Veliaj ndaj kritikeve: Boll me baltë në banaqe televizionesh, kapni lopatën e mbillni pemë po e doni qytetin

veliajNjë nga zonat që deri pak kohë më parë shërbente si vendgrumbullimi për mbetjet urbane nga banorët e njësinë nr. 11, tashmë po shndërrohet në një hapësirë tërheqëse për qytetarët. Bashkia e Tiranës nisi sot punën për krijimin e një parku të ri urban në zonën e Laprakës me mbjelljen e 320 fidanëve të rinj, si pjesë e operacionit më të madh të gjelbërimit të qytetit, për të krijuar atë që në Planin e Përgjithshëm Vendor njihet si “Pylli Orbital”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se Bashkia e Tiranës do të vijojë të punojë me intensitet edhe në këto ditë festash. Ai deklaroi se kjo zonë, e cila deri pak kohë më parë ka qenë një vendgrumbullim për mbetjet, do të kthehet në një hapësirë rekreative fantastike për mijëra banorë të Laprakës. 

“Më vjen mirë që sot fillojmë parkun urban të Laprakës. Ka qenë një zonë totalisht e djerrë, si një kosh hedhurinash, ndërsa sot po nisim një park urban, i cili do u shërbejë mijëra banorëve që jetojnë në pallatet e reja, por edhe në pjesët që janë të zhvilluara rishtaz nga banorët e ardhur në vitet ’90. Do të jetë një ambient fantastik për ata që do kenë mundësi të kalojnë kohën e tyre të lirë. Jo të gjithë e kanë mundësinë apo kohën të shkojnë tek liqeni apo në parqet e mëdha, si Kashari, Farka, që po pyllëzojmë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranes shtoi se krijimi i këtij parku do të rrisë edhe vlerën e pronës së qytetarëve. Duke u ndalur në Planin e Përgjithshëm Vendor që pritet të miratohet në mbledhjen e Këshillit Bashkiak në datë 29 dhjetor, Veliaj tha se ky projekt është diskutuar gjerësisht, pasi u zhvilluan mbi 30 dëgjesa me qytetare, eksperte, urbaniste e arkitekte. 

“Kemi pasur mbi 30 dëgjesa, jo vetëm në 24 njësitë, jo vetëm me shoqatën e arkitektëve, grupet e biznesit, këshilltarët e Këshillit Bashkiak, por ia kemi bërë këtë ftesë shoqërisë civile e kujtdo. E di që ditët e fundit janë kujtuar disa njerëz që pas një viti diskutimesh për planin urbanistik duhet të pyesim edhe disa ekspertë të baltës. Për të gjithë ekspertët e baltës, unë u them: Kishit një vit kohë për të na thënë gjithë opinionet që kishit, por nëse hidhni baltë, kam vetëm një rekomandim: Më mirë merrni një lopatë dhe mbillni një pemë sepse është më e dobishme për qytetin se sa rendja banak më banak për të hedhur baltë”, tha ai. Kryetari i Bashkisë u shpreh se ambicia e Bashkisë së Tiranës është që në 15 vitet e ardhshme të mbillen 2 milionë pemë të reja. 

“Sikur të gjithë ekspertët e baltës të kishin mbjellë nga një pemë për çdo shpifje e cifël balte që hedhin mbi Bashkinë e Tiranës, do i kishim ato 2 milionë pemë. Fjalët e tepërta janë fukarallëk. Kush do të kontribuojë, ka lopatë, pemë. Kush do që ta gjelbërojë Tiranën e të ndihmojë konkretisht, le ta bëjë konkretisht! Baltosja e Bashkisë, punëtorëve të qytetit që punojnë çdo ditë për Tiranën e ëndrrave tona, nuk është mënyra për të ecur përpara. Jemi një Bashki që jemi fokusuar te puna dhe jo gallata. Mjeshtrat e llafeve të vazhdojnë nëpër studio, mjeshtrat e punës do të vazhdojnë në terren”, tha Veliaj.

Drejtoresha e Politikave dhe Edukimit Mjedisor në Bashkinë e Tiranës, Diana Mile, tha se ky park nuk do të jetë i vetëm, por do të pasohet edhe me të tjerë në zonat periferike të kryeqytetit. “Këto parqe mendohen të jenë në periferi në zonat më të urbanizuara dhe që e kanë shumë të nevojshëm pastrimin e ajrit, por njëkohësisht edhe sistemimin e hapësirave dhe të vendeve çlodhëse për banorët”, tha Mile.

Në një sipërfaqe prej 4000 m2, përveç mbjelljes së pemëve, parashikohet edhe sistemi i të gjithë sheshit, mbjellja e luleve dekorative si dhe vendosja e stolave, çka pritet që ta shndërrojë këtë zonë në një hapësirë çlodhëse për të gjithë banorët e Laprakës.

REMOTE_ADDR:[]

2 komente në “Veliaj ndaj kritikeve: Boll me baltë në banaqe televizionesh, kapni lopatën e mbillni pemë po e doni qytetin”

  1. drejtesia says:

    Po ne Elbasan qe nuk mbillen peme gjelberimi anes rrugeve ne qyete dhe me qindra qe jane thare nuk zevendesohen pasi thojne se nuk ka fonde sepse i merr bashkia e Tiranes .Ne kete qyetet nuk ka kinema prej 6 vjetesh se e shkatarruan per te bere nji pallat te qelbur.Kur qe Rama minister Kulture u dhane miljon leke per kinema millennium ,por tani u shkatarruar per turp.!!!!!!!!!!!!!!!!!! Askush nuk mban pergjegjesi

  2. DETARI Atlantidhes @ says:

    Bravo Erion !
    Kush punon ,hallall karrigen si te kryeministrit ,ministrit dhe te kryebashkiakut .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *