2016-a, viti i "Vetting"-ut dhe dosjeve të bujshme

31 Dhjetor 2016, 13:49Dossier TEMA

Nga nisja në përfundim të tij, viti 2016 kaloi në ankthin e të konsideruarit “Dosja Vetting”.

Pas miratimit në parlament, për disa javë rresht ky ligj u ngri së funksionuari, pasi pas politikës, edhe gjyqtarët e ankimuan në Kushtetuese, duke kërkuar shpalljen e tij si të papajtueshëm me ligjin themeltar të vendit dhe si një proces që cenonte të drejtat themelore të gjyqtarëve.

Përgjigjja mbërriti nga Venezia dhe gongu i Kushtetueses ra më 22 dhjetor 2016, kur u bë publik vendimi se Vettingu ishte në përputhje me Kushtetutën dhe zbatimi i tij nuk cenonte asnjë të drejtë të palëve që përfshihen nga ky proces, gjyqtarë, prokurorë dhe drejtues të sistemit të drejtësisë.

E teksa 22 dhjetori do të mbahet mend si dita kur Vettingu mori certifikatën e ligjshmërisë nga gjykata, prej janarit ky vit nisi me plot dosje dhe procese të cilat ndikuan jo pak, shkruan shqiptarja.com.

Janari 2016 do të sillte dhe pushimet e hetimeve ndaj Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit. Ky vendim do të vinte nga prokuroria e Fierit, e cila prej disa kohësh hetoi për një përfshirje të mundshme të ministrit Tahiri në shkelje ligjore, kjo pasi kallëzimi ishte bërë nga Drita Zagani, një ish-efektiv policie, sot në arrati por i kërkuar për shpërdorim detyre dhe dekonspirim operacionesh ndaj narko-trafikantëve.

Përgjatë 2016-ës, në gjykatë përfunduan dhe të arrestuarit për laboratorin e kokainës në Xibrakë, ku sërish kjo dosje mbetet e hapur dhe pa një vendim dhe pse janë zhvilluar 18 seanca.

Drejtësia shqiptare në 2016 mundi të mbyll me një vendim përfundimtar të formës së prerë dhe ndër dosjet e konsideruara delikate atë të rekrutimeve të xhihadistëve drejt Sirisë.

Nëntë imamët e vetëshpallur u dënuan përfundimisht me 110 vite burgim në total dhe pas këtij vendimi ata u shpallën persona të cilët Kombet e Bashkuara dhe Qeveria shqiptare duhet ti mbaj nën vëzhgim dhe t’iu bllokojë llogaritë bankare e pasuritë.

Një tjetër dosje e rëndësishme u mbyll përgjatë këtij viti nga krimet e rënda dhe pas 65 seancash u shpall vendimi për vrasësit me pagesë të organizuar nga bandën e tritolit të Vlorës. Ndër të dënuarit ishte dhe vrasësi i kësaj bande Julian Sinanaj, i cili falë statusit të bashkëpunëtorit arriti të shmangte burgimin e përjetshëm.

E mbartur që më 2015, dosja që u mbyll me një vendim të formës së prerë ishte dhe ajo e Lazaratit me të pandehurin Razip Mahmutaj, njohur si Gatja i cili mbeti në burg së bashku me të birin dhe bashkëpunëtorët e tij.

Dënimit me burg për plot 8 vite nuk mundi t’i shpëtonte as piloti italian Girgo Rifformato, i përfshirë në transportin e drogës nga Shqipëria drejt Italisë me avion. Për Rifformaton, ka dhe një vendim për ta transferuar në Itali, për ta kryer atje dënimin e mbetur, por ai ende qëndron në burgun e Fierit.

2016-a solli para drejtësisë dhe një sërë zyrtarë të këtij sistemi të cilët në këmbim të parave e favoreve nuk i shpëtuan tundimit për t’u korruptuar. Ndër të dënuarit ishin gjyqtari i Sarandës, Rasim Doda, gjyqtarja e Lezhës Parashqevi Ademi, Prokurori i Fierit Petrit Vukaj, gjyqtari i Tiranës Ibrahim Hoxha.

Për herë të parë ky vit nën akuzë vuri dhe një gjykatës të lartë dhe ishte gjyqtarja Majlinda Andrea e cila u pezullua me kërkesë të prokurorisë dhe tashmë është e pandehur për korrupsion.

Nga i pandehur, i pafajshëm më pas dhe përgjatë 2016 në Paditës në dosjen e drejtësisë 2016 ish-guvernatori Adrian Fullani mundi të fitojë në gjykatën administrative 12 paga mujore pasi sipas gjykatës ai duhet të ishte shkarkuar në një tjetër mënyrë nga ajo e ndjekura për largimin e tij nga posti i Guvernatorit.

Prokuroria e Vlorës përgjatë 2016 me mbi 10 dosje arriti të sekuestrojë mijëra hektarë tokë në zonën e jugut të Shqipërisë, Rivierë dhe Bregdet e deri në Ksamil. Sipas hetimeve të cilat janë ende të hapura, pas përvetësimit të pronave me dokumente të falsifikuara qëndron një grup i strukturuar kriminal në mesin e të cilëve ka dhe zyrtarë të lartë publik.

Një vendim i gjykatës së Apelit të Durrësit do të përfshinte opinionin publik dhe komenti për të nuk do të linte jashtë politikën apo selitë diplomatike. Lulzim Berisha, i cili deri në 2014 ishte i dënuar me burgim të përjetshëm, dy vite më pas më 5 dhjetor 2016 fitoi lirinë me kusht.

Tani ky vendim është në fuqi dhe prokuroria ka depozituar rekurs në gjykatën e lartë aty ku gjithçka përfundimtare do të vendoset në vitin 2017.

Mesnata e 17 prillit 2016 për llogari të drejtësisë dhe prokurorisë së krimeve të rënda çoi pas hekurave Emiliano Shullazin e Gilmando Danin. Ata e kundërshtuan disa herë arrestimin në gjykatë, duke revokuar masën e sigurisë dhe kërkuan lirinë, por për prokurorinë tashmë ata janë në hetim për kërcënim, gjobëvënie e shantazh dhe ndaj tyre ka prova të mjaftueshme. Pas arrestimit për llogari të drejtësisë në sekuestro u vendos dhe ish Hotel Vollga në Durrës pronar i të cilës rezulton të jetë Emiliano Shullazi.

Kush u përgjua, si dhe nga kush për më shumë se 4 muaj do të mbante të ndezur debatin për të konsideruarën “Dosja Imsi Catcher”. Hetimi për përgjimet e paligjshme për disa ditë solli pezullimin nga detyra të kryepolicit Haki Çako e vartësit të tij Artion Duka, por ishte gjykata e apelit që rrëzoi këto masa dhe hetimet konsiderohen ende të hapura.

Nuk munguan dhe deklarime e dëshmi në prokurori, por kjo dosje më shumë krijoi një debat politik se sa zbardhi një rezultat nga prokuroria e cila dhe pse 2016 mbaroi nuk dha një rezultat se kush përgjoi kë dhe u shkel apo jo ligji me pajisjen e italianëve të cilët zyrtarisht deklaruan se ishte përdorur vetëm për arsye trajnimi.

Dosja “Cez” ishte sërish pjesë e prokurorisë e gjykatës për 2016-ën, u pushuan hetimet për Ministrin Damian Gjiknuri të paditur nga KLSH për shpërdorim detyre e dëm ekonomik në miliona euro.

U pushuan dhe hetimet për politikan ish zyrtarë të qeverisë Berisha të përfshirë në marrëveshjen me kompaninë Cez, ndërsa në gjyq vazhdon të mbetet vetëm Kastriot Ismailaj, ish administrator i borxheve të kësaj kompanie.

Në bankën e të akuzuarve nga drejtësia në 2016 përfundoi dhe ish deputeti Kristian Demokrat Mark Frroku, procesi i të cilit është ende i hapur ndërsa gjykata rrëzoi një ndër provat më të forta të prokurorisë, atë të hetuesve belgë, që bënin përgjegjës Frrokun për vrasjen .

Dekriminalizimi zuri një vend të rëndësishëm përgjatë 2016 në dosjet e prokurorisë shqiptare. Nëpërmjet drejtoreshës së kabinetit prokuroria e përgjithshme kërkoi zyrtarisht më 20 dhjetor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve t’i ndërpriste mandatin dy deputetëve, Dashamir Tahiri e Shkëlqim Selami, si dhe kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi.

Një dosje e nisur në 2016 e cila do të vazhdojë të jetë e hapur dhe për 2017 është ajo e një ndër hetimeve më të mëdha ku DEA amerikane është përfshirë në luftën kundër narkotrafikut në Ballkan dhe Evropë. Nga ky hetim ka rezultuar i përfshirë ish zyrtari i transportit në qytetin e Sarandës Klement Balili, ndaj të cilit ka një urdhër arresti ndërkombëtar ende të paekzekutuar. Prej më shumë se 7 muaj, Balili nuk u kap dhe tashmë kërkimet për të janë shtrirë në Shqipëri, Greqi, Kosovë dhe Mal të Zi e Maqedoni.

Ndaj Balilit ka nisur dhe hetimi pasuror, ndërsa pritet që rezultatet e këtij hetimi të bëhen publike përgjatë 2017-ës.

1 komente në “2016-a, viti i “Vetting”-ut dhe dosjeve të bujshme”

  1. Reforma drejtesi si LSI says:

    Me ne fund TEMA doli me me nje titull shkrimi qe ka kuptim dhe nuk ka nevoje te lexosh carcafin me poshte ba bereqet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje