Tramezzani në lotë para largimit: Shqipëria do të më mungojë

21 Dhjetor 2016, 14:33Sport TEMA

Në komentet e “Domenica Sportiva” ku është bashkëpunëtor me dashamirësi shpesh shprehen, “Tramezzani duket si një personazh i dalë nga “Beautiful”. Bëhet fjalë për serialin kult të viteve 80-të, dhe është vetëm një batutë, por në 5 vite pranë De Biasit, 5 vite në shërbim të Shqipërisë, 46-vjecari ka treguar se karakteri i tij është krejt ndryshe nga ai i një aktori snob.

Punëtor i palodhur, mjeshtër i taktikës, modest dhe mbi të gjitha një njeri i shkëlqyer. Është mision i pamundur të gjesh dikë nga ata që kanë punuar në Shqipëri me të dhe të flasë keq për Paolo Tramezzanin, dhe ndjesia është reciproke. Tekniku 46-vjecar niset për një aventurë të re, para largimit, dhe një lamtumirë ekskluzive për kamerën e Supersport, dhe nuk shërbejnë vetëm fjalët, pasi në fytyrën e Tramezzanit, me sytë e përlotur është e lehtë të kuptosh se për të është me të vërtetë një ndarje e dhimbshme teksa shpjegon se si kanë qenë për të këto 5 vjet punë për ngjyrat kuqezi.

“5 vjet me shumë suksese, i kam jetuar në mënyrë shumë intensive, shumë profesionale, duke kërkuar të jap maksimumin për Gianni-n, duke u vënë në shërbim të tij dhe të Federatës. Ishte një punë shumë impenjative, në fillim shumë e vështirë, por jam shumë i kënaqur për atë që ja kemi dalë të bëjmë për Kombëtaren Shqiptare, si dhe për atë që ju dhamë dhe transmetuam tifozëve dhe gjithë popullit”, tha Tramezzani per Supersport.

Padyshim që një raport i vecantë ka qenë ai me Gianni De Biasin, jo thjesht fjalë të mira për trajnerin e Kombëtares. Tramezzani e vlerëson maksimalisht.

“Ishte eksperienca e punës më e bukur dhe më e rëndësishme e jetës time, besoj se nëse sot arrita të vendosem në këtë situatë të favorshme, është pikërisht pasi pranë tij kam mësuar shumë, kam patur mundësinë për t’u rritur dhe për t’u përballur me gjërat, do të ruaj gjithnjë atë që më dha në aspektin futbollistin, në këndvështrimin e ndjenjave dhe miqësisa, dhe mbi të gjitha në këndvështrimin e raportit që kemi patur pasi mund të them që deri në këtë moment është personi më i rëndësishëm që kam gjetur në botën e futbollit”, tha italiani.

Tramezzani nis detyrën e trajnerit, e po ashtu dhe Bogdani e Bushi që deri para pak ditësh ishin pjesë e stafit të Kombëtares, duket sikur De Biasi është një shkollë e vërtetë futbolli.

“Po është dhe Bulku që ka qenë pjesë e këtij stafi, dhe ka qenë fat për ne që kemi patur mundësinë t’i qëndrojmë pranë në këto vjet dhe të jemi përkrah tij. Besoj se cdonjëri prej nesh ka dhënë dicka, një kontribut për të transmetuar atë që ai kishte brenda tij”, tha ai.

Tani në rolin e trajnerit te Lugano, ndoshta mund t’i bënte punë atje dhe dikush nga lojtarët e Kombëtares, por Tramezzani e ka të vështirë të zgjedhë.

“Të ishte për mua do t’i merrja të gjithë. Jam kaq shumë i lidhur me këta djem me të cilët kam ndërtuar një raport të rëndësishëm këto vjet, ndaj nuk mund të zgjedh një. Janë të gjithë në zemrën time, por është e qartë se në këtë moment duhet të arsyetoj në interesin e një klubi që më dha këtë mundësi dhe prioriteti është të vazhdoj eksperiencën që kam bërë këtu në një tjetër realitet.”

Po Shqipëria, Shqiptarët, duket sikur që tani Tramezzani ka mall e nostalgji për vendin dhe njerëzit që po lë, një vend dhe nje popull që thotë se i ka mësuar shumë.

“Më keni mësuar se cfarë do të thotë të vuash në jetë, më mësuat se cfarë do të thotë të jesh krenar për atë që bën. Më bëtë të ndihem njëri prej jush. Kam marrë shumë më tepër se ajo që kam dhënë në këtë aspekt. Iki me kënaqësinë se kam kontribuar për të bërë të lumtur një popull të tërë, i cili meritonte t’i përjetonte emocionet që i dha skuadra”, shtoi Tramezzani.

Ndoshta kjo ndaj Shqipërisë është një mirupafshim dhe jo një lamtumirë, ndoshta një ditë mund të kthehet në vendin e Shqiponjave, rrugët e së ardhmes askush nuk i di, e sigurt është se ky vend mbetet përgjithmonë në zemrën e Tramezzanit.

“Nuk e di cfarë mund të ndodhë pas disa vitesh, në jetë jam mësuar të punoj cdo ditë pa menduar shumë se cfarë mund të ndodhë dhe cfarë mund të rezervojë jeta. Jam mirënjohës që kam mundur të përjetoj 5 vjet këtë eksperiencë në këtë vend dhe të njoh direkt këtë popull që më parë nuk e njihja. Do t’i mbaj me vete këto ndjenja dhe kjo është një lidhje që do të zgjasë gjithë jetën”.

Akoma më emocionuese fjalët e fundit për Shqipërinë dhe njerëzit me të cilët punoi, këtu lotët bëhen të vështirë për t’u mbajtur.

“T’i falënderoj, t’i falënderoj me zemër, sepse bënë vërtet shumë si dashuri dhe si afeksion kam marë shumë, dhe është dicka e bukur të punosh kështu”.

Tramezzani ikën për të nisur një detyrë të re, padyshim që cdonjëri prej nesh uron që një ditë ta shohim në një klub të madh, pse jo te Reali a Barcelona, edhe për ne, do të ishte një motiv i madh krenarie për një punëtor, dhe mbi të gjitha njeri të mirë.

2 komente në “Tramezzani në lotë para largimit: Shqipëria do të më mungojë”

  1. Asus says:

    Gjithmone eshte dukur komunikues. Puna qe ka bere dhe ndjenjat qe shpreh e tregojne kete gje.

  2. Niku says:

    I uroj fat dhe suksese tek ekipi qe po shkon. Vertet eshte nje punetor dhe njeri i madh. Te jemi mirenjohes MR Tramazani. Good luck

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje