Kryeministri Edi Rama surprizon ushtarakët: Rritja e rrogave 8-10 përqind

6 Dhjetor 2016, 18:25Politika TEMA

Kryeministri Edi Rama garantoi ushtarakët se rritja e pagave do të jetë mbi parashikimin e projektbuxhetit të shtetit. Në një takim të zhvilluar me ushtarakët në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes, ku merrnin pjesë Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli dhe ministri i Financave Arbej Ahmetaj, kreu i qeverisë shqiptare i ka surprizuar ata, teksa deklaroi se paga e ushtarakëve do të rritet nga 5-7 përqind që ishte parashikimi, në 8-10 përqind.

“Jemi midis një rritjeje 5-7 përqind të rrogës për ushtarakët, që në këndvështrimin tim nuk është mjaft, dhe një rritjeje 8-10 përqind që është paralele si rritja për të gjithë të tjerët. Kjo është beteja, dhe unë kam shumë shpresë që brenda kësaj periudhe që po kalojmë nga diskutimi i buxhetit në parim, në diskutimin e buxhetit zë për zë, ne do arrijmë që ta akomodojmë dhe këtë pjesë për ushtarakët, në këto nivele.

Pra të mos kemi një rritje më të ulët se sa ajo e punonjësve të policisë apo se sa ajo e mësuesve dhe e mjekëve. Kjo është pak a shumë ambicia jonë, ndërkohë që edhe këtu si në të gjithë sektorët e tjerë për ata që kanë pagën më të ulët, flas për gjithë shërbimet mbështetëse, për ata që mbajnë pastër këtë kompleks të mrekullueshëm dhe që krijojnë kushte që ju të gjithë të punoni në këtë higjenë kaq të garantuar, rroga do të rritet 36 përqind”, deklaroi Rama.

Ndërkohë kryeministri nuk ka munguar të bërë dhe humor, teksa nënvizoi se “nuk do të arrini dot të më shani përpara njerëzve të shtëpisë, sepse kam bindjen që edhe pas këtij takimi i kam të gjitha argumentat për ta fituar betejën për atë diferencën që kam me ministrin e Financave dhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar!”, deklaroi kryeministri.Rama tha se kësaj kategorie iu rikthye dinjiteti i nëpërkëmbur në këto vite, ndësa theksoi se pavarësisht kësaj, ka ende shumë për të bërë ndaj ushtarakëve, pavarësisht borxhit në akumuluar dhe tashmë të paguar në Ministrinë e Mbrojtjes, një borxh prej 16 milionë euro.

Ndërsa ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli duke uruar dhe njëherë ushtarakët për 104 vjetorin e krijimit të FA, nënvizoi punën e bërë për rikthimin e dinjitetit të ushtarakëve, duke e vënë theksin tek përmirësimin e financave të rrënuara nga qeverisja e kaluar në këtë Ministri.

“Mënyra se si menaxhoheshin Forcat e Armatosura, për ne, që vinim nga opozita, ishte e qartë. Reparte ushtarake që përdoreshin për kërkime thesarësh, helikopterë ushtarakë që fluturonin për video muzikore. Aparate përgjimi që kushtonin miliona euro e përgjonin politikanë të opozitës e diplomatë të huaj. Koncerte që kushtonin më shumë se çdo paketë modernizimi luftarak, pa harruar mungesën e karburantit për anijet e Forcës Detare, në ruajtje të bregdetit”, tha Kodheli.

Ministrja e Mbrojtjes nënvizoi faktin se u përballua borxhi i akumuluar prej 16 milionë eurosh, ndërkohë që tashmë ushtria shqiptare është pjesë e misioneve më të rëndësishme të Aleancës në pikat më të nxehta të globit. Nga ana tjetër, Kodheli evidentoi dhe punën e bërë për modernizimin e ushtrisë përmes marrëveshjeve me partnerët tanë në NATO dhe aleatin më të rëndësishëm SHBA.

Ministrja e Mbrojtjes tha se është vendosur standardi i sigurimit të jetës së të gjithë ushtarakëve që janë pjesë e ekuipazheve fluturuese, ashtu siç janë mbuluar me siguracion të gjithë helikopterët, por gjithashtu dhe anijet që janë në mision jashtë vendit.

Kodheli në përfundim të fjalës së saj garantoi dhe njëherë se premtimi i qeverisë për rritjen e rrogave të ushtarakëve jo vetëm është realizuar por dhe tejkaluar.

Fjala e plotë e Ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli në takimin me ushtarakët:

Më lejoni t’ju uroj mirëseardhjen në këtë javë atmosfere festive për Forcat e Armatosura. 104 vjetori i krjimit zyrtar të formacioneve ushtarake të shtetit të pavaruar shqiptar, është gjithnjë një ngjarje e shënuar për këtë ambient ku gjendemi. Faleminderit zoti Kryeministër për prezencën tuaj.

Kur pak më shumë se tre vjet më parë, si pjesë e kësaj qeverie, mora detyrën e Ministrit të Mbrojtjes, problemet e vetme ishin të lidhura pashmangshmërisht me financat. Në fakt, nuk është se u çudita. Mënyra sesi menaxhoheshin Forcat e Armatosura, për ne, që vinim nga opozita, ishte e qartë. Reparte ushtarake që përdoreshin për kërkime thesarësh, helikopterë ushtarakë që fluturonin për video muzikore.

Aparate përgjimi që kushtonin miliona euro e përgjonin politikanë të opozitës e diplomatë të huaj. Koncerte që kushtonin më shumë se çdo paketë modernizimi luftarak, pa harruar mungesën e karburantit për anijet e Forcës Detare, në ruajtje të bregdetit.

Por nuk e kishim pritur që borxhi i akumuluar në Ministrinë e Mbrojtjes të ishte në nivelin e 16 milionë Eurove. Shpenzohej për cdo gjë, por nuk punohej mbi asnjë projekt të qartë modernizimi. Edhe paketa e helikopterëve të blerë nuk pati në thelb dëshirën për të rinovuar flotën e mjeteve fluturuese, por u përdor politikisht për fushatat elektorale.

E njëjta situatë e zymtë mbizotëronte përsa i përket mundësive financiare të njerëzve në uniformë. Çdo gjë i duhej paguar sistemit të korruptuar të ngritur nga bashkëpunimi i politikanëve me disa ushtarakë të padenjë për uniformën që mbanin. Dhe ato vlerat që ne përmendim shpesh si ndershmëria e patriotizmi, tek elita drejtuese, ishin shndërruar në rryshfet për vende pune, marrjen e gradës së radhës, si dhe për të shkuar në mision jashtë vendit. Paguhej për çdo gjë, si në një shoqëri orientale të Mesjetës, ku bakshishi e ryshfeti lubrifikonin administratën në krye të një Force të Armatosur të një vendi anëtar të NATO-s. Ironia më e madhe ishte heqja e trajtimit ushqimor për ushtarakët në gusht të 2013, nga një qeveri e cila e kishte humbur mandatin popullor për të marrë të tilla vendime.

E nisëm pikërisht këtu, me pastrimin e skorjeve korruptive mbi çelikun e fortë të ushtarakëve tanë. Por, nuk ishte e vështirë aspak, pasi çibani i korrupsionit nuk qëndron dot mbi idealet e ushtarakut. U këputën një nga një pjesët e zinxhirit korruptiv, pa dallim grade e pozicioni.

Buxheti i vitit 2014 kishte si synim stabilizimin e situatës financiare të gjetur, pagimin e borxheve të akumuluara në 16 milionë Euro, si dhe nisjen e proçesit real të modernizimit të Forcave tona të Armatosura. E nisëm vitin e parë të punës me buxhetin e hartuar prej nesh, duke ju kthyer të gjithë juve të nderuar ushtarakë, trajtimin ushqimor të përmuajshëm. Rikthimi i trajtimit ushqimor për mbi 6500 ushtarakë erdhi me një formulë më sociale, duke u dhënë më shumë ushtarëve, si shtresa me pagën më të ulët në zinxhirin e gradave.

Gjithashtu, për herë të parë, u hartuan plane të qarta të modernizimit të armatimit, pajisjeve dhe teknikës ushtarake. Që në 300 ditët e para të qeverisjes sonë, u përmbyll faza e parë e heqjes së kallashnikovit nga përdorimi. Të parat që u pajisën me armatim dhe municion të standarteve të NATO-s, ishin trupat që merrnin pjesë në misionet paqeruajtëse, ku ne ishim të angazhuar.

Ndërhymë në pagat e pilotëve, si kategoria më e rrezikuar dhe me vështirësinë më të madhe gjatë kryerjes së detyrës. I gjetëm pilotët që paguheshin thjesht për gradën që merrnin. Pilotët tashmë kanë pothuajse një vit e gjysëm, që marrin 40 mijë lekë shtesë në muaj. Në mënyrë të shkallëzuar, përfitojnë gjithashtu të gjithë ushtarakët që punojnë në Forcat Ajrore dhe janë pjesë e ekuipazheve fluturuese.

Kemi vendosur standartin e sigurimit të jetës së të gjithë ushtarakëve që janë pjesë e ekuipazheve fluturuese, ashtu siç kemi mbuluar me siguracion të gjithë helikopterët, por gjithashtu dhe anijet që janë në mision jashtë vendit.

Pak kohë më parë, në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqënies Sociale, u mbyll problematika e madhe e borxhit që ish-ushtarakët i kishin qeverisë. Borxhi i tyre u fal. Rreth 10 milionë dollarë që do të paguheshin si debi nga rreth 5400 ish-ushtarakë, do të qëndrojnë ne xhepat e tyre.

Pesë përqind e njerëzve në uniformë marrin pjesë në misione ushtarake jashtë vendit, nga Afganistani në Kosovë, nga Letonia në Mali, nga Bosnja në Detin Egje. Mbi 300 burra e gra punojnë çdo ditë në shtabet dhe komandat e Aleancës, duke kryer detyra nga më të ndryshmet.

Pesëmbëdhjetë përqind e ushtarakëve marrin pjesë çdo vit, në stërvitje jashtë vendit. Janë mbi 1 mijë njerëz në uniformë që përgatiten me aleatët e tyre për sfidat e reja të sigurisë. Nëse 20 përqind e Forcave të Armatosura gjendet e angazhuar jashtë vendit çdo vit, ne përgatitemi për pjesën tjetër, e cila plotëson ciklet rotacionale në vitet në vazhdim.

Dhe gjithçka bëhet më paratë që kemi në dispozicion. Por gjithashtu shfrytëzojmë në maksimum edhe bashkëpunimin e ngushtë me aleatët tanë të NATO-s. Në vitin 2017, Ministria e Mbrojtjes Italiane do të na dhurojë 5 mijë pushkë automatike të standardeve të NATO-s, duke plotësuar kështu njëherë e mirë nevojën për armatim perëndimor. Jemi vendi i parë lindor që do të heqë dorë përfundimisht nga kallashnikovi i Luftës së Ftohtë.

Edhe një sasi e konsiderueshme mjetesh të blinduara do të vijnë që në fillim të vitit që po vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të plotësuar nevojën për transport luftarak për trupat që ne kemi në misione jashtë vendit.

U përpoqa të bëj një panoramë të shkurtër të përpjekjes financiare që kemi bërë në këto tre vjet të qeverisjes. Kryeministri ka ardhur sot me premtime konkrete për rritjen e rrogave tuaja. Lajmet e mira janë të rëndësishme, pasi rritja e rrogave tuaja është e konsiderueshme dhe po aq e rëndësishme. Unë po ua lë surprizat kolegut Ahmetaj dhe Kryeministrit dhe po ju bashkohem për të dëgjuar me shumë vëmendje ofertën e qeverisë tonë.

4 komente në “Kryeministri Edi Rama surprizon ushtarakët: Rritja e rrogave 8-10 përqind”

  1. Nave Na says:

    Cka Na duhet ushtria e arsimi Nave Na !
    Nave kena nevoje per Sa leh Berishen ene tallava o lum miku!

  2. Mamuthi says:

    E imagjinoni se po te mos kishte lindur ky gjiganti se cfare do te behej me kete vend. Ja ndriti faqen ushtrise nje helikopter kishte kjo ushtri e fundosi ne liqen dy ushtarak te vdekur per ngarkesen e meremerit. Ja ndriti faqen bujqesise fushat dhe kodrat i gjelberoi me hashash. Ja ndriti faqen mjekesise cek up ngjalli dhe te vdekurit qe gjeten kohe per tu regjistruar. Ja ndriti faqen ekonomise vetevriten nga 4-5 ne dite nga skamja dhe varferia investitoreve te huaj u thjeu kembe e duar. Ja ndriti faqen politikes se jashteme mori graden Lider Global. Doni me per Belulin marte nga ditet tuaja o rilindas te na rroje sa malet

  3. Kulaku i demokracise, ish ushtarak says:

    Cfare borxhi na kthyet,zonja ministre?
    Pse mashtroni opinionin publik,kur e verteta eshte krej ndryshe?
    Jeni ju,eshte shteti shqiptar borxhlliu me i madh,qe na ka grabitur per mbi 20 vjet pensionet tona!
    Si nuk keni turp dhe genjeni,se na paskeni falur borxhin?
    Edhe thoni se ne u beme debitore me ligjet e padrejta te Berishes /qe u rrezuan nga Gjykata Kushtetuese dhe pastaj e ktheni llogjiken tuaj te mbrapshte duke e quajtur pensionin e grabitur si borxh!
    Ne se do te besh politike,vazhdo beje,por ne se nuk ia kwe haberin legjislacionit per pensionet e ushtarakeve,me mire hesht se sa te mashtrosh opinionin brenda dhe jashte vendit!
    E verteta eshte ndryshe,zonja ministre!
    Shteti shqiptar,qe ne 1991 kur doli Stastusi i pare i Ushtarakut,nuk e zbatoi asnjehere ate dhe ligjet e nxjerra si simite nder vite!
    Qe nga viti 1991 ve deri me sot,shteti na ka grabitur pensionet,qe shkojne per 23 vite ne rreth 50 milion leke te vjetra per person!
    A e di moj zonje,se shteti i Berishes dhe i Nanos,per 3 vjet rresht(1996-1998) nuk na dha asnje lek pension duke shkelur hapur dhe ne menyre kriminale Kushtetuten e Shqiperise?!
    A e di ti zonja ministre,se qe nga viti 1991 e deri me sot legjislacioni per pensionet e ushtarakeve eshte ndryshuar 20 here,gjithmone ne ulje te medha tre perfitimeve te meparshme tre fituara me ligj?
    A e di ti zonja ministre,se me ligjin famekeq 10142/2009 dhe Aktin Normativ nr.5 te Berishes,nga viti 2009,pensionet tona u ulen menjehere,se u bene rillogaritje,antikushgtetuese,ne masen 50% te pensionit mujor?
    Dhe jo vetem kaq,por qe nga ajo kohe e deri kete vit,na shpallen edhe debitore ne shumen deri ne 2 milion leke te vjetra per person,qe na i mbajten cdo muaj dhe qe ju e quani borxhin qe ne i paskemi patur shtetit?
    Eshte turp i madh te fyesah mijra ushtarake dhe familjet e tyre,qe kweto 26 vjet kane jetuar ne mjerim te plote,shume prej tyre pa strehim,me semundje tre shumta e te renda te marra gjate sherbimit ushtarak maje maleve me debore,larg familjhes per jave te tera,ne sherbime te tejzgjatura etj dhe ti na tallesh pa t’u bere tert syri!
    Turpi ju mbulofte te gjitheve ju si ministri Mbrojtjeje dhe si qeveri!
    Keni grabitur pensionet por edhe votat tona per 25 vjet dhe keni guximin t’i quani poshtersite e shtetit tuaj si borxhet tona!
    Keni te drejte te talleni se kete e keni te mbeshtetur edhe ne ligjin e fundit qe ju e quani si falje tre borxhir,kur nuk keni shfuqizuar ligjet apo nenet,qe bene te mundur rillogaritjen antikushtetuese te pensioneve tona!
    Pra e keni bere me djallezi,njelloj si greket me ligjin e Luftes,qe ndonese eshte ne fuqi,por nuk e heqin,sepse ka te beje me pronat e cameve!
    Edhe ju nuk i keni shfuqizuar,se neser mund t’i ktheheni prape padrejtesive ndaj nesh!
    Mallkuar qofshi!
    Anje vote per ju ne zgjedhjet e ardheshme!

  4. nje lexues shqiptar says:

    Eshte e habitshme , kur te gjithe po vriten , se si ke mbetur gjalle ti Mamuth ! Nga e ke mare kete koment , nga fjalimet e qoftelargut te Viçidollit , apo nga qytetari dixhital ? Po ikni ore legena , mjaft derdelliset neper forrume , se koha juaj dhe e PD-se ka vdekur me kohe . Ju jini antishqiptare e antikombetare , nuk ju voton njeri , KURRE .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje