INTERVISTA/ Beqaj i përgjigjet LSI-së për shëndetësinë falas: Keni qëndrime kontradiktore

5 Dhjetor 2016, 09:36Sociale TEMA

Rritje pagash për personelin shëndetë sor, rimbursim i protezave ortopedike në Tiranë dhe spitalet rajonale, si dhe mbulimin me barna të rimbursueshme për 600 mijë persona të pasiguruar”. Këto janë disa prej risive që pritet të sjellë buxheti i vitit 2017, ndërkohë që në këtë intervistë dhënë për “GSH”, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj tregon me detaje se ku do të shkojnë paratë e parashikuara për vitin e ardhshëm në këtë sektor. Gjithashtu, kreu i Shëndetësisë u është përgjigjur edhe akuzave të opozitës sa i përket “check-up”-it, pas ndryshimeve në moshën e përfituesve, ndërsa paralajmëron shpalljen e garës për një tjetër partneritet publik-privat. Nga ana tjetër, Beqaj komenton edhe kërkesën e deputetit të LSI-së, Petrit Vasili për heqjen e togfjalëshit “shëndetësi falas”.

Z. Beqaj, gjatë fjalës suaj në seancën e së enjtes deklaruat se tashmë rimbursimi i ilaçeve do të mundësohet edhe për personat e pasiguruar. Si do të kryhet ky proces dhe kur do të fillojnë përfitimet?
Tashmë që është miratuar në parim buxheti i shtetit 2017, ku janë përfshirë edhe fondet e nevojshme për të zgjeruar mbulimin e rimbursimit të barnave tek të gjithë shqiptarët rezidentë në vend, ne kemi filluar nga puna për të hartuar aktet ligjore të nevojshme për të arritur tek miratimi i kornizës ligjore që e lejon këtë gjë. Së afërmi, do të miratojmë projektet përkatëse në Këshillin Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, e më tej, aktet do të ndjekin procedurat e miratimit të çdo lloj vendimi të Këshillit të Ministrave. Nisur nga momenti ku jemi, bazuar në eksperiencën e deritanishme të bërjes efektive të një ndryshimi të ri ligjor dhe në faktin që proceduralisht na duhet që të fillojmë në ditën e parë të një muaji, besoj se do të fillojmë në datën 1 mars 2017.

Sa është numri i personave që përfitojnë?
Janë 600 mijë vetë që aktualisht janë të pasiguruar, qoftë nga marrëdhëniet individuale të punësimit apo vetëpunësimit, qoftë si pjesë e grupeve të caktuara sociale që janë të siguruar sipas legjislacionit në fuqi. Me miratimin e dispozitave të reja ligjore, edhe këta persona do të gëzojnë të drejtën që në rast sëmundjeje të përfitojnë barna të rimbursuara nga FSDKSH. Me krijimin e mundësisë për rimbursim të barnave, ne plotësojmë ciklin e nevojshëm të kujdesit shëndetësor falas për shtetasit tanë. E filluam me programin e kontrollit bazë parandalues falas, vijuam me vizitën falas tek mjeku i familjes dhe tarifat minimale të vizitave dhe ekzaminimeve te mjekët specialistë.

Tashmë, ka filluar rimbursimi i protezave në Tiranë. Po sa u takon spitaleve të rretheve, kur do të mund të përfitojnë pacientët?
Prej muajit shtator 2016 kemi filluar të furnizojmë spitalet tona me protezat ortopedike. Filluam me shërbimin e ortopedisë në QSUT, me Spitalin Universitar të Traumës dhe me spitalin rajonal të Durrësit. Vlerësuam nevojat në bazë të eksperiencës së operacioneve (ku qytetarët i kishin blerë vetë protezat) të kryera në vitin 2015 në këto tri spitale. Me fillimin e furnizimit u ndeshëm me kërkesa më të shumta se sa ato të parashikuarat. Mesa duket, kishte një kërkesë të fshehtë, e cila nuk ishte regjistruar në radhët e pritjes pasi, mesa duket, qytetarët nuk kishin para për të blerë protezat. Kështu që vendosëm që të fillojmë të financojmë protezat edhe në spitale të tjerë, qoftë për të shkurtuar kohën e pritjes, qoftë për të ofruar shërbim sa më pranë vendbanimit të pacientëve, qoftë për të ulur ngarkesën në spitalet tona kryesore.

Këto ditë pritet të lidhen kontratat në spitalet e Shkodrës, Lezhës, Elbasanit, Fierit, Vlorës, dhe Sarandës. Ndërkohë, kemi mundësuar edhe fillimin e ofrimit të protezave të traumave neurokirurgjikale në Spitalin Universitar të Traumës. Kështu, në vitin 2017 janë rreth 180 milionë lekë në dispozicion të furnizimit të protezave. Mendojmë se rreth 1200 vetë do të përfitojnë proteza falas vitin e ardhshëm. Protezat janë cilësore dhe kemi arritur që për të njëjtën cilësi, të shpenzojmë rreth 30% më pak sesa shpenzonin shqiptarët kur i blinin me paratë e xhepit vetjak protezat. Përveçse i ofrojmë falas, japim edhe më shumë siguri për cilësinë e protezave, ndërkohë që lehtësojmë edhe barrën që me të padrejtë u kemi ngarkuar shpesh herë personelit shëndetësor, të cilët janë dyshuar se “trafikojnë” pacientët në furnitorë të ndryshëm privatë.

Është bërë publike se do të kemi një rritje pagash për personelin shëndetësor. Sa do të jetë kjo rritje sipas kategorive dhe çfarë risish të tjera do të sjellë buxheti i vitit 2017?
Buxheti i vitit 2017 sjell nivelin më lartë historik të financimit publik të shëndetësisë kundrejt PBB-së, 2,95%. Nëse përfshijmë edhe investimet që pritet të realizohen në përmbushje të kontratave të partneritetit publik-privat në shëndetësi, vitin e ardhshëm pritet të shpenzohen rreth 50 miliardë lekë apo, për herë të parë kalojmë cakun e 3% të PBB-së. Risia më kuptimplotë përsa i përket financimit publik të shëndetësisë mbetet shtrirja e mëtejshme e rimbursimit të barnave duke siguruar mbulimin e plotë të të gjithë popullsisë, por edhe funksionimi i plotë i sistemit të shërbimit të urgjencës mjekësore kombëtare. Të rëndësishme janë edhe disa investime shumë të rëndësishme që do të fillojnë të realizohen, por që do të shtrihen edhe në vitet e mëtejshme. 9,3 milionë euro për ndërtimin dhe pajisjen e shërbimeve te reja për kirurgjitë e përgjithshme dhe urologjinë në QSUT (procedurat e prokurimit kanë filluar).

Janë 7 salla të reja kirurgjikale. 11,5 milionë euro për ndërtimin e spitalit të ri të sëmundjeve të brendshme në QSUT (procedurat e prokurimit kanë filluar). 6 milionë euro për rikonstruksionin e spitalit pediatrik në QSUT (ka filluar nga puna studio projektuese). 4,6 milionë euro pajisje mjekësore për spitalet rajonale (procedurat e prokurimit fillojnë në janar 2017). Midis të tjerash, është fjala për një pajisje të re rezonance magnetike në spitalin rajonal të Elbasanit dhe për një angiograf koronar në spitalin rajonal të Fierit. 5,8 milionë euro pajisje mjekësore për Spitalin Universitar të Traumës (jemi në fazën e lëvrimit të pajisjeve dhe gjatë pranverës 2017, do të kryhet instalimi në spital). Pra, janë rreth 31 milionë euro infrastrukturë dhe pajisje mjekësore që do të fuqizojnë shërbimin spitalor në vend. Buxheti 2017 sjell risi edhe përsa i përket shpërblimit të merituar të punës së mjekëve dhe infermierëve. Siç është deklaruar, do të ketë një rritje të përgjithshme të pagave prej 10% duke filluar nga data 1 mars 2017.

Përveç kësaj rritjeje të përgjithshme, do të ketë dyfishim të shpërblimit të shërbimit të rojës për mjekët, si dhe një shtesë prej 25% të pagës mujore për personelin mjekësor që punon në shërbimet e urgjencës dhe të reanimacionit. Janë rreth 1,3 miliardë lekë (apo 13 milionë dollarë) më shumë që vitin e ardhshëm do të transferohen në buxhetet familjare të mjekëve dhe infermierëve. Në fakt, që prej janarit 2014 me fillimin e zbatimit të taksës së ndershme mbi të ardhurat mujore, nga paga mjekët dhe infermierët kanë pasur më shumë të ardhura mujore. Nëse në vitin 2013 mjekët dhe infermierët kanë paguar taksë mbi pagën të gjithë së bashku rreth 10 milionë dollarë, në 2014 së bashku kanë paguar dy herë më pak taksa mbi pagën. Pra, në buxhetet e tyre familjare kanë mbetur rreth 5 milionë dollarë më shumë që janë përdorur për të përmirësuar jetesën e tyre vetjake e familjare. Rritja e pagës prej 10% dhe dyfishimi i shpërblimit të rojës së mjekut do të sjellë që prej marsit 2013, mjekët në spitalet rajonalë të paguhen rreth 94 mijë lekë në muaj, ndërsa mjekët në spitalet universitare të paguhen mbi 100 mijë lekë në muaj.

Para pak kohësh u bë një ndryshim në fashën e moshës së personave që do të përfitojnë “check-up” falas. Tashmë, ai do të kryhet për personat 35-70 vjeç. Përse u bë ky ndryshim?
Në gusht 2016, pasi kishin kaluar rreth 15-16 muaj nga zbatimi i kontrollit bazë shëndetësor, ne vumë re se shenjat e para të sëmundjeve të zemrës, tensionit apo diabetit shfaqen që në vitet e para pas të dyzetave. Ndërkohë që edhe faktorët e riskut si duhanpirja, mbipesha dhe obeziteti, përdorimi i alkoolit janë të pranishme që në vitet e para të dyzetave. Pra, u vlerësua e nevojshme që kontrolli bazë parandalues të shtrihej edhe nën të dyzetat. Njëherazi, ne analizuam edhe funksionimin e Urgjencës Kardiake 24/7, që realizohet që prej 1 nëntorit 2015. Gjatë 10 muajve të funksionimit të këtij shërbimi të urgjencës, rreth 8% e rasteve janë gra e burra mbi 65 vjeç. Pra, edhe mbi 65 vjeç, te shqiptarët janë të fshehura sëmundje qoftë jetëshkurtuese, qoftë invalidizuese.

Edhe nga shërbimi i Nefrologjisë, që prej marsit 2016, në Ministrinë e Shëndetësisë kishte ardhur një kërkesë për të përfshirë edhe dy analiza të reja që mundësojnë vlerësimin e riskut të sëmundjeve të veshkave, të cilat përbëjnë një shkallë relativisht të lartë sëmundshmërie në vend. Pra, këta ishin faktorët që na bënë të vlerësojmë nevojën e zgjerimit të programit të kontrollit bazë. Nga ana tjetër, në rreth 15 muaj të zbatimit të programit të kontrollit shëndetësor bazë nuk është arritur shkalla e pjesëmarrjes në nivelin e detyrimit minimal kontraktual prej 475 mijë vetash (thënë ndryshe kontrolle) në vit. Dua të shpjegoj se funksionimi i përditshëm i një logjistike që merr kampione gjaku, urine dhe feçeje nga rreth 400 qendra shëndetësore, që përshkojnë rreth 7 mijë kilometra çdo ditë jave, si dhe shlyerja e një investimi fillestar rreth 10 milionë euro kërkojnë që kontraktori privat të ketë një të ardhur minimale të garantuar, e cila bazuar në çmimin e rënë dakord dhe kontraktuar për një kontroll, përmbushet me 475 mijë kontrolle në vit. Pra, vlerësuam që kishim ende hapësire financiare të pashfrytëzuar ende efektivisht. Kështu që nevoja për zgjerim të programit dhe hapësira financiare e paezauruar, na shtynë të propozojmë në Këshillin e Ministrave ndryshimet e nevojshme ligjore që zgjerojnë programin e kontrollit bazë.

Ka pasur akuza nga opozita se kjo lëvizje është abuzive, duke qenë se me të njëjtat para’ do të përfitojnë më shumë persona, çka do të thotë se në këto muaj është abuzuar me “çmimin” që MSH i paguante firmës koncesionare. Si u përgjigjeni këtyre akuzave?
Së pari, programi i kontrollit bazë funksionon i plotë prej 1 prillit 2015. Pra, jemi ende në 20 muaj histori. Për mua është histori suksesi, të paktën për dhjetëra sëmundje të rënda të zbuluara në stad të hershëm. Pas çdo sëmundjeje është një individ dhe një familje. Janë jetë njerëzore të shpëtuara, janë familje që kanë shmangur një fatalitet të një njeriu të tyre të dashur. Vetë opozita çfarë nuk ka thënë për këtë program dhe çdo dy muaj ka thënë një gjë ndryshe. Në dhjetor 2013 ka thënë që me 2 mijë lekë që ne kishim parashikuar për një kontroll, nuk do të mund të arrinin të bënim dot asgjë. Pastaj ka thënë që nuk do të mund ta filloni dot kurrë.

Më tej, ka vazhduar se nuk duhet, se nuk e bën askush në botë. Pastaj, filloi të akuzojë se kontrata me privatin është bërë me qëllimin e vetëm për të transferuar para tek klientët e partisë. Pastaj, ka vazhduar më tej me akuzat se analizat nuk janë të sakta. Së fundmi, që e bëjnë edhe persona të vdekur. Kanë bërë edhe një kallëzim në Prokurorinë e Përgjithshme. Që kontrolli bazë është një program i rëndësishëm i kujdesit shëndetësor, publiku është njohur me vlerësimet pozitive të bëra në një seancë dëgjimore të Komisionit Kuvendor për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë me drejtoren ekzekutive të Zyrës Rajonale për Europën të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Kjo seancë është bërë në qershor 2016, ka qenë edhe publiku dhe çfarë është folur në atë seancë, është dokument publik i aksesueshëm për këdo. Lexoni atë dokument dhe gjykoni vetë. Po ashtu, konsultoni “National Health Service HEALTH CHECK”.

Është programi i parandalimit të Shërbimit Kombëtar Shëndetësor (NHS – National Health Service) që zbatohet në Angli që prej vitit 2011. “Check-up”-i është një program që i ofron çdo shqiptari mundësinë të parandalojë apo zbulojë sëmundje të ndryshme në stad të hershëm. I mundëson një komunikim të gjallë e të vijueshëm me mjekun e tij të familjes. I mundëson të fillojë të bëhet edhe mjeku i vetvetes, duke pasur një njohuri më të plotë për rreziqet që i kanosen shëndetit të tij. I mundëson sistemit shëndetësor të krijojë një ide sa më të plotë për situatën epidemiologjike të popullatës së vendit, si dhe të fillojë të krijojë, plotësojë dhe përditësojë dosjet individuale elektronike të shëndetit për çdo shqiptar. Janë rreth 360 mijë shqiptarë që janë përfshirë në këtë program. Një pjesë e mirë, tashmë, edhe për herë të dytë në vitin e dytë të zbatimit të tij. Pjesëmarrje më të lartë kanë gratë se sa burrat. Një shkallë më e lartë pjesëmarrjeje vërehet te personat mbi të 50-at, sesa ata nën të 50-at.

Në fakt, logjika është e drejtë kur mendohet se në këto 2 vite do të mund të kishin përfituar shumë më tepër qytetarë, ndërkohë që paratë janë paguar… Mos kjo ndërhyrje ligjore duhej bërë më herët?
Nuk besoj se logjika është e drejtë. Kjo, sepse nëse nuk do të kishim garantuar një financim të caktuar do të kishim një pagesë më të lartë për një kontroll. Sot, ajo çfarë mundësojmë në kontrollin bazë kushton nëse kryhet në privat rreth 8 mijë lekë të reja. Për më tepër, nuk ofrohet pranë vendbanimit, por vetëm nëpër qytete. Nëse do të paguanim koston vjetore të garantimit të funksionimit të kontrollit bazë, me një pjesëmarrje deri në 300 mijë në vit, do të kishim një tarifë për një kontroll mbi 3000 lekë. Do të na kushtonte më shumë se çfarë paguajmë aktualisht.

A do të ketë një ndryshim kontrate për koncesionin e dializës, duke qenë se firma që e pati fituar, tashmë ia ka shitur aksionet e saj një biznesmeni të akuzuar nga Partia Socialiste para vitit 2013 për korrupsion dhe konflikt interesi?
Kontrata për shërbimin e hemodializës në 5 qytete të vendit është lidhur midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe një subjekti të krijuar enkas për realizimin e kontratës. Subjekti i krijuar enkas është bashkim dy operatorësh ekonomikë në përputhje me angazhimet parakontraktore, që subjektet kanë marrë kur kanë marrë pjesë në garë. Subjektet janë ‘EVITA’ dhe ‘AMERICAN HOSPITAL’ në raportet 85% dhe 15%. Ky raport nuk ka ndryshuar. Për rrjedhojë, nuk ka shkaqe ligjore që të ndryshojë kontrata midis ministrisë dhe subjektit të krijuar enkas. Se çfarë ndodh me ortakët e një prej operatorëve të bashkimit, konkretisht me ata të ‘EVITA’-s, bazuar në ligjin për shoqëritë tregtare, ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik-privat dhe kontratën e koncesionit, nuk është çështje e Ministrisë së Shëndetësisë. Për rrjedhojë, nuk ka arsye pse të ketë ndryshime në kontratë.

Koncesionet në shëndetësi janë më të kontestuarit, ndonëse ju e konsideroni partneritetin publik-privat si zgjidhjen më të mirë për një sërë shërbimesh. A do të vijohet me ndonjë shërbim tjetër, që do t’i “besohet” privatit?
Është e vërtetë që ka një ndjeshmëri të lartë për partneritetet publike-private në shëndetësi. Megjithatë, përmes asaj çfarë është arritur në këto dy vite nëpërmjet këtyre kontratave, dëshmojnë se kemi bërë një zgjedhje të drejtë duke ecur në këtë drejtim. Në mars 2014, në Tiranë është organizuar një konferencë ndërkombëtare për PPP-të në shëndetësi. Nëse do të shihni në arkivat tuaja, do të konstatoni që kanë marrë pjesë me dhjetëra kompani të huaja me eksperiencë në këtë fushë dhe me interes për kontribuar në përmirësimin e kujdesit shëndetësor në Shqipëri, qoftë me financime, qoftë me teknologji, qoftë me “know-how”. Falë këtyre kontratave, ne ofrojmë sot kontrollin bazë shëndetësor çdo ditë në rreth 400 qendra shëndetësore për rreth 1300 vetë në ditë, ndërkohë që kapacitetet kapilare dhe qendrore përballojnë edhe deri në 2000 persona në ditë. Falë këtyre kontratave, ne kemi aktualisht qendra të reja të shërbimit të hemodializës në Vlorë, Lezhë e Shkodër dhe do të kemi së afërmi edhe në Elbasan e Korçë. Falë këtyre kontratave, çdo kirurg në QSUT operon sot me instrumentet kirurgjikalë të fjalës së fundit dhe secili prej rreth 1800 pacientëve që operohen çdo muaj në QSUT, operohen në kushtet e sterilitetit maksimal. Vitin e ardhshëm, çdo kirurg në Shqipëri do të mund të operojë me instrumente moderne dhe çdo pacient do të operohet në sterilitet maksimal. Brenda muajit dhjetor, ne shpallim garën ndërkombëtare për partneritetin publik-privat për administrimin e laboratorëve të spitaleve universitare dhe rajonale, përfshi spitalin e Lushnjës dhe Sarandës.

Para pak kohësh deputeti i LSI-së, Petrit Vasili ju kërkoni të mos përdoret më termi “shëndetësi falas”. Si i përgjigjeni z. Vasili?
Togfjalëshi “shëndetësi falas”, në fakt është një mënyrë më divulgative e përcjelljes tek publiku e konceptit të Mbulimit Universal të financuar nga taksimi i përgjithshëm. Nëse themi falas për një shërbim publik, duam të themi që përfituesi nuk paguan nga xhepi i tij. Shërbime të tilla publike ka shumë. Në Shqipëri dhe në botë. Në vende shumë të zhvilluara apo në vende në zhvillim. Këtu nuk bën përjashtim as kujdesi shëndetësor. “Free at the point of delivery”. Sot, kushdo mund të ‘Google’-ojë lirshëm, të lexojë, të konsultojë pro-të dhe kundra-t, e më pas të bëjë vlerësimet vetjake. Unë besoj tek shëndetësia falas. Sepse, së pari, besoj se shëndeti është e mirë publike. Sepse, së dyti, besoj se qendrat e kujdesit shëndetësor duhet të jenë qendra ku njerëzit marrin jo vetëm mjekim, por edhe ku shoqëria ngjiz indin social. Besimi tek e mira publike dhe indi social i shoqërisë, më shtyjnë të angazhohem publikisht dhe politikisht për shëndetësisë falas. Më tej, historitë e suksesit në vende të zhvilluara, por jo vetëm, më japin shpresë e besim se kjo është e mundur edhe në Shqipëri. Në 4 vite janë bërë jo pak drejt shëndetësisë falas. Por, vlerësimin i takon publikut ta bëjë.

Si e pritët këtë kërkesë, duke qenë se vjen nga një deputet që është pjesë e një partie të koalicionit qeverisës?
Zoti Vasili është personalitet, qoftë në jetën politike në përgjithësi, qoftë në angazhimet e tij politike e publike për shëndetësinë. Unë analizoj me vëmendje çdo gjë që thuhet për shëndetësinë, pavarësisht se kush e thotë. Por, besoj se do të pranoni qasjen time, tashmë prej disa vitesh, që nuk përdor gazetat për të kthyer një përgjigje, ndarë opinione apo komentuar deklarata. Për faktin e thjeshtë, se për mua ekzistojnë mundësitë që këtë gjë ta bëjë në mjedise të mirëfillta politike. Megjithatë, në këto 3 vite e tre muaj kam konstatuar që edhe nga përfaqësues të LSI-së ka pasur qëndrime të ndryshme për nisma të ngjashme. Kështu, drejtues politikë të LSI-së kanë mbështetur nevojën e testimit të trupës së gjyqtarëve apo mësuesve, ndërkohë që kanë kontestuar testimin e personelit mjekësor.

Si u përgjigjeni të rinjve që iu “sulmuan” në hyrje të Ministrisë së Shëndetësisë, në një kohë që janë paralajmëruar se veprime të tilla do të vijojnë edhe në të ardhmen?
Janë të lirë të protestojnë, nuk u ndodh asgjë. Koha kur protestuesit vriteshin me armë zjarri kur protestonin para institucioneve të rëndësishme nuk kthehet më. Më erdhi keq që protesta e tyre ishte thjesht dhe vetëm fotokopje e fletërrufeve, që dëgjohen rregullisht nga altoparlantët e SHQUP-it. Do të këshilloja të jenë më të pavarur e më objektivë. Padyshim, që edhe në shëndetësi ka gjëra që mund të kritikohen apo ka ende mungesa që duhet të evidentohen.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje