PD shpërthen ndaj Donald Lu, Gjana: Deklarata e tij pa sens, është kthyer në edukator kopshti. S’jemi në funksion të asnjë ambasadori

Jemin-GjanaIsh-nënkryetari i Partisë Demokratike dhe një nga politikanët më me përvojë të kësaj partie, sekretari aktual demokrat Jemin Gjana, i komenton deklaratat e ambasadorit amerikan si jo logjike.

Gjana shprehet se deklaratat e Lu se PD i trembet reformës është pa sens, ndërsa sjelljen e diplomatit amerikan e cilëson si të një edukatori kopshti. Dy ditë më parë, ambasadori i SHBA sulmoi sërish PD që ka konstatuar gabime të rënda në përkthimin në gjuhën angleze të Kushtetutës dhe të ligjit të Vetingut.

“E kam shprehur edhe një herë tjetër që, deklaratat e ambasadorit janë pa sens dhe janë jashtë logjikës për dy arsye. E para, një ambasador nuk mund të bëjë dhe të sillet si një edukator kopshti ndaj hierarkisë politike të një vendi. Por kjo është zgjedhje e tij, do qëndrojë në atë që kanë gatuar së bashku”, deklaroi ish-ministri në një prononcim për “SOT”.

Jemin Gjana thekson faktin se deklaratat e ambasadorit amerikan në vend janë të përsëritura dhe objektivi i tyre është sulmi ndaj PD sa i përket gjithë diskutimeve për reformën në drejtësi.

“Mendoj se një pjesë e deklaratave të tij janë deklarata që nuk mund të qëndrojnë, janë të njëanshme sipas asaj që i kanë vënë si detyrë, që sa herë i jepet rasti të përgjigjet, të sulmojë. Nga mënyra se si është shprehur prej shumë kohësh, nuk mendoj se ka mbajtur qëndrime të paanshme, përkundrazi. Tashmë është i lexueshëm, është e disata herë, kështu që le të vazhdojë deri sa ta ketë mandatin e tij të këtë vend”, shtoi Gjana.

I pyetur mbi raportet që mund të vendosë ambasadori me PD, Gjana thotë se Partia Demokratike nuk është në funksion të asnjë ambasadori dhe nuk do të bëjë as nxënësen dhe as viktimën e një diplomati.

“PD nuk është në funksion as i një ambasadori apo të ndonjë ambasadori tjetër, nuk është në funksion të askujt. PD është një forcë politike anti-komuniste e këtij vendi, e krijuar si e para parti opozitare, sot e 26 vite të shkuara dhe tashmë, kështu që nuk është produkti i një ambasadori dhe nuk mund nuk mund të bëjë as nxënësen dhe as viktimën e një ambasadori”, deklaroi ish-ministri i Partisë Demokratike.

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...