80 vitet e Servet Pëllumbit: Berishën e Nanon i kemi peshqesh nga Ramiz Alia

pellI njohur këto 26 vite të pluralizmit si profesori i socialistëve, Servet Pëllumbi ka kremtuar para pak ditësh 80-vjetorin e jetës. I cilësuar si frymëzues të lëvizjeve të reja dhe ndër filozofët që kanë ndikuar te pushteti në kohë kritike për historinë e Shqipërisë, i diplomuar për filozofi në Universitetin e Shën Petërburgut, prej më se tridhjetë vitesh pedagog i filozofisë dhe sociologjisë teorike, Pëllumbi ka mishëruar gjithnjë devizën e politikanit ideolog.

Kur më 12 qershor të vitit 1991 do të zgjidhej si i zëvendëskryetari i parë në Partinë Socialiste, e cila kishte në krye Fatos Nanon, do të mendonte se nuk e ndiente veten politikan kabineti, aq më pak burokrat. Kjo bindje iu forcua edhe më pasi lexonte ditarët e tij që datonin prej vitit 1991 e deri më 1996-ën. Për akademikun , të bëhej “njeri i veprimit” nuk qe e lehtë. “…nuk është e lehtë të shënjosh kufirin e politikës, pafuqinë e saj për të realizuar atë që është mirëfilli njerëzore te njeriu”.

Dhe pati një periudhë që u duk se brezi i politikanëve intelektualë, ata me ideologji të qarta po dilnin nga skena politike, ndërsa dritat binin te politikanët e qendrës apo “rrugëve të treta”.

… Por rikthimi i tyre duket se nisi të ndihej qartë edhe në arenën botërore me ikjen e Tony Blair. Beppe Grillo, Tsipras, Marine le Pen janë formati i politikanëve europianë më pranë doktrinave dhe ideologjive se sa menaxhimit… Një shembull i ngjashëm është madje edhe i sapozgjedhuri presidenti i ShBA-ve, Donald Trump, që megjithëse vjen nga bota e biznesit si politikan duket ngushtësisht i lidhur me ideologjinë.

Thellësisht i majtë, një prej motove të profesorit Servet Pëllumbi ka qenë ajo se “Politika do moral!”.

Deputet i Kuvendit të Shqipërisë në tri legjislatura dhe Kryetar i kuvendit nga prilli i vitit 2002 deri në shtator 2005, Servet Pëllumbi në rolin e kreut të Parlamentit ka qenë një nga drejtuesit e ekuilibruar dhe që ka respektuar më shumë të drejtat e opozitës në ato vite.

“Profesori” kujton se si brenda Partisë Socialiste do të kishte nga ata që do ta kritikonin duke thënë se “nuk drejtohej partia me skeda”. Mbajtja e skedave dhe ditarëve kish qenë zakon i hershëm fëmijërie që ish forcuar më vonë në universitet e mbi këto skeda dhe ditarë do të shkruante më pas librin “Përvoja ime në Partinë Socialiste”.

Shpesh i etiketuar, madje edhe i anatemuar si marksist – jo vetëm nga kundërshtarë politikë si Berisha, por edhe nga brenda partisë –kjo mbase nga koha kur Pëllumbi ka qenë pedagog dhe shef katedre në Shkollën e lartë të Partisë dhe formimin filozofik në ish-Bashkimin Sovjetik.

Por edhe në Shkollën e Partisë e patën etiketuar si “revizionist”, fill pas arrestimit të të vëllait më 1982–shin, në Durrës. Për t’u ruajtur nga ndonjë kontroll shtëpie, iu desh të sakrifikonte skedat dhe ditarët e asokohe duke i djegur.

Për t’iu rikthyer pas ’90, me kongresin e parë të Partisë Socialiste, ku Pëllumbi rrëfen se qe ai që propozoi ndërrimin e emrit nga Partia e Punës së Shqipërisë në Partia Socialiste. Madje ai kujton t’i ketë thënë edhe liderit të fundit të Shqipërisë komuniste, Ramiz Alisë, se “Nanon e Berishën e kemi peshqesh nga ty”.

Marrëdhëniet me Fatos Nanon nisën të ftoheshin, pas asaj që Pëllumbi e ka quajtur përçarja e madhe në PS ose “koha e mocionit”, pas zgjedhjeve të majit të vitit 1996.

Kundërshtitë politike, por jo vetëm që kishte me të , do të përkeqësoheshin gjatë fushatës së “katarsisit”, ku Pëllumbi së bashku me Doklen dhe Meidanin ishin figurat e larta të socialistëve që mbështetnin ish-kryeministrin Meta në konfliktin e ashpër përballë Nanos.

Qëndrimet e Pëllumbit edhe pas viteve 2005 janë parë nga të majtët si referencë në përçarjet e Partisë Socialiste apo debatet mes Nanos, Ramës dhe Metës. Tezat për çështjet e ditës, por edhe për programet partiake në librat dhe intervistat e tij që ai tha se pas 80- vjetorit nuk do i japë më, janë mirëpritur nga elektorati i majtë, ndonëse krerët e PS-së pak i kanë konsideruar.

Librin ku rrëfen përvojën në Partinë Socialiste e ka cilësuar si një apel. “Libri është apel për t’i dhënë fund kësaj lloj partillogjie, këtij sistemi politik, pasi pengon kulturën e dialogut”, do të shprehej ai.

Pëllumbi është parë si një prej pretendentëve për lidershipin e Partisë Socialiste kur ajo drejtohej nga katër nënkryetarë, por në vitin 1996, ai do të jepte dorëheqjen duke lënë postin e sekretarit dhe anëtarit të kryesisë.

Motivet sipas tij ishin idealiste, ndërsa ata që e mendonin ndryshe edhe brenda partisë do të dilnin sërish me tezën e marksizmit. Madje pat nisur edhe një fushatë kundër Marksit e marksizmit në PS. Kjo do e përndiqte gjatë.

Një fotografi e madhe e botuar nga “Koha Jonë” ishte një akuzë publike. E shkrepur në një prej librarive të Uashingtonit ku kishte një pavijon të tërë dedikuar librave të Marksit, Pëllumbi kujton se fotoja e shkrepur nga Kastriot Islami ishte qëllimkeqe. Ai mori aparatin dhe bëri foto.

“Unë nuk i dhashë rëndësi, dhe pasi dhashë dorëheqjen në ‘96, më denigronin në fushatë. Dhe kur e shoh një ditë foton në ‘KJ’ të madhe. Pikërisht unë i thashë një gazetari që më pyeti, që ju keni dashur të më denigroni, por më keni bërë nder. Por përderisa njerëzit thonë se këto gjenden në Uashington, ç‘faj ka ky!” -kështu do të shprehej Pëllumbi në një intervistë me gazetarin Sokol Balla para disa vitesh.

Por Marksi dhe marksizmi do të qarkullonin sërish lidhur me figurën e tij së bashku me legjendën e një busti të filozofit gjerman në zyrën e tij. Bustin- një punim i Kristaq Ramës- ka rrëfyer se e ka gjetur aty, e ka mbajtur dhe kur u largua nga zyra e mori në shtëpinë e tij.

“Dëshmia është kjo, nuk është faji i Marksit, nëse ka bërë gabime PPSH. Marksi ishte filozof, idetë e tij studiohen në shumë universitete. Tjetër gjë është Marksi komunist e tjetër filozof. Njerëzit këtë nuk e dinë” – kjo ishte bindja e Pëllumbit, që duke u shprehur kështu nuk tradhtonte as profilin e tij të filozofit e politikanit me ideologji të qartë, pa e humbur fokusin për hir të politikës pragmatiste…/Mapo

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...