Shkëlqimi dhe rënia e shokut Koço!

6 Dhjetor 2016, 10:37Politika TEMA

Koço Kokëdhima si njeri publik, ka qenë gjithmonë pranë politikës por kurrë nuk hyri brenda saj, ka pasur mekanizmat për të ndikuar, por nuk ishte përfshirë personalisht me kleçkat dhe mekanizmat e një force politike.

Në vitin 2013, pas ndikimit edhe në negociatat mes PS-së dhe LSI-së për të marrë pjesë në aleancë, ai mori vendimin për të hyrë direkt në politikë, ku u vendos ndër të parët në listat për deputetët të Partisë Socialiste të qarkut Vlorë.

Në deklaratat e para publike, Kokëdhima tha se nuk do të jetë një politikan kryesor i PS-së, por deklaroi se i pëlqente të mbetej një deputet i popullit, siç preferonte ta quante veten

Por menjëherë pas katër muajve të parë të qeverisjes së PS-së, Kokëdhima u përfshi direkt në politikën lokale, madje duke pasur edhe raporte të vështira me përfaqësuesit historikë të Partisë Socialiste.

Ai ndikoi thuajse personalisht në zgjedhjen e kreut të qarkut të Vlorës, një kandidaturë që u akuzua fuqishëm nga opozita, gjë që harxhoi energji të mëdha politike për fazën e parë.

Më pas Kokëdhima u vendos në Sarandë, ku realisht dubloi Stefan Çipën, kryebashkiakun e atëhershëm, duke thirrur strukturat e bashkisë dhe partisë dhe krijuar një marrëdhënie të tensionuar me një politikan që ishte nga më klasikët e socialistëve të jugut, si Stefan Çipa; ish- deputet dhe ish- ministër i Brendshëm (për ironi të fatit ka qenë pikërisht Stefan Çipa që e ka zëvendësuar sot).

Ky konflikt e detyroi Edi Ramën të ndërhyjë personalisht dhe të thërrasë në Tiranë, Çipën, pasi Kokëdhima e spostoi dhe propozoi për kryetare bashkie një kandidaturë që e preferonte ai, por jo strukturat.

Po të mos qe vota e Ksamilit, Saranda ishte gati fitores nga ana e PD-së.

Ndërkaq, një njeri i emëruar nga Kokëdhima u përfshi në një skandal përgjimi, që shkaktoi një kosto jot ë vogël politike për mazhorancën.

Por influenca e tij nuk u përfshi vetëm në Sarandë, ku kishte edhe elektoratin e tij e zonën zgjedhore, por edhe në Vlorë, ku ndikoi personalisht për caktimin e kryetarit të Bashkisë së Vlorës, duke sjellë sërish probleme me organizatat socialiste të vjetra.

Kjo, pasi Kokëdhima nisi që herët krijimin e disa strukturave paralele me organizatat, me argumentin se po sillte prurje të reja.

Por kjo solli një përplasje me deputetët e Vlorës, Fatmir Toçin të parin, i cili mbulonte lumin e Vlorës, por edhe Valentina Leskajn.

Megjithatë, Koço Kokëdhima, vetëm përpara një viti arriti të arrinte në postin e të deleguarit të PS-së për qarqet e Jugut, gjë që e shfrytëzoi duke ngritur grupime interesi thuajse në të gjithë territorin ku PS-ja i ka bastione historike.

Por ndërkohë, pas operacionit të madh në Lazarat, Kokëdhima doli në publik me tezën e legalizimit të hashashit, gjë që shkaktoi një kosto shtesë për PS-në, pasi Berisha deklaronte se qëndrimet e Koços bëhen me dijeni të lidershipit të PS-së.

Edhe pse disa ministra të qeverisë e kundërshtuan këtë tezë, madje edhe Edi Rama publikisht, Kokëdhima vazhdoi të lobonte si në media, ashtu edhe në disa aktivitete me njerëz nga disa vende të botës.

Kjo krijoi një situatë amullie jo vetëm në opinionin publik, por edhe në disa ambasada të huaja, të cilat në biseda miqësore i kërkuan që të mos e ngrinte tezën e tij të kanabisit të legalizuar.

Ndërkaq, në Kuvend, Koço Kokëdhima, si kryetar i Komisionit më të madh në marrëdhëniet me jashtë, siç ishte Komiteti i Miqësisë Shqipëri- Kinë, loboi me shumë investitorë kinezë, sa u akuzua publikisht nga opozita dhe disa media se ka negocuar edhe për kredinë e “Rrugës së Arbrit”.

Të gjitha këto ishin kosto për mazhorancën, por edhe një ushqim politik për opozitën.

Ndërkohë kjo e fundit dërgoi në Kushtetuese padinë për heqjen e mandatit të Kokëdhimës, pasi sipas saj, ai kishte përfituar në kontrata publike.

Ndërsa ishte në proces nga Kushtetuesja çështja e mandatit të tij, Kokëdhima u zgjodh anëtar i Asamblesë, duke u futur direkt si përfaqësues i Vlorës, ndërkohë që ai përfitonte automatikisht si deputet.

Siç duket, e ndjente vendimin e Kushtetueses.

Kokëdhima u zgjodh anëtar i Asamblesë së PS-së dhe u propozua si sekretar për Reformën Strukturore të PS-së, ku mori numrin më të vogël të votave, se të gjithë sekretarët e tjerë të PS-së.

Por pikërisht atëherë kur u ngjit më lart në karrierën e tij politike, Koëdhima do të zbriste shumë shpejt tatëpjetën.

Madje direkt nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Dhe pas këtij vendimi, ai nuk vazhdoi më të luftojë nga brenda politikës.

Nuk duroi dhe s’e ka luajtur dot rolin e aktorit të heshtur, por u kthye të bënte atë që dinte më mirë; ndikuesin nga jashtë duke përdorur influencën në biznes dhe opionin publik…(Dailynews)

4 komente në “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Koço!”

  1. babel says:

    Boll me kete aksion kunder kocos. Mund te jete kryeministri i ardhshem…

  2. Fotaqi says:

    Koooooqe kokedhjeri

  3. freee says:

    Trump shqiptare fundi i marrezise ….hajde tallava hajde. Ky duhet te ishte ne burg prej kohesh.

  4. "Horri i Bulevardit" says:

    Shpif, shpif se dicka do te mbetet, zuri vend edhe te nje pjese ” te vjeter” vetquhen ne PS.
    Saliu shpifi dhe shpifi, ne fakt qe ta degjonin ajo pjesa analfabete, por shpifja e tij u shfrytezua nga nje pjese e shkolluar akoma me e rrezikshme, se ajo e dallkaukeve analfabete, u shfrytezua nga te shkolluarit ziliqare, qe mezi priten, qe zotin Kokedhima, ta conin ne gijotinen e partise, se kjo pjese ziliqaresh e shkolluar, pranon biznesmene qe pasurine e tyre e kane vene nemenyre te dyshimte, por nuk pranon aspak, qe nje matematicien, te krijoje pasuri me biznesin e tij.
    E kam degjuar zotin Kokedhima, ne shume dalje publike televizive dhe personalisht, kam qasje te mire ndaj tij, di te replikoje, di te kundershtoje me argumenta, kundershton me fakte cdo akuze dhe di te jape nje pergjigje per cdo qindarke te fituar.
    Zoti Kokedhima iku, jo se deshi vet dhe se sdinte ta bente punen e tij si deputet, por iku se ziliqaret e shkolluar, neper universitetet private, te dyshimta, rane pre e shpifjes se salehut, por une mendoj se PS, HUMBI NJE POLITIKAN TE URTE DHE TE MODERUAR, ju vafte mbare o ziliqare, qe parante i fitoni nga posti i politikanit, por nga zotesia jeni te varfer, ndersa zoti Kokedhima e fitoi parane e tij kur skishte pushtet politik, perkundrazi u minua nga shpellari saleh, me egersi, por Kokedhima ja doli te mbijetoje dhe kete rradhe do tja dali, se di te kalkuloje, di te punoje dhe ziliqaret, do shohin perseri edhe per disa vjet, me zili zotin Kokedhima.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje