Zyrtarët e korruptuar në Shqipëri, sekuestrim çdo sendi të dyshimtë në banesën e tyre

24 Dhjetor 2016, 09:23Kronika TEMA

Teksa Gjykata Kushtetuese i dha fund dilemës së madhe, duket konfirmuar ligjin e Vetingut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, nëpërmjet misioneve OPDAT-EURALIUS në Tiranë, kanë intensifikuar lëvizjet për krijimin e infrastrukturës ligjore për ndëshkimin e korrupsionit në nivele të larta në Shqipëri.

Një nga projektligjet më të rëndësishme, si pjesë e paketës së re ligjore, është edhe Kodi i ndryshuar i Procedurës Penale. Në Kodin e ri, i cili ka shkuar në duart e anëtarëve të komisionit për Reformën në Drejtësi, përpos të tjerave, parashikohen rregulla të reja për kontrollin e banesave, kontrollin personal, hapjen kasetave të sigurisë dhe sekuestrimin e parave të pista në banka të pushtetarëve, të cilët do të vihen nën akuzë nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Prokuroria e Posaçme.

Për herë të parë, parashikohet e drejta për të sekuestruar çdo gjë të dyshimtë dhe të pajustifikuar, në banesat e të akuzuarave për korrupsion apo për një vepër tjetër penale, edhe nëse sendi apo paratë nuk kanë lidhje me hetimet, raporton Shqiptarja.com.

Konkretisht, projektligji zgjeron nenin 207 të Kodit aktual, ku parashikohet që, në rast se gjatë kontrollit zbulohen sende që nuk kanë lidhje me veprën penale për të cilat është dhënë vendimi i kontrollit, por që lidhen me një vepër tjetër penale të dyshuar, që ndiqet kryesisht, sendet e zbuluara sekuestrohen.

Projektligji ndryshon nenin 210 të Kodit aktual për sekuestrimin e parave në banane dhe çdo gjëje tjetër në kasetat e sigurisë. Konkretisht, parashikohet që prokurori mund të vendosë sekuestrimin pranë bankave të dokumenteve, letrave me vlerë, shumave të depozituara në llogari rrjedhëse dhe çdo gjëje tjetër, edhe nëse gjenden në kasetat e sigurisë, kur ka arsye të bazuara për të menduar se ato kanë lidhje me veprën penale, edhe kur nuk i përkasin të pandehurit ose kur nuk janë në emër të tij. Në këto raste, prokurori paraqet kërkesë për vleftësim në gjykatë brenda 48 orëve nga vendosja e sekuestros. Nëse gjykata nuk e vleftëson sekuestrimin të ligjshëm brenda 48 orëve nga marrja e kërkesës, sekuestroja bie dhe sendet duhet të kthehen.

Projektligji parashikon rregulla të reja për kontrollin e vendeve dhe kontrollin personal. Konkretisht, parashikohet që, kur i pandehuri kërkon praninë e mbrojtësit gjatë kryerjes së kontrollit, organi procedues shtyn kryerjen e kontrollit deri në mbërritjen e mbrojtësit, por jo më shumë se 2 orë nga momenti që mbrojtësi ka marrë dijeni për kontrollin.

Gjatë kësaj kohe, organi procedues mund të kufizojë lëvizjen e personit të interesuar dhe personave të tjerë që ndodhen në vendin që do të kontrollohet. Kur i pandehuri nuk kërkon mbrojtës ose nëse mbrojtësi nuk paraqitet në afatin e caktuar e mësipërm, organi procedues cakton një mbrojtës kryesisht. Organi procedues mund të kontrollojë personat e pranishëm, kur çmon se këta mund të fshehin provën materiale ose sendet që i përkasin veprës penale.

Ai mund të urdhërojë që të pranishmit të mos largohen para se të mbarojë kontrolli dhe të kthehen forcërisht ata që largohen. Kur nuk njihet ose nuk gjendet pronari ose poseduesi i sendit, organi procedues kryen kontrollin në praninë e detyrueshme të mbrojtësit të caktuar kryesisht.

2 komente në “Zyrtarët e korruptuar në Shqipëri, sekuestrim çdo sendi të dyshimtë në banesën e tyre”

  1. reforma drejtesi si LSI says:

    hhahahhahaha, kjo eshte nje shaka ose humor kinez…..


    ja pse u gezuat pak si heret o milet naiv


    po pse nuk thuet, vetingu te filloje me Edvin Ramen e Ilir meten


    e mo kamunistat e djallit, nuk ndryshoni ju , jo.

  2. sula says:

    Maloku Gjin Gjoni,ka mentalitet familjar primitiv,cs parate vihen me shume nen dyshek se ne banka,prandaj kujdes!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje