A ka tradhtuar Ali Ahmeti?

19 Dhjetor 2016, 19:18Blog TEMA

Nga Andi Bushati

Përditë e më shumë po shtohen dyshimet për rolin që po luan lideri i BDI-së Ali Ahmeti, pas përfundimit të zgjedhjeve në Maqedoni.

Partia e tij, dikur hegjemone mes shqiptarëve, u përgjysmua në vota falë mbështetjes së gjatë që ai i dha regjimit autokratik të Gruevskit. Shenjë e kësaj nëpërkëmbje të interesave të shqiptarëve, qe edhe mbështetja për partitë e krijuara rishtas. Ndëshkim për politikën e ndjekur ishte edhe vota epokale e rreth 60- 70 mijë bashkombasve tanë, që për herë të parë votuan për një parti maqedone, opozitën e Zoran Zaevit.

Por, pavarësisht nga këto sinjale të qarta, ish lideri i UÇK, sot në politikë, po mëdyshet gjatë se kujt do t’ia japë 10 deputetët e tij për të formuar qeverinë e re në Shkup.

Që në orët e para pas përfundimit të garës elektorale, ai nuk e shpalli qëndrimin e tij. Nuk e bëri këtë, as pas protestave masive të VMNRO- DPMNE të Gruevskit përpara komisionit të zgjedhjeve, që hapen e mbyllen me thirrje anti shqiptare. Nuk po lëkundet as kur dëgjon aleatin e tij të flasë kundër shteteve perëndimore, që janë e vetmja garanci për shqiptarët e Maqedonisë. Nuk po e thotë fjalën si lider edhe kur sheh se nacionalistët e Gruevskit, për hir të pushtetit, po mundohet t’i japin vendit të tyre një kurs të kundërt me integrimin në BE dhe NATO.

Po t’u shtosh të gjitha këtyre hezitimeve edhe bashkimin e votave të BDI-së me VMNRO- DPMNE, në komisionin qendror të zgjedhjeve, ngrihen disa pikpyetje: A mos Ali Ahmeti është peng i Gruevskit, koalicionin e mëparshëm me të cilin nuk e prishi as kur lobuan ndërkombëtarët? A mos vallë ai po i tradhëton interesat e shqiptarëve? A mos ish luftëtari është shndërruar në kolaboracionist?

Gjithkush e di se Ali Ahmetit i leverdis ta braktisë Gruevskin. Gjithkush e kupton se nëse ai mendon të qeverisë edhe një mandat me të, BDI do të zhdukej elektoralisht. Gjithkush e imagjinon se nëse  i del kundër trendit për të cilin votuan shumica e shqiptarëve (pra ndarjen me një regjim kleptokrat dhe nacionalist) ai do të nënshkruante fundin e tij.

Po atëherë pse heziton Ali Ahmeti?

Një pjesë e njerëzve pranë tij, i justifikojnë këto qëndrime me një lloj takticizmi. Me një lloj dredhie, tipike për politikën ballkanike, për të mos iu ofruar opozitës së Zaevit, pa kushte. Me kompleksin për të qënë i lutur përpara se të lutetsh, pasi kështu fiton gjithnjë më shumë.

Ndërsa kundërshtarët mendojnë ndryshe. Sipas tyre, Ali Ahmeti është i dënuar të bjerë në prehrin e Gruevskit për të mbrojtur mëkatet e njerëzve të tij më të afërt, që po hetohen prej prokurorisë speciale. Lideri nacionalist e deklaroi edhe gjatë fushatës elektorale se nuk do ta zgjasë më tej mandatin (18 muaj) e kësaj prokurorie nëse rikthehet në pushtet.

Kështu, sipas kësaj llogjike, Ahmeti, për të mbrojtur rrethin e ngushtë, që ka qeverisur për pothuajse një dekadë me VMNRO- DPMNE, do të sakrifikonte reputacionin e forcës së tij politike dhe do t’i kundërvihej tendencës së votës së shqiptarëve.

Por, fatkeqësisht, as justifikimet e miqve dhe as akuzat e armiqve nuk mund ta arsyetojnë Ali Ahmetin. Sepse ai, tanimë, nuk e ka luksin të mendojë, as me takticizmin e politikanëve të rëndomtë dhe as me sentimentalizmin e liderit që mbron bashkëpunëtorët.

Nga ky privilegj e zhveshi ngjarja e jashtëzakonshme që ndodhi në Maqedoni në 11 dhjetor. Ajo nuk qe as një garë e thjeshtë elektorale. As një ndryshim rutinë i pushtetit. Ajo qe një bashkim epokal mes një pjese të madhe të maqedonëve dhe një pjese po aq të madhe të shqiptarëve, në emër të vlerave të përbashkëta (lexo shkrimin poshtë). Në emër të dënimit të një regjimi autokrat, në emër të një shoqërie, me media të lira, me biznese konkuruese dhe me zgjedhje normale.

Pikërisht për këtë arsye, për veçantinë e asaj që ka ndodhur, Ali Ahmeti e ka të vështirë të dalë kundër këtij trendi. Edhe vonesa për t’iu bashkëngjitur atij, po e dëmton rëndë imazhin e luftëtarit të dikurshëm. Ndërsa tentativa për t’iu kundërvënë, qoftë për shkaqe meskine, qoftë për llogari të vogla, mund ta njollosë përfundimisht ish komandantin e UÇK-së. Sepse liderët shpesh nuk shpallen tradhëtarë vetëm kur shkojnë në shtrat me armikun, por fatkeqësisht edhe kur i bien ndesh rolit që koha ka përcaktuar për ta. Ky është udhëkryqi ku gjendet sot Ali Ahmeti. (Lapsi.al)

4 komente në “A ka tradhtuar Ali Ahmeti?”

  1. Baton Gostivari says:

    Andi, pa eufemizma
    Nuk bëhet fjalë vetëm për AUTOKRATI…Gruevski është një shovenist antishqiptar, në krye të një partie NAZISTE, që servohet nga BDI, personalisht edhe nga pengu (person me profilim efektiv antishqiptar) ALI SHUKRI AFMETI.
    Vetëm ai që do të luajë rolin e budallait bëhet se nuk kupton e nuk sheh se për cka punon ky.
    Me atë rolin e sherbudallait, sa herë pohon se integrimin (në halen e diskriminimit) e ka ëndërr…dhe se shqiptarët duhet të bëjnë kënaqësinë e derrit e të kënaqen me flamurin…..kërkesa të viteve 60 e 70 të sh.k. ndër shqiptarët nën sundimin e Jugosllavisë – FYROM-it.

  2. evgjitngrenesi says:

    ik o lolua i integrimit! si ke guxim dhe shkruan më? të prishi punë nacionalizmi zotrote! po shqiptaret prandaj janë katandisur fundi i kavallit se nuk kanë parti nacionaliste! tope! po të mos kishin parti nacionaliste ,grekët,serbët , e me radhë do ishin më keq nga ne sot! nuk doli një gazetar për të qënë ne shqipëri! të gjithë klona të lubonjës!

  3. Arianit Ballisti, nipi says:

    ALI RENEGATI, RENEGATI, RENEGATI

    Nuk njoh ndonjë person që ka fut hundët në politikë që të ketë qenë antishqiptari më transparent.
    Nuk ka nevojë për daulle….

  4. SHPRESE HUMBURI says:

    Mua me dukej vetja me i zgjuar , se shume te tjere dhe… , kujtoja se vetem une e
    kisha kuptuar deri tani , qe Ali Ahmeti eshte kapur per koqesh nga sherbimi
    sekret maqedonas dhe nuk mund te shkeputet prej tyre , vecse te lere koqet ne
    duart e tyre . Tani shoh , se kete e ditkan te gjithe !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje