Credins Bank ka shpallur tri skulpturat më të mira në konkursin me temë “Credins një bankë për Artin – Një skulpturë më shumë për Tiranën” dhe në fazën e dytë do të përgjidhet nga këto tri vepra skulptura më e mirë.
Në këtë konkurs u paraqitën 34 vepra nga data 25 nëntor dhe qëndruan në ambientet e bankës për një muaj.
Juria e përbërë nga artistë dhe drejtues të bankës pas pëzgjedhjes së tri veprave më të mira, në fazën e dytë do të përzgjedhë veprën më të mirë për ta instaluar në hyrje të degës qendrore të Bankës, duke i shtuar edhe qytetit të Tiranës një vepër arti më shumë.
Juria e konkursit “Një bankë për artin – një skulpturë më shumë për Tiranën”, bëri përzgjedhjen e tri veprave që do të vazhdojnë në fazën e dytë të konkursit deri në përzgjedhjen e veprës finale që do të instalohet në pranverë të vitit 2017 në hapësirën në hyrje të selisë qendrore të “Credins Bank” në rrugën Vaso Pasha, Nr 8.
Artistët e përzgjedhur janë: Heldi Pema me veprën “Valltarët”, Butrint Morina me veprën “Rruga drejt Suksesit, “Kreshnik Xhiku me veprën “Monedha”. Juria e konkursit dhe “Credins Bank” falenderojnë të gjithë pjesmarrësit në konkurs.
Veprat e prezantuara na befasuan me larminë e koncepteve, origjinalitetin dhe vizionin që na përcollën. Të 34 punët e paraqitura nga krijues brenda dhe jashtë Shqipërisë, ishin frymëzuese dhe e bënë të vështirë zgjedhjen finale të jurisë.
Bashkëpunimi ynë me artistët dhe krijuesit është një projekt afatgjatë, pjesë e vizionit për të qenë banka inovative, lider në treg, banka e parë shqiptare që mbështet zhvillimin e bizneseve dhe familjeve shqiptare, në shërbim të të gjitha komuniteteve, përfshirë edhe ato artistike.