Real, Zidane një vit mes trofeve dhe rekordeve

4 Janar 2017, 17:53Sport TEMA

Ka kaluar ekzaktësisht një vit prej momentit kur Florentino Perez vendosi të shkarkonte Benitez dhe t’ia besonte stolin e Realit të Madridit një legjende si Zinedine Zidane. Një zgjedhje e guximshme dhe e rrezikshme, por që gjithsesi dha rezultatet e saj, duke qenë se me francezin në stol, “Los Blancos” e mbyllën vitin 2016 me triumfin e njëmbëdhjetë në Champions, fitoren në Superkupën e Europës dhe së fundmi me trofeun e Botërorit për klube.

Zidane ka ndërtuar praktikisht një skuadër perfekte, që nuk humbet prej 37 ndeshjesh dhe që tashmë synon të arrijë dhe të kalojë rekordin e Barcelonës, me 39 ndeshje radhazi pa humbje. Në momentin e emërimit të Zidane ishin të paktë ata që besonin se një trajner pa eksperiencë do të regjistronte një ecuri të tillë, në stolin e një skuadre që historikisht ka qenë mjaft i vështirë edhe për emrat më të mëdhenj të trajningut botëror.

Pas vështirësive të kuptueshme të startit, Zidane arriti ta kthente 2016-ën në një vit të paharrueshëm për Realin e Madridit. Jo gjithçka ka qenë e lehtë, sepse në disa raste edhe Zizou përfundoi në qendër të kritikave. Nga humbja në derbin me Atletico Madrid, për të vazhduar në disfatën në çerekfinalen e parë ndaj Wolfsburgut. Këto ishin dy humbjet e vetme të Zinedine Zidane në 53 ndeshje, ku në 40 raste ka dalë fitues dhe 11 herë ka barazuar.

Merita kryesore e ish-kapitenit të Francës është që sheshoi problemet e brendshme te Reali dhe siguroi mbështetjen e plot të Cristiano Ronaldo-s. Kjo mjaftoi që triumfet të vinin, ndërsa aktualisht madrilenët kryesojnë me meritë La Liga-n. Rivalët në Spanjë dhe në Europë janë të paralajmëruar./SS/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje