Gjenerata e frikshme! 89 të mitur të dënuar për vrasje në dekadën e fundit

11 Dhjetor 2016, 15:09Kronika TEMA

Në dekadën 2005-2015 janë dënuar nga gjykatat penale 5696 të mitur. Viti me më shumë raste të miturish nën dënim është viti 2012 me 883. Mesatarja e të miturve të dënuar çdo vit është 570 raste çdo vit.

Nga këta, 89 të mitur janë dënuar për vrasje, ndërsa 37 janë dënuar si autorë të krimeve seksuale. Të dhënat janë publikuar nga Open Data Albania, institucion i cili po hulumton mbi trendin e kriminalitetit të të miturve në Shqipëri në vitet 2005-2015.

Krimet në raport me kundërvajtjet penale të kryera nga të miturit janë më të shumta në numër.

Të miturit janë dënuar për vepra dhe grup vepra penale të ndryshme që tek vrasje e plagosje, vjedhje, armëmbajtje pa leje, krime seksuale, shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor, prodhim dhe tregtim lëndësh narkotike etj.

Nga të dhënat statistikore për 10-vjeçarin, vihet re që vepra penale, e cila konsumohet më tepër nga të miturit në vitet 2005-2015 është “vjedhja e thjeshtë”, neni 134 paragrafi i parë me 1 118 të dënuar të mitur dhe “vjedhja në bashkëpunim”, e cila përkon me nenin 134, paragrafi i dytë me 2532 të dënuar të mitur, raporton BW.

Dënimet e të miturve për “vjedhjen e thjeshtë”, shënojnë numrin më të lartë në vitin 2011 me 147 të tillë, ndërsa për “vjedhjen në bashkëpunim” numri më i lartë i të dënuarve të mitur shënohet në vitin 2012 me 454 të tillë.

Krime kundër jetës dhe shëndetit shënojnë arsyen e dënimit për një numër relativisht të lartë të të dënuarve të mitur. Konkretisht janë veprat penale të “plagosjes së rëndë” me dashje me 82 raste dënimesh dhe “plagosjes së lehtë” me dashje me 58 të dënuar të mitur.

Vepra të tjera penale të cilat në dukje, nuk janë të zakonshme për t’u konsumuar nga kategoria e të miturve por për cilat statistikat shënojnë raste gjatë dekadës janë “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore” me 31 të dënuar të mitur; “Kalimi i paligjshëm i kufirit” me 73 të dënuar të mitur.

Shqetësues paraqitet bilanci për kryerjen e veprave penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore si “Armëmbajtja pa leje” me 232 të dënuar të mitur; “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” me 99 të dënuar të mitur, “Drejtimi i automjeteve në gjendje të parregullt” me 319 të dënuar të mitur dhe “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” me 64 të tillë.

Ushtrimi i Prostitucionit është një vepër penale ku të miturit janë dënuar në 11 raste këto 10 vite. Në fakt ushtrim prostitucioni në rastin e një të mituri është një vepër penale ku i mituri është edhe subjekt viktimë.

Dhuna në familje, e parashikuar për herë të parë në Kodin Penal në vitin 2012, ka shënuar 23 raste ku subjekt aktiv është i mituri.

Masa e dënimit e cila aplikohet nga gjykatat shqiptare masivisht për veprat penale të kryera nga të miturit është dënimi me burgim deri në 2 vite. Vetëm në vitin 2015 janë dënuar deri në 2 vjet heqje lirie, 372 të mitur.

Më pak e aplikuar është masa e dënimit nga 10 deri në 25 vjet, për të cilën janë dënuar 10 të mitur në dhjetë vitet e fundit. Ndërkohë të mitur të dënuar të cilët nuk kanë arsimin e detyrueshëm janë në këtë dekade 428 kundrejt totalit të të dënuarve të mitur prej 5696.

Relacioni kriminalitet me analfabetizmin duket jo fort i qëndrueshëm sa kohë që së shumti kemi raste të të miturve autorë krimesh ndërsa janë pjesë e institucioneve të edukimit.

Në vitet 2005-2015 gjykata ka proceduar e më pas shpallur të pafajshëm 25 të mitur, duke i shkaktuar këtyre të fundit kosto emocionale, shoqërore, shkollore dhe ekonomike. Në këto dhjetë vite, gjykata ka pushuar 128 procedime gjyqësore për veprat penale subjekt aktiv, pra i proceduari i të cilave është i mituri.

Kriminaliteti i të miturve shënon një raport tepër dinamik kundrejt kriminalitetit në total. Në vitin 2012, të dënuarit në moshë të mitur shënuan 10% të totalit duke e bërë situatën kriminale të këtij viti mjaft problematike sa i takon kriminalitetit me autor të miturit. Në vite të ndryshme ky raport lëviz me 3 deri 10%.

Të dhënat e analizuara nga Open Data Albania bazohen tek vjetarët statistikorë të Ministrisë së Drejtësisë.

1 komente në “Gjenerata e frikshme! 89 të mitur të dënuar për vrasje në dekadën e fundit”

  1. ''....askush nuk urrehet me shume,se ai qe thote perhere te verteten[Plato]. says:

    kjo eshte rraca e degjeneruar e Ali Pasa-s qe qelb token e Arberit…………………….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje