E-mailet për CEZ/ Piruetat e avokatit të “Berishës” pasi ju refuzua biznesi me qeverinë “Rama”

Gjatë mbledhjes së sotme të Komisionit Hetimor parlamentar për marrëveshjen e zgjidhjes me mirëkuptim të konfliktit mes Qeverisë së Shqipërisë dhe CEZ a.s. kanë dalë në dritë të dhëna që faktojnë qëndrimet kontradiktore të avokatit të caktuar nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Eksponentët e Partisë Demokratike pretenduan të kishin në dorë e-maile të avokatit që nuk mbështeste rrugën e zgjidhjes me mirëkuptim të konfliktit por atë të arbitrazhit. Për të provuar këtë, deputetët e Partisë Demokratike lexuan disa e-maile ku shfaqeshin rezerva në lidhje me përmbajtjen e një memorandumi që përbënte një dokument të shprehjes së vullnetit për zgjidhjen me mirëkuptim të konfliktit.

Por a ka qenë vërtet avokati Hamid Gharavi kundër zgjidhjes me mirëkuptim?! E-mailet e publikuara në seancën e sotme nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri provojnë lëvizjet e dyshimta të avokatit të caktuar nga qeveria Berisha e që presupozohej të mbronte interesat e shtetit shqiptar në përballjen me CEZ a.s.

Në e-mailin dërguar datë 14 Tetor 2013, Gharavi rekomandon se nuk ka nevojë për të hartuar ligj të veçantë për zhvillimin e negociatave por kjo mund të bëhet përmes ngritjes së një grupi pune me urdhër të Këshillit të Ministrave. “Përsëris se ndërsa negociatat janë gjithmonë të mundshme, ne jemi aktualisht në një pozitë shumë të dobët strategjike, duke pasur parasysh se ne nuk kemi ende një vlerësim teknik e as financiar, nuk kemi filluar  ende arbitrazhin ICC dhe CEZ për më tepër ka nisur tashmë një arbitrazh sipas TKE. Gjatë raundit të negociatave të fundit, CEZ ka kërkuar një vlerë të konsiderueshme si kompensim monetar. Unë mund të imagjinoj se kërkesat e tyre vetëm janë rritur që me paraqitjen e padisë në TKE kundër nesh dhe me mosveprimin tonë”, shkruan Gharavi në këtë e-mail që e mbyll me shprehjen  se “argumentet tona të mira janë dobësuar çdo ditë gjatë 9 muajve të fundit”.

Ndërkaq, në një e-mail të datës 13 Maj 2014, pasi negociatat kishin avancuar dhe ishte konceptuar drafti i marrëveshjes, përfaqësuesja e studios avokatore Gharavi, Eloise Obadia i shkruan qeverisë shqiptare ku i thotë “zgjidhja e parashikuar është në favor të Shqipërisë dhe CEZ a.s. duket e gatshme ta marrë në konsideratë” ndërsa kërkon të sqarohen vetëm disa element teknikë.

Në një tjetër e-mail të 20 Majit 2014, avokati Hamid Gharavi i shkruan ministrit Gjiknuri ndërsa thotë se “Qeveia mund të kishte shpresuar për të hedhur poshtë pretenidmet e CEZ a.s. në arbitrazhin e ETC dhe ndoshta mund të kishte epersi për disa nga pretendimet e saj në arbitrazhin e ICC, me disa pluse dhe minuse, në momentin kur mosmarrëveshja lindi në fund të vitit 2012/fillim të vitit 2013, por çështja ishte dobësuar në mënyrë të konsiderueshme për shkak të dështimit të qeverisë, që me shumë gjasa i atribuohen tranzicionit të para dhe pas zgjedhjeve, për të ndërmarrë hapat e menjëhershëm për të cilat kishim rënë dakord të gjithë në memon e datës 31 Dhjetor 2012…. ne nuk jemi në gjendje të arrijmë në përfundimin që shumica ose pjesa më e madhe e kërkesave të CEZ a.s para Tribunalit të UNICTRAL do të hidheshin poshtë ose që disa ose shumica e kërkesave tona në arbitrazhin e ICC do të pranoheshin”.

Por çfarë ndodhi në momentin kur gjithçka për avokatin ishte në mbështetje të zgjidhjes me mirëkuptim dhe të asaj çka kishte arritur qeveria në negociatat e ndërmjetësuara nga Komuniteti i Energjisë në Vjenë?!

Në një e-mail të datës 2 Korrik 2014, avokati i caktuar nga qeveria Berisha, i shkruan ministrit Gjiknuri dhe është e qartë se kërkon të bëjë biznes me qeverinë shqiptare përtej punës për të cilën ishte kontraktuar.

“Bashkëlidhur, një prezantim i komponentit sportiv të kompanisë së gruas sime, që ka në pronësi e organizon gara të tilla si Tour de France dhe Paris-Dakar. Ata organizojnë evente të caktuara për disa shtete dhe do të merrnin në konsideratë projekte afatmesme ose afatgjata në Shqipëri. Paris-Dakar përshembull është zhvendosur në Amerikën e Jugut dhe ka qenë një sukses i madh. Këto evente përmirësojnë imazhin e shteteve, tërheqin të ardhura dhe ndihmojnë në promovimin e turizmit pasi ekspozojnë në mënyrë të dukshme peisazhin e vendeve”, shkruan Gharavi.

Më tej, ai shton kërkesat ndërsa shkruan “kam një numër biznesmenesh të interesuar për të eksploruar mundësitë në fushën e minierave dhe hidrokarbureve, aty ku kërkimi është i nevojshëm për të konfirmuar rezervat apo atje ku të dhënat e hershme që nga koha sovjetike ekzistojnë dhe janë pozitive. Të lutem, më bëj të ditur si mund të avancojmë”.

Kërkesa e tretë vijon ndërsa avokati shkruan “kompania franceze Veolia është e interesuar të hyjë në tregun e rivendosjes së sistemeve të përdorimit të ujërave; sistemin e mbetjeve dhe/ose të kryejë dekontaminimin e të gjithë mbetjeve duke qenë se kanë një lidership në këtë industri. Më bëj të ditur nëse ka ndonjë interes”.

Nuk mbaron me kaq, pasi avokati kërkon edhe më shumë se kaq. Në një shkresë zyrtare dhe e-mail të datës 19 Gusht 2014, ai i drejtohet zyrtarisht Ministrit të Punëve të Jashtme Ditmir Bushati dhe Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri ku shprehet se “po ju shkruaj për të konfirmuar interesimin tim për pozicionin e Konsullit të Nderit të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Francës”.

Asnjë prej kërkesave të tija për të bërë biznes privat nuk u morën parasysh nga qeveria shqiptare. Gjithashtu, avokati nuk arriti të dilte fitues as në tenderin e përzgjedhjes së studios ligjore që do të paguhej për të përfaqësuar shtetin shqiptar në arbitrazhin përballë biznesmenit italian Francesco Becheti. Kjo ishte pika e kthesës, momenti kur Hamid Gharavi ndryshon trajektoren duke u rikthyer në shërbim të atij që e kishte kontraktuar që në fillim, ish-kryeministrit Sali Berisha. Ai ndryshon mendim për marrëveshjen e arritur për zgjidhjen me mirëkuptim të konfliktit me CEZ a.s. ndërsa lëshon deklarata dhe furnizon Partinë Demokratike me e-maile për konsum të debatit politik dhe punimeve të Komisionit Hetimor Parlamentar të kërkuar nga opozita.

REMOTE_ADDR:[{"thumb":"http:\/\/www.gazetatema.net\/web\/wp-content\/uploads\/2016\/12\/emal1-150x150.jpg","full":"http:\/\/www.gazetatema.net\/web\/wp-content\/uploads\/2016\/12\/emal1.jpg","attachment_id":"600747"},{"thumb":"http:\/\/www.gazetatema.net\/web\/wp-content\/uploads\/2016\/12\/emal2-150x150.jpg","full":"http:\/\/www.gazetatema.net\/web\/wp-content\/uploads\/2016\/12\/emal2.jpg","attachment_id":"600750"},{"thumb":"http:\/\/www.gazetatema.net\/web\/wp-content\/uploads\/2016\/12\/email-150x150.jpg","full":"http:\/\/www.gazetatema.net\/web\/wp-content\/uploads\/2016\/12\/email.jpg","attachment_id":"600756"}]

1 komente në “E-mailet për CEZ/ Piruetat e avokatit të “Berishës” pasi ju refuzua biznesi me qeverinë “Rama””

  1. robert says:

    Shkerdhatat e Saliut …..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *