Mirdita, një kantier ndërtimi. Kryebashkiaku Dedaj: Vitin 2017 do t’a perifrazoja me vetëm një fjalë, projekte

27 Dhjetor 2016, 23:15Sociale TEMA

Me vetëm pak më shumë se një vit në krye të bashkisë së Mirditës, kryebashkiaku Ndrec Dedaj e ka kthyer atë në një kantier pune. Punohet në tërë perimetrin e qytetit të Rrëshenit për t’i dhënë një fytyrë të re këtij qyteti; me shesh të ri, rrugë hyrëse dhe dalëse të re, unazë qyteti, shkollë të mesme të rikonstruktuar bashkë dhe me godinat e administratës por dhe nderhyrjet e mepasme ne pallatet e banorëve dhe rikualifikime urbane, gjelbërim dhe ngjyra. Një rilindje të vërtetë urbane, për të cilën kishte nevojë ky qytet, kryeqendër e Mirditës.

Por paralel, puna vijon me sistemimin e rrugëve, një pjesë të përfunduara, një pjesë në ndërtim e sipër në të gjithë bashkinë, duke bërë që arteriet e këtyre rrugëve të mundësojnë arritjen më shpejt në Kurbnesh, Bukmirë, Konaj, Orosh, Malaj e deri në projektin pak më të largët në Ulëzen turistike e gjetke.

Njëherësh ka vend dhe për përgatitjen e vitit të ardhshëm për të vënë tokat e fshatrave nën ujë, përmes kanaleve vaditëse të sistemuara dhe rezervuareve të rikthyer në funksion e te tjera projekte ne vazhdim. Kreu i bashkisë Dedaj ka vetëm një fjalë për vitin e ardhshëm: Projekte! Dhe do ia dalë.

Zoti kryetar,edhe pak ditë dhe hap siparin një vit i ri. Çfarë ishte për ju dhe bashkinë Mirditë që drejtoni, viti 2016?

Vitin 2016 mund t’a p
ërkufizoja si një vit të vrullshëm, të mbushur me plot punë konkrete për Bashkinë Mirditë dhe përballjen me sukses ndaj një sërë sfidash me ndikim tek qytetarët.

Ndërsa bëjmë “bilancin” e vitit që po lëmë pas, them me plot bindje se projektet e nisura dhe të implementuara në vitin 2016, po shërbejnë si një motiv e frymëzim për të patur një tjetër vit të suksesshëm, me më shumë sfida dhe shërbime ndaj qytetarëve. Mirdita tashmë ka marrë pamjen e një kantieri ndërtimi, e një vëndi ku punët konkrete po ndikojnë në mënyrë direkte tek banorët.

Në perceptimin e publikut, a mendoni se jeni duke i përmbushur premtimet që ju i keni shpallur në platformën elektorale dhe dëgjesat publike me hartimin e planit operacional?

Platforma elektorale ishte një përmbledhje e nevojave të qytetarëve të Mirditës, të identifikuara gjatë dëgjesave publike. Thënë kjo, të gjitha idetë, projektet dhe planet e prezantuara do të realizohen gjatë mandatit tim.

Ndërkohë, një tjetër dokument i rëndësishëm është edhe Plani Operacional i hartuar në pranverën e vitit 2016, në të cilin identifikohen edhe një herë nevojat dhe ndërhyrjet imediate në territorin e Bashkisë Mirditë. Të gjitha projektet dhe punët e realizuara deri më tani, kanë qenë produkt i ndjekjes me përpikmëri të platformës së prezantuar para qytetarëve dhe Planit Operacional. Lidhur me perceptimin e publikut, ajo që mund të them është se projektet konkrete kanë sjellë një frymë pozitive tek qytetarët, fakt ky që na motivon edhe më shumë për t’a bërë Mirditën një ndër vendet cilësisht më të jetueshme në Shqipëri.

Cilat kanë qenë vështirësitë më evidente përgjatë kësaj periudhe, sidomos sa i përket faktit që operohet në një terren të ri të administrimit territorial siç është bashkia e re, si njëra prej 61 njësive te qeverisjes vendore?

Këtë periudhë mund t’a konsideroja sukses në zgjidhjen e vështirësive sa i takon punës për Bashkinë Mirditë. Mbledhja e të ardhurave përbënte një shqetësim dhe pengim në mbarëvajtjen e funksionimin e Bashkisë. Në fund të këtij viti mund t’a them me krenari se Bashkia Mirditë ka shënuar sukses në mbledhjen e të ardhurave dhe uljen e ndjeshme te shpenzimeve. Ndërsa mbetet ende shumë punë për t’u bërë, sidomos në aspektin e ndërgjegjësimit të qytetarëve dhe bizneseve për pagesën e taksave dhe tarifave vendore.

Në realizimet e projekteve, si qëndrojnë raportet në mes investimeve qëndrore dhe atyre që vijnë si produkt projektesh nga të ardhurat?

Mbledhja me sukses e të ardhurave nga Bashkia Mirditë do të përkthehet në investime dhe projekte konkrete. Nga ana tjetër dëshiroj të theksoj rëndësinë e bashkëpunimit Qeveri-Bashki në zbatimin e projekteve me rëndësi dhe impakt të madh tek banorët e Mirditës. Të ardhurat e Bashkisë janë shumë herë më të vogla se granti që na jep qeveria. Taksat që merren nga bizneset janë disa herë më të vogla krahasuar me qytetet e tjera, ndërsa vlen për t’u shtuar fakti se numri i bizneseve është i vogël.

Qeveria ka dhënë një sërë mbështetjesh për Bashkinë tonë ku mund të përmendja: Mbrojtja lumore në Mashterkor, Rehabilitimi i Sheshit “Abat Doçi” në Rrëshen, Rehabilitimi i sistemit vaditës Malaj 2, Rikonstruksionin e Gjimnazit Rrëshen.

Ndërkohë Bashkia Mirditë ka bërë të mundur kthimin në normalitet të shumë rrugëve rurale të cilat ishin të pakalueshme më parë, ndërsa kemi bërë të mundur ndërhyrjen në digën e rezervuarit Malaj 1, Sheshaj, si dhe kemi dërguar 3000 metra tuba vaditës cilësorë për të mundësuar kalimin normal dhe të qëndrueshëm të ujit në zona të vështira, duke bërë të mundur sigurimin e ujit për tokat që kishin dekada pa u vaditur.

Bashkia Mirditë gjithashtu ka ndërmarrë një tjetër iniciativë pozitive në fushën e projekteve. Në vitin që po lëmë pas, Bashkia Mirditë themeloi Fondacionin për Zhvillimin e Mirditës, një Organizatë Jo-Fitimprurëse që do të ketë në fokus pikërisht shkrimin dhe aplikimin në projekte zhvillimore në ndihmë të Bashkisë.

Ndërkohë po përpiqemi të sjellim investitorë të huaj për të shfrytëzuar resurset natyrore që ka Mirdita, por edhe për të nxitur biznesin vendas, duke u fokusuar tek bujqësia, pemëtaria, punishtet e vogla, agroturizmi etj.

Duke qëndruar sërish tek projektet, përgjithësisht ka një dukuri që lidhet me disbalancimet në mes rajoneve, qoftë dhe zonave, a mendoni se ky raport ka qenë më i zbutur sa i përket zonave si prsh Fani apo Selita e largët e me radhë dhe si do te operohet ne vazhdim?

Secila njësi administrative ka specifikën dhe nevojat e saj. Thënë kjo, ndërhyrjet konkrete do të bazohen në projekte që lidhen kryesisht me infrastrukturën rrugore,  sistemin vaditës, nxitjen e bujqësisë etj.

Në vitin 2017, Bashkia do të publikojë Planin Strategjik të saj ku do të specifikohet konkretisht vizioni për gjithë territorin e Mirditës për vitet në vijim. Ky dokument do të shërbejë si udhërrëfyes për implementimin e projekteve zhvillimore në çdo njësi administrative.

Shihet se është operuar më shumë në fushën e infrastrukturës rurale sidomos në zona, dhe atë të vaditjes, pse jeni fokusuar në këtë drejtim, dhe ku është  dhënë  më se shumti impakti pozitiv?

Pas diskutimeve me banorët, analizës dhe studimit, është identifikuar si prioritet numër 1, rikonstruksioni i rrugëve rurale, të cilat për rreth 20 vite ishin lënë në harresë. Në vitin 2016, Bashkia Mirditë realizoi kthimin në normalitet të në një sërë rrugësh rurale me ndikim në pothuajse 63% të popullsisë së Mirditës. Vizioni ynë është që një pjesë të tyre sipas fizibilitetit social t’i kthejmë në rrugë të asfaltuara, të cilat në mënyrë direkte do të rrisnin cilësinë e jetesës për banorët e zonave rurale. Por nuk do te lihet pas dore as dhe një rrugë në fshatrat e Mirditës.

Sa i takon sistemit vaditës, është e nevojshme stimulimi i bujqësisë dhe si e tillë një ndër masat e para i përkiste ndërhyrjes në këtë fushë. Në vitin që po lëmë pas kemi ndërhyrë në disa rezevuarë, ndërsa kemi bërë të mundur dërgimin dhe vendosjen e disa tubave vaditës.

Në drejtim të rritjes së efikasitetit të administratës, a mendoni se është bërë sa duhet dhe a u përgjigjet ajo zhvillimeve dinamike që ka përfshirë Mirditën?

Lidhur me efikasitetin e administratës mund të them se mbetet ende për t’u përmirësuar, ndërsa vlen të theksohet se është e nevojshme trajnimi i saj në disa fusha. Kjo gjë do të mundësohet edhe përmes bashkëpunimit me qeverinë dhe organizma ndërkombëtarë në vendin tonë, ku janë ndërmarrë disa nisma konkrete për këtë problem.

Çfarë është bërë deri më tash për një Mirditë shpirtërore, që lidhet me artin, kulturën, sportin, argëtimin e targeteve të ndryshme moshore etj, dhe cfarë mendohet për më tej?

Të gjitha fushat që ju përmendni kërkojnë vëmendjen e caktuar dhe patjetër që kanë nevojë për ndërhyrje konkrete. Sa i takon kulturës, përmes Fondacionit për Zhvillimin e Mirditës është bërë e mundur sigurimi i një granti për rivitalizimin e Ansamblit ‘Mirdita’ dhe përmirësimin e teknologjisë, një projekt i cili do të ketë vazhdimësi dhe vëmendje të veçantë në vijim.

Në vitin që po lëmë pas, Bashkia Mirditë ka organizuar dhe marrë pjesë në një sërë eventesh zonale dhe kombetare, që pasqyrojnë qartësisht vlerat kulturore dhe artistike të saj.

Konkretisht, për vitin e ardhshëm, si asnjë vit tjetër, është menduar akordimi i një fondi të veçantë për Kulturën në Buxhetin e Bashkisë 2017.

Lidhur me argëtimin e grupmoshave të ndryshme, vlen të theksoj se jemi në fazën e përgatitjes së disa projekteve madhore, që do të kenë padiskutim impakt pozitiv direkt tek qytetarët.

Viti 2017, në optikën tuaj, çfarë do të sjellë për bashkinë Mirditë, cilat do të jenë disa prej projekteve të fokusuara?

Fillimisht viti 2017 do të jetë viti i përfundimit të disa projekteve të nisura në 2016, si për shembull: Rehabilitimi i Sheshit të qytetit të Rrëshenit, ku duhet theksuar ndërhyrja me themel në kanalizimet e brendshme për të cilat qyteti ishte në gjendje katastrofale duke krijuar kësisoj një rrjet kapilar të gatshëm për pjesët e tjera të qytetit; Rikonstruksionit të Gjimnazit Rrëshen me një pamje dhe funksionalitet modern, Rehabilitimin e Rrugës hyrëse të Rrëshenit, tashmë të stabilizuar pa patur më nevojë për veshje e riveshje vit pas viti si deri më sot, etj.

Vitin 2017 do t’a perifrazoja me vetëm një fjalë: Projekte!

Projektet do të fokusohen në infrastrukturën rrugore, sistemin vaditës, nxitjen e turizmit, zgjidhjen e problemeve të grupeve të margjinalizuara të shoqërisë, ndërtimin e një tregu në qytetin e Rrëshenit, rikonstruksionin e kopshtit të fëmijëve po në këtë qytet dhe një qendër sociale për të moshuarit, krijimin e programeve të nxitjes së punësimit ku një fokus të veçantë do të kenë  të rinjtë etj.

Suksesi i deritanishëm është meritë e qytetarëve të Mirditës në rradhë të pare, pasi nëpërmjet votes, më dhanë mundësinë për të pëmbushur dhe bërë realitet projektin tim për Mirditën.

Në përfundim, dëshiroj të bëj edhe një urim për të gjithë qytetarët me rastin e festave të fundvitit. Shëndeti e mbarësia ju shoqëroftë Ju e familjet Tuaja! Një vit të begatë uroj për të gjithë shqiptarët e në veçanti për qytetarët e Mirditës.

 

2 komente në “Mirdita, një kantier ndërtimi. Kryebashkiaku Dedaj: Vitin 2017 do t’a perifrazoja me vetëm një fjalë, projekte”

  1. Qytetar says:

    Bravo administratorë të tillë ju duhen qyteteve që të mund të quhen të tillë se ishin kthyer më gërmalla.
    E kuptoni ça vjedhje është bëtë në Bashkinë e Tiranës për 4 vjet që drejtoi Lulushi?
    Ku kanë shkuar gjith ato lek për 4 vjet.Duke parë volunin e punës që po bëhet tani që natyrisht duan para del konkluzjoni.Në xhepat e ndyrësirave.Kështu ka ndodh kudo ku ata kanë drejtuar.Kjo po ndodh dhe tani në Shkodër megjithse për Ta kam mendim se e meritojnë se gjithmon plehrat dhe hajdutët kanë zgjedhur për ti drejtuar.

  2. Pirust Mirdita says:

    Koha e lulushkave qe vetem flinin gjume me mendjen ne Bruksel ka mbaruar nje here e mire…Jo ne Brukselin e politikes, por ne ate familjar…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje