Fundi i interesave të ulëta, lajm i mirë për depozituesit, i keq për kredimarrësit

lekeNjë valë rritjeje ka përfshirë normat e interesit për monedhën vendase në katër muajt e fundit. Përkundrejt kursit agresiv të Bankës Qendrore për të mbajtur poshtë interesat, rritja e kërkesës së qeverisë për borxhe dhe hezitimi i bankave për financimin e tij kanë çuar lart përqindjet për letrat me vlerë të të gjitha maturimeve nga 1-1.5%, kredive bankare me 3% dhe më pak për depozitat. Banka e konsideron fenomenin të përkohshëm dhe lajmëron se nuk do të ketë ndryshime të normës para zgjedhjeve 2017, por Shoqata e Bankave pohon se ky reagim është sinjal në pritje të ndryshimeve me tendencë rritjeje. Qeveria sinjalizon rreziqet dhe bën gati planin mbrojtës. Bizneset, para financimeve më të shtrenjta.

 

Nga Blerina Hoxha, Monitor

Epoka e uljes së interesave në tregun shqiptar mbaroi. Kostoja e parasë ka vijuar të shtrenjtohet për të katërtin muaj radhazi në nëntor, duke u reflektuar në rritjen e interesave të letrave me vlerë të qeverisë për të gjitha afatet e maturimit, në rritjen e interesave të kredive në lekë, interesat e depozitave edhe pse Banka e Shqipërisë nuk ka dhënë sinjale për ndryshime të kursit monetar para zgjedhjeve të vitit 2017.
Bonot qeveritare me afat maturimi 12-mujor në ankandin e datës 22 nëntor panë një rritje të interesit me 1.25 pikë përqindjeje në krahasim me muajin korrik.
Në të njëjtin trend janë edhe interesat e obligacioneve, ku për afatin 2-vjeçar që është edhe instrumenti më i përdorshëm në këtë kategori, interesi u rrit në 1 pikë përqindje.
Në trajektoren rritëse janë vënë edhe interesat e kredive dhe depozitave në sistemin bankar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, interesi mesatar i kredisë për ekonominë në tetor ishte 3 pikë përqindje më i lartë se në qershor. Rritje më të lehtë panë interesat e depozitave, por edhe ato janë në tendencë të njëjtë me interesat që sot tregu po ofron për monedhën vendase.
E gjithë kjo lëvizje vjen në një moment kur Banka Qendrore po mban normën më të ulët historike të interesit me vetëm 1.25%, të cilën e reduktoi dy herë në gjysmën e parë të vitit me nga 0.25 pikë përqindje.
Pas këtyre zhvillimeve, ekspertët në tregun bankar kanë disa shpjegime. Spiro Brumbulli, sekretar i Shoqatës së Bankave, shpjegoi se lëvizja në kahun rritës e interesave, vjen për dy arsye. E para lidhet me shkurtimin e planeve që banka të veçanta kanë për blerjen e borxhit të qeverisë. Ulja e kërkesës për borxhin qeveritar, shpjegoi Brumbulli, ka ushtruar presion në interesat, fakt që shpjegohet edhe me të dhënat e ankandeve. E dyta lidhet me pritshmëritë që bankat kanë për rritjen e interesave vitin tjetër. Në pritje të këtyre ndryshimeve, bankat ulën investimet në blerjen e bonove qeveritare, duke çuar lart të gjitha normat e interesit për lekun në tregun ndërbankar, tha Brumbulli.
Banka e Shqipërisë ka një qasje tërësisht tjetër ndaj kësaj sjelljeje të tregut, duke e konsideruar atë të përkohshme. Në gjysmën e parë të vitit interesat ishin më të ulëta se orientimi i Bankës Qendrore, ndaj dhe rritja e muajve të fundit është korrigjim i kësaj sjellje, gjykojnë ekspertët e autoritetit qendror monetar. Drejtori i Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, Erald Themeli, konfirmoi në një takim informal me mediat se norma bazë e interesit nuk i kthehet rritjes para gjashtëmujorit të dytë të 2017-s.
Ekspertët e bankave, nga ana tjetër, specifikojnë disa arsye që po i çojnë interesat në krahun rritës. Ka një rritje të perceptimit të riskut që po ndikon.
Të anketuara nga Banka e Shqipërisë në lidhje me rreziqet që mund të kanosin aktivitetin e tyre gjatë këtij viti, bankat kanë renditur si rrezikun më të madh përkeqësimin e ekonomisë së brendshme.
Ndër pesë rreziqet që kanosin veprimtarinë e bankave, “përkeqësimi i ekonomisë më 2016” është renditur si rrezik shumë i lartë, duke lënë pas kështu edhe rreziqet që vijnë nga mosekzekutimi i kolateraleve dhe moskthimi i kredisë në banka. Teksa jemi para një viti elektoral, risku politik pritet të ketë një presion shtesë mbi normat e interesit. Ambienti i jashtëm nga ana tjetër vijon të jetë i pasigurt. Dalja e Britanisë nga Eurozonë dhe fitorja e Trump në SHBA i kanë bërë investitorët në Europë më të rezervuar.
Në sfond të këtyre zhvillimeve, biznesi dhe qytetarët janë duke u përballur me kredi më të shtrenjta, teksa interesat e kursimeve të tyre janë futur në territor negativ. Në mungesë të alternativave serioze të investimit, të shumtë janë ata që po joshen nga skemat mashtruese, të cilat janë shtuar kohët e fundit.
Përpjekjet e Bankës së Shqipërisë që, nëpërmjet uljes së kostos së parasë, të nxisë financimin me interesa të lira dhe për rrjedhojë edhe konsumin e investimet janë zbehur nga reagimi në të kundërt i tregut. Niveli i lartë i transaksioneve në valutë dhe problemet strukturore të tregjeve të veçanta ushtrojnë presion mbi efektivitetin e vendimeve të Bankës.

Kërkesa dhe oferta sfidojnë kursin monetar

Përpos riskut në rritje, qeveria dhe bankat janë aktorët më të mëdhenj në tregun e interesave të lekut që, me sjelljet e tyre, i rrisin ose i ulin ato. Dy muajt e fundit, bankat kanë ulur kërkesën për të blerë borxhin e qeverisë dhe, nga ana tjetër, qeveria ka shtuar kërkesën për të blerë borxh nga bankat. Rritja e kërkesës për borxh dhe ulja e ofertës për financimin e tij nga bankat është faktori që ka ndikimin më të madh në rritjen e interesave.
Teksa qeveria, në një nga ankandet e fundit të këtij muaji, kërkoi 6.6 miliardë lekë për financimin e borxhit, bankat tregtare në vend ofruan vetëm 5,9 miliardë lekë, duke bërë që interesi të rritej në 2.57% në ankandin e fundit nga 1.29% që ishin në korrik. Gjithashtu interesi i obligacionit dyvjeçar arriti në 2.5% nga 1.5% që ishte në qershor, edhe pse politika monetare nuk e ka mbështetur këtë prirje. Në ankandet e obligacioneve 5 dhe 7-vjeçare, interesat respektive rezultuan 4.25% dhe 4.89%, nga 3.93% dhe 4.0% që ishin në ankandet paraardhëse. Edhe obligacioni me interes të ndryshueshëm 5-vjeçar ka njohur rritje të marzhit të kërkuar, duke konfirmuar prirjen e përgjithshme rritëse të normave të interesit në tregun e letrave të borxhit të qeverisë. Ekspertët nga Bankat e shpjegojnë këtë sjellje me programet që bankat kanë ndërmarrë së fundi për të ulur ekspozimin ndaj qeverisë. Pjesa më e madhe e borxhit të qeverisë (54%) mbahet nga sistemi bankar dhe shumica e tij nga Raifesissen Bank dhe BKT. Këto janë bankat më të mëdha të sistemit që kur ulin investimet në bono, ndikojnë në rritje menjëhershme të interesit.
Qeveria, nga ana tjetër, në këtë periudhë ka shtuar kërkesën për borxh. Për të realizuar treguesit e buxhetit dhe disa shpenzime të programuara për këtë vit, qeveria pritet të emetojë deri në fund të vitit 2016 edhe rreth 19 miliardë lekë borxh të ri. Por për të amortizuar rritjen e normave të interesit, qeveria ka nxjerrë për emetim një obligacionin 2-vjeçar me vlerë 35 milionë euro.
Burimet nga Ministria e Financave pohuan se kjo shumë do të shërbejë për financimin e deficitit të qeverisë dhe se ankandi bëhet në euro për të përfituar nga oferta më e lartë e operatorëve vendas në këtë valutë. Me këtë mekanizëm, qeveria synon të frenojë edhe rritjen e normave të interesit në lekë që kishin nisur që në shtator për të gjitha afatet e maturimit në monedhën vendase. Për shkak të sezonit turistik dhe remitancave, bankat kanë akumuluar likuiditete në euro dhe qeveria po e shfrytëzon këtë situatë.

Rreziku në rritje

Teksa raportet e qeverisë dhe të Bankës së Shqipërisë tregojnë se ekonomia e vendit është futur në një cikël të qëndrueshëm rritjeje dhe risqet në ekonomi janë zbehur, bankat në vend kanë perceptime krejt të kundërta.
Perceptimi për përkeqësimin e ekonomisë është rritur ndjeshëm në 6-mujorin e parë të vitit, pasi kishte rënë për 3 gjashtëmujorë radhazi.
“Përkeqësimi i ekonomisë së brendshme” vijon të mbetet rreziku më i rëndësishëm sistemik dhe në perceptimin e bankave, niveli i rëndësisë së tij është rritur nga “mesatar” në “i lartë”, pohoi Banka e Shqipërisë, duke analizuar elemente që kërcënojnë stabilitetin financiar.
Ndër pesë rreziqet që kanosin veprimtarinë e bankave, “përkeqësimi i ekonomisë më 2016” është renditur si rrezik shumë i lartë, duke lënë pas kështu edhe rreziqet që vijnë nga mosekzekutimi i kolateraleve dhe moskthimi i kredisë në banka.
Vëmendja e sektorit ndaj rrezikut që lidhet me “vështirësitë në ekzekutimin e kolateraleve” vijon të shënojë rritje, në kushtet kur pesha e kredisë së kolateralizuar është e ndjeshme. Nga ana tjetër, shqetësimi lidhur me “rrezikun e goditjeve nga jashtë”, vijon.
Akumulimi i rrezikut sistemik dhe indeksi i stresit financiar, shfaqin rritje gjatë vitit të fundit.
Në rritjen e indeksit të stresit financiar, kanë ndikuar rritja më e vogël e depozitave dhe ulja e marzhit neto të normës së interesit në sektorin bankar.
Në përgjithësi, indekset e Bankës së Shqipërisë tregojnë për një rritje të lehtë të nivelit të rreziqeve për stabilitetin financiar gjatë këtij viti. Në sektorin bankar, kontributin në këtë drejtim e kanë dhënë rritja e nivelit të kredive me probleme, ulja relative e treguesve të përfitueshmërisë, ngadalësimi i rritjes së depozitave dhe perceptimi i bankave për nivelin e rreziqeve.
Në ekonominë reale, kontribut në rritjen e nivelit të rreziqeve kanë dhënë rritja e nivelit të borxhit të jashtëm të vendit dhe pritshmëritë ende të paqëndrueshme të sektorit privat për ecurinë e ekonomisë.
Ky perceptim i bankave është materializuar edhe në normat e interesit që ato ofrojnë. Normat e interesave për kreditë në lekë janë rritur ndjeshëm. Në fund të tetorit, ato ishin 3 pikë përqindje më të larta se në muajin maj. Teksa interesi mesatar i depozitave në sistemin bankar është rritur shumë lehtë me vetëm 0.01% në krahasim me muajin maj. Thellimi i diferencës ndërmjet interesit të kredive dhe depozitave njihet nga teoritë ekonomike si treguesi i rritjes së rreziqeve në ekonomi.

BSH: Rritja e përkohshme

Banka e Shqipërisë, në analizën e saj për rritjen e normave të interesit, nuk sheh shqetësim. Përkundrazi, autoriteti monetar shpjegon se kjo sjellje e tregut është me efekt të përkohshëm dhe se rritja e interesave që ka nisur do të zbehet shumë shpejt. Ekspertët e Bankës Qendrore thonë se tregu është duke korrektuar një ulje përtej pritshmërive në gjysmën e parë të vitit. Ekspertët në Bankën Qendrore shpjegojnë se kjo rritje është stimuluar edhe nga kërkesa në rritje e qeverisë për financim të deficitit buxhetor. Ndërsa për interesat e kredive ndërbankare, ata kanë një shpjegim tjetër. Ulja e kredisë për ekonominë e ka përqendruar huanë në pak banka dhe pak klientë. Fenomeni përqendrimit të huas, sidomos nga bankat, e kanë çuar interesin në krahun rritës sidomos për bizneset. Ekspertët e Bankës Shqipërisë i qëndrojnë faktit se rritja e interesave nuk ka prapaskena makroekonomike, por disa probleme strukturore të ekonomisë. Kreditë e këqija janë një ndër to. Edhe pse bankat kanë fshirë mbi 32 miliardë hua të keqe nga bilancet, treguesi i kredive me probleme u rrit më tej, duke shkuar së fundmi në mbi 21%. Duke i qëndruar besnike analizave të saj, Banka e Shqipërisë nuk do të ndryshojë normën e interesit para gjashtëmujorit të dytë të 2017-s, edhe pse tregu ka nisur që tani ta kërkojë këtë ndryshim.

Merr fund epoka e kredive të lira

Epoka e kredive të lira për sipërmarrjet shqiptare duket se ka marrë fund, pavarësisht se politika monetare e Bankës së Shqipërisë është ende me kah lehtësues.
Sipas statistikave mujore, publikuar nga Banka e Shqipërisë, në shtator janë rritur interesat e kredisë në lekë për pjesën më të madhe të kredive.
Sipas BSH, norma e interesit e huave të reja në lekë për korporata jofinanciare private arriti në 10.42% në shtator, nga 8.86% që ishte në gusht, me një rritje të ndjeshme prej 1.56 pikë përqindje dhe duke shënuar nivelin më të lartë që prej dhjetorit 2015, kur Banka e Shqipërisë ka publikuar të dhënat e zgjeruara.
Rritjen më të lartë e ka shënuar huaja për overdraft dhe kapital qarkullues, që përgjithësisht merren nga biznesi për nevoja likuiditeti emergjente dhe sidomos huaja për blerje pajisjesh, që ka kërcyer nga 6.86% në 11.54%. Në rënie ka qenë vetëm interesi për kreditë për pasuri të paluajtshme, nga 8.84% në 6.06%.
Më të shtrenjta kanë qenë dhe kreditë në euro, nga 4.76% në 5.96%.
Bankierët pohojnë se janë disa nga arsyet që po rriten interesat, pavarësisht se Banka e Shqipërisë, në prill dhe maj, uli dy herë normën bazë, duke e çuar në 1.25% aktualisht.
Së pari, normat e bonove të thesarit, që shërbejnë si referencë, kanë qenë në rritje dy muajt e fundit.
Së dyti, risku i perceptuar i bankave është shtuar, siç kanë dëshmuar dhe sondazhet e fundit me bankat, ku risku makroekonomik cilësohet si një nga shqetësimet kryesore të bankierëve.
Së treti, niveli i kredive me probleme është rritur sërish, duke arritur në 21.4% në gusht, teksa nuk janë problematike vetëm 35 korporatat e mëdha, por huatë me probleme po konstatohen dhe në sektorë që përgjithësisht kishin qenë të mirë.
Në kahun tjetër, në shtator, kredia për ekonominë shënoi sërish rënie. Ndryshe nga interesat e kredisë për biznese, huaja për individë ka shënuar rritje fare të lehtë në shtator, në raport me muajin e mëparshëm nga 6.89 në 7.03%.

Qeveria lajmëron interesat e larta

Qeveria e shqiptare pak ditë më parë ka dorëzuar në Kuvend projektbuxhetin 2017 bashkë me relacionin përkatës në të cilin shpjegon skenarin e rritjes së normave të interesit.
Qeveria pranon se viti elektoral do të rrisë rreziqet për normat e interesit.
“Në kuadër të realizimit të këtij objektivi, 2017 konsiderohet një vit relativisht i vështirë, pasi konsiston në rritje të financimit të brendshëm krahasuar me vitin 2016. Nga ana tjetër, fakti që 2017 është një vit elektoral mund të përkthehet në rritje të perceptimit të riskut nga investitorët, duke u shoqëruar me rritje të kostos dhe çrregullim të raporteve kosto-risk”, thuhet në analizën e Financave për ecurinë e normave të interesit për borxhin qeveritar nga tregu i brendshëm.
Megjithatë, menaxhimi i borxhit do të synojë të ruajë balancën midis kostos dhe riskut, duke shfrytëzuar alternativat më të favorshme që ofron tregu i brendshëm në momente të caktuara, nëpërmjet fleksibilitetit të kalendarit të emetimeve, si dhe duke mos përjashtuar alternativat e financimit në tregjet e huaja, në rast se do të jetë e nevojshme.
Analiza e fundit e Ministrisë së Financave ka treguar se borxhi i brendshëm mbetet ende i ekspozuar ndaj riskut të rifinancimit dhe atij të normave të interesit, pavarësisht progresit të dukshëm që është bërë gjatë viteve të fundit dhe gjatë vitit aktual. Në këtë aspekt, gjatë vitit 2017, Ministria e Financave ka shpallur se do të vijojë përpjekjet për reduktimin e mëtejshëm të risqeve, por njëkohësisht duke ruajtur dhe nivele të pranueshme të kostos.
Qeveria synon të ulë ekspozimin e borxhit ndaj risqeve nëpërmjet sigurimit të financimit neto kryesisht me tituj afatgjatë dhe me norma interesi fikse, duke pasur si objektiv që stoku i titujve afatgjatë të mos zbresë nën 60% të totalit të stokut të borxhit të brendshëm.
Gjithashtu, në dallim nga viti i kaluar, gjatë vitit 2017 menaxhimi i borxhit ka planifikuar emetimin e titujve shtetërorë në valutë për të shfrytëzuar nivelin e lartë të burimeve në valutë.
Gjatë vitit 2017, duke marrë në konsideratë nivelin më të ulët historik të normave aktuale të interesit, rritjen e financimit të brendshëm, si dhe direktivat e bankave mëma ndaj bankave të nivelit të dytë, për të mbajtur nivele të pranueshme ekspozimi ndaj borxhit sovran, pritet që të ketë një rritje të normave të interesit. Por Ministria e Financave pret që niveli i rritjes së normave në tregun e brendshëm të jetë gradual dhe nën nivelin mesatar të 3 viteve të fundit.
Edhe huazimi në tregjet e huaja pritet që të shtrenjtohet, pasi parashikimet flasin për një rritje të mundshme të Euribor dhe Libor.
Menaxhimi i borxhit do të synojë të ruajë balancën midis kostos dhe rrezikut, duke shfrytëzuar alternativat më të favorshme që ofron tregu i brendshëm në momente të caktuara, nëpërmjet fleksibilitetit të kalendarit të emetimeve, si dhe duke mos përjashtuar alternativat e financimit në tregjet e huaja në rast se do të jetë e nevojshme. Shfrytëzimi i këtyre burimeve, nga ana tjetër, do të lehtësojë shlyerjen e detyrimeve të qeverisë për borxhin e huaj, të cilat gjatë vitit 2017 vlerësohen rreth 20% më të larta se në vitin aktual
Qeveria analizon se shërbimi i borxhit pritet të jetë në nivele më të ulëta ose të krahasueshme me ato të vitit aktual, pasi efektet e rritjes së mundshme të normave të interesit gjatë vitit 2017 janë minimale dhe materializohen kryesisht në dy vitet pasardhëse 2018-2019.

BSH: Interesi bazë nuk ndryshon para fundit të 2017-s

Banka e Shqipërisë uli në gjysmën e parë të vitit normën bazë të interesit dy herë radhazi, duke e çuar atë në një tjetër minimum historik prej 1.25%.
Kjo është hera e 15 që institucioni monetar qendror ul normën bazë, që nga shtatori 2011 kur filloi politikën lehtësuese monetare. Por, një ulje e tillë dy herë rresht është parë vetëm në nëntor-dhjetor 2013. Përgjithësisht Banka e Shqipërisë lë një periudhë disamujore që lehtësimi i politikës të japë efekt.
Por pas këtij vendimi në të gjitha mbledhjet e mëparshme, Banka e Shqipërisë ka lajmëruar se nuk do të ketë ndryshime para gjashtëmujorit të dytë të vitit 2017.
Banka e Shqipërisë pret që kthimi i ekonomisë në ekuilibër dhe stabilizimi i ambientit të jashtëm do të krijojnë kushte për një rritje progresive të inflacionit në afatin e mesëm. Inflacioni vjetor pritet të shënojë vlerën 2.3% pas katër tremujorësh dhe të kthehet në objektiv gjatë vitit 2018. Duke faktorizuar dhe kahun e pritur konsolidues të politikës fiskale, këto parashikime janë të kushtëzuara dhe konsistente me ndjekjen e një politike monetare lehtësuese gjatë këtij horizonti kohor, lajmëron Banka Qendrore në raportin e fundit të politikës monetare që prezantua pak ditë më parë.
Megjithëse Banka e Shqipërisë po bën maksimumin në sulmin e saj për të shpëtuar ekonominë, ajo nuk mund t’ia dalë e vetme.
Sejko ka qenë i drejtpërdrejtë edhe në mesazhin që ka dhënë për qeverinë, kur uli normën e interesit. “Politika monetare lehtësuese është një parakusht i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm për gjenerimin e një rritjeje më të shpejtë dhe më të qëndrueshme ekonomike. Kjo politikë duhet të shoqërohet me forcimin e ritmit të reformave strukturore në ekonomi, si dhe me përpjekje të vazhdueshme për përmirësimin e klimës së biznesit dhe reduktimin e primeve – aktuale apo të perceptuara – të rrezikut në ekonomi”.
Pas vërshimit të parave të lira në tremujorin e katërt 2015 te Banka Qendrore, kjo e fundit vendosi të mbyllë edhe këtë rubinet të të ardhurave, duke e bërë normën negative të euros në -0.55%, si një mjet “presioni” që bankat të përqendrohen në kreditimin e ekonomisë. Të gjendur përballë kësaj situate dhe sinjaleve për një vazhdim të politikës lehtësuese monetare, bankierët pohuan në fillim të vitit për “Monitor” se kjo nuk do t’i nxisë të japin kredi, për sa kohë që mjedisi mbështetës nuk do të jetë pozitiv.

REMOTE_ADDR:[]

2 komente në “Fundi i interesave të ulëta, lajm i mirë për depozituesit, i keq për kredimarrësit”

  1. Arben says:

    LEKU SHQIPETAR, ESHTE NE NJE SITUATE TE PJERDHUR SI MONEDHE.

    QIVERRIA, QE ESHTE PERDORUESJA ME E MADHE E DEPOZITAVE TE QYTETAREVE NE LEK, DUKE U MARRE BORXH BANKAVE, ESHTE NE TE NJEJTEN KOHE EDHE AJO QE VENDOS SE SA DO TE JETE INTERESI.

    CMIMI I PARASE ESHTE CMIMI TEK ME I RENDESISHEM NE EKONOMINE E TREGUT, PASI PARAJA PERBEN 50% TE CDO VEPRIMI.

    KUSH NUK KUPTON KETE DHE MBAN KURSIMET NE LEK, DO MBETET ME GISHT NE GOJE NE FUND.

  2. says:

    U ka rënë vrugu lekëve

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *