Dekriminalizimi të zbresë tek paratë e fushatës

30 Dhjetor 2016, 14:34Blog TEMA

Nga Mentor Kikia

Ligji i dekriminalizmit shënoi përpjekjen e parë serioze për të larguar nga nga politika personat e inkriminuar. Nuk dihet nëse është koiçidencë fakti që “viktimat” e para ishin tre persona, një nga secila parti, PS, PD dhe LSI, edhe pse mandati i deputetit Tahiri pritet ti kalojë mazhorancës, për shkak se ai i përket PDIU-së tashmë në koalicionin qeverisur. Gjithësesi, vendimi i KQZ-së, përtej përshëndetjeve korteziale të partive dhe ambasadave të huaja, është një pikë kthese e rëndësishme në marrëdhëniet e politikës me krimin. Janë apo jo këta të tre përfaqësuesit tipikë të martesës së shumëdebatuar të politikës me krimin, kjo është një çështje që ha diskutim, por e rëndësishme është që bisturia filloi të presë mbi një plagë tumoriale që kishte shënuar kulmin e degradimit të politikës në Shqipëri. Parlamenti aktual dhe zgjedhjet e fundit vendore shënuan padyshim depërtimin më të madh në politikë të njerëzve të implikuar në krime, gjë e cila çoi edhe në nevojën urgjente të miratimit të ligjit të dekriminalizimit. Ndërsa ka nisur të prekë tashmë personazhet e para, duke shpresuar që këta të mos jenë të fundit, në një mjedis ku lënda e parë duket se është me shumicë, efektet e këtij ligji pritet të ndjehen më qartë në zgjedhjet paralamentare. Kandidatët për deputetë do ti nënshtrohen filtrit të këtij ligji për tu penguar të shndërrohen në ligjvënës.

Por për të shpresuar realisht që ligji do të pengojë njerëzit e botës së krimit të futen në politike duhet të shikojmë pak kronologjinë se si dhe përse këta njerëz iu afruan politikës dhe përse e gjetën derën hapur. Arsyet mendoj se janë dy: Këta njerëz, iu afruan politikës sepse kërkonin të forconin garancinë që nuk do të prekeshin nga ligji. Në vend që të pagunin para për të korruptuar organet ligjzbatuese, ata u investuan të bëheshin vetë ligji. Por edhe vetë politika ishte e gatshme ti pranonte, edhe në rastet kur i dinte CV-të e tyre, ndoshta jo me imtësi. Sepse partive u duheshin para dhe njerëz të fortë për të siguruar vota ndaj dhe të tillë njerëz u kërkuan edhe atje ku nuk janë vetëofruar. Kjo tendencë bëri që parlamenti të mbushet me sipërmarrës, të cilët në mos qofshin të inkriminuar, nuk kanë asnjë lidhje me politikën dhe nuk japin asnjë kontribut në propozime apo diskutime projektligjesh. Detyra e tyre është thjeshtë të furnizojnë makinerinë e partisë me para gjatë fushatës, dhe jo vetëm, dhe ta shndërrojnë në biznes kartonin e votës në parlament. Ndërkohë që etja e partive për njerëz të pasur e të fortë, bëri që ta gjejë shpejt gjuhën edhe me njerëz qartësisht të inkriminuar apo sipërmarrës që fillesat e biznesit i kishin patur me aktivitete si trafiku i drogës, shfrytëzimi i prostitucionit etj.

Pikërisht gatishmëria e partive për tu kryqëzuar me njerëz të kësaj rrace e bën të vështirë dekriminalizimin. Pasi dekriminalizimi i politikës nuk është thjeshtë dhe vetëm moskandimi i njerëzve të inkriminuar. Dekriminalizimi real është largimi i ndikimit të këtyre njerëzve nga politikëbërja, qeverisja dhe legjislativi. Pyetja që lind në këtë rast është: A zhduket influenca e njerëzve të botës së krimit nga politika me largimin e tyre fizik? Pavarësisht që qënia e tyre fizikisht në parlament është shumë fragrante, sërish kjo nuk është fundi i dekriminalizimit. Ata mund të vazhdojnë ta ushtrojnë ndikimin e tyre përmes parasë. Krimi mund të blejë ligjvënës të korruputuar ose mund të sponsorizojë njerëz, që në kartelat e drejtësisë janë krejtësisht të pastër dhe që mund të ulen në karriget e parlamentit falë financimit të parasë së krimit dhe falë ligjit elektoral që mundëson “emërimin” e deputeve nga kryetarët e partive.

Parë në këtë këndvështrim, ashtu siç kriminalizimi ishte pasojë e drejtuesve të partive dhe mungesës së një ligji, edhe dekriminalizimi është detyrë si e ligjit ashtu edhe e krerëve të partive. Nëse ata do të kërkojnë sërish njerëz të pasur dhe të fortë, që “sigurojnë dhe rujanë vota”, atëherë do ti gjejnë të tillë, duke qenë në rregull edhe me ligjin. Ndaj dekriminalizimi i vërtetë është dekriminalizimi i financimit të politikës. Vetëm duke ndaluar futjen e parasë së krimit dhe të korrupsionit në politikë mund të ndalojmë depërtimin personal dhe të influencës së njerëzve të lidhur me krimin. Ndaj kushdo që futet në garë duhet të deklarojë burimin e parave me të cilat furnizon fushatën. Ky është dekriminalizimi real. (GSH)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje