2016, portali e-albania – një vit i rritjes dhe transformimit të shërbimeve

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

baner_ealbania02 (2)Qeveria shqiptare e ka cilësuar vitin 2016 si një vit të suksesshëm reformash dhe ndryshimesh. Në këtë kuadër, një vend i dalluar i takon patjetër përmirësimit të shërbimeve publike ku një rol thelbësor ka portali unik qeveritar e-albania.

Për fat të keq mbulimi mediatik i zhvillimeve të kësaj natyre – kaq të rëndësishme për zhvillimin e vendit është ende larg të qenit pjesë e “lajmit”, apo edhe e analizave dhe opinioneve. Kjo ka arsyet e veta, por në asnjë rast nuk mundet që heshtja relative apo neglizhenca të nënkuptojë të vërtetën. Kjo pasi në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, që është premisë për krijimin e portalit dhe të cilën ai synon ta promovojë, çdo gjë është e matshme.

Dhe shifrat na lejojnë që të jemi optimistë apo dhe entuziastë.

Në vitin 2016 në portal u regjistruan rreth 70 mijë përdorues të rinj, u shtuan 88 shërbime elektronike të nivelit 3 dhe 4 duke numëruar aktualisht 336 shërbime elektronike dhe pritet që deri më datën 31 dhjetor kjo shifër të arrijë në mbi 400 shërbime të këtyre niveleve.

Çfarë do të thotë kjo në praktikë?

Në praktikë kjo do të thotë që një gamë e madhe shërbimesh publike që deri më dje ofroheshin vetëm në modelin tradicional, që kërkonin paraqitje në zyrat përkatëse, aplikim shkresor, pritje në radhë, plotësim formularësh etj., sot merren në rrugë elektronike,me një sportel, nga një aparat telefoni smartphone, një kompjuter në shtëpi.

Në terma të thjeshtuar, kur themi shërbime të nivelit 3 dhe 4 e kemi fjalën për një përcaktim standard UN 2014, sipas të cilit:

Shërbimet e nivelit 3 janë shërbime që pranojnë aplikime të shumëllojshme, por përgjigja e institucionit ofrohet në formë fizike apo në zyrat përkatëse. 

Kurse shërbimet e nivelit 4 shkojnë një shkallë më lart; mundësojnë përfundimin e aplikimit, pra edhe marrjen e përgjigjes nga institucioni në rrugë elektronike.

Dy shembuj shumë pozitivë në këtë drejtim e që prekin dy kategori shërbimesh të tipit Qeveri – Biznes(G2B) dhe Qeveri – Qytetar(G2C) janë shërbimi e-lejet, lançuar në muajin prill të këtij viti dhe e-prona që ndërfaqëson me qytetarët të gjithë gamën e shërbimeve të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në rrugë elektronike.

Shërbimet e-Lejet janë ndër më të përdorurit në portal në vetëm pak muaj, kurse shërbimet e-prona,të shtuara së fundmi, ofrojnë një mundësi të madhe për të gjithë qytetarët për trajtimin dokumentar të pronës së tyre. Në total janë 70 shërbime që sot mund të kryhen online, pa patur nevojën për të shkuar në zyrat e rretheve, aplikuar në rrugë shkresore, pritur në radhë etj.

Ka edhe shembuj të tjerë po kaq të rëndësishëm.

Aplikimi për kartë shëndeti, një gamë shërbimesh që lidhen me pensionet, kërkesa për kontrollin e tyre, aplikime, listat e barnave të rimbursueshme, shërbimet e dixhitalizuara për automjetet duke nisur që nga kontrolli gjendjes së tyre, taksat, detyrimet dhe gjobat e të gjitha niveleve, bashkë me pagesën e tyre online si dhe një gamë e re e shërbimeve konsullore online, janë një paketë që ka transformuar raportin e shërbimit të administratës me qytetarin dhe biznesin.

Po kaq i rëndësishëm është fakti që aplikuesit duhet të kuptojnë mirë se portali ofron të gjitha informacionet dhe të dhënat mbi politikat qeveritare dhe rrugët që duhen ndjekur për të marrë shërbime apo për të përfunduar aplikime (niveli 1 dhe 2 ofron informacion zyrtar mbi dokumentacionin dhe procedurat e nevojshme për marrjen e shërbimit në administratën publike). Pra kursimi i kohës dhe kostove që na krijohen rëndom kur i drejtohemi një zyre, e cila të drejton në një zyrë tjetër, për të plotësuar atë zinxhirin dokumentar për një shërbim, eliminohet duke marrë informacion të përqendruar dhe hollësishëm.

E qartë pra se shërbimi që merr sot qytetari shqiptar përmes portalit qeveritar e-albania, përfaqëson një hop cilësor në disa drejtime: ai është më i shpejtë, i pakufizuar në kohë duke kursyer kohë si dhe kontribuon në arritjen e objektivave të projektit të qeverisë “PaperLess”, projekti që synon zëvendësimin e shërbimeve tradicionale mes institucioneve publike dhe qytetarëve me shërbime tërësisht elektronike (pa letër). Kjokursen një sasi të pafundme materiali, siguron transparencë dhe barazi në shërbim. Nga ana tjetër, ai krijon përmes kërkesës për regjistrim dhe autentifikim sipas strategjisë tëSingle-Sign-On(pra regjistrimit vetëm një herë dhe mandej vetëm identifikim) një regjistër dinamik që pasurohet përditë dhe që i shërben më mirë institucioneve të ndërtojnë mandej politika të reja, apo të bëjnë përmirësimin e korrigjimin e tyre. Por edhe për të krijuar mundësinë e statistikave të sakta për shërbimet.

Dhe ju ftojmë të aplikoni(për ata që nuk e kanë bërë) në www.e-albania.al për të vlerësuar vetë se këto janë fakte të prekshme. Se qeverisja elektronike është një realitet i pakthyeshëm për Shqipërinë çka duhet kuptuar mirë se kjo është një rrugë që e bën qytetarin pjesëmarrës në të sipas parimeve të iniciativës Open Government Partnership.

“Axhenda dixhitale e Shqipërisë 2015-2020”, hartuar nga Ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, është dokumenti ku bazohet portali qeveritar e-albania dhe ajo niset nga këto standarde duke garantuar që çdo investim që bëhet sot të ecë dora dorës me kërkesat e që shtron koha, por edhe t’i përgjigjet objektivave të shpallura në BE ku Shqipëria pret të anëtarësohet.

Vlen për t’u përmendur në fund edhe se vlerësimi pozitiv për këtë punë dhe këtë transformim merr tjetër pamje po të shohim historikun e shkurtër të portalit dhe dinamikën e rritjes së tij.

Versioni i parë i tij u krijua nëfund të vitit 2012 bashkë me Platformën Qeveritare të Ndërveprimit ku integrohen sistemete institucioneve shtetërore.Në vitin 2013 u lidhën 6 sisteme në Platformën Qeveritare të Ndërveprimit dhe portali kishte vetëm 14 shërbime elektronike të nivelit 3 dhe 4. Në vitin 2014 u bë ridizenjimi i portalit duke sjellë për qytetarin dhe biznesin pamjen që ka sot. U krijua Platforma Qeveritare e Pagesave Elektronike dhe u zgjerua numri i institucioneve të lidhura në17. Po këtë vit, portali numëroi 119 shërbime elektronike të nivelit 3 dhe 4. Në vitin 2015 kemi një kapërcim shumë të madh: 248 shërbime të nivelit 3 dhe 4 dhe 37 sisteme të lidhura në Platformën Qeveritare të Ndërveprimit.

Për vitin 2017, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit që mbikëqyr dhe drejton punën në portal, planifikon që numri i shërbimeve elektronike në të të arrijë 550 duke numëruar kështu 1000 shërbime në total(pra shërbime të të gjitha niveleve).

Duhet vetëm që ju të nderuar qytetarë të përdorni portalin për të ndjerë ndryshimin e madh që ka ndodhur në shërbimin publik.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *