skypion says:

    E lexova shkrimin e Mustafa Nanos.
    Te them te drejten,isha gati te thosha qe,eshte hera e pare qe me pelqen nje shkrim nga ky gazetar,pas neveritjes qe ma kane shkaktuar perhere shkrimet e tija plot mllef dhe qe nxisin urrejtje tek lexuesit.
    Isha gati ta thosha kete deri kur… deri kur pashe te permendej Sali Berisha….!!!
    O pike e zeze!
    Po c’njerez jeni ju bre?!
    Po a keni shpirt ju bre?!
    Po,a jeni njerez,ne fund te fundit, bre?!
    Po si ka mundesi,qe ne gjithe shkrimet,qe do te duhej te ishin te ndjera,nga koleget qe paraqiten si me te afertit te te ndjerit Stefani,te mos mungoje emri i Sali Berishes?!!…
    Po,pse jeni kaq te pashpirte bre?!
    Te pakten keto dite,te mos benit politike!
    Te pritnit deri sa i ndjeri te prehet i qete atje ku do te prehemi te gjithe nje dite!
    Vetem ca dite te pritnit, bre!
    Nuk eshte nje gje qe s’mund te behet.Nuk eshte e pamundur.Vetem ca dite…vetem ca dite te duronit…
    E meqe ,ju vete shoket dhe miqte me te afert te te ndjerit,e permendet dhe po e permendni Sali Berishen,po ju them se, reagimi i tij ishte nje nder me te sinqertet,nga shume e shume reagime,qe ta shpifin me ate patetizmin e tyre,qe te gerditin me hipokrizine e tyre.

    1. Peco says:

      Zoti Skipion! Ju duhet te jeni me i qarte, jeni me shume i shqetesuar per respektin qe duhet treguar per te ndjerin Stefani,apo kerkoni qe te pakten nje dite te vetme te mos shahet zoti Sali Berisha? Mesa duket juve ju shqeteson fakti qe edhe perballe nje rasti te tille vdekje, kundershtaret nuk bejne nje moratorium me vehten, te mos shajne te pakten per nje dite Sali Berishen. Por ju , si rregull, me sa ju kam lexuar, jeni i njeanshem ne kerkesen tuaj, shikoni dhe ju shqeteson pa mase zelli qe tregojne kundershtaret e Berishes ne fyerjet ndaj tij dhe as qe ju shkon neper mend se edhe Berisha duhet te kete sadopak faj per gjithe kete mllef dhe urrejtje shoqerore qe nje pjese jo e vogel e shoqerise manifeston ndaj tij. Pastaj tek e fundit, ju nuk ndryshoni asnje fije nga Berisharsit, pasi edhe vet jeni nje Berishemburres i thekur.

  2. lulka says:

    te ishe ti muc nano sa 1/10 e andrea stefanit!!!!!! ti qe me shum se kushdo e ke kompleksin e te paanshmit. neveri per ty.

  3. Delli UsA says:

    TE permendesh nje krimine si Saliu nuk eshte asnjehere gabim,o berishist i mesiperm,mospermendja e ricikloj ate shtaze me fytyre njeriu ne 2005-en.

  4. Arben says:

    Shume respekte per Andrea Stefanin -nje nga zerat e vetem per te cilet ishe I bindur qe nuk bente pazare. habitem si kishte mbijetuar kaq gjate pa bere kompromiset tipike te gazetareve shqipetare. Ngushellime te ndjera familjes dhe te te dashurve.

  5. Zgalem says:

    Sa shkurt dhe qarte eshte shprehur “Delli ” ! Zgalem

  6. elena says:

    I nderuar Nano . Para se te emigroja ne Amerike kujtoja se Demokracia ne vendin tone ishte ne rrugen me te keqe te mundeshme , me plot dallavere dhe dallaverexhinj .Dhe simpatizonja cdo analist qe kishte nje ideal , dhe nuk bente kompromis . Por gjate viteve te qendrimit ne Amerike kuptuam se bota nuk ju perket me Idealeve por vete Interesave. Sjiko sot cpo ndodh edhe ne Amerike : Dyshime per votat, Hapje kutish , Para pa fund nga bisneset , Interesa , Interesa kudo dhe kudohere . Andrea i gjore iku nga kjo bote si idealist por sot nuk eshte koha e tyre . me dhemb zemra qe iku nje njeri i mire .

  7. Emigranti-Uk says:

    Nano, Fejziu, Balliu, Koqedhima…. jeni te semure nga koka dhe servila te politikaneve. Ne djall te shoni. Respekte per te ndjerin Stefani

  8. liljana says:

    Z. Nano, lexova shkrimin tuaj me pelqeu. Me ndaloi fryma kur lexova ne shtyp per humbjen e Andrea Stefanit. Do te mungoj zeri i tij i rrept ndaj cdo padrejtesie. Ne kete bote nuk ka idealizem ai luftoi per kete. Me vjen keq per shkruesit e mesiperm qe flasin pse permendet Sali Berisha, eh eshte Ai qe si shume te tjere dhe Andereas i mbylli gojen njehere e pergjithmon . Ai nuk iku e hoqi.
    E hoqi se nuk ishte dhe nuk u be dot i anshem .
    Ngushullime familjes.

  9. Pellumb Kulla says:

    Na percolle nje dhimbje te ndjere, por te thelle dhe ngjitese, Muc! Mjerisht qe akoma vetem humbja vazhdon te nxjerre ne pah vlerat!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *