Zbardhet historia/ Sajmir Çili: Pse e denoncova gruan për dhunë

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

ddLajmi se kantautori i njohur Sajmir Çili ka kërkuar urdhër mbrojtjeje pasi akuzonte për dhunë bashkëshorten e tij, këngëtaren Suela Kalaja, bëri xhiron e portaleve. E para për faktin se prindërit e një vajze 9- vjeçare nga martesa janë personazhe të njohur pu05blikë, por edhe se zakonisht rastet më të shpeshta që kërkojnë urdhër mbrojtjeje janë gratë e dhunuara nga burrat e tyre.

Direkt pas bërjes publike të këtij lajmi, 35-vjeçarja Kalaja, e cila ka qenë ajo që ka depozituar pranë Gjykatës së Tiranës padinë për divorc nga Çili, ka reaguar me një status ironik në Facebook, ndërsa shkruante:

“Falënderoj humanët, që u shqetësuan për mua e, mbi të gjitha, për Engjëllin tim Isea, pasi morën vesh një situatë e divorc që kish kohë që është kryer, e si në Shqipëri do suportosh dhe për shumë kohë pasojat e mllefit e mërisë! Falënderoj dhe kë, në mënyrë të pështirë të një situate tronditëse, na i përplasi fuqishëm dallgën e mbytjes njerëzore! Na bëtë më të forta, si mua dhe fëmijën tim, se ne e duam jetën e po luftojmë për t’i qenë pjesë plot me dashuri e pa urrejtje. Jeta është e shkurtër, njerëz, mos harroni të falni dhe ju dashuri. P.s. Falënderoj mbi të gjitha “Atë” (babain e përjetshëm të fëmijës sim), që “dorën” që e përkëdheli për 19 vite, e konsideroi “shuplakë” në fund, sa për t’u endur gjyqeve”.

Gjykata ka marrë vendimin për divorc në maj të këtij viti, por çifti vazhdojnë të enden në gjyqe, për shkak të dhunës që pretendojnë se kanë ushtruar ndaj njëri-tjetrit. Nuk dihet nëse ishte rastësi apo e qëllimshme që statusi i Suelës erdhi direkt pas seancës gjyqësore (të enjten) me gjyqtare Fahrije (Budo) Stringa, ku ajo akuzohet për dhunë ndaj Çilit. Seanca nuk ka pasur vendim përfundimtar, ndërkohë që seanca tjetër do të zhvillohet më datë 19 janar 2017.

Si dështoi bashkëjetesa më pasiononte VIP, xhelozitë dhe konfliktet mes tyre

Edhe pse historia e tyre e dashurisë ishte komentuar si më e bukura mes artistëve, problemet në çift dhe debatet e shumta kanë bërë që  Suela t’i drejtohej gjykatës me kërkesën për divorc.

“Në seancë gjyqësore, gjykata konfirmoi faktin se fillimisht marrëdhëniet bashkëshortore kanë qenë të mira dhe korrekte, të ndërtuara mbi bazën e dashurisë dhe respektit reciprok. Me kalimin e kohës, midis palëve kanë lindur mosmarrëveshjet si pasojë e koncepteve të ndryshme që kanë për jetën dhe, duke mos pasur më komunikim dhe mirëkuptim, bashkëjetesa midis tyre është bërë e pamundur. Por sipas burimeve pranë çiftit edhe xhelozia ka qenë një nga arsyet e konflikteve mes tyre. Pas divorcit paditësja Suela Kalaja dhe vajza e mitur, Isea Çili, vendosën të jetojnë në një banesë me qira. Gjatë gjykimit rezultoi se palët, pavarësisht nga përpjekjet që kanë bërë për të normalizuar martesën, nuk kanë mundur të gjejnë mirëkuptimin dhe bashkëjetesa midis palëve nuk mund të kthehej në normalitetin e saj”, thuhej në kërkesën për divorc.

I pyetur nga gazeta “Panorama” për detajet e këtij konflikti me ish-bashkëshorten, Sajmiri nuk pranoi të japë detaje të hollësishme, duke u shprehur se: “Ishte vetë ajo që kërkoi divorcin, edhe pse për pak do të kishim 15-vjetorin e martesës”.

Rrahjet në  familjen Çili

Por divorci ishte vetëm maja e ajsbergut, pasi çifti i njohur u është drejtuar organeve kompetente me kallëzime për njëri-tjetrin për dhunë. Prej kohësh, Sajmiri dhe Suela ishin në fazën e divorcit dhe shpeshherë marrëdhëniet mes tyre shkaktonin ulje dhe ngritje. Burime nga Policia njoftuan se pas një telefonate, janë drejtuar për te shtëpia e dy artistëve, teksa i kanë gjetur në mes të një konflikti.

Në prani të forcave të rendit, këngëtarja, në gjaknxehtësi e sipër, e ka qëlluar me shuplakë Sajmirin. Nisur nga kjo, këngëtari ka bërë një kërkesë për urdhër mbrojtjeje. Por, ndërsa marrëdhëniet mes tyre janë normalizuar dhe gjykata në fakt ka vendosur të pranojë edhe kërkesën për divorc, Prokuroria e Tiranës, mbi bazën e kallëzimit të kantautorit Sajmir Çili, ka vendosur të ngrejë akuzë zyrtare për dhunë në familje ndaj këngëtares Suela Kalaja. Prej korrikut 2016, këngëtarja po përballet me drejtësinë për këtë akuzë, por ende nuk ka një vendim ndaj saj. Por nga ana e saj, edhe Suela, pas një debati të ashpër në familje, ka vendosur t’i drejtohet policisë dhe ka siguruar nga uniformat blu një urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje, për vete dhe vajzën.

Çështja në fjalë ka kaluar për shqyrtim në Gjykatën e Tiranës, e cila në fakt e ka pushuar çështjen, pasi Sajmir Çili para gjykatës ka deklaruar se nuk do të kryejë akte dhune ndaj gruas dhe vajzës dhe se do të jetonte larg tyre.

Mesazhi  i Sajmir Çilit

Sajmir Çili, nga pozitat e kantautorit ka reflektuar mbi këngën fituese të “Këngës Magjike”, ku Rozana Radi me një vajzë të vogël i këndonte dhunës në familje. Me anë të një statusi në Facebook, Sajmiri citonte: “Urime nga zemra për çmimin, shoqja ime e mirë Rozana! Të më ndjeni shoqëria, por unë mendoj si Anila Toto. Mua më pëlqeu shumë që çastin e parë kënga që fitoi çmimin e parë. Kishte tekst, muzikë, dramacitet dhe interpretim, pavarësisht asaj vajzës së vogël, që m’u dhimbs, por Ok, ishte pjesë e grupit, ashtu ishte konceptuar. Artistikisht Ok! Por sot, mua më vjen keq …që të rinjve e fëmijëve t’u jepen këto mesazhe si triumfatore të artit në këtë formë. Fëmijët e mi s’kanë parë dhunë, e i ati është aty në çdo çast për ne e për shumë familje të tjera të shëndosha.

Pavarësisht situatës përreth e gabimeve njerëzore, është zhgënjim i madh të prishësh imazhin e Atit, edhe nëse ai nuk shkon mirë me nënën apo edhe më keq se kaq. Historia e njerëzimit dhe psikologjia sociale apo psikike ka treguar se gjithmonë, edhe kur prindërit pësojnë disfata, janë të sëmurë, janë të paaftë, gabojnë apo nuk janë të përgjegjshëm, ata gjithmonë i duan fëmijët e tyre, pavarësisht të gjithave. Janë aspekte e sjellje sociale, situata të paqarta, dhimbjet e gruas e nënës kurrsesi nuk duhet të krijojnë situata psikologjike apo ndikime për fëmijët.

Është midis prindërve dhe zgjidhja e zgjedhja u takon atyre. Gra të dobëta kategorizojnë burrat për fatin e tyre. Ato qëndrojnë aty sepse i duan ose u intereson e s’kanë zgjidhje, por fëmijët mos i edukoni me urrejtje. Lërini të vendosin vetë, nëpër vite ata do të kuptojnë! Një fëmijë i rritur me imazhe negative e papërgjegjshmërie ndaj prindit (babai apo nëna) nuk do të ketë kurrë vetëvlerësim dhe vetë respekt pasi e ‘vret geni’ e nuk do të dijë të dojë, sepse është edukuar që nuk e kanë dashur. Ky është vetëm mendimi im”, përfundonte statusi në fjalë.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “Zbardhet historia/ Sajmir Çili: Pse e denoncova gruan për dhunë”

  1. D. Didani says:

    Ka ardhur koha qe shoqeria te mendoj seriozisht per dhunen e grave ndaj burrave! Te kuptohemi dhuna nuk eshte vetem dajaku….! Dhuna eshte e shumellojshme,qofte dhe fakti kur fajtor per cdo sherr ose konflikt del burri!!! Kjo eshte dhuna me e rende,bile ajo poshterusja per burrat,dhe qe nuk i ben mire shoqerise….Pa e kuptuar fare ,ne menyre krejt kladestine eshte kthyer Epoka Matriakatit!por ne nje menyre teper te rende per burrat!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *