Dy lajme shqip, Paris–Tiranë dhe një i tretë

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

vangjeliNga Lorenc Vangjeli

Ku ka dy, ka dhe tre. Dy lajme për Shqipërinë erdhën nga Franca në këtë fillim viti. I pari i mirë, i dyti i keq. I pari konfirmues. I dyti paralajmërues. I pari nga pushteti që kërkon të rikonfirmohet në pushtet. I dyti nga opozita që kërkon pozitën. Njëri nga e majta tradicionale që po lundron në ujëra të paqarta elektorale, tjetri nga e djathta ekstreme që synon të kullohet për shkak të turbullimit masiv të ujrave në Francë dhe në të gjithë Evropën.

Presidenti francez pritet të vizitojë Tiranën diku nga muaji mars. Vizita të tilla, për shkak të raporteve dhe të interesave të përbashkëta mes dy vendeve, vlejnë për të nënvizuar pikërisht interesat e përbashkëta mes tyre.

Në këtë mënyrë, kur të ndodhë, do të thuhet se Franca mbështet orientimin evropian të Shqipërisë, se vlerëson kontributin e saj në luftën kundër terrorizmit dhe se nxit intesifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve duke nxitur depërtimin e kapitalit francez në Shqipëri.

Shqipëria do të falenderojë për mbështetjen franceze në përpjekjet për integrimin evropian të vendit, do të premtojë vazhdimin e angazhimit serioz në luftën kundër terrorizmit që kërcënon rrënjët e qytetërimit evropian, konsideron nevojën për më shumë qartësi në politikën evropiane, kryesisht për shkak të rritjes së pakontrolluar të ekstremizmit në kontinent dhe se do të punojë për të krijuar kushtet më të mira për klimën e të bërit biznes në Shqipëri.

Edhe Franca, edhe Shqipëria do të shprehin bindjen se fryma e tolerancës, harmonisë  dhe bashkëjetesës – sipas shembullit të marrëdhënieve mes besimeve të ndryshme fetare në Shqipëri – është modeli i vetëm i Evropës së nesërme. Ajo Evropë, ashtu si Amerika e pardjeshme e të shkuarës, tek emigracioni duhet të shohë  zgjidhjen e problemeve dhe jo një problem të shtuar. Edhe Franca, edhe Shqipëria, do të shprehin angazhimin e dyanshëm për intesifikimin e marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat.

Në fund të takimit, presidenti Hollandë do të thotë se është mjaft i kënaqur me mikpritjen dhe se do të kujtonte gjithmonë tre lapsat me ngjyra të kryeministrit Rama në marshimin e solidaritetit në Paris dy vjet më parë.

Pak a shumë ky do të jetë njoftimi zyrtar francez dhe thelbi i takimit të nivelit të lartë në Tiranë. Tërësisht normal dhe tërësisht politik. I vlefshëm për të dy palët politikisht, praktikisht, por edhe privatisht.

Hollande me probleme popullariteti në Francë, në prolog të zgjedhjeve presidenciale ku ai nuk do të konkurojë për një mandat të dytë, është i sigurt që në Tiranë mund të pritet si De Goli në Paris në 1945-ën. Do të dekorohet nga presidenti i republikës me dekoratën më të lartë të Republikës së Shqipërisë dhe me gjasë edhe mund të mendojë se nëse francezët do ta donin siç e duan shqiptarët, do të mund të rrinte edhe disa mandate të tjera në presidencë.

Rama me problemet e njohura të vitit të fundit të mandatit të tij të parë, me garën ende të hapur mes premtimeve dhe realizimeve, mes formës dhe përmbajtjes, mes miqve praktikë dhe armiqve retorikë në politikë, e merr këtë vizitë si një një rikonfirmim të vizionit të tij evropian dhe si një premtim që ai, mbas bisedës në frëngjisht me Hollande, mund të bëjë edhe më shumë për të nesërmen evropiane të të gjithë Shqipërisë, Kosovës, por dhe shqiptarëve kudo që ndodhen.

Dhe ky është lajmi i parë dhe i mirë që vjen nga Parisi në Tiranë. Tërësisht normal. Tërësisht i duartrokitur dhe i mirëpritur. Me hir nga e majta dhe me pak pahir nga e djathta.

Lajmi i dytë në të njëjtin aks, nga Parisi në Tiranë, vjen nga mtonjësja e djathtë e pushtetit të majtë. Marine Le Pen, kryetare e Frontit Kombëtar, përmend Shqipërinë dhe shqiptarët në një intervistë televizive. Ajo thotë se do të duhet të refuzohen të gjitha kërkesat e azilantëve shqiptarë në Francë. Kërkesat e tyre as nuk duhen shqyrtuar dhe jo më t’u jepet statusi i azilantit, thotë Le Pen, një e djathtë ekstreme, e cila konkuron për postin e Hollande në presidencialet e vitit të ardhshëm.

Eshtë herët për të folur për shanset reale të të djathtës ekstreme në Francë, por një gjë është e qartë: klima për emigrantët në klubin e pasur evropian po bëhet gjithnjë e më e zymtë. Dhe parashikimet “meteopolitike” janë po aq të zymta. Skajet në politikë janë si magnetet: tërhiqen gjithmonë. Tendencat drejt të djathtës, e bëjnë edhe të majtën më të djathtë dhe anasjelltas. Ky është një cikël që përsëritet, në të cilën Shqipëria fatkeqësisht është spektatore në një kohë të keqe e të papërshtatshme. Sepse fatkeqësisht ka humbur shumë kohë më aksidentet e saj vetjake politike duke shpërdoruar njëri mbas tjetrit shanse dhe mundësi. Kryesisht për shkak të egërsisë orientale me të cilën ka kultivuar politikën e saj lokale të forcës dhe nënshtrimit të paqtë në arenën ndërkombëtare. Sepse nuk ka ditur të zgjedhë dhe të zgjidhë të vetmen gjë që duhej të bënte: të afronte normalitet dhe stabilitet.

Ku ka dy, ka gjithmonë edhe tre. Dy ngjyra flamuri shqiptar. Tre ai francez. Po aq lapsa dhe në xhaketën e Ramës në Paris dy vjet më parë. Lajmi i tretë francez në aksin Tiranë – Tiranë u prodhua nga ambasada franceze në Tiranë. Ajo njofton zyrtarisht se është në dijeni të dëshirës së Presidentit Hollande që të vizitojë Shqipërinë gjatë muajit mars. Por megjithatë, “…nuk ka akoma asnjë informacion të besueshëm mbi programin e kësaj vizite, i cili do të përcaktohet, kur të vijë koha, mes autoriteteve franceze dhe shqiptare, sipas rregullave protokollare”,  thuhet në njoftimin e ambasadës franceze.

Tre muaj përpara marsit të premtuar, e sigurt është vetëm një gjë: dita e ardhjes së presidentit Hollande në Tiranë do të jetë një ditë e plotë “live” e gjithë televizioneve dhe një nga ato pak ditë kur Tirana tërheq vëmendje. Sepse në fund të fundit, ky është fati i të qenit vend i vogël. Shumë – shumë mund të shërbesh si shërbesh si shembull dhe konfirmim i faktit se të vërtetat nuk janë kurrë as të vetme dhe as vetëm me një fytyrë. Se gjithmonë, ku ka dy, do të ketë edhe tre!/ (Javanews.al)

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

1 komente në “Dy lajme shqip, Paris–Tiranë dhe një i tretë”

  1. lili says:

    Lajmi i trente eshte arrestimi i Haradinajt,i cili eshte thèse per kombin shqiptar ne teresi!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *