Si u përjashtuan dhjetoristët në 26 vite nga PD

8 Dhjetor 2016, 10:45Dossier TEMA

Kryetari i “Grupimi ‘90”, Bislim Ahmetaj në një intervistë për gazetën “Shekulli”, tha se studentët e dhjetorit ‘90 formalisht janë të përfaqësuar në disa nivele përfaqësimi të PD-së në bazë dhe në strukturat drejtuese, por asnjëri prej tyre në ekzekutivin e partisë më të madhe të opozitës. Duke komentuar marrëdhënien e ish-dhjetoristëve me Bashën, ai thotë se është pozitiv me ‘ta, por as kreu demokrat sipas tij nuk i ka hapur derën. “Ish-dhjetoristët kanë përfaqësimit vetëm në bazë dhe jo në ekzekutiv. Ne po punojmë që t’i thyejmë këto mure, ta rrëzojmë “Sorosin” brenda opozitës që slogani ynë “Besim-Veprim-Fitore” të fitojë qytetari, ndër shqiptarët që po qeverisen në mënyrën me të keqe të mundshme”.

Me ndryshimet që kanë ndodhur në këto vite, e shikoni të realizuar idealin e dhjetoristëve ’90?

Do të isha nihilist po të pohoja se s’ka pasur ndryshime epokale në krahasim me diktaturën, këto në aspektin e zhvillimit të ekonomisë së lirë të tregut, të lëvizjes së lirë të njerëzve, brenda dhe jashtë Shqipërisë, të aspekteve të integrimit të vendit në strukturat euro-atlantike, pra në “Pikturën e madhe” Shqipëria e vitit 2016 në krahasim me Shqipërinë e vitit 1990 është si të krahasosh një pikturë të Rembrandit me një shkarravinë të Edi Ramës, por po t’i kthehemi detajeve, parimeve dhe vlerave që e dallojnë demokracinë nga diktatura jemi në agoni të thellë, në një gjendje patologjike dhe deformimi që vështirë ta konsiderojmë sistemin tonë demokratik.

Kemi liri mediash në aspektin ligjor, por mediat janë në patronazhin e tutorëve politikë, kemi liri tregu, por tregu kontrollohet nga klientela e oligarkëve qeveritarë të majtë apo të djathtë qofshin ata, kemi liri lëvizje por kjo është e detyruar dhe gati e imponuar nga keqqeverisja dhe keq administrimi i burimeve natyrore, kemi të drejtë të zgjedhim dhe të zgjidhemi, por ata që zgjidhen përcaktohen nga oligarkia politike e vendit. Pra zhgënjimi është një re që na rri mbi kokë jo vetëm ne studentëve të dhjetorit ‘90, por shumicës së qytetarëve të këtij vendi. Vendit i duhet një ndryshim i madh. Në Grupimin Dhjetor ‘90 po punojmë për këtë ndryshim edhe pse jemi në terren tejet të kontaminuar. Shqiptarët meritojnë një fat tjetër, një demokraci funksionale, por kjo nuk është e garantuar nga establishmenti politik që ka kapur sot partitë politike kryesore të vendit.

Cilat janë lidhjet tuaja me studentët e dhjetorit ’90, të cilët sot janë rreshtuar krah së majtës në politikë dhe ç’mendim keni për ish-dhjetoristët që iu bashkuan të majtës?

Lëvizja studentore nuk ka pasur shumë protagonistë, e kam fjalën për ata që kanë qenë seriozisht të inspiruar për liri dhe demokraci, për sloganin: E duam Shqipërinë si gjithë Europa, slogan që establishmenti politik shqiptar e ka shndërruar në: E duam Shqipërinë në Europë. Njerëzit normalë e dallojnë lehtësisht ndryshimin midis “Shqipërisë Europiane”dhe “Shqipërisë në Europë”. Shumica absolute e atyre që e kanë dashur Shqipërinë Europiane kanë lidhje jo vetëm njerëzore por edhe institucionale, sepse janë pjesë e Grupimit “Dhjetor 90”, por edhe nëse nuk janë, janë qenie normale dhe të paimplikuar në asnjë patologji të tranzicionit bolshevik shqiptar.

Kam relacione njerëzore edhe me disa prej atyre që i kishte cytur Sigurimi i Shtetit, Partia e Punës, Komiteti Qendror i Rinisë dhe interesa ta tjerë për të qenë pjesë e Lëvizjes Studentore por vetëm njerëzore, jo parimore, pasi ata i hynë kësaj lëvizje jo për parime, por për vartësi dhe shërbime, që e bënë tranzicionin shqiptar një sagë, një vuajtje dhe jo një shpresë dhe besim se demokracia dhe liria janë dy linja që çlirojnë qeverisje të mirë, mirëqenie dhe harmoni në një shoqëri të civilizuar, të cilën një pjesë e studentëve të “Dhjetorit 90” e besuan si Zotin.

Sa prej studentëve të dhjetorit janë sot në pozitat drejtuese të PD-së dhe sipas jush a po ndiqet një politikë nga e djathta që të “pastrohet” nga dhjetoristët, pasi vetëm në muajt e fundit disa nga drejtuesit e PD-së, studentë të dhjetorit janë përjashtuar nga drejtimi i partisë?

Kësaj pyetje do t’i përgjigjem drejtpërdrejtë dhe flakë për flakë. Studentët e dhjetorit ‘90 formalisht janë të përfaqësuar në disa nivele përfaqësimi të PD-së në bazë dhe në strukturat drejtuese, por asnjeri prej tyre në ekzekutivin e partisë më të madhe të opozitës. Kemi marrëdhënie pozitive me liderin e opozitës zotin Basha, por jo harmoni dhe ndërveprim aksionesh që çojnë në harmonizimin e një aksioni politik të përbashkët që do të çonte në një front unik opozitar, për dhënien fund të qeverisjes patologjike të maxhorancës së majtë. Ne kemi ide dhe prognoza të shkëlqyera për t’i dhënë fund keqqeverisjes së majtë, por mungesa e përfaqësimit në nivelet vendimmarrëse të partisë që themeluam 26 vite më parë nuk na e jep “luksin” ta ndërmarrim këtë iniciativë. Ne po punojmë me të gjithë faktorët e mundshëm që t’i thyejmë këto mure, ta rrëzojmë “sorosin” brenda opozitës që slogani ynë “Besim-Veprim-Fitore” të fitojë qytetari, ndër shqiptarët që po qeverisen në mënyrën me të keqe\ të mundshme. Ne vazhdojmë të beso jmë, dhe kush beson ia del.

26 vite pas lëvizjes së dhjetorit, vetëm një pjesë e studentëve të dhjetorit arritën të ngjiten në pozitat e larta të politikës. A duhet të ishin studentët e dhjetorit dhe më protagonistë në politikë gjatë këtyre viteve dhe nëse do të ishin a do të kishin pasur mundësi që gjërat të shkonin më mire?

Unë nuk e di se për kë e keni fjalën në pjesën e parë të pyetjes tuaj, por sipas meje dhe veprimtarëve të Grupimit Dhjetor ’90” shumica absolute e protagonistëve të Lëvizjes Studentore përgjatë këtyre 26 viteve pluralizëm politik, nuk kanë mbajtur asnjë post të lartë politik; ka ndodhur që të jenë anëtarë të parlamentit kohë pas kohe, por janë ricikluar dhe përjashtuar, kur është parë se nuk janë vegla qorre me të cilat mund të eksperimentohet në emër të Lëvizjes Studentore. Shumë prej ish-studentëve të asaj kohe kanë shërbyer kryesisht në poste të ndërmjetme në administratën publike, kryesisht në qeverisjet e të djathtëve, por në mënyrë sporadike edhe tek e majta dhe për hir të së vërtetës kanë shkëlqyer si administratorë, si menaxherë, si njerëz që nuk kanë pasur asnjë lidhje me korrupsionin dhe nepotizmin, me autoritarizmin dhe perversitetin që kanë demonstruar përfaqësuesit e establishmentit politik majtas e djathtas në këto 26 vite keqqeverisje, dhe keqadministrimi të produkteve themelore që çliroi Lëvizja Studentore e “Dhjetorit 90”, që ishin Liria, Demokracia dhe shteti ligjor. Pjesa e dytë e pyetjes tuaj meriton vëmendje të gjatë dhe shqyrtim të hollësishëm.

Edhe i verbri, edhe shurdhi, edhe njeriu me të meta mendore do t’i përgjigjej me “po” kësaj pyetje. Por për të mos shkruar një roman në përgjigje të kësaj pyetje po përgjigjem në mënyrë sa më sintetike; Së pari ka munguar vullneti politik i politikbërësve për të shkuar gjërat më mirë, ose se paku pak më mirë për të mos qenë të fundit. Së dyti, ka munguar ekspertiza e specialistëve me formim perëndimor për të menaxhuar mirë burimet ekonomike që fatmirësisht Shqipëria i ka me bollëk. Dhe së treti, duke qenë njeri prej vendeve me diktaturën më të shëmtuar të lindjes komuniste e keqja do të zgjaste shumë më tepër se në vendet e tjera të lindjes. Së fundi, në Shqipëri demokracia u kuptua si sundim oligarkik i shumicës mbi pakicën dhe jo si një mundësi për qeverisje të shumicës me objekt zhvillimin e vendit pa dallim pakice dhe shumice. Domethënë në aplikuam një demokraturë dhe jo një demokraci.

Çfarë ndodhi me ish-dhjetoristët?

Protagonistët e Lëvizjes studentore të Dhjetorit 1990, pas 26 vitesh nuk kanë arritur të jenë tok. As për të kujtuar atë ditë. Një pjesë e tyre janë të segmentuar, thënë më mirë të rreshtuar brenda strukturave të partive politike. E djathta, edhe pse u krijua nga Lëvizja Studentore dhe pjesa më e madhe e tyre u shkri me të, ndërsa me kalimin e ditëve, javëve dhe viteve paria e PDsë, nisi t’i linçojë një nga një, ndërsa me kalimin e viteve pjesa tjetër u detyra të largohet me anë të metodës së lënies jashtë përfaqësimit të partisë. Ndërsa ata që rezistuan, mbetën nën hije, duke u vendosur në funksione jo ekzekutive. Dhe për çudi, pas kaq vitesh, duket se përpjekja për të “pastruar” Partinë Demokratike nga studentët e dhjetorit vijon. Vetëm gjatë vitit 2016, disa nga kryetarët e degëve të PD-së, të dalë nga lëvizja studentore e dhjetorit janë “përjashtuar” nga drejtimi i degëve. Vetëm tre prej tyre kanë arritur të mbijetojnë, si ai i Gjirokastrës, Roland Bejko, i Lushnjës Myslim Murrizi dhe ai i Shkodrës Ramiz Çobaj.

Përfaqësimi

Ndryshe ndodhi në kampin e majtë. Ata që u rreshtuan në strukturat e Partisë Socialiste edhe pse më të pakët në numër, kanë pasur jetë më të gjatë, madje arritën të ngjiteshin në strukturat më të larta të PS-së dhe të vendit. Dy prej tyre iu besua dhe posti i kryeministrit. Ilir Meta dhe Pandeli Majko janë dy nga përfaqësuesit më të spikatur të së majtës. Ndërsa nga të djathtën asnjë nga ish-studentët nuk i gjen në pozita drejtuese. Të vetmit që vijojnë të qëndrojnë të palëkundur janë pedagogët si Arben Imami, Sali Berisha, Eduard Selami. <strong>Marrëdhënia </strong>Të rreshtuar sa majtas dhe sa djathtas, të tjerë të lënë jashtë “lojës” së politikës, ish-dhjetoristët i kemi parë shpesh të përhumbur në agresivitetin e politikës ditore, duke harruar se dikur qenë pjesë e “idealit” që prodhoi dhe rrëzimin e diktaturës. Për shkak të bërrylave, dasive dhe pamundësisë për të gjetur terren pjesa më eminente e studentëve të dhjetorit u detyruan të marrin “arratinë”. Kjo është pjesa e studentëve që në çdo dhjetor bëhet gati për të thënë diçka. Diçka dhe thotë. Por vetëm kaq.

3 komente në “Si u përjashtuan dhjetoristët në 26 vite nga PD”

  1. Krienko says:

    8 Dhjetori ne kamez ka ndodhur qe i perfaqesokan studentet vetem keta agraret? Keta perfaqesojne vetem anen folklorike-provinciale te 8 dhjetorit dhe mentalitetin e “gardhit”. Per ide sbehet fjale

  2. k says:

    LAMË PAS DIKTATURËN E PROLETARIATIT,
    PËR DIKTATURËN E MALOKËVE.
    KALUAM NGA MUTI TEK KAKA.

  3. bythqiresi qibyths says:

    si I kan ngjit ato pullat e PDs ke jaka xhaketave!
    si ato lopet kur I vejn vulen e nxeht mas bythe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje