Bumçi: SHBA ua ka gjetur ilaçin ‘Putinëve’(mos ka ngatërruar letrat, pasi u nxor Berisha në opozitë)

19 Dhjetor 2016, 09:27Politika TEMA

Ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi paralajmëron kryeministrin Rama se në rast se nuk garanton zgjedhje me standarde evropiane, do të ketë fatin e fqinjit maqedonas Nikola Gruevski.

Deputeti i PD në “GSH” i kujton Ramës se në 2017-ën shqiptarët do të gjejnë zgjidhjen, ose normalisht nëpërmjet zgje-dhjeve, ose nëpërmjet precedentit maqedonas. Bumçi thotë se Brukseli dhe Uashingtoni u kanë gjetur ilaçin Putinëve të vegjël të Ballkanit, larguan Gruevskin për t’u hapur rrugën zgjedhjeve të lira. Po e njëjta gjë sipas Bumçit do të ndodhë me Ramën, nëse nuk bën të vetmen gjë që mund të bëjë në këto 6 muaj.

Sipas Bumçit, kriza do të ishte me kosto në radhë të parë për ata që kanë përgjegjësinë për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Bumçi e bën përgjegjës Ramen edhe për dështimin e hapjes së negociatave me BE-në, duke e cilësuar atë si dështimi më i madh në fund të mandatit të tij.

Z.Bumçi, përse kaq e vështirë për Shqipërinë hapja e negociatave me BE? Cilat janë arsyet që e mbajnë atë larg familjes evropiane?

Arsyet janë bërë publike nga vetë Bashkimi Europian. Në mbledhjen e 13 dhjetorit, Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së arriti këto konkluzione në lidhje me Shqipërinë: “Hapja e negociatave është e varur nga përparimi i prekshëm dhe i besueshëm i zbatimit të reformës në drejtësi, në mënyrë të veçantë rivlerësimi i gjykatësve dhe prokurorëve”. Reforma në drejtësi përbën dhe kushtin e parë nga 5 prioritetet. Më tej, duke ju referuar konkluzioneve të mëparshme të Këshillit, duke përfshirë dhe ato të dhjetorit 2015, Këshilli i Ministrave rikthesoi se zbatimi i 5 prioriteteve në mënyrë të qëndrueshme, të gjithanshme dhe gjithëpërfshirëse duhet të sigurohet përpara hapjes së negociatave. Këshilli fton Komisionin të raportojë për Shqipërinë dhe do t’i rikthehet Shqipërisë kur të jetë bërë përparim i mjaftueshëm.

Dhe cilat janë 5 prioritet që e mbajnë peng hapjen e negociatave dhe a kufizohet Këshilli i Ministrave të BE-së vetëm tek këto kritere?

5 prioritetet janë: 1. reforma në drejtësi; 2. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit; 3. Reforma në administratën publike; 4. Çështja e pronave; 5. Të drejtat e njeriut. Por, Këshilli nuk kufizohet vetëm të 5 prioritetet, por shton dhe 3 të tjera: zbatimi i ligjit të dekriminalizimit për largimin e personave të dënuar nga funksionet publike; mbajtja e zgjedhjeve sipas standardeve europiane dhe fqinjësia e mirë. Këshilli thekson luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës në mënyrë të veçantë.

Mazhoranca thotë se vetingu është kushti i vetëm që nuk hapen negociatat dhe akuzon PD-në se është kundër tyre. Realisht mbi kë bie përgjegjësia kryesore e vonesave të krijuara deri tani?

Siç shihet, konkluzionet e Këshillit të Ministrave janë të qarta dhe bëhet fjalë për 8 çështje madhore si zgjedhjet e lira, zbatimi i ligjit të dekriminalizimit, lufta kundër kultivimit të drogës, etj., që pengojnë përparimin e Shqipërisë. Nga 5 janë bërë 8 prioritete ku duhet të përqendrohet puna e qeverise. Konkluzionet e Këshillit të Ministrave janë publike dhe gjithkush mund t’i lexojë. Fakti që qeveria përmend vetëm njërin nga kushtet, atë të reformës në drejtësi dhe nuk përmend kushtet e tjera flet shumë në vetvete. Renditja e të 8 kushteve nga Këshilli i Ministrave të BE-së në fund të mandatit qeverisës do të thotë dështim i rëndë i qeverisë së majtë. Kjo sjellje e papërgjegjshme nuk ndihmon as për të fshehur të vërtetën e aq më pak për të shpresuar se diçka do të korrigjohet. Të njëjtën sjellje të turpshme të kryeministrit Rama vumë re dhe pas vizitës së delegacionit të grupit parlamentar të CDU-CSU të partisë së Kancelares Merkel, në Tiranë të drejtuar nga kryetari për Çështjet Europiane në Bundestag, z.Kirtchbaun. Delegacioni gjerman renditi të njëjtat çështje, ashtu si Këshilli i Ministrave të BE-së. Por, z.Rama tha se ai ishte thjesht një individ që nuk përfaqësonte askënd dhe se PD-ja po kapte deputetët skutave kundër hapjes së negociatave. Në fakt, të njëjtin qëndrim i përsëriti Kancelarja Merkel në Berlin, ku në deklaratën e shkurtër gjatë konferencës për shtyp, përmendi 5 prioritetet, luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe zgjedhjet. Mbas deklaratës së Këshillit të Ministrave të BE-së, grupi parlamentar i CDU-CSU, partia e Kancelares Merkel, doli me një deklaratë për shtyp ky ripërsëriti qëndrimin e mbajtur në Tiranë dhe të gjitha kushtet që duhet të përmbushen përpara hapjes së negociatave. Më duket se gjithçka është shumë e qartë, dështimi i kësaj qeverisjeje të majtë i mbylli dyert Shqipërisë në BE. Dhe më e keqja është se nuk tregon asnjë shenjë se do të ndryshojë sjellje.

Cili është qëndrimi i PD-së dhe cilin moment e shikoni ju si më të përshtatshmin për çeljen e negociatave, kam parasysh këtu deklaratën e kreut demokrat, Lulzim Basha, i cili ka deklaruar se ato do të hapen nën qeverisjen e PD?

Kushtet për hapjen e negociatave dhe të anëtarësimit në BE vendosen nga Brukseli dhe jo nga opozita shqiptare. Janë të njëjtat kushte dhe procese që kanë kaluar dhe vendet e tjera. Partia Demokratike fajëson kryeministrin Rama dhe qeverinë e majtë për mospërmbushjen e kushteve për çeljen e negociatave. Jo vetëm kushtet që u shtuan nga 5, në 8. Por, ky është rasti i parë në 26 vite demokraci, ku 6 muaj përpara zgjedhjeve, një qeverie i kërkohet të largojë personat e inkriminuar nga politika, të luftojë kultivimin e drogës dhe të mbajë zgjedhje të standardeve europiane. Gjithçka është shtyrë mbas zgjedhjeve. Berlini dhe Brukseli e ngelen në klasë qeverinë, po të njëjtën gjë do të bëjnë dhe qytetarët shqiptarë më 18 qershor, që t’i hapin rrugën integrimit të vendit.

Çfarë ndodhi me përkthimin e vetingut dhe cilat janë pritshmëritë e PD-së nga Gjykata Kushtetuese, lidhur me qëndrimin final të ligjshmërisë së vetingut?

Komisioni i Venecias kishte vendosur në faqen e internetit ligjin e vetingut (vlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve) dhe nenet përkatëse të Kushtetutës Shqiptare në versionin anglisht. Përkthim i cili rezultonte me gabime. Gabime të cilat mund të verifikohen nga gjithkush, sepse Komisioni i Venecias ka vendosur në faqen e tij të internetit të dy variantet, si atë të korrigjuar dhe atë me gabime. Partia Demokratike njoftoi Gjykatën Kushtetuese dhe Komisionin e Venecias për këtë fakt. Gjykata e pranoi faktin, tha që përkthimin e kishte marrë nga misioni EURALIUS dhe bëri një përkthim të dytë të ligjit dhe ia dërgoi “Venecias”. Unë besoj se gjëja e parë që duhet të ishte bërë nga të gjitha palët, duhet të ishte falënderimi i PD-së që gjeti gabimet.

…Dhe për PD-në, gabimi ishte i qëllimshëm?

Të mos hymë debatit a ishin gabime të qëllimshme apo jo dhe cilin interpretim favorizonin këto gabime. Nuk ka nevojë të jesh jurist të kuptosh se edhe një ‘dhe’ e shtuar, mund t’ia ndryshojë kuptimin fjalisë. Qëndrimi publik i PD-së për këtë çështje ka renditur të gjitha faktet, si për përmbajtjen e përkthimit, ashtu edhe të dhënat e tjera.

Çfarë pret PD-ja tashme që ka mbërritur opinioni final i “Venecias”?

Është e rëndësishme të ndalemi në dy momente. E para, Gjykata Kushtetuese duke ndjekur dhe praktikën e mëparshme të saj, nuk i është drejtuar Komisionit të Venecias për të gjitha çështjet që prekin ligjin e vetingut dhe përputhjen me Kushtetutën e vendit, por i ka drejtuar katër pyetje Komisionit. Për të përgënjeshtruar të gjithë ata që thonë se tani që foli Komisioni i Venecias, gjykata automatikisht duhet të miratojë ligjin, mjafton të ndalemi te përgjigja e Komisionit, që gjykon se gjykata ka legjitimitetin dhe duhet të shqyrtojë ligjin e vetingut, a është në përputhje me Kushtetutën e vendit. Pra, pikërisht të kryejë detyrën e saj kushtetuese, përkundër presionit që po i bëhet që ta kalojë automatikisht. E dyta, Komisioni i Venecias i ka dhënë të drejtë shqetësimit kryesor të ngritur nga Partia Demokratike në lidhje me rolin e drejtorive në varësi të kryeministrit dhe ministrave, siç janë Drejtoria e Informacionit të Klasifikuar, Drejtoria e Pastrimit të Parave, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, të cilat duhet të jenë në mbikëqyrjen dhe kontrollin e Institucioneve Kushtetuese që janë ngritur për të bërë vetingun. Ky është thelbi i shqetësimit, përndryshe do të ishim në një situatë ku drejtorët e emëruar nga z.Rama do të vlerësonin cilët gjyqtarë dhe prokurorë do të qëndrojnë në detyrë çfarë do të përbënte një rrezik real për demokracinë dhe të drejtat themelore të njeriut. Ky qëndrim i Komisionit të Venecias është një lajm i mirë për reformën në drejtësi dhe demokracinë shqiptare.

Opozita ka akuzuar se qeveria përmes njerëzve të krimit po tenton blerjen e votës në 2017-ën. Cilat janë garancitë e PD-së se zgjedhjet e ardhshme do të jenë të lira dhe të ndershme?

Kjo është një çështje thelbësore. Nëse zgjedhjet parlamentare të 2017 do të fusin vendin në normalitet demokratik apo në krizë me pasoja të renda, do të varet vetëm nga mbarëvajtja e zgjedhjeve. Por, me mbarëvajtjen e zgjedhjeve nuk bëhet fjalë për procesin formal të votimit gjatë ditës së votimit. Të gjithë jemi të qartë se me Shqipërinë e mbjellë me kanabis nga veriu në jug në qindra e mijëra hektarë, se me kriminalizimin e politikës që ekzistonte, por me mbjelljen e kanabisit ka marrë përmasa të frikshme nuk mund të ketë zgjedhje të lira.

Që do të thotë…?

Kjo është dhe kërkesa e opozitës shqiptare, Brukselit dhe Uashingtonit. Raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet vendore të vitit 2015 ka një vlerësim shumë të rëndë. Vëzhguesit ndërkombëtarë deklarojnë se, “nga ajo që kanë vëzhguar, shtrohet pyetja se a ishin të lirë nga frika e kërcënimi qytetarët shqiptarë kur votuan?”. Kjo deklaratë është një njollë e rëndë për qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama, të parat zgjedhje kur ai ishte kryeministër dhe kishte përgjegjësinë e organizimit të tyre. Në raport flitet për banda që rrethojnë qendrat e votimit, blerjen e votës, kontrollin e kartave të identitetit, etj. Por, në atë raport nuk përmendet droga, që është kthyer në dukuri të frikshme për nga përmasat në 2016-ën dhe do të jetë faktor në 2017-ën. E rëndësishme është që faktori ndërkombëtar është tërësisht i vetëdijshëm për problemet e qeverisë “Rama” dhe zgjedhjet. Prandaj nxorën atë raport në 2015-ën dhe vendosën zgjedhjet e lira, dekriminalizimin dhe luftën kundër drogës si kusht për hapjen e negociatave.

Në këtë rast cila është zgjidhja…?

Në 2017-ën, shqiptarët do të gjejnë zgjidhjen, ose normalisht nëpërmjet zgjedhjeve, ose nëpërmjet precedentit maqedonas. Brukseli dhe Uashingtoni ua kanë gjetur ilaçin Putinëve të vegjël të Ballkanit, larguan Gruevskin për t’u hapur rrugën zgjedhjeve të lira. Po e njëjta gjë do të ndodhë me Ramën, nëse nuk bën të vetmen gjë që mund të bëjë në këto 6 muaj.

Konkretisht çfarë duhet të bëjë kryeministri Rama?

Ta përgatisë vendin për zgjedhje me standarde europiane, nga ku nuk ka të humbur, sepse do ta fusë vendin në normalitet. Kriza do të ishte me kosto në radhë të parë, për ata që kanë përgjegjësinë për mbarëvajtjen e zgjedhjeve

3 komente në “Bumçi: SHBA ua ka gjetur ilaçin ‘Putinëve’(mos ka ngatërruar letrat, pasi u nxor Berisha në opozitë)”

  1. andromeda says:

    A ka me u pjekë ndonjëherë ky kungull demokratikas? A e kupton ky vallë se gjithshka tjetër nga prioritetet varet nga implementimi i reformës në drejtësi, atë reformë që demokratikasit mundohen ta sabotojnë me çdo kusht.

  2. sofia says:

    Te vjen per te vjelle kur degjon, lexon dhe merret ne interviste Aldo (Moro). Edhe ky ashtu do te perfundoje rrugeve te Tiranes, vetem po e shpetoi shoqja e tij e ngushte qe e futi ne politike:Argita!

  3. kamorro says:

    Po nuk hiket ju nga pd d.m.th. sala luli ti e nja 30 veta te tjere qe jeni kokat e kucedres mos prisni tw beheni mazhorance..jo opozite po keni per tu katandis si zogjte e korbit ca anej e ca knej deri sa tju haje ajo shqiponja gjate…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje