FOTOT/ Rikonstruktohet një tjetër kopësht në Tiranë

19 Dhjetor 2016, 13:30Sociale TEMA
FOTOT/ Rikonstruktohet një tjetër kopësht në Tiranë

Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin e çerdhes Nr. 54 në Njësinë Administrative Nr. 2, e cila ndodhej prej vitesh në një gjendje tejet të amortizuar. Çerdhja, në të cilën janë regjistruar 88 fëmijë, u përurua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ai u shpreh se nisma “Adopto një çerdhe” ishte një nga projektet më të suksesshme të bashkisë në vitin e parë të punës.

“Jam shumë entuziast që sot përurojmë një nga çerdhet më të mira në Tiranë, por ndoshta edhe në rajon. Këtu është investuar me cilësi, duke filluar nga dieta e ushqimit të fëmijëve te higjiena, kuzhina, ngrohja. Ky projekt është ndoshta një nga historitë më të suksesshme të vitit tonë të parë në detyrë”, tha Veliaj. Kryebashkiaku shtoi se vëmendje e veçantë i është kushtuar jo vetëm përmirësimit të infrastrukturës, por në të njëjtën kohë edhe rritjes së cilësisë së shërbimit.

“Kemi cilësi jo vetëm në infrastrukturën e godinës, por edhe një cilësinë e shërbimit. Nuk e mendoja se mund të arrinim që në vitin e parë të kishim një raport, një edukatore për 5 fëmijë, gjë që sot është standard europian. Më mbush me gëzim fakti se sot ka ambasadorë të akredituar në Shqipëri që heqin fëmijët e tyre nga çerdhet private për t’i dërguar në çerdhet publike”, tha ai. Veliaj nënvizoi se do t’i kërkohet Këshillit Bashkiak të mbështesë projektin e bashkisë për të rritur investimet në çerdhe, kopshte dhe shkolla.

“Por, nuk duhet të kënaqemi me çfarë kemi bërë. Unë jam optimist, besoj që më e mira është përpara. Vitin që vjen do t’i kërkoj Këshillit Bashkiak të mbështesë projektin tonë për shtimin e investimeve në çerdhe, kopshte, e sidomos në shkolla. E di që Tirana nuk i ka të gjitha gjërat perfekte, por të paktën në trajtimin që i bën më të vegjëlve të vet, që janë çerdhet dhe kopshtet, besoj se kemi marrë notën 10. Dhuratë më të mirë për festat e fundvitit, duke hapur këtë çerdhe të re, nuk ka”, tha kryebashkiaku Veliaj, ndërsa falenderoi donatorët për ndihmesën që kanë dhënë.

Drejtoresha e Qendrës së Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve, Zhaneta Beqiri, tha se 30 çerdhet në Tiranë kanë të gjithë kushtet e nevojshme për një shërbim cilësor. “Sot 30 çerdhet i kanë të gjithë elementët për një shërbim cilësor, duke filluar nga infrastruktura që është e dukshme në sytë e qytetarëve, një menu të mirë ushqimore, higjienë maksimale”, tha Beqiri.

Çerdhja Nr. 54 ndodhet në Rr. “Mihal Grameno” dhe i është nënshtruar një rikonstruksioni të plotë, ku përfshihet veshja me kapotë termike, rikonstruksioni i plotë i tualeteve; hidro-izolimi, vendosja e sinjalizimit për mbrojtjen kundër zjarrit dhe instalimet e reja të sistemit të ngrohjes. Gjithashtu, Bashkia e Tiranës ka bërë dhe lirimin e sheshit, gjelbërimin dhe rrethimin e plotë të oborrit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje