Përkthimi më i kushtueshëm i historisë

Nga Flogert Muça

Keqkuptimet apo përkthimet e gabuara në dokumenta zyrtarë midis shtetesh kanë shpesh gjatë historisë një oaz krizash ndërkombëtare. Nga dita e djeshme, Shqipëria përballet edhe ajo me historinë e saj tërësisht shqiptare, “përkthimin e saj të gabuar”, një përkthim i cili mund të rezultojë më i shtrenjti në historinë e njerëzimit.

Kostoja e tij? Një brez tjetër i humbur në historinë e këtij vendi. Një brez i ri pashpresë dhe një brez pasardhës që duhet të vuajë fajet e baballarëve të tij e të ndërtojë edhe një herë nga zero një vend që shpesh duket si i murosur edhe ai në gurët e Legjendës së Rozafës, një vend ku shpesh duket se ajo që ndërtohet ditën prishet natën.

Ditën e martë, me zë dhe me figurë, Partia Demokratike linçoi sërisht reformën në drejtësi, këtë herë me argumentin e një përkthimi të gabuar të opinionit të Venecias, i cili nga ana e tij paskësh prodhuar një keqkuptim të pafalshëm dhe të qëllimshëm në mënyrën se si do të zbatohej vetingu, që në këto kushte do të krijonte një precedent të rrezikshëm, i cili nëse faktohet kështu kërcënon demokracinë shqiptare, sepse………. Kështu vazhdon shumë gjatë!

Përtej preteksteve të veshura me qëllime fisnike, pretendimi për këtë përkthim të gabuar, sidomos pas dy vitesh në të cilat janë sajuar arsye gati surreale për të penguar avancimin e reformës në drejtësi, përbën qartësisht një shuplakë në fytyrën e të gjithë shqiptarëve që duan të shohin vendin e tyre duke ecur përpara në rrugën europiane.

Tashmë të gjithë ne kemi të qartë se integrimi europian, së bashku me përfitimet ekonomike dhe sociale që vijnë nga kjo, varet kryekëput nga zbatimi i vetingut dhe nga zbatimi i reformës në drejtësi. Ky është kushti i vetëm për çeljen e bisedimeve.

Nuk është hera e parë që përkthimi është argumenti për të penguar avancimin europian të vendit. Më përpara ishte neni 88, kuota me 2/3 apo 3/5, neni 25, roli i Prokurorit, e sa e sa detaje të tjera. Por përse duhet të lexojmë përkthimin në shqip? A nuk ka vallë PD dhe të tjerët në këtë vend njerëz që dinë të lexojnë anglisht dhe të plasin sytë mbi tekstin origjinal??? A vallë është kaq e vështirë që palët në këtë vend të lexojnë të bardhën mbi të zezë dhe të kuptojnë se çfarë është shkruar qartësisht në të?

Reforma në drejtësi duket se është bërë sipërmarrja më e madhe në historinë e këtij vendi, ndërkohë që në fund të fundit është vetëm një ligj, sado i rëndësishëm, por në fund të ditës vetëm një ligj, eshtrat e të cilit janë fjalët që shkruhen në gërma të zakonshme, mbi ato letrat ku janë shkruar edhe të gjithë ligjet e tjera të këtij shteti.

Në pamundësi për të gjetur se ku fshihet Djalli, për të cituar fjalët e dikujt që beson se Djalli (deputetit Oerd Bylykbashi) fshihet pas presjes, sot “kopili në derë” i ka mbetur Gjykatës Kushtetuese. Është ajo që do të interpretojë përsëri atë që Komisioni i Venecias do ta shkruajë qartë, megjithëse përsëri në anglisht! Sot Gjykata Kushtetuese ka në dorë të bëjë një ndarje historike, duke interpretuar saktë opinionin e Venecias apo të zhytet më thellë në llumin e sistemit të padrejtësisë që ngrehina e drejtësisë shqiptare ka ngritur në këto 25 vite. Një sistem labirintesh, në fund të së cilit nuk ka asnjë rreze shprese.

Në pritje dhe shpresëplotë se këtë herë Gjykata do të ngrihet në lartësinë e misionit historik që i troket në derë, këtë herë, Djalli i fshehur pas presjes, nëse do të lejohet të dalë nga shishja do të na kushtojë sa qimet e kokës. Kostoja? E pamatshme! Disa miliardë euro nëse do të flasim me terma ekonomikë, mjaftueshëm për të ndërtuar brenda një mandati të gjithë rrugët, spitalet dhe shkollat e këtij vendi.

Por, kostoja më e madhe është vrasja e shpresës. Pa reformën në drejtësi, pak por e sigurt, ne do të vazhdojmë të jemi një “racë azilkërkuesish”, e jo një popull europian, që ashtu si të gjithë popujt e tjerë europianë mund të lëvizë lirshëm, në hapësirën europiane dhe të ndërtojnë jetën e tyre aty ku ata e shohin më të përshtatshme. Dje Djalli u fsheh pas presjes. Le të shpresojmë, që gjuhët e flakëve të e ferrit nuk do të përvëlojnë edhe peshoren e gjykatës supreme të këtij vendi.

REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “Përkthimi më i kushtueshëm i historisë”

  1. Albania says:

    Bylykbashi dhe shume te tjere beqira te PD duhen varur tek palmat e Mesiles, o sot o kurre populli shqiptare duhet ta kuptoje se sa shume ka punuar pd per interesat e familjes Berisha dhe se ka care tocin asnjehere per interesat e kombit..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *