Super-aksioni: 200 efektivë policie në ndjekje të Kelmend Balilit. I gjejnë shotgunë në banesë

11 Dhjetor 2016, 10:11Kronika TEMA

200 efektivë policie janë vënë në ndjekje të Kelmend Balilit.

Kështu raporton Policia e Shtetit.

Operacioni i nisur ditën e djeshme në banesën e tij në Sarandë po vijon edhe sot, teksa vëllai i Kelmend Balilit deklaronte dje se ai ishte nisur për në Tiranë.

Në  banesën e tij janë gjetur dy shotgunë.

“Me datë 10.12.2016, në orët e para të mëngjesit, Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, forcat operacionale Renea dhe FNSH, si dhe strukturat e tjera policore të Komisariateve të Policisë Sarandë e Delvinë, organizuan një operacion për kapjen e shtetasit në kërkim të shtetasit Kelmend Balili, 44 vjeç, banues në Stjar/Sarandë. Në operacion u janë angazhuar rreth 200 forca policore.

Operacioni në zbatim të Urdhrit të Prokurorit të Krimeve të Rënda, për ekzekutimin e Vendimit penal nr.426, datë 09.12.2016, ‘’Për caktim mase sigurimi’’ të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, e cila ka caktuar masën e sigurimit ‘’arrest me burg’’ për shtetasin Kelmend Balili, i dyshuar për kryerje të veprave penale ‘’Trafik i Narkotikëve’’, ‘’Krijim i grupit të strukturuar kriminal’’ dhe ‘’Kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal’’, parashikuar respektivisht nga nenet 283/a/2, 28/4, 333/a/1 dhe 334 të Kodit Penal.

Menjëherë me marrjen e vendimit gjyqësor të datës 09.12.2016 të Gjykatës së Krimeve të Rënda, Strukturat e Policisë së Shtetit, përpiluan një plan të detajuar masash për kapjen shtetasit Kelmend Balili duke ushtruar kontrolle në banesën e tij dhe në ambiente që ai frekuentonte, me qëllim kapjen dhe ndalimin e tij. Nga kontrolli i kryer në banesën e shtetasit Kelmend Balili dhe të disa banesave dhe ambjenteve të tjera ku dyshohej se personi i frekuentonte nuk u bë e mundur gjetja dhe kapja e shtetasit Kelmend Balili. Në kontrollet e kryera në banesat e shtetasve B. B dhe Kelmend Balili janë sekuestruar dy armë gjahu gjysëm automatike (shotgan) dokumentacioni i të cilave është në proces verifikimi nga ana e Komisariatit të Policisë Delvinë. Gjatë këtij operacioni është bërë e mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit Berti Dosti, 36 vjeç, banues në Stjar të Delvinës, pasi është kapur në flagrancë me një armë zjarri tip Zastava të kalibrit 7,65 mm në automjetin të markës Volvagen Golf ­5 në përdorim të tij. Arrestimi i tij u bë bazuar në nenin 278/5 të Kodit Penal. Policia e Shtetit do të vijojë intensivisht punën dhe kërkimet për kapjen dhe vënien përpara drejtësisë të shtetasit Kelmend Balili dhe çdo individi tjetër i cili mund të bëhet pengesë ligjore në kapjen e tij”, raporton policia.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje