Rrëfimi i gjyshit të 2 fëmijëve: Krimin e bëri Marsela, ajo e përdalë ka bashkëpunuar me të tjerë persona dhe iku në Greqi

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

troshi“Djali im, Naumi kurrë nuk do t’i vriste fëmijët e tij, për të cilët ai jepte jetën. Djemtë ishin gjithçka për të, ndaj nuk është ai autori i ngjarjes makabre që na ka shokuar të gjithëve. Jam i bindur se krimin e trefishtë e ka kryer nusja e tim biri, Marsela në bashkëpunim me persona të tjerë. Ajo femër e përdalë që dha dëshminë e iku në Greqi, nuk duhej të lihej e lirë. Unë kërkoj drejtësi, në të kundërt betohem se hakun e dy nipërve dhe të djalit do e marr vetë, do të bëj vetëgjyqësi”. Kështu deklaroi dje Andrea Toshi, babai i 41-vjeçarit Naum Toshi, i cili në orët e para të mëngjesit të së hënës mbyti me tel fëmijët 4 dhe 7 vjeç dhe më pas vari veten.

I tronditur nga dhimbja e thellë për humbjen e “tri dritave të syve”, 72-vjeçari u bëri apel organeve të drejtësisë që të zbardhin sa më shpejt të vërtetën e ngjarjes së ndodhur në lagjen nr.4 të qytetit të Korçës.

Ndërkohë, në një intervistë dhënë dje për “Gazeta Shqiptare”, Andrea Toshi tregoi me detaje tmerrin që përjetoi në momentin kur hyri në dhomën ku flinte i biri dhe dy djemtë e këtij të fundit. Gjithashtu, Andrea Toshi u shpreh se Naumi ishte i veçantë dhe kurrsesi nuk do të bëhej xhelat i fëmijëve të tij.

Si e mësuat ngjarjen e rëndë ku djali tuaj mbyti dy djemtë dhe më pas vari veten?

Rreth orës 07:00 të së hënës, unë shkova tek banesa e djalit tim ashtu si çdo ditë tjetër për të ushqyer pulat që kishte blerë Naumi dhe qenin. Kur hyra oborr, në derën e jashtme prej druri pashë të ngjitur një letër ku ishte shkruar: “Ngjitu lart”.

Çfarë ndodhi më pas?

Pasi lexova letrën me vështirësi për shkak edhe të moshës, më rrahu zemra fort nga tronditja, pasi mendova se im bir mund të kishte bërë diçka me nusen e tij, Marselën. Kurrë nuk më shkonte mendja se ai mund t’u kishte bërë diçka fëmijëve të tij (qan). U ngjita me një frymë në katin e dytë, në dhomën ku flinte Naumi me fëmijët, pasi dhomat e tjera në atë kat janë të kyçura sepse i ka djali tjetër që jeton në Greqi. Kur hapa derën pashë tmerr me sy. (Andrea Toshi përshkruan me detaje ç’ka parë. Për arsye etike, GSH po censuron rrëfimin e tij për fëmijët e varur me tel). Mu errësuan sytë, nuk po merrja vesh çfarë kishte ndodhur.

Kë lajmëruat më pas?

Zbrita si i çmendur shkallët dhe shkova te shtëpia e vajzës që është aty afër dhe i tmerruar i thashë: “Hajde se Nuni ka vrarë fëmijët dhe veten”. Më pas vajza lajmëroi policinë dhe ata nuk na lejuan më të futeshim në shtëpinë e djalit ku ndodhi ngjarja.

Naumi kishte shfaqur shenja depresioni gjatë ditëve të fundit?

Unë kam 6 fëmijë, por Nuni siç e thërrisja unë ishte i veçantë. Ai punonte dhe kurrë nuk i binte më qafë askujt. Ishte tip i mbyllur dhe kurrë nuk tregonte për problemet e tij. Grindjet që kishte me bashkëshorten i dëgjoja nga djemtë e tjerë që kanë jetuar me të së bashku në Greqi. Ditët e fundit ishte i shqetësuar dhe thoshte shpesh o baba ajo më shkatërroi jetën. I flisja, i thosha lëre se nuk është nuse për ne ajo.

Si u njoh Naumi me Marselën dhe kur kishin nisur mosmarrëveshjet mes çiftit?

Naumi ka jetuar prej vitesh në Athinë ku punonte murator dhe ishte njeri që kurrë nuk ka pasur probleme me askënd. Ka qenë me dokumentacion të rregullt në Greqi dhe Marselën e ka njohur në Athinë. Ajo ishte me fëmijën e vogël në krahë, pa ngrënë e pa veshmbathje. E solli në shtëpi, ndërsa na tha ne se kjo do jetë nusja ime dhe ky fëmija im. Pas një viti kanë lindur edhe djalin tjetër. Në fillim ata shkonin shumë me njëri-tjetrin, më pas filluan grindjet sepse Marsela punonte në lokale nate dhe asnjëherë nuk e dëgjonte burrin e saj. Madje ajo bridhte edhe me të tjerët dhe nuk i bënte përshtypje duke i lënë fëmijët të vetëm në banesë.

Ju thoni se djali juaj ka qenë njeri i urtë, i sjellshëm dhe jo konfliktual, atëherë si arriti të vriste fëmijët e tij?

Nëse djali im e ka bërë vërtetë krimin, shkak është bërë gruaja e tij që i shkatërroi jetën. Por, unë nuk besoj kurrë që e ka bërë Naumi krimin makabër, pasi e njihja djalin tim. Ai jepte jetën për dy djemtë e tij, kujdesej gjatë gjithë ditës për ta. I çonte në shkollë dhe kopsht, i ushqente dhe i lante. Nëse doni shkoni pyesni edhe në shkollë se si kujdesej ai për fëmijët. Fqinjët atë natë kanë parë Marselën që ka hyrë në shtëpi dhe më as ka dalë jashtë, ndërsa e prisnin disa persona me makinë të zezë. Duke e njohur atë lloj femre, që nuk ndjente dhembshuri për fëmijët e saj, jam i sigurt dhe i bindur se ajo në bashkëpunim me persona të tjerë e ka kryer krimin. E përsëris, im bir kurrë nuk do e bënte atë makabritet.

Cili është apeli juaj?

I bëj apel policisë që të hetojë çështjen deri në fund dhe të nxjerrë autorin e vërtetë të krimit të trefishtë. Nuk është vrasësi djali im, por ajo femra e përdalë, që dha dëshminë dhe më pas iku në Greqi.

Ajo u procedua nga policia si e kaloi kufirin kur akuzohet për një vepër penale?

Policia pse nuk u ngjit në tavan të shikonte se si ishte lidhur teli ku u var djali im dhe të verifikonte shenjat e gishtave? Unë jam i helmuar nga dhimbja dhe dikush duhet të më japë përgjigje. Më ikën tri dritat e syve dhe nëse nuk zbardhet e vërteta, do bëjmë vetëgjyqësi. Betohem se hakun e dy nipërve dhe djalit do e marr vetë. Marsela Behari duhet të ishte në burg dhe jo të lihet e lirë dhe të bredh ende në lokalet e natës të Greqisë. (Gazeta Shqiptare)

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *