Jeta e Liri Lubonjës në “Pallatin e Diplomatëve”, aty ku banorët përgjoheshin nga kaldaja

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

pallatNga Bardha Nergjoni

Ajo është një zonë e këndshme e Tiranës, pse jo dhe e qetë, ndonëse afër qendrës. Bëhet fjalë për lagjen tek stadiumi “Dinamo” (ish), sot “Selman Stërmasi”, ku ndër shumë pallate, përgjithësisht të periudhës komuniste, ndodhet dhe ai “i diplomatëve”, po prodhim komunist, ama me të veçantën se ka një formë ovale që nuk e has gjëkund. Banorët në këtë pallat nuk janë të rastësishëm.

Aty gjen deputetë, ish-diplomatë, ish-ministra, ish-punonjës të Ministrisë së Jashtme por edhe ish-të përndjekur, siç është Liri Lubonja, e cila në të 90-at e moshës jeton qetësisht në shtëpinë e saj në katin e katërt të hyrjes së tretë.

E lodhur nga mediat, e zhgënjyer nga interpretimet dhe keqinterpretimet ajo nuk dëshiron të flasë, por me respektin dhe mirësjelljen që e karakterizon, madje dhe një lloj energjie në komunikim, të pazakontë për moshën e saj, nuk përton të të rrëfejë për vitet e rinisë, eksperiencat e saj të shumta, në luftë dhe paqe, nën fashizëm dhe komunizëm. Kujton sidomos atë të errtën, ku iu desh të kalonte 17 vjet në internim pas burgosjes së bashkëshortit të saj, Todi Lubonja dhe djalit Fatosit, në Lezhë e katundeve të Torovicës.

Ndërsa për jetën në Pallatin e Diplomatëve thotë se filloi shumë vonë. Shtëpinë aty e morën nga një dekret presidencial pasi kaluan shumë vite në një territor tjetër jo shumë të përshtatshëm. Tani aty bën jetën e saj të qetë dhe larg zhurmës, e aq më pak interesit mediatik. Del çdo ditë tek parku i madh i Tiranës dhe kërkon qetësinë e saj pas shumë furtunave që ka përjetuar, jo vetëm në komunizëm por edhe në demokraci, pasi siç thotë, nuk i donin as e majta dhe as e djathta.

Historia e Pallatit të Diplomatëve

Pallati i Diplomatëve u ndërtua aty nga viti 1965 nga Ndërmarrja Shtetërore e Ndërtimit, e destinuar për trupin diplomatik të akredituar në Tiranë. Një prej banorëve, ish-punonjës i Ministrisë së Jashtme që ka përfituar i pari privatizimin e shtëpisë, tregon se ky pallat i ndërtuar aq herët kishte modele hyrjesh që i kanë rezistuar kohës deri sot. Madje duke mos dashur të identifikohet, thotë se ende shumë familje kanë ruajtur parketin e drurit origjinal, për vetë cilësinë e lartë që ka. Ai tregon se ky pallat është ndër të rrallët që në bodrum kishte kaldajë që funksiononte me mazut, por që funksiononte gjithashtu dhe si bazë e përgjimit të banorëve, pra diplomatëve.

“Në bodrum ka funksionuar kaldaja që u prish me privatizimin, por që nëpërmjet tyre punonjësi i saj, që ishte edhe pjesë e Sigurimit të Shtetit, arrinte të përgjonte diplomatët edhe familjet e tyre. Sigurisht që ata e dinin që përgjoheshin, pasi ky sistem funksiononte në të gjitha vendet e lindjes, pra metodat ruse të përgjimit. Pallati i diplomatëve ishte i rrethuar në pjesën e brendshme të tij dhe hyrje-daljet survejoheshin nga rojet”, thotë ai.

Dhe ka ndodhur që kur banorët që jejtojnë gati prej 15 vjetësh në këtë pallat kanë bërë modifikime të shkallëve dhe kanë shkatërruar plintueset e tyre, kanë gjetur brenda dhe sistemin e përgjimit të periudhës komuniste që ishin transmetuesit nga shtëpia poshtë në kaldajë.  Ata tregojnë ama se apartamentet janë mjaft të mira dhe konkuruese edhe për kushtet e sotme. Siç të thonë, ka sisteme 3 plus 1, 2 plus 1 dhe 1 plus 1, sipas kërkesave të diplomatëve dhe ka qenë një ndër pallatet më moderne për shumë vite në Tiranë.

Privatizimi

Pallati i Diplomatëve ishte në varësi të Ministrisë së Jashtme. Pas ndryshimit të sistemit dhe kur diplomatët ishin të lirë të zgjidhin objektet e tyre të banimit, ky pallat e humbi funksionin e tij bazë. Në vitin 1999, Ministria e Jashtme e nxorri në privatizim për punonjësit e saj. Nga ky proces përfituan shumë prej tyre, por edhe emra të njohur të politikës së sotme të cilët kanë pasur lidhje në një moment të caktuar në këtë ministri. Ndërkohë ardhja e familjes Lubonja në këtë pallat ishte ndoshta rastësi.

Banori që preferon të mbetet anonim tregon se pallati ka gjithsej 28 hyrje të ndryshme të cilat janë modifikuar disi, por që nuk kanë ndryshuar shumë nga periudha e komunizmit.

Mbi të gjitha aty është shkruar një histori. Sot aty jeton një ish-e përndjekur si Liri Lubonja, së cilës gjatë viteve të rinisë as që do i kish shkuar ndërmend se një ditë do përfundonte e internuar fshatrave të Lezhës, me burrin e djalin në burg; e që prej aty tek hapësirat e privilegjuara të diplomatëve. Ndërsa nga ana tjetër, aty kanë jetuar njerëz që, prej andej nga u vinte i ngrohti, prej andej edhe përgjoheshin, me rrezikun për të përfundur më pas në ftohtësinë e qelive…pa kaldajë! (Tesheshi.com)

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

4 komente në “Jeta e Liri Lubonjës në “Pallatin e Diplomatëve”, aty ku banorët përgjoheshin nga kaldaja”

  1. mira says:

    E cfar kuptojme nga ky artikull !!!???

  2. Miri says:

    Edhe une jam me mendimin tend e dashur, mira. Ndersa ti Bardha, sna the ndonje gje pervecse nje thagme.

  3. Pjatalarsi says:

    Ne fakt aty jane dy pallate qe kane qene per te huajt. Nese jane akoma! Kur ishim te vegjel shkonim ndonjehere tek keto pallate per te gjetur letra karameleje, me te cilat luanim.

  4. Partizania e oreve te para says:

    Nje kuriozitet i vecante !
    me Nexhin e Viton,a pine bashke ndonje kafe shoqet e vjetra partizane ?
    Na jepni ndonje lajm se na u pre barku

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *