“Dekriminalizimi”, skenari i KQZ për Selamin, Tahirin dhe Rroshin

24 Dhjetor 2016, 18:49Politika TEMA

Dy deputetë nga kampet politike të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, si edhe kryebashkiaku socialist për Kavajën, Elvis Rroshi, u shpallën zyrtarisht nga Prokuroria e Përgjithshme si persona që iu ndalohet e drejta të ushtrojnë funksione publike në bazë të ligjit të dekriminalizimit.

Pas kontrolleve mbi vërtetësinë e formularëve të vetëdeklarimit të tyre, prokuroria ia ka përcjellë rezultatet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që pritet të mblidhet për t’ju ndërprerë atyre mandatin në zbatim të ligjit të dekriminalizimit, thënë ndryshe “ligji për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen, ose ushtrojnë funksione publike”.

Ndërkaq, deputetët Tahiri e Selami dhe kryebashkiaku Rroshi deklarohen nën hetim penal për falsifikim të formularëve.

Duke folur në studion e emisionit “Kjo javë” në “News 24”, ish-kryetari i KQZ, Kristaq Kume ka shpjeguar procedurën që duhet të ndjekë tashmë KQZ duke zbatuar ligjin.

Aktualisht Prokuroria e Përgjithshme, me kërkesë të KQZ-së po verifikon edhe zyrtarë të tjerë për të cilët priten përgjigje edhe nga autoritetet e huaja.

Si vepron KQZ me mandatet e dy deputetëve pas dorëzimit të dokumentacionit nga Prokuroria?

Referuar kërkesave drejtuar KQZ për të zgjedhurit deputete, ky institucion i ka kërkuar siç duhet tashmë që të verifikojë vetëdeklarimet e bëra. E drejta për të realizuar një verifikim të tillë i nis KQZ ose ku ka indicie ose kryesisht. Ka shumë kërkesa për verifikim në Prokurori, të bëra jo vetëm nga KQZ. Tashmë ka mbaruar procedura e verifikimit. Pas kësaj është njoftuar KQZ për rezultatet e këtij verifikimi, ka kryer detyrën e saj, dhe tashmë i ka dhënë institucionit që ka bërë kërkesën të gjithë dokumentacionin e kërkuar, dhe tashmë i takon KQZ të vijojë. Nga dita kur prokuroria ka njoftuar për rezultatet e këtij verifikimi, për një periudhë 10 ditore, KQZ shqyrton dokumentacionin e ardhur nga prokuroria.

A ka të drejtë ta vërë në pikëpyetje këtë dokumentacion?
E shqyrton dokumentacioni , për të dalë se ajo çka ka dalë nga Prokuroria a korrespondon me një nga veprat e parashikuara për dekriminalizimin. Nëse po, atëherë duhet vazhduar më tej. Nëse rezulton se subjekti përkatës bëhet objekt i ligjit për dekriminalizimin, duhet që KQZ të shohë edhe afatin brenda të cilit mund të veprojë ky ligj. Në varësi të veprave e drejta për t’u zgjedhur hiqet, për 5, 10 apo më shumë vite.

Deputetët nga ana tjetër kanë sjellë dokumentet e tyre nga Italia. Si vepron KQZ në këto raste?
KQZ e thërret personin e caktuar, që ligji e detyron të bëjë vetëdeklarimin, dhe më pas KQZ bën verifikimin.

A kanë të drejtën e ankimimit?
Kjo është një e drejtë e kujtdo. Si çdo qytetar tjetër, që mendon se është bërë diçka jo e rregullt ndaj personit të tij.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje