Vendimi i i plotë i gjykatës: Lul Berisha duhet të lirohet, se janë…. mbipopulluar burgjet (dhe se është edukuar)

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Lulzim-Berisha-arrestGjykata e Apelit në Durrës ka kopsitur të gjitha referencat e mundshme për lirimin me kusht të Lul Berishës. Një nga këto referime ka qenë dhe ai ndaj “Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës” në lidhje me lirimin me kusht të Lulzim Berishës, ku në pikën e nëntë të argumenteve që ka sjellë trupi gjykues ka qenë dhe rekomandimi 22 i këtij Këshilli në lidhje me mbipopullimin në burgje, sipas të cilit lirimi me kusht duhet konsideruar si instrumenti më efektiv dhe konstruktiv që ul kohën e paraburgimit, por dhe kontribuon në mënyrë thelbësore në riintegrimin e të dënuarve në komunitetit.

Në vendimin prej rreth 11 faqesh, kjo Gjykata ka përpiluar me kujdes të admirueshëm gjithçka që i duhej kërkuesit të lirimit me kusht duke e konsideruar kërkuesin jo vetëm një të dënuar shembullor, por edhe si një i dënuar që e meriton lirinë meqë nuk është përsëritës i veprës penale.

Shekulli ka botuar të plotë vendimin e Gjykatës së Apelit që jo vetëm i dhanë lirinë kreut të bandës famëkeqe të Durrësit, po futi edhe në një konflikt të ri institucional dhe politik në vend.

Kërkesa për liri, argumenti i avokatit

Ndryshimin e vendimit, dt 28.07.2016 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, pranimin e ankimit dhe pranimin e kërkesës për lirim para kohe me kusht, duke parashtruar: Gjykata e shkallës së parë dhe organi i akuzës që mbron interesat e shtetit në këtë gjykim, kanë parashtruar se nga ana formale kërkuesi Lulzim Berisha, plotëson të gjitha kriteret ligjore për të përfituar nga aplikimi i nenit 64 të Kodit Penal. Në vendimin e saj Gjykata e Shkallës së parë ka argumentuar se ky i dënuar nuk ka plotësuar vetëm kushtin e vuajtjes së kohës prej 3/4 të dënimit të dhënë me burgim, duke bërë një përllogaritje të gabuar të kohë qëndrimit të këtij të dënuari në paraburgim, për efekt të nenit 57 të Kodit Penal, e përfundimisht ka dalë në konkluzion të gabuar.

Nga ana e kësaj Gjykate, nuk është llogaritur drejtë koha e paraburgimit, duke mos u konsideruar periudha e qëndrimit të tij në paraburgim, nga data e prishjes së vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda nga Gjykata e Lartë, periudhë që duhet të ishte përllogaritur në kuptim të nenit 57 të Kodit Penal, sipas të cilit një ditë paraburgim, është e barabartë me një ditë e gjysmë dënim të vuajtur.

Duke marrë në konsideratë vetë qëndrimin e Gjykatës dhe organit të akuzës, se i dënuari Lulzim Berisha përmbush të gjithë elementet pozitivë për të përfituar nga instituti i “Lirimit me kusht”, parashikuar nga neni 64 i Kodit Penal, dhe pretendimin tonë mbi plotësimin e kohës prej 3/4 të dënimit të vuajtur, mendojmë se kërkesa duhej pranuar. Rezulton se vendimi penal me Nr.01, dt 16.01.2012 i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe vendimi me Nr. 45, dt 02.07.2012 i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, janë prishur me vendimin me Nr. 175, dt 16.07.2014 të Gjykatës së Lartë, pretendojmë se vendimi fillestar ka humbur formën e prerë dhe statusi i shtetasit Lulzim Berisha është ai i të pandehurit, i cili përfiton për këtë periudhë të ndërmjetme nga neni 57 i Kodit Penal, në funksion të dënimit të vuajtur. Në periudhën e dënimit të vuajtur, nga ana e IEVP Durrës, nuk është përfshirë periudha prej 1 vit e 8 ditë, si kohë e përfituar me paraburgim nga dita e dhënies së vendimit nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, deri datën e dhënies së vendimit përfundimtar nga Gjykata e Lartë, i cili duhet konsideruar dhe vendimi i formës së prerë për këtë të dënuar.

Në këtë rast vendimi është prishur nga Gjykata e Lartë, duke u gjykuar çështja në themel, ç`ka duhet interpretuar se vendimi ka humbur formën e prerë, pasi Gjykata e Larte ka vepruar si Gjykatë Fakti, duke shqyrtuar provat dhe akuzat në themel të tyre. Për këtë periudhe të ndërmjetme personi nuk ka statusin e të dënuarit, por atë të të pandehurit dhe periudha duhet të konsiderohet paraburgim. Në këtë rast jemi para një të pandehuri, i cili përfundimisht është dënuar nga Gjykata e Lartë, dhe jo para një të dënuari të ridënuar. Kjo situatë është juridikisht e njëjtë me atë të rigjykimit, dhe Gjykata kompetente në këtë rast ka qenë Gjykata e Lartë, duke gjykuar çështjen në fakt. Llogaritja e kohës së fituar me paraburgim, nuk ka sens të bëhet me një gjykim të mëparshëm, pasi në shqyrtimin e kërkesës për lirim me kusht, gjykata i bën vete të gjitha këto përllogaritje, në funksion të verifikimit të kriterit ligjor, siç kërkohet t’a bëjë.

Nuk është e nevojshme që i dënuari (kërkuesi) të vërtetojë gjyqësish me vete kohën e fituar me paraburgim, pasi këtë e bën gjykata që shqyrton kërkesën për lirim me kusht, e cila përmbledh në kohën e dënimit të vuajtur, çdo benefice kohore të përfituar gjatë vuajtjes së dënimit. Nuk ka asnjë pengesë tjetër ligjore për aplikimin e lirimit me kusht, dhe kërkesa duhet të pranohet.

Analiza ligjore e Apelit!

Gjykata e Apelit çmon se, dhënia e lirisë me kusht, pa vuajtur plotësisht dënimin e dhënë në vendimin penal, përfaqëson një “shpërblim”, që i jepet të dënuarit si dhe përbën një institut me karakter riedukues, human dhe social. Ratio (qëllimi) i këtij instituti është i dyfishtë: nga njëra anë “të shpërblejë” të dënuarin, i cili ka dhënë prova të rehabilitimit (qëllimi i posaçëm) dhe nga ana tjetër të shërbejë si shembull për të dënuarit e tjerë (qëllimi i përgjithshëm).

Lirimi me kusht sipas formulimit që ka neni 64 i Kodit Penal kërkon plotësimin e këtyre kushteve në mënyrë kumulative:

1) arsyet e veçanta, të cilat vërtetojnë që i dënuari me sjelljen dhe punën e tij tregon se me dënimin e vuajtur është arritur qëllimi për edukimin e tij;

2) të ketë vuajtur 3/4 e dënimit të dhënë për krime me masë dënimi nga pesë deri në njëzet e pesë vjet, pa llogaritur këtu kohën e përfituar me amnisti ose me falje;

3) i dënuari të mos jetë përsëritës për krime të kryera me dashje;

4) i dënuari të mos jetë dënuar për një nga veprat penale të parashikuara nga nenet 78/a, 79/a, 79/b, 79/c, apo 100/3 të Kodit Penal.

Ndërsa dy kriteret, ai i vuajtjes së masës së kërkuar të dënimit dhe të mos qenit recidivist i të dënuarit për krime me dashje, janë objektivë (kriteri juridik), pasi bazohen mbi fakte të ndodhura dhe të provuara në aktet përkatëse të kohëshënuesit të dënimit dhe gjendjes gjyqësore; kriteri tjetër, ai i arsyeve të veçanta është një kriter subjektiv.

Ligjvënësi duke përdorur termin “arsye të veçanta” ka bërë një vlerësim të përgjithshëm, pa i nominuar ato e duke e lënë në vlerësim të gjykatës sipas rrethanave konkrete që i paraqiten. Megjithatë, këto “arsye të veçanta” nuk janë të pavarura dhe duhet të jenë të lidhura ngushtë me qëllimin e institutit të lirimit me kusht, i cili ka të bëjë me rehabilitimin e të dënuarit. Arsyet e veçanta nuk janë gjë tjetër veçse rrethana konkrete, të cilat provojnë se me dënimin e vuajtur është arritur qëllimi për edukimin dhe i dënuari është i gatshëm të riintegrohet në shoqëri.

Ligji i zbatueshëm

Neni 64 i Kodit Penal, i cili parashikon se: “Lirimi me kusht”

— I dënuari me burgim mund të lirohet me kusht, nga vuajtja e dënimit vetëm për arsye të veçanta, nëse me sjelljen dhe punën e tij tregon se me dënimin e vuajtur i është arritur qëllimit për edukimin e tij, si dhe të ketë vuajtur:

– jo më pak se gjysmën e dënimit të dhënë për kundërvajtje penale; – jo më pak se dy të tretat e dënimit të dhënë për krime me masa dënimi gjer në pesë vjet burgim;

– jo më pak se tre të katërtat e dënimit të dhënë për krime me masa dënimi nga pesë gjer në njëzet e pesë vjet burgim. Në masën e dënimit të vuajtur nuk llogaritet koha e përfituar me amnisti ose falje. Nuk lejohet lirimi me kusht për të dënuarin përsëritës për krime të kryera me dashje si dhe për të dënuarit për kryerjen e veprave penale të parashikuara në nenet 78/a, 79/a, 79/b, 79/c apo paragrafi i tretë i nenit 100. Lirimi me kusht revokohet nga gjykata, kur i dënuari për një vepër penale të kryer me dashje, gjatë kohës së kushtit, kryen një vepër tjetër penale me dashje, duke u zbatuar dispozitat për bashkimin e dënimeve.”

“Ja arsyet pse duhet të ndryshohet vendimi i Faktit”

Bazuar në sa më sipër, si dhe në shqyrtimin në tërësi të provave të administruara gjatë gjykimit, Gjykata e Apelit vlerëson se kërkesa e të dënuarit Lulzim Berisha për lirimin me kusht është e bazuar dhe vendimi i gjykatës së shkallës së parë duhet të ndryshohet, për arsye se: Së pari, në rastin në gjykim plotësohet kriteri se i dënuari duhet të ketë vuajtur më shumë se 3/4 e dënimit të dhënë për krime me masë dënimi nga pesë deri në njëzet e pesë vjet. Bazuar në vendimin e formës së prerë Nr. 01, datë 16.01.2012 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime te Renda, ndryshuar me vendimin me Nr.175, datë 06.02.2015 të Gjykatës së Lartë, rezulton se kërkuesi është dënuar përfundimisht me 25 vite burgim, vuajtja e të cilit ka filluar që nga data e arrestimit të tij më datë 06.04.2006!

Sipas dinamikës së vuajtjes së dënimit të datës 02.12.2016, rezulton se i dënuari Lulzim Berisha nga dënimi i dhënë ka kryer gjithsej 18 vjet 9 muaj e 22 ditë, kohë në të cilën janë llogaritur dënimi i vuajtur fizikisht, periudha e përftuar me paraburgim si dhe uljet e dënimit që ai ka përfituar ndër vite në zbatim të ligjit mbi ekzekutimin e dënimeve penale, përfshirë dhe uljen e përfituar me date 01.12.2016, bashkë me kohën e vuajtur deri ditën e shpalljes së vendimit nga Gjykata e Apelit. Kjo pasi, në gjykimin në Apel u riçel pjesërisht shqyrtimi gjyqësor dhe në këto rrethana, çdo provë e re e marrë u shqyrtua bashkë me provat e tjera. Duke qenë se vuajtja në masën 3/4 e dënimit prej 25 burgim, përkthehet në vuajtjen fizikisht të një kohe prej 16 vite e 9 muaj, konstatohet se kërkuesi Lulzim Berisha ka vuajtur më shumë se 3/4 e dënimit të dhënë.

Së dyti, referuar Vërtetimit të Gjendjes Gjyqësore Nr.16, Prot., datë 11.07.2016 rezulton se ndaj kërkuesit Lulzim Berisha nuk ka dënime të tjera penale përveç dënimit të dhënë me vendimin Nr. 01, datë 16.01.2012 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Renda, ndryshuar me vendimin me Nr. 175, date 06.02.2015 të Gjykatës së Lartë, si dhe ndaj kërkuesit Lulzim Berisha nuk rezulton të ketë ndonjë proces gjyqësor penal themeli, si dhe nuk ndiqet penalisht për vepër tjetër të kryer me dashje.

Për këto arsye Gjykata e Apelit vlerëson se, plotësohet edhe kushti tjetër në lidhje me mosqenien përsëritës në krime të kryera me dashje. Së treti, referuar vendimit penal me Nr.01, dt. 16.01.2012 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, ndryshuar me vendimin me Nr. 175, dt. 06.02.2015 të Gjykatës së Lartë, rezulton se kërkuesi Lulzim Berisha nuk është i dënuar për veprat penale të parashikuara në nenet 78/a, 79/a, 79/b, 79/c apo paragrafi i tretë i nenit 100 të Kodit Penal, duke mos qenë i zbatueshëm në këtë mënyrë kriteri ndalues i shtuar me ligjin Nr.144/2013, i përfitimit të lirimit me kusht.

Së katërti, referuar shkresave me lëndë “Vlerësim sjellje” për periudhat 6 mujore (duke filluar që nga shkresat e I.E.V.P “Fushë-Krujëe” ku i dënuari ka qëndruar fillimisht dhe më pas është transferuar në I.E.V.P Durrës), rezulton se gjatë periudhës së qëndrimit në këto institucione, i dënuari Lulzim Berisha ka shfaqur sjellje pozitive shumë të mirë, nuk është përfshirë në sjellje që cenojnë qetësinë e burgut, ka ndërtuar marrëdhënie pozitive dhe komunikim të mirë me stafin, nuk ka pasur tentativa për largim nga vendi i qëndrimit, ka marrë pjesë në programet terapeutike dhe kulturore, ka pasur kontakte të rregullta me familjarët, është shfaqur i penduar për veprën penale, ka qenë i motivuar dhe bashkëpunues në arritjen e objektivave të trajtimit, është i përfshirë në organikën e punës, si dhe ka krijuar besimin e një qëndrimi korrekt e të përgjegjshëm si brenda ashtu edhe jashtë institucionit, gjate daljes me leje.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

3 komente në “Vendimi i i plotë i gjykatës: Lul Berisha duhet të lirohet, se janë…. mbipopulluar burgjet (dhe se është edukuar)”

  1. alieni me tre koka kater bole dhe pes manalla. says:

    haa haa !!!
    kta po nxjerrin nga burgjet peshkaqenet e vjeter sa dinosauri,dhe pretendojn se do fusin n burg “peshqit e mdhenj”!! sepse s paska vedn n burg !!!
    he !!
    ksaj i thon me nxjerr syt er me von vetlla!

  2. pro says:

    ..s’besoj se Lul Berisha eshte krimineli me i rrezikshem ne Shqiperi.

  3. Në Burg Gjykatësit Kriminele says:

    Më këtë vendim gjyqësor duhet të futen në burg gjykatësit buthqire e kriminelë që dhanë të ketë vendim absurd e kriminal!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *