FOTOT/ Parlament 1991: Kaç Islami e Xhelil Gjoni nga PPSH përballë Berishës e Pashkos nga PD

11 Dhjetor 2016, 10:41Politika TEMA
FOTOT/ Parlament 1991: Kaç Islami e Xhelil Gjoni nga PPSH

Betejat e para të Shqipërisë pluraliste pas rrëzimit të sistemit komunist. Krijimi i qeverisë “Bashkimi Kombëtar”, qeveria e PPSH-së e drejtuar nga Fatos Nano përballë sulmeve të Partisë Demokratike të sapothemeluar.

 

Kanë kaluar  25 vjet nga maji i vitit 1991, kur në Kuvend diskutohej për largimin e qeverisë së PPSH-së së drejtuar nga Fatos Nano dhe krjimin e  një qeverie të përbashkët mazhorancë-opozitë. Shqipëria po përjetonte krizën e muajve të parë pas rrëzimit të sistemit komunist. Në sallën e sotme të Parlamentit të Shqipërisë, mungojnë shumica e protagonistëve të asaj kohe, por kriza politike është aty, me të njëjtat përmasa e po aq agresive.

Nga protagonistët e debatit të seancës së majit 1991, kanë mbetur në sallën e Kuvendit dy prej tyre, por jo në të njëjtat pozicione si atëherë. Kastriot Islami nuk është deputet i PPSH-së, as i PS-së, por është deputet i Partisë Demokratike. Ndërsa Berisha nuk është më kryetar i PD-së, por është deputet i saj. Gramoz Pashko nuk jeton më si shumë personazhe të tjerë të atij Kuvendi e grupi parlamentar të PD-së. Nuk jeton më as lideri i parë i PD-së, Azem Hajdari e shumë drejtues të tjerë të kësaj partie, si Pjetër Arbnori, Ali Spahia e të tjerë. Natyrisht në sallën e Kuvendit të Shqipërisë nuk është as Xhelil Gjoni e shumë ish-deputetë të tjerë të PPSH-së. Ata u larguan në legjislaturën e dytë parlamentare pas zgjedhjeve të 22 marsit. Shumë prej tyre kanë ndërruar jetë. Ndërsa Xhelil Gjoni shfaqet ndonjëherë në media për të folur me kursim për sekretet e mesoreve të errëta të asaj kohe.

Ishte pranvera e vitit 1991. Kishin kaluar vetëm gjashtë muaj nga dita, kur në Shqipëri ishte rrëzuar sistemi komunist, më i egri në vendet e Europës Lindore. Partia e Punës së Shqipërisë, i kishte fituar zgjedhjet e para pluraliste.

Vendi ishte përfshirë në protesta massive, të cilat kulmuan në Shkodër më 2 prill, atje ku u vra studenti i dhjetorit, Arben Broci dhe tre protestues të tjerë. Pas ngjarjes së Shkodrës, vendi u përfshi nga një krizë e thellë në greva masive, ndër të cilat spikat greva e urisë së minatorëve të Valiasit. Minatorët paraqitën një sërë kërkesash, të cilat praktikisht ishin të pamundura për t’u plotësuar, për shkak të situatës tejet e rënduar ekonomike ku gjendej Shqipëria në vitin 1991. Kjo grevë paralizoi tërësisht jetën e vendit, ndërsa në Parlament po rëndohej përditë e më shumë situata politike, me debate të ashpra midis PPSH-së në pushtet dhe PD-së në opozitë. Ishte miratuar qeveria e PPSH, e kryesuar nga kryeministri Fatos Nano, qeveri e dalë nga zgjedhjet e 31 marsit. Parlamenti, apo siç quhej asokohe Kuvendi Popullor, ishte arena e vetme e debateve politike. Shumica e ligjvënësve vinin nga një përvojë partiake në PPSH, jo vetëm deputetët e Partisë së Punës, por edhe ata të PD-së dhe për pasojë përvoja demokratike e tyre ishte e mangët. Ishte koha, kur kreu i opozitës së parë në vend, Sali Berisha, kërkonte një qeveri të përbashkët mes forcave politike, por me një kryeministër pa parti dhe ai nuk duhet të ishte Fatos Nano. Ndërsa Gramoz Pashko, themelues i PD-së, një ndër drejtuesit kryesorë të saj, nuk vinte kushte, por propozonte që variantet për qeverinë e përbashkët, të hidheshin në votë dhe të fitonte ai që merrte më shumë mbështetje në Kuvend. Në këtë debat, i cili do të sillte më pas dhe qeverinë e Bashkimit Kombëtar, për të shkuar në zgjedhje të reja, ndër protagonistët kryesorë ishin Sali Berisha, Xhelil Gjoni dhe Gramoz Pashko.

Seancë parlamentare 29 maj 1991

Debati hapet nga Kastriot Islami, kryetari i Kuvendit Popullor i zgjedhur me votat e PPSH-së

Kastriot Islami: Të nderuar deputetë, rifillojmë punimet. Mbas diskutimesh të gjata në grupet parlamentare, ridiskutimesh me kryesitë e grupeve parlamentare e me partitë politike dhe nga takimi me Presidentin u arrit të formulohet kjo komunikatë: “Për të dalë nga gjendja e rëndë, në të cilën ndodhet mbarë vendi, grupet parlamentare dhe partitë politike, në konsultim me Presidentin e Republikës, ranë dakord t’i paraqesin Kuvendit një zgjidhje të re dhe të shpejtë politike, që do të jetë e pranueshme nga të gjitha forcat politike e shoqërore. Kuvendi Popullor miratoi që kjo zgjidhje të paraqitet brenda tri ditëve për miratim. Në të njëjtën kohë u rekomandohet të gjitha palëve që të angazhohen deri në fund për ruajtjen e qetësisë publike dhe shmangien e çdo lloj konflikti, duke kërkuar nga forcat e rendit të kryejnë detyrën me përgjegjësi. Kuvendi Popullor kërkon që në asnjë rast të mos pengohet transporti dhe furnizimi i popullit me bukë dhe ushqime.”

Gramoz Pashko: I nderuar Kryetar, Të nderuar deputetë, Të gjithë e dimë se demokracia, aq më tepër në një vend si ky yni, ngrihet me shumë mund, do shumë punë e stërmundim. Dikush këtu përmendi me të drejtë Mitin e Sizifit, por demokracia rrëzohet shumë lehtë, sepse ajo nuk ka mbrojtje. Tempulli i shenjtë i demokracisë është parlamenti. Për të arritur deri te parlamenti duhet shumë mund e djersë. Edhe ky Parlament mund të rrëzohet shumë kollaj. Askush nuk ka të drejtë ta prekë atë, as rruga dhe as forca të tjera. Ne jemi të distancuar krejtësisht nga çdo forcë që do të donte rrëzimin e Parlamentit. Çfarë e rrezikon demokracinë dhe Parlamentin sot? Në vendin tonë është krijuar një krizë besimi, e cila vjen nga të gjitha anët, në dy ekstreme do të thosha. Krizën e besimit e krijon një lloj inkosekuence, një lloj mospërqasje në kohë e në vend të hapave që janë marrë… . Përgjithësisht opozita shtroi këtë alternativë: shpërndarjen e qeverisë ekzistuese dhe formimin e një qeverie të re, e cila të reflektojë të gjitha forcat politike të vendit, një qeveri që do të kishte një mandat të përkohshëm e teknik, deri në realizimin e zgjedhjeve të reja, që do të ishin të parakohshme.

Unë do t’ju ftoja që të përpiqemi ta zgjidhim sa më shpejt këtë problem, e kemi ne në dorë këtë gjë, për arsye se ky tempull, ku jemi futur ne i ka këmbët ende shumë të dobëta dhe po u shemb, do të na zërë të gjithëve, vendi do të endet jo nga lufta civile, siç thotë dikush, unë nuk shikoj rrezikun e një lufte civile, pasi luftë civile do të thotë disa palë të armatosura që ndeshen, por midis dy skenarëve dhe do të ishte një fatkeqësi shumë e madhe po të ndodhte njëri prej tyre; Tien An Meni ose Bukureshti. Në qoftë se do të ndodhte një gjë e tillë, demokracia do të largohej nga Shqipëria për 500 vjet. Faleminderit!

Xhelil Gjoni: Të nderuar deputetë, populli thotë se të bëhesh trim pas beteje dhe i mençur pas kuvendit s’ka vlerë, ashtu siç edhe thotë që fjalën e fundit mos e thuaj në fillim. Këtë mençuri të dytë të tij do ta shkel duke marrë shembullin e zotit Pashko, që u nxitua të bëjë deklarata të paautorizuara nga palët që kanë nënshkruar.

Të nderuar kolegë, pse t’i stisim gjërat? Jeni dakord të bëjmë qeverinë? Ta ngarkojmë shokun Fatos Nano, shok i mençur, i devotshëm, i ndershëm, që ta riformojë këtë qeveri dhe që sot ta aprovojmë e nesër ta lëmë të qetë të punojë, të mos futim hundët në punët e saj. Sugjeroni kandidaturat që duhet të jenë, t’i diskutojmë: pse duhet të jetë ky dhe pse nuk duhet të jetë ai…

Sali Berisha: Partitë e opozitës dhe Partia Demokratike bënë një superim për zgjidhjen e krizës politike, në të cilën kemi rënë dhe unë e shoh të arsyeshme të bëj disa sqarime lidhur me propozimin. Duke e konsideruar krizën e besimit si një ndër elementet më madhore të krizës së përgjithshme që po kalojmë, e cila është njëkohësisht edhe kriza e dëshpërimit të madh që po e dezintegron popullin tonë, po e nis nëpër rrugët e botës rininë e Shqipërisë, ne menduam se si rrugëdalje do të shërbente krijimi i një qeverie të përbërë nga të gjitha forcat politike të vendit, e cila, që të jemi të sinqertë, për konceptin tonë duhej të shkëputej krejtësisht nga këto forca, nga të gjitha partitë, do të linin partitë ata që do të përbënin këtë Qeveri, do të mbështetej fuqimisht prej të gjitha partive për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike.

Për të pasur besimin e të gjithëve, mendimi dhe dëshira jonë është që kjo qeveri të kishte një kryeministër pa parti, në asnjë mënyrë të Partisë Demokratike, as të partive opozitare, por të sugjeruar nga kushdo, një kryeministër pa parti, pikërisht duke menduar se kriza e besimit është esenciale.

Xhelil Gjoni: Bisedimet nuk i ka ndërprerë Partia e Punës. Dje, kur fola në Kuvend pikërisht për këtë problem, shpjegova që ne kemi biseduar në disa data me propozimin e Partisë Demokratike dhe u arrit në konkluzionin që të hyhet për një zgjidhje të re politike. Dhe në kohën, kur ne po formulonim një njoftim, Parlamenti këto bisedime i ndërpreu, sepse e pa të arsyeshme të mos i zhvillonte më tej bisedimet nën presionin e demonstratave. Dje, kemi qenë të gjithë në këtë sallë dhe grupi parlamentar i partisë sonë e pa të arsyeshme që të diskutohej rreth kësaj çështjeje dhe nuk e llogariti mendimin e Komitetit Qendror, të cilin e sollën në emër të tij anëtarët e delegacioni, të përbërë nga shoku Fatos, shoku Bilbil dhe shoku Ismail. Mendimi i Komitetit Qendror ishte që të filloheshin bisedimet me partitë për zgjidhjen e re politike. Këto bisedime nuk janë zhvilluar lidhur me çështjet se si do të jetë kjo qeveri e re, ç’kohëzgjatje do të ketë, ç’program do të ketë, çfarë situate do të zgjidhë. Absolutisht asgjë nuk është biseduar. Prandaj nuk e quaj të drejtë që këto bisedime i ka ndërprerë Partia e Punës. Ato i ndërpreu vetë Parlamenti, siç jemi dëshmitarë të gjithë.

Sali Berisha: Zoti kryetar, Partia Demokratike, si një parti me program dhe platformë demokratike, natyrisht nuk mund të mbyllë ndonjëherë portat e dialogut. Veçse jam i detyruar t’ju bëj të ditur juve si Kryesi e Kuvendit Popullor dhe zotërinjve të nderuar deputetë se me klimën e krijuar mbas dy ditë diskutimesh në këtë Kuvend bisedimet ndërpartiake janë të vështirësuara, për faktin se pasi u arrit një marrëveshje parmbrëmë, ajo u denoncua menjëherë në mënyrë të njëanshme nga përfaqësuesit e Partisë së Punës çka, siç e theksova edhe në mëngjes, na rikujtoi Mukjen e viteve të luftës. Nga ana tjetër, zoti kryetar, gjatë këtyre dy ditëve jemi të ndërgjegjshëm se pavarësisht nga toleranca që ne kemi treguar e do të tregojmë në çdo rast, tonelatat e fjalorit stalinist të lëshuar kundër nesh kanë acaruar dhe vështirësuar mjaft punën në nivel partie. Prandaj, ndoshta do të ishte më mirë që diskutimet të vazhdonin në kuadrin e Kuvendit, mbasi pikat e konvergimit duket se janë të mundshme, pra po shkohet drejt konvergimit, sesa t’u besohet në këtë moment forcave politike parlamentare dhe joparlamentare.

Xhelil Gjoni: Meqë deputeti Berisha bën paralelizma historikë, unë desha t’i kujtoj se Mukja kishte ballistë dhe çlirimtarë të vendit e të popullit. Besoj se sot në këtë Kuvend, ku po diskutojmë, nuk ka as ballistë, as çlirimtarë. Vendi është i çliruar. Prandaj propozoj që bisedimet të vazhdojnë midis partive dhe të mos lozim me të tilla paralelizma./ 27.al

2 komente në “FOTOT/ Parlament 1991: Kaç Islami e Xhelil Gjoni nga PPSH përballë Berishës e Pashkos nga PD”

  1. dhe ky majmun sot eshte me demokrati i sigurimsave dhe ish sekretareve te PPSH qe na hiqen si antikomuniste.
    sa poshte ka rene pd, parti e sigurimsave dhe hajde te mos votosh per enverin.
    po sikur nexhmija te futej ne PD a do ishte demokrate si salikomunisti dhe kaci i zi?

  2. says:

    S’ishin bisedime politike por të një komisar së degës së brendshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje