Kukësi e ka mbyllur me barazim sfidën e fundit të fazës së dytë kundër Luftëtarit, duke u shpallur kampionë të dimrit.
Skuadra e drejtuar nga tekniku, Ernest Gjoka, barazoi me rezultatin 2-2 ndaj gjirokastritëve, në një sfidë e cila dhuroi mjaft emocione.
Të parët që kaluan në avantazh ishin vendasit që në minutat e para me anë të Rexhinaldos, i cili i dha epërisnë skuadrës së tij.
Në minutën e 36-të Kukësi barazpeshon rezultatin me goleadorin Pero Pejiç, që ekzekutoi në mënyrë perfekte një 11-metërsh të fituar në mënyrë të dyshimtë, e cila u kontestua ashpër nga lojtarët e Luftëtarit.
Pjesa e dytë ishte po aq spektakolare sa e para, me verilindorët që kalojnë në avantazh me anë të Eminit në minutën e 65-të.
Kur gjithçka po shkonte drejt fundit Rrapo surprizon miqtë duke barazuar rezultatin, me të dyja ekipet që ndajnë nga një pikë.
Pas këtij barazimi Kukësi e mbyll 2016-tën në vendin e parë me 36-pikë të grumbulluara, ndërsa Luftëtari renditet në vendin e 5-të me 21-pikë.
Ndërkohë, në sfidat e tjera Korabi fitoi 1-0 kundër Flamurtarit me autor të golit Sebino Plaku.
Fitore të rëndësishme mori dhe Teuta në transfertë kundër Laçit me rezultatin e pastër 2-0, falë dopietës së shënuar nga Andi Ribaj.
Klasikja e Kategorisë Superiore mes Vllaznisë dhe Tiranës u mbyll pa gola në sfidën e zhvilluar në “Loro Boriçi”.
Ndeshja e fundit e fazës së dytë do të mbyllet me takimin e orës 17:00 mes Skëndërbeut dhe Partizanit./f.b