Kategoria Superiore/ Partizani rikthehet tek fitorja ndaj Laçit. Kukësi merr kryesimin e kampionatit

10 Dhjetor 2016, 19:04Sport TEMA

Partizani është rikthyer tek fitorja, pas dy barazimeve rradhazi në kampionat. 15-herë kampionët e vendit fituan me rezultatin e pastër 2-0 kundër skuadrës së Lacit në sfidën e javës së 15-të te Kategorise Superiore, që u luajt në stadiumin “Loro Borici”.

Një 90-minutësh që u dominua nga të kuqtë, përballë një Laçi që vijon të marrë rezultate negative.

I pari që zhbllokoi rezultatin ishte sulmuesi Ekuban që realizoi me kokë pas një krosi perfekt të Lorenc Trashit.

Goli i sigurisë erdhi në pjesën e dytë me argjentinasin Torassa, që shënoi nga pika e bardhë e 11-metërisht i cili ishte dhe goli i tij i parë me fanellën e Partizanit.

Pas kësaj fitoreje të kuqtë renditen në vendin e tretë me 28-pikë të grumbulluara.

Ndërkohë, Kukësi merr i vetëm kryesimin e kampionatit pas fitores që mori në “Zeqir Ymeri” kundër ekipit të Flamurtarit. Verilindorët triumfuan me rezultatin e ngushtë 1-0 falë golit të shënuar nga sulmuesi Emini.

Një fitore e vështirë kjo për skuadrën e drejtuar nga Ernest Gjoka, pasi vlonjatët i vunë disa herë në vështirësi vendasit. Por një fitore e rëndesishme që e ngjit Kukësin të vetëm në krye të klasifikimit me 31-pikë të grumbulluara, duke lënë pas Skëndërbeun me 29-pikë.

Në sfidat e tjera Luftëtari surprizoi me fitoren që mori në transfertë përballë Vllaznisë. Një sfidë ku u shënuan 5-gola, por që fitorja shkoi tek gjirokastritët që janë surpriza e këtij sezoni me ndeshjet mjaft të mira që ka zhvilluar.

Takimi tjetër mes Tiranës dhe Korabit përfundoi në barazimin 1-1. Një tjetër hap fals i 24-herë kampionëve të vendit në kampionat që nuk arrijnë të fitojnë prej katër javësh./f.b

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje