Fushata solidare “Ti je heroi ynë” për fëmijët me nevoja shëndetësore të punjësve të policisë

17 Dhjetor 2016, 15:16Kronika TEMA

Ditën e sotme ministri Tahiri ka qenë i pranishëm në aktivitetin e mbajtur për fëmijët me nevoja të veçanta shëndetësore, të punonjësve të policisë.

Aktiviteti i quajtur “Ti je heroi ynë” është mbajtur në zonën e ish-Bllokut.

“Kjo për mua është ditë shumë e veçantë, si qytetar, si njeri, si prind, edhe si ministër patjetër. Sepse më në fund kemi gjetur mundësinë të shohim Njeriun brenda nesh. Dhe këtë ta bëjmë për fëmijët e punonjësve të Policisë të cilët kanë nevojë për ndihmën tonë.

Janë mbi 200 fëmijë të veçantë, me nevoja të veçanta, të cilët përveç vuajtjes së përditshme të prindërve në punë dhe sakrificës së përditshme në përballjen me botën e krimit, kanë edhe vuajtjen familjare që nuk është e lehtë.

Ndaj, bashkë me punonjësit e Policisë dhe shumë partnerë po mundohemi të krijojmë një mundësi për t’ua bërë më të lehtë Vitin e Ri dhe patjetër shërimin.

E ritheksoj, për mua është ditë e veçantë, sepse një gjë është të bësh Ministrin, një gjë është të bësh Njeriun në detyrë.

Ndaj dua të falënderoj të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit që kanë kontribuar.

Dua të falënderoj të gjithë ata që na kanë dhënë mundësinë të shohim se sa solidarë mund të jemi me njerëz që mund t’i kemi përditë në punë, që mund të jenë përditë në shërbim të qytetarëve – por vjen dita kur duhet të jemi dhe ne në shërbim të tyre.

Kjo është mundësia jonë më e mirë për të falënderuar të gjithë ata që kontribuojnë në Policinë e Shtetit dhe për t’iu gjendur pranë fëmijëve të atyre që kanë nevojë për ndihmë të veçantë.

Unë jam sot këtu për fëmijët e punonjësve të Policisë që kanë nevojë për ndihmën tonë. Kjo është shumë më e rëndësishme se çdo debat tjetër i ditës.

Mos më ngatërroni me asgjë tjetër. Ju faleminderit që jeni këtu. Faleminderit për ndihmën që jepni dhe ju fëmijëve të veçantë të punonjësve të Policisë. Është shumë e rëndësishme të gjejmë humanizmin dhe solidaritetin tek ne dhe tek njëri-tjetri.

Ndaj ju lutem transmetojeni këtë mesazh tek publiku. Të bëhemi të gjithë bashkë për të ndihmuar këta fëmijë që kanë nevojë për ndihmën tonë sot më shumë se kurdo tjetër”, tha Tahiri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje