Thaçi 'presion' Moskës: Koha që të reflektojë!

31 Dhjetor 2016, 12:16Rajoni TEMA

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili qëndroi në Turqi për vizitë zyrtare, në një prononcim për AA ka vlerësuar se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Turqisë do të vazhdojë të jetë strategjik në rrafshin politik, diplomatik, ekonomik, social dhe kulturor edhe në të ardhmen.

Presidenti Thaçi ka folur edhe për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë në aspektin e kulturës, tregtisë dhe ekonomisë, duke i vlerësuar si të shkëlqyeshme. Ai po ashtu falënderon homologun e tij Recep Tayyip Erdogan për rolin e tij i rëndësishëm për njohjet që i kanë ardhur Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës në shumë organizata ndërkombëtare.

“Kjo është vizita ime e parë si president i Republikës së Kosovës në Turqi. Raportet mes Prishtinës dhe Ankarasë janë të shkëlqyeshme. Turqia është nga vendet e para që e ka njohur Republikën e Kosovës”, shprehet Thaçi.

Në lidhje me Organizatën Terroriste FETÖ, e cila qëndron pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik, presidenti Thaçi vlerësoi se:

“Kosova ka pritur me vëmendje të madhe atë mbrëmje të zezë dhe të errët të sulmit ndaj institucioneve legjitime në Turqi. Unë po atë mbrëmje kam deklaruar qartë në emër të institucioneve dhe popullit të Kosovës se nuk ka tank e as dhunë që e shtyp vullnetin e një populli për liri, për të drejtat dhe institucione demokratike. Kosova ka qëndruar pranë institucioneve legjitime të Turqisë, pranë angazhimeve për stabilitet të presidentit Erdogan”.

Presidenti Thaçi shprehet se të gjitha ato elemente terroriste që sulmojnë për të destabilizuar institucionet legjitime, paqen dhe sigurinë në Turqi dhe gjetiu në botë, vlerësohen terroristë edhe nga Kosova. Ai tha se Kosova do të jetë e pakompromis, duke shtuar se janë të vëmendshëm për shqetësimin e ngritur nga autoritetet turke.

“Do të veprojmë sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Institucionet tona do të japin përgjigjen e tyre të drejtë, legale dhe juridike. Ne kemi filluar procesin tonë të verifikimit dhe investigimet të të gjitha bazave të dyshimit për elemente të tilla në Kosovë”, u shpreh Thaçi në lidhje me strukturimin e FETO-s në Kosovë.

Për një fqinjësi të qëndrueshme Kosovë-Serbi, nevojitet avancim politik

Presidenti Thaçi vlerëson edhe marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Ai shprehet se Kosova ka arritur marrëveshjes e parë në vitin 2013 për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilën siç thekson ai, Kosova është duke e implementuar. Ai shtoi se kanë arritur të implementojnë shumë marrëveshja, ndërsa disa të tjera janë në proces.

“Mendoj se jemi në një rrethanë të re kohore dhe të zhvillimeve të reja që kërkojnë një dinamikë dhe avancim të procesit në nivel politik në mënyrë që të fillojmë një dinamikë që do të çojë drejt një fqinjësie të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë dhe një pajtimi ndërshtetëror edhe në mes të popujve tanë”, vlerësoi Thaçi.

Sipas presidentit Thaçi, paqja dhe pajtimi mes Kosovës dhe Serbisë nënkupton paqe, stabilitet dhe pajtim në të gjithë rajonin.

Pamjet në Halep, më herët janë parë edhe në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë

Në vijim, Thaçi komenton edhe armëpushimin e arritur në Siri, si dhe rolin e Rusisë dhe Turqisë në këtë drejtim. Siç thekson ai, pamjet në Halep dhe hapësirat e tjera të Sirisë kanë qenë pamje që janë parë edhe më herët në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.

“Pamje të tilla ne nuk duam që të shohim. Ne kemi përjetuar luftën, e dimë sa e dhimbshme është, sa njerëz të pafajshëm vriten”, shprehet Thaçi.

Ai vlerëson se tani është koha t’i thuhet “stop” dhunës dhe vrasjeve, si dhe të ndodh armëpushimi të cilin, siç thotë Thaçi, e respekton ai vet dhe e respektojnë edhe institucionet e Kosovës.

“Urojmë dhe lutemi që të mos ketë viktima të mëtutjeshme, që të respektohet ky armëpushim, që njerëzit të jetojnë të lirë, në paqe dhe të jetojnë në bazë të vullnetit të vet për të ardhmen e vet”, deklaroi presidenti Thaçi.

Kosova nuk e meriton këtë qasje të padrejtë të Rusisë

Duke folur për qasjen e Rusisë në raport me Kosovën, presidenti Thaçi tha se pret ndryshim në këtë drejtim.

Sipas Thaçit, marrëdhëniet e mira mes Moskës dhe Beogradit nuk janë pengesë që edhe Kosova dhe Rusia të kenë marrëdhënie korrekte dhe konstruktive, veçanërisht tani kur po punohet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Jemi në prag të fillimit të një procesi të rëndësishëm të pajtimit. Unë mendoj se është koha e duhur që edhe Moska të fillojë të reflektojë për Kosovën, të respektojë vullnetin e popullit të Kosovës dhe, në kohën që ata vlerësojnë, të marrin vendimin për njohjen e realitetit kosovar”, vlerësoi Thaçi.

Thaçi rikujton se Rusia ka qenë pjesë e të gjitha përkushtimeve ndërkombëtare për Kosovën, si në Rambuje, ashtu edhe si pjesë e KFOR-it. “Gjithashtu ka marrë pjesë në procesin e negociatave në Vjenë, në ekipin e presidentit të Attisarit, si dhe ka zyrën ndërlidhëse në Kosovë. Prandaj Kosova nuk është vend armik i Rusisë. Kosova mund të luajë një rol dinamik të paqes dhe stabilitetit dhe mendoj se ndryshimi i qasjes nga Moska për Kosovën do të ishte kontribues pozitiv për rajonin gjithashtu”, vazhdoi Thaçi.

Thaçi vlerëson se tani është koha që raportet mes Kosovës dhe Rusisë të vijnë në kontakt të drejtpërdrejtë dhe jo përmes linjave indirekte. Poashtu, sipas Thaçit, tani është koha të hiqen paragjykimet dhe kjo do të ndihmojë Rusinë të kuptonte gjendjen në Kosovë dhe vendimin e drejtë që do të mund ta merrte për Kosovën.

“Kur në histori Rusisë nuk i ka ndodhur diçka e keqe nga Kosova. Prandaj, Kosova nuk e meriton këtë qasje të padrejtë të Rusisë ose ndëshkim”, shprehet Thaçi.

Kosova nuk do të jetë strehë për asnjë pjesëtar të organizatave terroriste

Në lidhje me luftëtarët e huaj nga Kosova që i bashkangjiten organizatave terroriste, Thaçi shprehet se Kosova do të jetë e pakompromis në këtë drejtim dhe nuk do të jetë strehë për asnjë pjesëtarë të organizatave të tilla terroriste.

“Kosova është pjesë e koalicionit anti-terrorist. Ne sapo kemi preventuar një sulm të planifikuar të tmerrshëm në stadiumin e Elbasanit në Shqipëri prej elementeve terroriste të ISIS-it (DEASH), e cila për ne është një organizatë financiare, kriminale, terroriste. Tani i kemi të identifikuar disa prej këtyre individëve kosovarë që janë në Siri. Në 12 muajt e fundit mund të themi se nuk ka shkuar asnjë kosovar për t’ju bashkangjitur kësaj organizate terroriste. Ka pasur pretendime, por ne i kemi evituar për të shkuar atje”, thotë Thaçi.

Presidenti Thaçi poashtu komentoi kritikat ndaj tij për vizitën në Turqi, me ç’rast tha se, “Ne jetojmë në demokraci dhe i respektojmë zërat e ndryshëm, por bashkëpunimi i ynë do të vazhdojë”.

2 komente në “Thaçi ‘presion’ Moskës: Koha që të reflektojë!”

  1. Reforma drejtesi si LSI says:

    AHAHAHA, JENI GAZETARE TE FORTE O TEMA EDHE NE THONJZA NUK JU SHKON HUMORI……

  2. Alban Hamzai says:

    Maredheniet Kosove-Turqi dihen qe me kohe ,pasi eshte thene qe Kosova eshte Turqi dhe Turqia eshte Kosove dhe shumica ne Kosove e ka pranuar. Nga ana tjeter Kosova I kerkon Rusise te respektoje vullnetin e popullit te Kosoves.Shume mire .Po Kosova a do te respektoje vullnetin e popullit te Krimese I shprehur jo me arme e vrasje,por me mjetin me demokratik-referendumin ? Pra njiheni ju Krimene z.Thaci qe ti tregoni Rusise se duhet te respektoje vullnetin e popullit Kosovar.Ju lutem botoni komentin tim!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje