Sot është dita…

minxhoziNga Skënder Minxhozi

Zakonisht sot, në tetë dhjetor, shqiptarët ndalen një çast për të kthyer kokën drejt një kohe që tashmë duket e largët dhe disi e ftohtë për kujtesën njerëzore. Vitet, 26 të tillë, bëjnë punën e tyre. Studentët e dhjetorit ’90 kanë kohë që kanë nisur të zbardhen nga flokët, ndërsa protagonistët e tjerë, ata që përfituan nga Lëvizja e Dhjetorit duke ndërtuar karriera politike të të gjitha dimensioneve, kanë nisur të ndjejnë seriozisht se është koha të largohen nga skena.

Tetë dhjetori sot festohet si një datë zyrtare në kalendarin e festave dhe pikërisht ky zyrtarizim, ky ritual kujtimesh, intervistash, emisionesh televizive e prononcimesh nga të njëjtët emra e fytyra, që përsëritet çdo vit, e ka rreshtuar atë prej kohësh në albumin “burokratik” të datave që duhen mbajtur mend.

Megjithatë 26 vjet më parë, një ndër sistemet më të egra komuniste do të rrëzohej brenda pak orësh nën ecejaket në rrugët plot baltë të Qytetit Studenti, të dhjetra mijë studentëve e banorëve të Tiranës. Komunizmi shqiptar mbretëroi për 45 vjet, por u rrëzua në harkun e pak orëve! Një paradoks që ka prodhuar lloj-lloj gojëdhënash, të cilat kanë qenë bashkudhëtare të kësaj date në çerek shekullin që pasoi.

Sot është dita kur kujtojmë rënien e komunizmit, pas një lëvizjeje studentore e cila ishte pika që derdhi gotën e mbushur plot, të një sistemi të kalbur dhe absurd. 26 vjet më pas kemi luksin të jemi më të ftohtë e objektivë në analizën e atyre ngjarjeve. Sepse kemi parë fundin e saj, dimë produktin që nxorri, ndryshimin rrënjësor që solli. 26 vjet më pas, është dita të reflektojmë për përdorimin e shansit të madh që i dha shqiptarëve 8 dhjetori i vitit 1990. Një sistem i rrëzuar pa gjakderdhje, na futi në një rrugë të re e të pashkelur, në një demokraci të brishtë e cila paradoksalisht nuk kaloi pa incidente të rënda e pa gjakderdhje.

Mund të pyesim veten në këtë ditë, se përse data 8 dhjetor nuk ka (fatmirësisht) dëshmorët e saj, të rënët që dhanë jetën për të sjellë demokracinë, kur momente të tjera shumë kohë më pas, morën me vete mijëra jetë njerëzore. Mjafton të kujtosh vitin e mbrapshtë 1997, me traumën e madhe kombëtare e të vrarët që provokoi, për të kuptuar se dhjetori i vitit 1990 nuk qe realisht fundi i tunelit, por vetëm një segment i tij.

Sot është dita kur ne shqiptarët ballafaqohemi jo vetëm me ndarjen me të keqen, por edhe me ushtrimin e vështirë të koshiencës, për mënyrën me të cilën e kemi përdorur lirinë që lindi në tetë dhjetor. Pse lejuam që qindra mijë shqiptarë të ikin nga sytë këmbët, për t’i shpëtuar asaj që erdhi pas 8 dhjetorit? Pse nuk e integruam Shqipërinë më herët në Europën e Bashkuar, pse nuk ndërtuam një shtet ligjor por një karikaturë të tij, pse lejuam degjenerimin e elitave politike, pse nuk zgjidhëm çeshtjen e pronës, pse nuk ngritëm një administratë profesionale dhe dinjitoze, pse vijojmë të jemi vagoni i fundit në trenin e gjatë të kontinentit ku jetojmë? Pse vazhdojmë të endemi në kallamishtet e një shteti folklorik dhe artizanal, pa mundur të hyjmë brazdën e demokracive normale?

Këto pyetje janë më aktuale dhe therëse se kurrë në ditën që përkujtojmë. Sepse tetë dhjetori, më parë sesa të jetë një festë zyrtare, është një pasqyrë e ndërgjegjes tonë 26 vjeçare si shoqëri. Koha e lajle-luleve ka ikur bashkë me ngrefosjen e protagonistëve. Është koha të ballafaqohemi me idealet e mbetura rrugëve të tetë dhjetorit 1990. Më i pari fare, ai që thoshte “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”!/javanews.al

REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “Sot është dita…”

  1. kurvatar dylaver kurvnori says:

    kush do ti bej realitet ato ideale,majmunet e?
    apo kriminelat!
    varjua krt shqiptarve se edhe pas 2600 vjetsh po kshtu si sot do jen.kriminela bythqima shkerdhata vrasesa te pabes mashtruesa ,,,,sepse edhe para 2600 vjetsh po kshtu kan qen. barbar! cilsoheshin prej helenve.
    kafsh! cilsohen sot ata prej juropjanve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *