Politika dhe gjyqësori, “binjakët” e Vetting-ut

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

vangjeliNga Lorenc Vangjeli

Në këtë muaj që po mbyllet mbushet pothuaj fiks një vit nga miratimi i ligjit për dekriminalizimin. Dhe gati pothuaj fiks dy vjet nga nisja e debatit ndoshta më të panatyrshëm në politikën shqiptare: nevojën për ndarjen e saj nga krimi që pretendohet se ka depërtuar deri në vendimmarrjen politike të vendit.

Çfarë ndodhi dhe pritet të ndodhë në epilog të këtij procesi, ishte thjesht e paimagjinueshme në nisje të tij. Nuk e priste opozita që aksionin e saj të denoncimit e mbajti në tone epike dhe dramatike. Duke “shpikur” numrin e 19 deputetëve të majtë që duhet të shkonin me turp në shtëpi për shkak të së kaluarës dhe duke çuar paradhënie në shtëpi dhjetra zyrtarë të ulët e të mesëm të administratës, që kanë pasur llogari kriminale në të shkuarën e tyre. Me gjasë, edhe duke e bërë më të përgjegjshme pozitën në emërimet e saj të para në administratë dhe duke shtrënguar më shumë filtrat e kontrollit në emërime. Pikërisht ato filtra që në euforinë e fillimit pas ardhjes në pushtet ishin të shkrehura e të shuara.

Dhjetorin e këtij viti dhe nuk e priste as pozita e cila lëshoi në mënyrë të përshkallëzuar terren: në fillim indiferente, pastaj mbrojtëse dhe shfajësuese dhe më pas edhe bashkëfajësuese e bashkëkrijuese e të njëjtës situatë me opozitën. Si shumë rrallë herë të tjera, megjithatë, edhe pozita, edhe opozita u bënë bashkë duke lejuar të kalojë një ligj konsensual kundër fenomenit. Me firmosjen e këtij akti ligjor, politika pranoi ekzistencën e tij dhe zgjodhi ndoshta me vetëdije një rrugë shumë të gjatë e të ndërlikuar, fundi i të cilës, do ta dëmtonte moralisht vetë politikën dhe besimin e publikut tek ajo, që edhe pa këtë akt, ishte dhe është në nivele shumë të ulët.

Në fakt, më shumë se gjithçka tjetër, ligji për dekriminalizimin ishte “vetting”-u i parë që i bëhej politikës, kur vetë politika, me mjete politike tentoi vetëpastrimin e saj. Ai është hapi i parë edhe për “vetting”-un që pritet të prekë një pushtet tjetër shumë konkret në Shqipëri, si pushtetin gjyqësor. Fati i tyre ngjan kështu i pazgjidhshëm dhe ata janë si dy binjakë të lindur në kohë të ndryshme.

Në këtë dhjetor të fundit, beteja për “dekriminalizim” është bërë konkrete. Tre emrat e parë të identifikuar nga prokuroria se sipas ligjit u duhej ndërprerë mandati – Selami, Tahiri dhe Roshi – nisën një spirale të paqartë të së nesërmes së tyre jo vetëm vetjake. KQZ-ja e mbledhur të martën e pati të pamundur të marrë një vendim të shpejtë dhe e vetmja masë që mundi të firmosë, ishte shtyrja e vendimit të saj. Jo sepse mbledhja e parë u mbajt të martën dhe se e marta është ditë “terse’, por se i gjithë procesi ka nisur me këmbë jo të mbarë. Eshtë e lehtë të parashikohet se cilido qoftë vendimi i saj në datën 29 dhjetor kur është lënë mbledhja e rradhës, konsensusi i dhjetorit të vitit të shkuar për të “ndëshkuar krimin në politikë”, është i rrëzuar. Qoftë dhe për shkak të “stilit konsensual” të prokurorisë që tre emrat e parë që dërgoi në KQZ i qëmtoi me parimin “e gjithëpërfshirjes sa më të madhe të mundshme politike”. Domethënë, duke prekur të gjithë spektrin politik të vendit nga e majta në të djathtë.

Kjo histori me gjasë do të trokasë edhe në dyert e Gjykatës Kushtetuese, siç u paralajmërua. Çka do të sjellë edhe më tej shtyrje të mjaftueshme për ta bërë dhjetorin e sivjetshëm, qershor të vitit të ardhshëm. Dhe në qershor janë zgjedhjet e përgjithshme, të vetmet që mund të japin zgjidhje për lëmshin e ngatërruar njerëzor të krimit dhe të politikës. Ku nuk merret vesh se kush është gjilpëra, kush është spangoja dhe cila është nyja që e mban qepur këtë pelerinë turpi të të gjithëve. Në të gjitha rrethanat, edhe ligji më i mirë i mundshëm, është i pamjaftueshëm për të gjetur zgjidhje përfundimtare të një fenomeni, cilido qoftë ai, nëse zbatimi i tij nuk mbështetet para së gjithash, në ligjin moral. Që vetë morali i shoqërisë të mos pranojë të duartrokasë analfabetin e pasur përpara profesorit të varfër të  universitetit.

Tani është rradha e njërëzve me mandat politik, nesër është rradha e njerëzve të sistemit të drejtësisë. Duke parë çfarë do të ndodhë me të parët, është e lehrtë të shihet edhe se çfarë fati do të kenë të dytët. Shpresa njerëzore është shpesh si dëbora: në dhjetor ngjan se do të jetë e përjetshme. Dhe historitë me përjetësi janë edhe lojë e preferuar, edhe kurth në të njëjtën kohë. (Javanews.al)

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “Politika dhe gjyqësori, “binjakët” e Vetting-ut”

  1. sinan hibri says:

    Kur mendimet dhe idea eshte e qarte edhe stili eshte brilant ; thjeshte dhe bukur !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *