Pasuritë e zyrtarëve, Apeli “rrëzon” Llallën. Refuzon t’i japë dosjet dhe serverin e ILDKPKI

7 Dhjetor 2016, 19:39Kronika TEMA
Pasuritë e zyrtarëve, Apeli “rrëzon” Llallën.

Prokuroria ndalohet të sekuestrojë dosjet dhe serverin e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, e Konfliktit të Interesit, në kuadër të hetimit që kishte nisur në këtë institucionit me iniciativë të vetë kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Vendimi është marrë nga Gjykata e Apelit, nga treshja gjykuese Artur Kalaja, Evgjeni Sinoimeri dhe Artur Gaxhi, të cilët lanë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë të drejtësisë.

Sipas vendimit, do të sekuestrohen vetëm materialet për rastin e deputetëve socialiste Valentina Leskaj dhe Rakip Suli si dhe ish-deputetit të majtë Koço Kokëdhima.

Ndërsa kërkesat e tjera të prokurprisë për të sekuestruar regjistrat dhe serverin e plotë të këtij institucioni ku ndodhen deklaratat e pasurisë të të gjithë zyrtarëve që preken nga ligji i vetëdeklarimit, janë rrëzuar.

Hetimi nisi për të zbuluar nëse zyrtarët e ILDKPKI-së kanë shpërdoruar detyrën.

Vetë ky institucion reagoi pak kohë më parë duke thënë se prokuroria nuk ka argumentuar përse i kërkon të gjitha ta dhënat e ushtrimit të veprimtarisë nga ana e ILDKPKI-së. Madje ky institucion i drejtuar nga Shkëlqim Ganaj, thotë se nisja e hetimeve penale është bërë për qëllime jo të ligjshme me argumentin se “dokumentet që kërkohen dalin jashtë sferës së objektit të hetimeve të filluara, kështu që nuk kanë se si të jenë të rëndësishme në vërtetimin e fakteve”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje